Kulturë » Kozeta
Keze Kozeta Zylo: Bisedë me poetin nga Vlora z. Dalan Luzaj
E diele, 05.02.2012, 06:58 PM
Luzaj - Zylo - Mehmeti
Bisedë me poetin nga Vlora z. Dalan Luzaj
Nga Keze Kozeta Zylo
Asnjëherë në jetë s'e kam ngatëruar Atdheun me Partitë dhe qeveritë. Ai ngeli një dhimbje mbi dhimbjet që percjell çuditë e bijve të tij u shpreh Luzaj gjatë bisedës.
Dalan Luzaj, u lind në Vlorë më 3 Gusht 1944. Fëmijërinë e hidhur e kaloi në Ujin e Ftohtë të Vlorës, ku kreu dhe shkollën fillore. Në vitet 1962-1963 mbaroi shkollën e mesme Pedagogjike "Jani Minga" në Vlorë.
Punoi pak vite si mësues në fshatrat e Tepelenës, dhe më pas lufta e klasave e dënoi me njëzetë e tre vjet internim në fshatin Sherishte të Vlorës, që ishte dhe periudha më e zezë e familjes së tij. Si të gjitha familjet e tjera të deklasuara edhe familja Luzaj u vu në shënjestër të diktaturës, për shkak të babait, profesorit të madh Isuf Luzaj, armikut të diktaturës.
Moshën më të bukur të jetës, nga 25 në 47 vjeç, Dalan Luzaj e shpenzoi kanaleve të fshatit Sherishte të Vlorës, bashkë me gruan e tij, që nuk iu nda asnjë hap në tërë jetën bashkëshortore.
Poezinë e nisi shpejt, që në bankat e shkollës, por ia goditën pa mundur t'ia vrisnin.
Sot, jeton me familjen e tij në Çikago, Illinois të SHBA-s.
Aktualisht është kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë, i cili është zgjedhur dy herë radhazi me vota unanime nga shkrimtarët.
Ka botuar pesë libra me poezi:
1-Jeta më gjeti vetëm (Life found me quite Alone) was published in 1995;
2-Diejt të largët (Distant Suns), in 1996; and
3-Pa Rrugë (Routeless) is scheduled for publication in summer 2003.
from the collection LIFE FOUND ME QUITE ALONE
translated by Zana Banci and Anthony Weir
4-Dhe Hëna kur nuk qeshte
5-Kasollja e internimit, 2010
Z.Luzaj familja juaj dhe vëllezërit keni kaluar një jetë shumë të hidhur në Shqipëri ku morët shumë plagë, ndërsa Amerika duket se po jua kuron këto plagë, përse ndodhi dënimi?
Isuf Luzaj
Në Shqipërinë komuniste çdo familje kishte dramën e saj, melodramën, apo tragjedinë.
Me familjen e Isuf Luzaj i filluan më herët punët, që nga 1946 nisën shtetëzimin e gjithë pasurisë, duke na ndjekur nga shtëpitë tona në Ujin e Ftohtë të Vlores dhe duke na përplasur në një shpellë tej për në Jug.
Vazhdoi stuhia duke arrestuar për agjitacion e prapagandë motrën e Isufit, Rrahilenë, e cila në atë kohë ishte një vajzë e re. Ata e dënuan me 10 vjet burg, por ne s'ishim në ballë të kësaj lufte se ishin të tjerë që kishin përjetuar më shumë tragjedi.
Edhe pse im atë Isufi ishte për një kohë shok në Paris me Enverin, edhe më vonë mësonjësa në të njejtin Lice në Korçë si dhe vajtje ardhjet familjare, u harruan kur ata u rreshtuan kundërshtarë politikë.
Vuajtjet e kësaj natyre krijuan fatkeqësi të rëndë për familjen tonë. Fatkeqësia që bie mat me dëmin e krijuar dhe ky i fundit me dhimbjen që mbart.
Jeta e familjes sonë e degëzuar në qytet, burg, internim tregon se kemi qenë brenda okularit të diktaturës, dhe të jesh brenda këtij rrethi e dinë vetëm ata që e kanë jetuar këtë ferr të Dantes. Kur u përmbys diktatura në vitin 1990, ne bëmë kapërximin më të lartë, ikëm nga internimi ku ishim mbyllur për 23 vjet në fshatin Sherishte dhe shkuam në Itali dhe Amerikë. Për të çmuar diçka varet sa të sjelle ty ky mjedis i ri, ç'mund të realizosh, por për ne Amerika është pas Zotit dhe vendi që na dha Liri. Liri do të thotë lumturi.
Gjithë kjo jetë që kaluam në atdhe, për ne ishte ferri i mbi tokës dhe shpërblimi i hidhur që na dha komunizmi si bijtë e Isuf Luzaj.
Në një poezi ju shpreheni rënqethshëm poetikisht: “Rob në Mëmëdhe dhe mbret në Amerikë”, çfarë do t’i thoni publikut për këtë kontrast të fuqishëm midis dy vendeve?
E fillova jetën, si të gjithë, pa ditur se kush isha. Mituria te çdo njeri është e rrethuar me dashurinë që të dashurit kanë për ty, me përkëdhelitë që ëmbëlsojnë këtë moshë, por në kufij të kësaj moshe, tek unë goditën në shpirt për të lenë efefekte për tërë jetën. Policët që erdhën dhe na muarën pjesën më të shtrenjtë të sendeve na përzunë dhunshëm nga shtëpia, na çuan në një vend të rezervuar për kafshë...
Pasi mbarova shkollën Pedagogjike “Jani Minga” shkova mësonjës në fshatrat e Tepelenës dhe për kurajo fillova edhe Institutin dy vjeçar “A.Xhuvani”.
Gjatë gjithë kësaj periudhe më qe fiksuar pyetja si një gozhdë në tru...
Mos është bërë ndonjë gabim nga pushteti popullor që unë jam mësonjës?
Por shumë shpejt partia e korrektoi gabimin, më pushuan nga puna dhe më çuan direkt të internuar në fshatin Sherishte për 23 vjet.
Jeta e çdo njeriu i ngjan një segmenti gjysmë të kufizuar, se në vdekje kufizohet edhe nga ana tjetër. Ky segment është i ndarë në disa segmente të tjerë, pra imagjinoni një ndarje imagjinare, që një segment është vegjëlia, ndërsa tjetri shkolla që shkon gjer në mbarim të tetëvjeçares, e kështu me radhë. Shkolla e mesme, është një tjetër segment dhe fill pas kësaj ngjishet jeta, njeri bëhet shumë aktiv duke përballuar shkollën punën, dashuri e më tej... Duke qenë dhe segment më i ngjeshur, është më kërkuesi, akumuluesi për jeten, ndaj dhe njerëzit e çmojnë dhe ka kënaqsinë e shpërblimit më të bukur të jetes, duke pasur këtë bëhet më e rëndësishme, pikërisht në këtë pjesë të jetës për mua dhe gjiithë familjen u shpik internimi. Pa qenë i saktë, por gjithmonë me rezervë mud të them se për 365 ditë të vitit kam punuar në kanale i normuar, dhe si rezultat s'di sa mijëra kilometra kanal kemi çarë dhe sa qindra mijëra metra kub dhè kam peshuar me krah.
Kësaj i shtohet një luftë nervore dhe ekonomike duke mbritur te shtëpia që si e tillë shërbente si një kasolle me purteka, por që baltën përreth ja kish zhveshur shiu dhe për mbulesë kishte një kartoserë të kalbur që uji e përshkonte gjithë hapësirën e quajtur “dhomë”.
Në një nga ato netët e dimrit, kur shiu hynte si nga lart edhe anash, e vetmja zgjidhje që të shpëtonim nga hyrja e ujit në palcë ishte: “Mora lopatën dhe hapa një kanal të vogël mes kasolles, disiplinova ujin dhe në një sustë dopjo (krevati në mes, e cila ishte e mbuluar me një plastmas, ishim mbledhur së bashku me fëmijët, për t’u mbrojtur nga litarët e shiut”… Përballë kishim dollapin bosh, të cilit i mungonte misërnikja. A nuk mjaftojnë këto për të thënë skllevër? Janë me mijëra gjëra për t’u thënë, por s'dua të marr rrugën e një tregimi. Asnjëherë në jetë s'e kam ngatëruar Atdheun me Partitë dhe qeveritë. Ai ngeli një dhimbje mbi dhimbjet që percjell çuditë e bijve të tij.
Arritjet që kanë realizuar fëmijët në Amerike, dhe unë, më japin të drejtën të them se jam mbret. Segmenti vazhdon, i pakufizuar, fundi im do të bëjë kufizimin e tij.
Ju jeni i biri i profesorit të shquar Isuf Luzaj i cili e kishte të ndaluar ardhjen në Shqipëri nga diktatura, ju nuk e takuat kurrë babain për 45 vjet pasi ju ishit ende në bark të nënës kur ai u largua, mund të na thoni kur e takuat dhe cilat ishin emocionet e përbashkëta babë e bir?
Është kapitulli më emocional dhe më i dhimbshëm i tërë jetës sime që meriton një ndalesë në të ardhmen.
