Mendime
Behxhet Shala: Atë që e zë gjumi, e merr lumi!
E shtune, 26.01.2013, 10:52 AM
Atë që e zë gjumi, e merr lumi!
Nga Behxhet Sh. Shala
Vajtojcat
e Shkodrës dhe reagimet politike:
Lapidari
i UÇPMB-së u hoq. Pa asnjë rezistencë të atyre që "kishin vendosur të
vdesin" në mbrojtje të lapidarit.Qofshin ata që ishin të gatshëm ta
"nisin luftën" me Serbinë nga kafeteritë e Prishtinës, zyrave të
institucioneve qendrore dhe lokale, trimoshave nga Shqipëria dhe Maqedonia, nga
shetitioret e Gjilanit dhe burrat e "armatosur të odave të ulur në bisht
të trapazanit! E pranoj se kam qenë i shqetëauar shumë, sepse nuk isha në
gjendje , në mungesë të trimërisë dhe guximit, të sakrifikohesha për lapidarin
dhe vetëm shikoja si do të ikja për të shpëtuar lëkurën time! Sidomos pas
flakës që e ndezën politikanët gjithandej trojeve ku jetojnë shqiptarët trima!
Se do ta mbronin me trupat e tyre lapidarin, se nuk do ta pranojnë yhvendosjen
e lapidarit, se do të jepnin dorëheqje nga postet politike për shkaqe etike dhe
shumë të tjera! Doli se nga kjo flakë ishte vetëm një tym i dendur i cili, në
vend se ta mbulonte përgjegjësinë e atyre që folën fjalë të mëdha, në fakt e
lakuriqësojë papërgjegjësinë të lehta dhe të forta që i japin politikanët tanë
e që hyjnë në "llugë pa sakicë"! politikanët dhe shigjetarët opozitarë
që janë të parapaguar të ngrenë tensione është dashur të jenë shumë të
kujdesshëm, sidomos pas deklarimit të ambasadave të huaja në Beograd se
"çeshtja e lapidarit është çeshtje e brendshme e Serbisë" dhe se kjo
shprehimisht, për ata që kanë njohuri elementare politike, nënkupton se Serbisë
i janë duartë e lira për veprim! Është interesant se pikërisht pas prononcimit
të ambasadave të huaja "radikalët" tanë e sforcuan retorikën e tyre
duke shpërndarë kërcënime nëpërmjet medieve të shkruara dhe elektronike të
cilat treguan se janë shumë larg moralit dhe profesionalizmit në krijimin e
opinionit! Shkrimet e mediave apo raportimet krijuan një atmosferë lufte dhe
mungonte vetëm ora e saktë se kur do të fillojë kjo luftë! Daçiçi nuk
intervenoi para takimit në Bruksel për fituar pikë politike te ndërkpmbëtarët,
dhe në këtë mënyrë u krijua përshtypja se Serbia u tërhoq nga vendimi për
rrënimin e lapidarit gjë që trimërojë edhe më shumë trimoshat që dilnin para
medieve, ata politikanë dhe ish komandantë të shndërruar në zhvatës ordinerë të
cilët përpiqen ta rikthejnë lavdinë e dikurshme në situatë kur prodhohen kriza
qofshin ato edhe artificiale! Xhandarmëria serbe me të dyshuarin për krime
lufte në Drenicë, gjeneralin Dikoviq i famshëm për betimin me rastin e marrjes
së postit të të parit të kësaj xhandarmërie, në mëngjesin e së dielës kur sipas
Vedat Stupcit edhe AKSH është në pushim dhe punon, e hoqi lapidarin pa hasur as
në një rezistencë vërbale! Këta që thërrisnin në rezistencë deri në sakrificë e
zgjatën gjumin. Jo se nuk patën guxim të dalin! Në fakt nuk kishin guxim as t'i
hapnin dritaret apo të shkonin në xhami. Sepse kishin urdhër të prerë, ndryshe
do të qëllohej mbi çdonjërin në të cilin dyshohej. Pas largimit të
xhandarmërisë serbe te vendi ku ishte lapidari u mblodhën
"mbrojtësit" e tij,politik dhe ushtarak duke vendosur lule apo
qirinj! Dhe duke dhënë deklarata para mediave të Serbisë me një gjuhë serbe të
rrjedhshme. Faktori ndërkombëtar edhe këtu u turpërua, sepse haptazi po zbaton
standarde të dyfishta. Duke kërkuar të drejta për serbët e Kosovës mbi të
gjitha dokumentet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut dhe të drejtat e
pakicave kombëtare, dhe duke ua mohuar shqiptarëve të Luginës së Preshevës!
