Kulturë
Ilir Muharremi: Sislej Xhafa dhe Kseniya Simonova
E hene, 14.05.2012, 11:01 PM
Sislej
Xhafa dhe Kseniya Simonova
Nga Dr. Ilir Muharremi
Arti i aktualizimit i Sislej Xhafës
E bukura
e adhuruar shpreh natyrën personale, karakterin saktësisht zakonet e artistit,
prandaj është personalitet që në mënyrë arbitrare identifikohet me ndjeshmërinë.
Arti është ngacmim, provokim, sinqeritet, trans, shpirt, dhimbje, dehje, ekstazë
dhe në kuptim të gjerë iluzion real i objektivizmit dhe subjektivizmit. Ideja
dhe koncepti rrënjësisht ballafaqohen me kreativitetin në art, japin atë sasinë e iluzionit të dëshiruar që përshkon
me çdo adhurim estetik. Ballkani, Evropa dhe SHBA-ja janë vërshuar me rryma, lëvizje,
koncepte të ndryshme të artistëve. Pa dyshim duhet përmendur vizionarin,
legjendarin, apo provokuesin më të madh të artit konceptual Sislej Xhafën, i
cili tronditi botën, me një art provokativ, domethënës, revolucionar, të një zhanri
apo teknike që përkon me ndijimin e pjesërishëm të pandashëm me personalitetin
e tij. Polemikat, kureshtjet u vërshuan qysh në vitin 2003, kur artisti Xhafa
me veprën “Padre Pio” u shfaq në ekspozitën
“The Nature of Art” në San Lorenzello. Kjo vepër bëhet provokuese ngase
në thelb prekë fenë dhe figurën paksa të karikuar të Pios. Artsiti tregon guxim, zellë, karakter të fortë,
një kritikë të gjykimit dhe mesazhi adresohet tek shenjtorët të cilët gjithnjë ruajnë,
kontribuojnë marrëdhënie me realitetin, dhe kjo njerëzve ua zbukuron jetën. Tjetër
çka e karakterizon këtë vepër gjigante është se kur mungon kreativiteti në politikë,
ekonomi, dominon papunësia, andaj oferta më e mirë është e turizmit religjioz. Shikuesi
pa hezitim mund të futet në kokën e Pios dhe të vështroj botën, ashtu si e ka vështruar
Pio, ky është një element tjetër që e faktorizon këtë vepër madhështore. Religjioni
ende mbetet pyetja dhe përgjigja më e madhe në globin tonë. Ekonomia është triumf
më i madh, nga e cila rrodhën vuajtjet. Krentonti në antikë thoshte: “Gjënë më të
keqe që shpiku njeriu është paraja”. Për
paranë, shkrijmë ndjenjat, lotët, ritmin e zemrës, i nënshtrohemi me të gjitha
forcat, për ta kapur dhe dominuar botën.
