Mendime » Radovani
Fritz Radovani: 5 prill 1967 - 5 prill 2012
E marte, 24.04.2012, 07:56 PM
Nga Fritz RADOVANI: Pj.I.
5 PRILL 1967 – 5 PRILL 2012
Letër e At Pjetër Meshkallës S.J.
Kryetarit
të Këshillit të Ministrave Mehmet Shehu
Tiranë
Shkëlqesë,
Pardje,
me 3-IV-1967, ora 19, pjesa ma e madhe e klerikëve katolikë që gjendët sot në Shkodër,
kjemë thirrë në Sallën e Kandit të Kuq të Komitetit Ekzekutiv. Na u komunikue,
ndër tjera, se do të denonconim gjithëshka kishim, me përjashtim të teshave
personale të domosdoshme të veshjës dhe të fjetjës, pse të tjerat të gjitha
ishin të popullit dhe popullit duhët ti këthehën; dhe se nuk do t’ushtronim
asnjë sherbim fetar, as edhe privatisht: Këte e ka vendosë populli.
Mendova të
drejtohem me këte letër Shkëlqesës s’Uej, për me i çfaqë mendimin tim, jo
ndryshej, por si njeriu njeriut.
Sa për
libra të mij, gjana kishtare etj. le të vinë e ti marrin kur të duen: nuk asht
e para herë që unë dal në rrugë të madhe.
Por, unë dëshroj
të çfaqë disa mendime në përgjithësi: Dorëshkrimet janë pronë e shenjtë dhe e
paprekëshme e Autorit, në mos i dorëzoftë ai vetë e në mos kjofshin kundra
Sigurimit të Shtetit.
Sa për
pasuni të tjera, as bujarija e burrënija e popullit, as ligji natural ma
elementar nuk e pranon që një gja që asht falun njëherë njaj përsoni o njaj
enti të caktuem, të kërkohët rishtas prej dhuruesit si gja e tija. Spekullimet
e shpërdorimet goditën.
Dhe, e vërteta
asht se populli, pothuejse në çdo vend e ka përcjellë priftin e vet (të mirë o
të dobtë) me vajë, si përfaqësuesin e fesë së vet.
Një hije
e zezë ka ra mbi popull kur ka pa tue u mbyllë Kishat, tue u rrëzue kumbonarët
e sidomos tue u lejue të viheshin në lojë përsonat dhe gjanat fetare, tue fye kështu
thellë ndjenjat kaq të shenjta të besimit.
Si përgjigje,
populli ka mbushë Kishat deri në çastin e mbylljes së tyne. Çë vlerë ka atëherë
qendrimi i një pakice të pandërgjegjëshme o të frikësueme me lloj lloj
presionesh?
Sidomos
pjesa e friksueme me kërcnime, presione, premtime e pushime nga puna, pëson
torturën ma të madhën, sepse e lidhun nga kafshata e bukës, shtërngohët me
mohue me gojë atë që beson; dhe kështu fushata që po bahët synon me formue një brezni
pa kurajo civile, pa burrëni, opurtuniste, servile, tue prishë karakterin e
Shqiptarit në dam t’Atdheut. Njerëzit kane frikë m’u takue, m’u përshëndetë rrugës
me miq që janë në sy o të “prekun”.
Vi tash
tek unë. Unë vijën e tanë jetës sime nuk mund e ndryshoj, por do ta vazhdoj
derisa të kemë frymë. Pengesa e jashtme e forcës madhore do të bajë në mue vetëm
atë efekt që ban guri o dheu që pengon rrjedhën e ujit: Populli më njeh dhe e
din mirë si kam shkri jetën për té.
Unë tham
se, me këte
luftë kundra fesë neve edhe
po diskreditohemi faqe botës,
së cilës i
kemi dhanë premtime solemne për liritë dhe të drejtat
njerëzore në Shqipni. Kur, në vj. 1945, në Tiranë, me 8
mars, unë, u takova me Juve, Shkëlqesë, se kishëm ndigjue prej komunistëve fjalët: “Këte Kishë do ta bajmë kinema”; Ju m’u përgjigjët:“Kjo
asht propagandë armiqësore!”.
Me të vërtetë,
as anmiku ma i tërbuem i Pushtetit s’ka muejt me u ba një propagandë ma anmiqësore
në 22 vjetë, sa i keni ba vedit.
Nuk më ka
shty me Ju shkrue Shkëlqesë, as urrejtja, as ambicioni, as interesi, por vetëm
ndërgjegja, e vërteta dhe e mira.
Me nderime
Pjetër
Meshkalla, meshtar katolik i Shoqënisë Jezu.
Krytarit
të Kësh. të Ministrave Mehmet Shehu në Kryeministri – Tiranë.
5 Prillë
1967.