E premte, 26.04.2024, 04:50 PM (GMT+1)

Kulturë

Zeqir Lushaj: “Heshtja e bardhë” nga Gjin Gjonpali

E premte, 18.05.2012, 07:38 PM


Zeqir Lushaj: -Ju prezentoj librin e ri.

HESHTJA E BARDHË
 
- Cikël poetik nga libri “Heshtja e bardhë” e autorit Gjin Gjonpali –

Poeti i Malësisë së Mirë, (Tropojë), GJIN GJONPALI

DITËT

Ne iu kërkojmë ditëve lumturi,
Ato na e falin sipas mënyrës së tyre,
E ne lumturohemi deri në shtat qiej.

Por ditët nuk janë tonat…

Ne ju kërkojmë ditëve gëzime,
Po ato ngatërrohen e na japin edhe brenga,
E ne i fajsojmë e nxihemi sterrë.

Por ditët nuk janë tonat…

Ne iu kërkojmë ditëve dashuri,
Ato na e shpërfaqin sipas mënyrës së tyre,
E ne digjemi flakë ndjesive të kaltra.

Por ditët nuk janë tonat…

Ne iu kërkojmë ditëve, rini të përjetshme,
Po ato na zbulojnë thinja me imazhe vjeshte,
E ne zhgënjehemi në pafuqinë e tyre.

Por ditët nuk  janë tonat…

Ne iu kërkojmë ditëve të tjera ditë,
Po ato sosen për ne e shtohen për të tjerët,
E ne iluziojmë për tjetër jetë.

Pa e mësuar kurrë se ditët nuk janë tonat.

E hënë 28 Mars 2011

EVOLUCIONI

Zvarritshëm lartësitë,
Gjarpëri i ngriti,
E folenë e shqipes,
Me mund e arriti!

Atje, fole – bosh,
Zhgënjim, zbrazëti,
Iku zvarraniku,
Por…,la vezët e tij.

Muzgjeve të vona,
Hapësirave, si rrufe,
Kthen e vjen shqiponja,
Ç’lodhet në fole.

Ooo, ç’panë një ditë prej ditësh,
U tmerruan shkëmbinjtë,
Kishin filluar,
Të fluturonin gjarprinjtë!

PREJ TERRIT NË TERR

Prej territ në terr,prej ferrit ne ferr,
Kohë e mbushur me zhapikë,
Që zvarritshëm ligjerojnë,
E pozojnë si fisnikë.

Ata s’duan hapësirë,
Edhe driten e urrejnë,
Në skutina me errësirë,
Janë mësuar të dëfrejnë.

Po se ç’djall e kanë një gen,
Që shumohen ditë për ditë,
Si një re karkalecash,
Gumëzhijnë në politikë.

Ditët ikin, ditët vijnë,
Ata prap në radhë të parë
Dhe pse të zhyer në baltovinë,
Prap se prap dalin të larë!
…!
Prej territ ne terr, prej ferrit në ferr,
Kohë e mbushur me zhapikë,
Që zvarritshëm ligjërojnë,
E pozojnë si fisnikë.

PESHKATARI

Sa ishte në nevojë, qytetar i thjeshtë,
Binte në gjunj mbrëmjeve,
E lutej në breg-det.

Si paganët lutej, në mënyrën e vet,
Ju lutej dallgëve,
T’i sillnin peshq në rrjet.

Por mbase, lutja ndryshe,
Qiellit i shkoj në vesh,
Dhe fati i ndriti, ashtu siç desh.

Dhe fati I fatliut,
E gjeti strofullën e vet,
Një peshkatar, u bë deputet!

Tash, peshkatari,
Nuk lutet më në brigje,
Peshk-peshkatari, bën e voton ligje…

I DUA TË MUNDURIT

I dua të mundurit,
Kur nuk janë zvarritur,
Pa u përballur.

I dua të mundurit,
Nëse kauza e heshtjes,
E kalon kojhen e saj.                            

I dua me zjarr,
Humbjet e mëdha,
Me po aq zjarr sa edhe fitoret!

DYERT E BURGUT

U  hapën dyet e burgut,
Liri – liri,
Thirrën të dënuarit,
Liriiii!

Dolën në breg,
Si peshqit në rrjet,
As me Liri, as me Dinjtet!

DISIDENTËT
                                                                  
Ku shkuan disidentët,
Ata që guxuan kur nuk guxohej?
Ku shkuan,
Që heshtin, si statuja të gjalla!

Rrinë e shohin, fundin e fillimit,
Rrinë e shohin, me ironi,
Se si fryhen e mburren frikacakët,
E shesin lavde për trimëri.

(Përzgjedhur për prezentim në ZSh, prej librit “Heshtja e bardhë”, i autorit
 Gjin Gjonpali, nga redaktori ynë në NJ, USA, Zeqir Lushaj. -Maj, 2012-)
 



(Vota: 6 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora