Kulturë
Kristaq Turtulli: Vij nga Shqipëria
E premte, 24.08.2012, 07:11 PM
Cikël poetik: " Vij nga Shqipëria."
Kristaq Turtulli
FOSHNJË MËNGJESI
Sa shpejt u ndjeva flokëbardhë
Në mesin e shkallinave,
Në kryqëzim të erërave,
Larg vendlindjes sime
Në cepin e një bote.
Blerimi i përhershëm i nënës,
U ndeh në parvazin e dritares
Me mallin e viteve të shkuara,
Me fjalët e pathëna.
Me ëndrrat e thara.
Shamia e nënës, hallemadhes
Litar malli
U përlota.
Shkëndijimi i syve të gruas
Pas la
Në rrugët me kalldrëme,
Dimërimin e sertë,
Të politikave, tinëzive, bërrylave,
Për një pranverë më të bardhë.
Fëmijët me ngutje ngritën folenë
Në lisat e përcëlluar të qerpikëve.
Për një të nesërme.
Përtej kornizës së mendësisë sime,
Marrëzia e lyer dhe e pudrosur,
Me kozmetikën e fillim shekullit
Përgatitet për paradën e radhës.
Sa munda u shmanga...
Përjetësisht
Mbërthyer në gozhdën e kozmosit
Ëndrra e emigrantit
FOSHNJË MËNGJESI.
VIJ NGA SHQIPËRIA
Rrjedh e rrjedh e viteve rrjedha
Në shkëmbinj të thikta, në pllaja
Në krahun e ëndrrës u përkund fëmijëria,
Në kalldrëme u ronitën këpucët me arna.
Rrjedh e rrjedh e viteve rrjedha,
Në jastëkun e dëshirës mbeti puthja.
U mpak e ëmbla e bukura rinia,
E vyshku dimri e ftohta, ngrica.
Rrjedh e rrjedh e viteve rrjedha.
Se plot aromë besuam çeli lulemolla!
Kostumin shpejt e hëngri mola.
Ikën bijtë në vise të panjohura.
Rrjedh e rrjedh e viteve rrjedha.
Me thinja e rrudha na bëri mosha,
Serish nga gëzimi regëtin zemra,
Sa herë dëgjojmë: ‘Vij nga Shqipëria.’
9 shkurt 2012
Mosha
Një thinjë, dy, njëqind njëmijë,
Shkoi çamarroku që luante lojë lufta,
Në ajër u tret fryma e fëmijërisë,
Pëllumb i bardhë i bë i nënës puthja.
Në pyllin e jetës ra bryma e parë,
Humbi gugu-ftuja nëpër ahishta,
Herë bëhej flutur dhe herë thëllëzë
E tok me të rinia, e bukura e brishta.
Pishat e rralla u mbuluan nga bora e rëndë.
Hëna e grindur numëron yjet me gishta,
Noton mosha, mbijeton ne detin me dallgë.
Në jastëkun e memories kujtimet e trishta...
Shkurt 2012