E merkure, 07.12.2022, 01:23 PM (GMT)

Kulturë

Blerim Rrecaj: Urim-për mbarësi në vazhdim

E hene, 06.02.2012, 07:16 PM


Urim-për mbarësi në vazhdim

 

Nga Blerim Rrecaj

 

Pasmesnatë. Si padashur edhe sonte po rri. Pa e pasë në mend e paplanifikuar. Mes hamendjesh. Duke klikuar e duke lexuar diç. Duke kapërcyer nga faqja në faqe. Duke dal në ballkon sikur më është bërë zakon. Qielli është i terrtë. Diku në një pjesë të tij ka një dritësim. Pak i bardhemë, pak i kuqërremë, pak i mjegullt. Makinat e oxhakët tymojnë duke lëshuar avuj të bardhë sikurse gojët tona. Të lehura qensh dëgjohen. Dhe zhurma tjera të kësaj nate. Mbi çati ka dhe pak bardhëllimë fort të lehtë nga bora që ka ra e ka mbetë. Ka dhe drita xixëlluese që janë vnuar për këtë fundvit, të cilin e karakterizon gara e pasimit shumë këngëve të reja por edhe një lloj mobilizimi të garave të ndryshme mediale, projekteve, ofertave... Diku shoh shënimin: ‘’Dërgo lajmin!Shprehu!Thuaje! Hape gojën!’’ Pak më parë lexova dhe skicëzën e Franc Kafkës: Zhurmë e madhe. Kthehem te faqja e kontaktit. Të hap a të mos e hap gojën, kjo është njëra nga çështjet. Me sa di gojën e kam hapur mbase shumë herë pa-për-mbajt-shëm. Unë, më 27 dhjetor në këtë orë, në njërën nga dhomat e banesës sime, ulur në karrikë para kompjuterit mundohem të thur një shkrimth. Dhe më pas ta nis me email. E sotmja pritet të jetë ditë e zakonshme. Atmosfera ndërrimit të moteve po ndihet aq sa po ndihet. Bombola po hidhen, për fishekzjarre mbase është pak herët. Nëpër komunat e mbetura keq të Kosovës po mbahen seminare e po shpërndahen broshura se si duhet t’i përdorim mjetet piroteknike. Siç duket do të kemi mjaf punë dhe me gjuhën ironike. Dhe ky vit po shkon si po shkon. E (s’)dijmë se çdo të korrim nga ajo që kemi mbjellur! Shumë gjëra janë thënë, shumë gjëra po dihen e po ndihen, janë parë e po shihen. Por nuk e dijmë a kemi ditur kur të jemi indiferentë e kur jo. Mbase si çështje kryesore po na mbetet qëllimi (i mirë) dhe kërkimi e veprimi, për të bërë ëndrrën realitet: 1912-ta pret të jetësohet. T’i vëmë gishtin kokës, të largohemi nga e keqja. Të mos mbështetemi te patriotizmi fallco.Të mendojmë për pendimin e përmirësimin. Përsëri po përmend shprehjen ‘’Durimi është gjë e mirë por vepro derisa pret’’... Mbase koha shumë gjëra do t’i tregoj e shumë plagë do t’i shëroj. Rolin tonë individual e shoqëror s’është mirë ta përbuzim. Tash kur po mendoj se disi rrumbullakova atë që ia fillova mjafton veç një prekje butoni dhe këta rreshta të mbërrijnë e mbase të lexohen, pa qenë i sigurt për veprimin tim që mund ta ketë emrin hezitim...Fryka një erë e lehtë. Qenka ftohtë. Dy qenë kalojnë rrugën nëri-pas tjetrit e në drejtim të pompës së benzinës. Tinguj radiojeje dëgjohen dhe ndonjë e kollitur e ndonjërit prej rojeve (të natës...)...

...

Sot është 2 shkurt 2012. Si rastësisht me dashje kthehem te kjo pjesëz shkrimi e shkruar në vitin tjetër. Që nga ajo kohë lamë pas ‘gjysmë-dehjet’ e një apo dy javëve të pas ndërrimit të motmoteve. Dhe shumë ngjarje e ndodhi të tjera. Të ftohtit e bora po i karakterizojnë këto ditë. Nga një çati në ndërtim e sipër të një lokali dy vetë që nga mëngjesi janë duke e hedhur borën poshtë me lopata. Grumbuj sorrash vërdalisen qiellit të bardhë. Fryn erë. Pështjellimet e ngatërrimet vazhdojnë duke qenë të llojllojshme. Nuk mungon as një bisedë e gjatë telefonike e tensionuar që ta lë një shije të hidhur. Pëshpërit për vetën, të tjerët, jetën dhe merr frymë thellë duke nxjerr një ofshamë përjashta...

...

Sot 5 shkurt. Një takim. Në stacion. Në një ditë të ftohtë dimri. Duke ecur me kujdes nëpër rrugët me borë dhe ngrica e akull. Vazhdim i ecjes deri sa zëmë vend në njërën nga kafenetë. Ulemi . Hapat pushojnë e fjalët vazhdojnë. Një thirrje telefonike. Dikur çohemi nga kjo kafene duke lënë mysafirët dhe kamerierët duke shërbyer. Duke lënë dhe ata peshq duke notuar brenda atij akuariumi. Ja mësyjmë drejt ndonjë lokali për të drekuar. Por na vije një cingërimë në telefon dhe ia mësyjmë drejt një lokali ku takohemi e nga dy bëhemi tre. Biseda për aktualitetin, punën, vazhdimin ose ndërprerjen e saj, mosmarrjen e rrogës së fundit, dhe fjalë për realizime projektesh. Kur erret dy lëmë tavolinën dhe filxhanët e zbrazët të makiatove pa plumb. Vazhdon ecja. Vazhdojnë fjalët. Nga stacioni në stacion. Duke rrëshqitur por shpëtojmë pa e rrëzuar...

 

(E pse ky shkrim eksperimental që dërgoj në adresa të ndryshme gjithherë duke i shtuar bishta?... )



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora