Udhëpërshkrim » Gorica
Pëllumb Gorica: Edith Durham - Mikesha e përjetshme e shqiptarëve
E marte, 11.09.2012, 06:01 PM
EDITH
NGA PËLLUMB GORICA
Krahina e
Sulovës, që shtrihet rrëzë malit të perëndive, Tomorrit hijerëndë (në pjesën
veriore dhe perendimore të tij) në shekuj nuk i ka shpëtuar syrit të huajve. Udhëtarë,
studiues, historianë, ushtarakë të lartë, shkrimtarë, inxhinierë, të kombësive
të ndryshme: anglezë, austriakë, italianë, gjermanë, francez, etj. Dhe nuk janë
të paktë ata që kanë shkruar: Ami Bue, Pukvili, Johan Georg Fon Hann, Edith
Durham, Gjergj Veith, Dayrrell Oaklej Hill, D Thurn etj. Janë interesante përshkrimet
e tyre. Një pjesë, duke e përmendur kur ua donte qëllimi apo misioni i caktuar,
të tjerë, duke shkruar të impresionuar nga peizazhi, dukuritë, gjëndja sociale
e ekonomike. Përshkrimet e Edith Durham flasin për këtë krahinë, me detaje
interesante dhe informacione për gjeografinë, ndërtimet, traditat, karakterin
origjinal të banorëve, probleme të kohës siç ishin gjakmarrja, mjerimi i ulur këmbëkryq,
për vështirësitë e udhëtimit etj.
Edith
Durhami udhëtoi nëpër shumë krahina, fshatra, qytete, male, fusha e lugina
lumenjësh në territoret shqiptare. Asaj i pëlqente të futej në krahina të thella,
rrallë të shkelura. Duhet theksuara se ishin udhëtime të rrezikshme e me plot të
papritura dhe sidomos për një grua në vështirësitë e gjëndjen që ndodheshin
territoret shqiptare në atë kohë. E frymëzuar nga gjeografia, historia,
mikpritja shkroi me simpati për popullin shqiptar, për virtytet e larta morale,
të besës, zakoneve dhe trimërive të tyre, por edhe gjëndjen ekonomike, sociale,
fetare, etj. Edith Durham ishte realiste me dëshmit e saj për të cilat janë të domosdoshme
për të ditur më shumë për të kaluarën tonë tragjike. Edith Durhamin e kanë përshkruar
si mbretëreshë e pakurorëzuar të çështjes shqiptare. “Mikesha e përjetshme e
shqiptarëve.” e cilësonte Faik Konica. Mbreti Zogu i Parë e dekoroi me titull
nderi me motivacionin: “Ajo na fali neve zemrën e saj dhe fitoi si këmbim vëmëndjen
e malësorëve tanë.”
Edith
Durhami udhëtoi nga Berati në Elbasan, brigjeve të lumit Devoll në fillim të shekullit
XX,(viti 1906) e shoqëruar nga një suvari (xhandar kalorës). Nga botimi “Brengë
e Ballkanasve’’ faqe 293-294 po sjellim përshkrimin e saj:
...“U
larguam nga Berati për në Elbasan në orën 6 të mëngjesit, unë me kalin tim më të
dobët që kam parë, sepse ai as vraponte, as mundte të ecte, por lëvizte gjithnjë
duke u hedhur. Nuk mërzitem nga hedhjet e një mëzi për një farë kohe, por kur
kjo zgjat për 12 orë rresht është e lodhshme. U gëzova që rruga ishte shumë e
keqe që kali të ecte ngadalë, përndryshe udhëtimi qe i këndshëm. Shpejt arritëm
në lumin Devoll dhe vazhduam gjatë bregut të tij.
Suvaria (xhandar
kalorës), një djalë i qeshur i zhdërvjellët i cili e quante udhëtimin tim çështje
sporti, për qejf, gjë për të cilën ai e aprovonte plotësisht. Tha se përveç një
pengese të vogël të tij private, rruga ishte plotësisht e sigurt. Prindi i tij
plak e i mjerë, i cili në atë kohë nuk mund të zgjidhte vetë atë çështje nderi
i qe dashur të largohej nga ai rreth. Gjendjen e tij djali nuk e quante aq të keqe
përderisa ishte futur në xhandarmëri. Kjo ishte një mbështetje mbrojtëse për të
sepse ishte i armatosur mirë. Për hatrin tim ai tha që shpresonte që të mos
hasnin atë ditë me ndonjë nga armiqtë e tij dhe derisa fliste kështu ai
shikonte nga të gjitha anët me sytë e tij boje hiri prej shqiponje. Për fat të mirë
ai nuk banonte për gjatë rrugës që do të kalonim në, por po ta shihte njeri
mund ti zinte pritë kur të kthehej. Sigurish ai s’ishte i marrë që të kthehej
prapë nga kjo rrugë. Numrin e varreve të humbur që gjendeshin rrugës ishin dëshmitë
e atyre fjalëve që na thoshte ky djalë.
Të gjithë
burrat që lëronin tokën mbanin gjeverdarë (pushkë). Barinjtë e kodrave kishin
martina dhe gjerdanët plot me fishekë. Disa prej tyre ishin shumë të rinj, çunakë
të errët, fort të pashëm, të hedhur dhe sqimatarë me paraqitje krenarie sikur
donin të thoshin “veri gishtin kokës, jam unë këtu” Jeta në këtë krahinë është shumë
e rëndë, prandaj ata më të fortët mund të mbijetojnë. Gati një çereku i tokës
ishte i punuar, por brenda disa pyjeve shihej se po hapnin toka të reja të cilat
ishin të shëndosha. Dolëm në një shesh të gjerë në mes të cilit gjendeshin dy
drunj arrash të mëdhenj. Këtu suvaria ndali për t’u kënaqur me kujtimin e
shenjave të plumbave në qitje me pushkë që kishin pasur bërë në këtë vend njerëz
të ndryshëm. Një vit më parë dy katundarë, atë e bir qenë qëlluar nga të zotët
e asaj shtëpie në kodër derisa u vranë të dy. Tani s’kish mbetur gjë veç qivuri
i tyre, një grumbull i madh me gurë. Pse i vranë ? Suvaria nuk e dinte ndoshta
kishin armiqësi gjaku.
Në çdo
kryqëzim degësh të pemëve gjatë rrugës ka të vendosur nga një gur si shenjë për
të përforcuar besimin e njerëzve. Ata vendosën mbi degët që të mos shkelin për çlodhje
njerëzit e tyre të vdekur kur kalojnë fluturimthi. Ndër të gjitha rrugët ka
shumë nga këta gurë, më duket se edhe qiraxhiu im vendosi një mbi degët e një lisi.
Kur
thirren ushtar njerëzit e kësaj krahine shpesh e deklarojnë veten të krishterë për
t’u përjashtuar dhe pastaj kur vijnë tagrambledhësit për të kërkuar taksa ata i
përzënë me duar thatë e me kërcënimin e armëve, duke thënë se nuk i paguajmë taksa
se jemi myslimanë.
Më në fund
zbritëm në luginë dhe hasëm në ca hunj dhe një qemer të cilat tregonin se këtu
kishte qenë urë. Ju drejtuam bregut të lumit dhe suvaria, duke bërtitur e
llomotitur me disa katundarë në anën e përtejme pyeti se ku ishte lumi i
kalueshëm dhe pastaj preu dhe hyri i pari në lum. Kurajua që më dha ky më detyroi
të ndjek nga pas pa asnjë dyshim. Uji na arriti deri aty sa nuk na u desh të notojmë,
porse të tjerët u zhytën duke nguruar. Prej këtej vazhduam drejt një rruge të mirë
dhe pamë Elbasanin që shtrihej në një fushë të gjerë me minare të bardha, një xixëllim
në mes qiparisave që na dukej se nuk do të mundeshim ti aviteshim kurrë…”
Duhet të shkruhet e të rifreskohet kujtesa për miken tonë të madhe Edith Durhamin, për këtë zonjë të devotshme, që vështroi deri në imtësi e admirim të vërtetën e popullit tonë të vuajtur, por fisnik e fatin e tij tragjik nga shumë padrejtësi të mëdha ndaj kombit tonë në fillim të shekullit XX.