Mirëpo, qetësia shpirtërore adresohet tek religjioni. Më e logjikshme do ishte
të meditohet në vetën e parë, dhe të arrihet kulminacioni individual i
personalitetit. Vepra tjetër e Xhafës e vendosur në parkun e Cyrihut,
Hardaupark në formën e “Y”psilon, e lartë 16 metra, e ngritur në formë skulpturale,
një objekt me pamje të llastiqeve (armë fëmijësh) gjigante. Gypa të mëdhenj, të
gjerë të shtrirë mbi tokë, pranë tyre një vrimë e zezë. Mos punëtorët paskan
hasur në naftë dhe tash po i vendosin gypat e bartjes? "Pse jo", thotë
përgjegjësi i gjithë kësaj, Xhafa. Ai ndjehet mirë që njerëzit e interpretojnë artin
e tij në mënyra të ndryshme. "Unë mësoj me kënaqësi nga kjo". Artisti
prodhon artin e plason në treg, konsumatori bredh nëpër të, konsumon produktin
më të mirë dhe më të përafërt me ndjenjat e tija. Triumf më i zakonshëm i
veprave konceptuale qëndron në faktin që t’i shprehin nuancat e kapshme por, në
disa raste edhe të pakapshme dhe të paformësuara, përmes imazheve të rrepta ose
kundërthënëse. Si p.sh : forma, përmbajtja, mendimi apo materia. Karakteri,
inteligjenca ana intime, aktualiteti,
karakterizojnë krijuesin Xhafa nëpër punën e tij. E veçanta e një videoje, në të
cilën dominon figura e vet krijuesit Xhafa, është se një person (hajdut), tinëzisht
fut dorën në xhep të një personi, me tentim për të vjedhur. Qëllimi i punimit është
të theksohet se “hajnia” është profesion. Sikurse një jurist, mjek, avokat që ka
profesionin e tij, po ashtu edhe hajduti ka këtë profesion. Kemi edhe video
artin tjetër të prekshëm të Xhafës, ku shihen dy homoseksualë, duke luajtur në një
fontanë të mbushur me ujë. Gjatë gjithë lojës, ata nuk i përmbajnë ndjenjat për
njëri tjetrin, dhe shprehin publikisht puthjet.
Kuptimi fshihet pas asaj se secili njeri, qoftë intelektual, hajdut,
mjek, mbinjeri, gjykatës, ka kënaqësinë, vuajtjen, lojën, dëshirën, shpresën,
dhe të gjitha këto i plason në këtë botë. Njerëzit i bëjnë rregullat dhe duhet
të ketë rregulla për çdo person. Andaj,
nga gjithë kjo që u tha, do e rrumbullakoja se arti i kosovarit Sislej Xhafa,
prezanton një kulturë ballkanase, të shtypur, të vuajtur, gjithnjë të luajtur
nga dikush tjetër.
Imazhet e
regjimit Stalinian në artin e Kseniya Simonova
Vajzë e
talentuar, sharmante, tërheqëse, me një fizionomi
të kompletuar, e stërmbushur me art, vullkan formash ngjarjesh e përplasur me të
kaluarën e dhimbshme të popullit të Ukrainës, artistja Ksenija Simonova krijon
imazhe në rërë. Pikturat e saja në rërë tregojnë
një ngjarje, një tregim që rrjedhin njëra pas tjetrës. Arti i saj nuk është aspak
i ngarkuar me absurditet dhe as marrëzira, është e simpatizuar dhe e
simpatizojnë gjithnjë njerëzit, madje edhe ata që ju ka munguar kultura
artistike. Depërton idealisht, praktikisht dhe estetikisht në çdo kokë, krijon
histori të dhimbshme ilustron forma nga asgjëja, nën shoqërinë e muzikës, përformon
bindshëm, dhe zgjon nostalgji të pasionuar të kulturës Ukrainase apo shtypjes
vulgare të këtij populli nga diktatori Stalin. Dashuria, misteri, apo tentimi për
ta pushkatuar arsyen, prekin thellësinë e artistes, dhe e detyrojnë në formë absolute,
tendencioze, të protestojë për një të kaluar e cila ende jeton, ngase shenjat e
saja janë ngulitur thellë tek ky popull. Kjo artiste është tejet përparimtare,
paraqet trupin si objekt tokësor, material i njeriut, nxjerr në pah bukurinë përmes
shkëlqimit të dilërsisë shpirtërore, duke e bërë artin mjet qëllimi për lartësimin
moral të njeriut. Harmoninë e trupi,
shpirtin e shndërron me dilërsinë artistike dhe aty fiton arti me vlera
të mirëfillta etike dhe estetike. Dora e krijueses shpreh qetësinë, paqen,
lirinë dhe shmangie e konfliktit abuziv politik. Në një video të njohur, tashmë
të shfaqur edhe në youtube, nën shoqërinë e muzikës, ajo përformon duke krijuar
forma reale me proporcione të sakta trupore, dhe kompozicion profesional që gërsheton
perspektivën hamëndëse. Çifti i ulur në ulëse
shndërrohet në fytyrë femre. Vetmitari i cili bredh rrugëve, në zjarr. Vejusha
shndërrohet në monument, ushtari e vështron përtej dritares, cili përfaqëson
panjohuri për vejushën e mjerë. Dukuritë nuk janë dekadente, kanë ekuilibër,
harmoni, mesazh moral, zbulim fisnikërues të mirëfilltë estetik, dhe tek njeriu
zgjon, valëvitë thellësinë si një flamur dorëzues pranë një skene rrëqethëse. Arti
i saj është kryengritje ndaj padrejtësive që janë bërë dhe që vazhdojnë të bëhen.