Duke krijuar entitetin parashtetëror serb në Kosovë, dhe në anën tjetër duke e
inkurajuar Serbinë t'i shpërngul shqiptarët e Luginës me frikësim dhe terror!
Atë që e bëri shteti serb dhe xhandarmëria serbe në Preshevë është terrorizëm
shtetëror! Prandaj, fitorja e Daçiçit në fakt është fitore e Pirros e cila do
t'i kthehet si bumerang në të ardhmën.Nuk ka rast në botë që dhuna ka prodhuar
paqe. Kosova është shembull tipik për këtë pohim timin. Në planin afatgjatë nuk
mund të zbatohet në Kosovë Pakoja e Ahtisarit që i bën serbët mbipopull këtu,
ndërsa në Luginën e Preshëvës të zbatohet Pakoja e Daçiçit dhe e Dikoviqit që
ka për qëllim zhbërjen e shqiptarëve në Luginë! Gjithashtu, nuk mund që çeshtja
e veriut dhe lokacioneve ku jetojnë
serbët në Kosovë të trajtohet si çeshtje e Brukselit dhe Uashingtonit, ndërsa
çeshtja e shqiptarëve të Luginës së Preshevës të trajtohet si çeshtje e
brendshme e Serbisë! Nuk është në rregull dhe nuk është e lejueshme që lapidari
i UÇPMB të trajtohet si çeshtje e brendshme e Serbisë dhe të hiqet në mënyrë të
dhunshme, ndërsa lapidari shovenist dhe çetnik në qendër të Garazhdecit të
konsiderohet si trashëgimi kulturore serbe e mbrojtur nga ndërkombëtarët në
Kosovë! Lapidari shovenist në Garazhdec aktualisht i ka mbetur vetëm edhe
mbrojtja e UNESCO-s në mënyrë që të hyjë edhe në listën e objekteve
ndërkombëtare të mbrojtura. Lapidari i Garazhdecit nxitë urrejtje ndëretnike
dhe i glorifikon ata që janë përgjegjës për vrasjen e 10.000 civilëve shqiptarë
në Kosovë gjatë luftës 1998-1999 dhe fillon me fjalët: "Të vrarë nga duart
e terroristëve shqiptarë..." Aty është edhe emri i kriminelit Shalipur dhe
të tjerëve që kanë masakruar qytetarët e Dukagjinit dhe më gjerë!
Mbrojtja
e "zjarrtë" dhe reagimet edhe më të "zjarrta":
Vajtojcat
e Shkodrës ishin trup profesionast që vajtonin të vdekurin e që ngjallte një
hidhërim dhe mërzi të thellë tek të pranishmit. Vaji i tyre prodhonte efekt
emocional. Politikanët tanë janë si Vajtojcat e Shkodrës.Reagojnë gjithmonë në
kor vetëm pasi "të falet Bajrami"! Reagimet i kanë të forta sikur edhe
përkrahjen. Vajtojcat e Shkodrës dhe politikanët shqiptarë kanë shumë gjëra të
përbashkëta. Reagojnë me një zë dhe këto reagime janë artificiale. Të dyja
palët derdhin lot të rreme ose me zhargonin modern derdhin lot krokodili. Dhe
përfundimisht të dyja palët paguhen mirë për vajin e tyre të cilin shndërruar
në art! Kjo nuk nënkupton se edhe në mesin e vajtojcave nuk ka të tilla që
vërtetë ndjejnë dhimbje sikur që edhe në mesin e politikanëve ka të tillë që
janë të vetëdijshëm për fuqinë apo më mirë të them për pafuqinë për përkrahje.