Ajo nuk kundërshton moralizimin, por hipokrizinë dhe është përfaqësuese e artit
për art. Bukuria e artit të saj, nëpërmjet imazheve filmike tregon përsosmërinë
e kulluar të estetikës morale dhe amorale. Arti ka një thelb të kulluar dhe që pak
e hiç nuk kuptohet me ndonjë formë ideore, por me vulgaritet, ekstazë, edhe me
vuajtën e gjatë. Publiku në momentin e përformimit të artistes së re, përjetojnë
një rrëqethje të brendshme instiktive amorale , por njëkohësisht luftë me
moralin. Krejt kjo na vije nën shoqërinë e muzikës, e cila ndërron skenën,
kuadrot, dhe krijon lojën e përjetësisë. Një artiste e madhe, e cila arrin ta
tronditë botën, dhe të brohorit pa mëshirshëm me artin, duke kujtuar dhe
paralajmëruar Evropianët dhe kontinentet tjera, se regjimi Stalinian, ishte një
hipokrizi. Derisa dhimbja rrëshqet si një formë natyraliste ose kriter objektiv
me pikëpamje morale, e vërteta zgjohet nga pluhuri i kohës konservatore dhe bëhet
një reaksion që qel një rrugë të drejtë përparimtare . Format që i krijon në rërë,
nuk përplasen stoikisht, dhe nuk qëndrojnë në heshtje ose në qetësi, por
historikisht shndërrohen nga njëra formë në tjetrën, duke shprehur karakterin
historik amoral ndaj drejtësive të çoroditura.
Teknika me rërë nuk është diçka tejet e re për artin botëror, por zgjimi i
abuzimit, trajtimi artistik ku zhvillohet loja në mes dhimbjes dhe durimit,
paqes dhe luftës, të bukurës dhe të shëmtuarës, arrin majën dhe spektatorit i
jep botën shpirtërore ngase përzien ndjenjën me mendimin. Kështu ndodh edhe në jetën
e zakonshme. Prandaj, vërtetësia jetësore është kusht themelor që idetë bëhen
estetike. Përfytyrimet e saja, mbresat plot jetë, i jep imagjinata e pasionuar,
ngase kjo është forca dhe shtytja me triumfale e artistes. Në mes tragjikes dhe
dramës krijon arsyetime filozofike domethënëse të jetës dhe luftës për të fituar
e drejta. Koha, mënyra e të jetuarit, harmonia, dashuria, zhurmojnë nëpërmjet rërës,
e cila krijon përjetim emocional dhe të gjithëve na bënë poet që na zhyt pas
vargjeve të vazhduara. Imazhet janë formalizim figurativ të mbingarkuara
figurativisht, drejt një mbivlerësimi të realizmit, kurse nënvlerësim i aktit
kohor me përmbajtje hipokrizie. Dhe, për fund, modelimi i botës shpirtërore të artistes
reflekton unitetin e anës emocionale dhe intelektuale të pa mësuar nga dikush,
por të interpretuara thellësisht vetëm për shpirtin, ose siç kishte me thënë Tarkovski
: ” Arti nuk mësohet, se në art nuk ka mësues.”