Lexuesi i vemendshëm e ka të qartë se pas takimit të dy komandantëve politikë
të UÇPMB-së dhe UÇK-së në Prishtinë, ky i Luginës pas takimit ku duket se ka
pritur përkrahje të madhe, nuk u nda shumë i kënaqur, sepse nuk kishte asgjë të
re!
Zyra e
Presidentes rivalizon KMDLNJ-në:
Zyrtarët
për informim të presidentës Atifete Jahjaga pas kthimit të tyre nga haxhillëku
në Arabinë Saudite dhe Abu Dabi reaguan ashpër duke deklaruar se:"heqja e
lapidarit të UÇPMB-së në Preshevë paraqet shkelje të rëndë të të drejtave të
njeriut...". Për këtë arsye KMDLNJ nuk ka reaguar fare duke e shfrytëzuar
si zëdhënës pikërisht Zyrën e presidentes, Atifete Jahjaga! Sipas vlerësimit të
KMDLNJ-së ky reagim ka qenë nën profesionalizmin e një organizate joqeveritare
që merret me të drejtart e njeriut! Për reagim për të drejtat e njeriut e
dhashë vlerësimin, ndërsa për reagime të natyrës politike nuk mund të jap
vlerësimin. Së paku deri tash, sepse nuk ka pasur fare reagime. kanë qenë do
reagime të kopjuara apo eho e reagimeve të politkanëve tjerë. Shpresoj se pas
takimit me Nikoliqin do të kthjellen, sepse ua kanë zgjatur shumë veshët me
këtë takim, të cilin aq shumë po e dëshirojnë. Deri në gjakim!
Oj Serbi
ta ngulsha hunin pse aq shpesh po na e prishë gjumin:
policia
serbe është shumë interesante. Më heret na arrestonte kryesisht midis orës 4
dhe 5 të mëngjesit pikërisht kur na zinte gjumi mirë e mirë. Kryesisht ditëve
të pushimit dhe festave. Ata nuk janë normal fare.Në vend se t'ia fusin gjumit
sikur ne, ata punojnë.Vetëm kur e shihnim vetëm të prangosur. Me brekë apo pa
to. Siq kishim qëlluar! Dhe ne vazhdojmë ende të flemë. Tash, në këtë kohë na
arreston policia e UNMIK-ut dhe EULESH-it! Sipas kohës serbe dhe me dosje
serbe! Por as ne nuk jemi normalë! Nuk ia prishim vetës gjumin. Ndonëse është
dashur të mësohej nga pësimi! Edhe në Preshevë "mbrojtësit e
Lapidarit" i zuri gjumi! Prandaj ua rrëmbyen Lapidarin. Ne vazhdojmë ende
të flemë, prandaj jemi ku jemi! Në Mitrovicën e veriut serbët nuk flinin natën
apo flinin në barrikada. Prandaj janë faktorizua dhe po faktorizohen.
Shqiptarët e Luginës së Preshevës nuk do të faktorizohen deri sa të jenë në
gjumë. Ata duhet të bashkohen në radhë të parë. E jo të mbesin si deri tash, si
vetë e qyqes! Politike e korbave(nxjerrja e syve njëri-tjetrit)ka qenë fatale
për shqiptarët në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi dhe Serbi. Kemi mbetur
vrima e fundit e kavallit ballkanik dhe evropian! Prandaj të tjerët i luajnë
gishtat dhe bëjnë muzikë, dhe ne luajmë sipas asaj muzike! Mbase edhe nuk kemi
vesh për muzikë-politikë!
ZOTI na
ndihmoftë! ( autori është kryetar i KMDLNJ në Prishtinë-FM)
(shkrimi u huazua nga gazeta Epoka E Re, e martë, 22 janar 2013, fq-11)