Themi Atdhe ose Mëmëdhe, që do të thotë se toka është e dikujt e babait apo e nënës, po ne të kujt ishim? Ne ishim me dhe pa baba, ose më saktë me baba biologjik, por pa e takuar kurrë, i cili si kundërshtar i hapur i diktaturës, u bë shkaktari i gjithë vuajtjeve dhe fatkeqsive të familjes dhe të të afërmve të mi. (Kuptohet nga ideologjia e saj që dha tmerret më të mëdha). Shumë rrallë në jetë na kish folur gjyshja nga babai për babain tonë, ndërsa nëna, e shkreta nënë s'kish kohë të vdiste jo më të fliste për burrin që si antikomunist që ishte, diktatura e la me pesë femijë në mes katër rrugëve… Për hyrjen në ambasadën italiane na ndihmoi një fshatari yne polic, pasi të merrje vizën në vitet 90-të, ishte një çmenduri, pritje pafund në radha...
Znj.Gabriele, nëpunëses së ambasadës i fola si në grykë italisht duke i thënë se: “kam 45 vjet që se kam parë babanë”... E shkreta Gabriel, mori penën, shkroi në letër dhe ma ktheu mua për ta lexuar, pasi në fund të zyrës ishte një civil që edhe unë edhe ajo kishim frikë!... “Shqiptar”!...
Në letër shkruhej: “Thuaji babait t’i bëjë një telegram ambasadës se është i sëmurë... Dola nga zyra dhe renda në postë, i spjegova babait ç'më tha Gabriela.
-Po bir m’u pergjigj babai, tani ma lërë mua në dorë.
Ai kishte biseduar me ambasadorin italian dhe ne na ngeli përgatitja për nisje.
Në një telefonatë të shkurtër e pyeta:
-Po mirë që do nisem, por unë s'të njoh?
-Njeriu që do shikosh veshur me të bardha te porti në Trieste, është yt atë.
Nisja u bë një ditë gushti 1990 me një traget modern PALLUMBJA. O Zot sa e gjatë ishte rruga nga porti, hyrja gjer te trageti!... Emocione dhe frika e kthimit, apo më keq ndonjë arrestim na shoqëroi tërë udhëtimin. Kjo luftë nervore, motivesh shoqërohej me një lëvizje të vazhdushme timen, pa parë dhe ndierë që gjjthë trupi ishte ujë, djersën e ndjeja gjer në këpucë, dhe më bëhej sikur të isha në Sherishte me çizmet e prera me ujin brenda...Isha ndarë, trupi ne traget, ndërsa mendja e shthurur s'gjente vend ku të rrinte. Më solli në vete tronditja e tragetit që lëvizi, ende s'më besohej...
Trageti dolli në ujërat neutrale dhe unë fillova të thoshja BABA, bëja prova si e thoshja, si e shqiptoja, kjo ishte nje fjalë e një fjalori të panjohur për mua, a do ta thoshja duke i dhënë edhe ndjenjën, se fjalet mëmë edhe baba kanë brenda ëmbëlsinë dhe dashurinë, detyrën dhe përgjegjsinë që na mungonin, ndaj dhe s'i ndërtoja saktë.
S'më flihej, përkrah kisha bregdetin “Dalmat” dhe sipër një hënë e plotë që udhëtoi me ne gjer sa ra mugëtira e mëngjesit.
Ngadalë, që për mua ishin largësi mujore, po afrohej Triestja, në të cilën dalloheshin ndërtesat dhe njerëzit. Në një port të thjesht detar dukej një turmë njerëzish.
Ja i thashë zemrës, mes turmës një njeri shtatlartë me të bardha i cili mes tyre binte në sy për i huaj mes të huajve.
Sapo trageti preku tokën, pa u hedhur cimat, kalova në tokë.
Po i afrohesha po kujt?...
Dielli të digjte, im atë s'e priste që të dilja kaq shpejt dhe po bisedonte me dikë në një gjuhë që edhe sot s'e kam marrë vesh, s'e kuptova ngaqë s'e pyta.
Iu afrova, O Zot, më jep forca po lutesha!
I dola përballë!... Dashuri, dhimbje, tronditje, mungesa dhe pikëllimi i nënës, të cilën një vit më parë e lamë nën selvi dhe s'pa një ditë të bardhë, dhe sot mungonte, vuajtjet dhe gjithë shqetësimet e jetës u bën xhëng në grykë dhe s'më lejonin të flisja...
Këto lloj emocionesh janë tepër të rralla qe i kam provuar, por e keqja ime është se s'mund të përciellë as pjesën më të vogël të tyre...
Isha plot me djersë dhe më ndodhi një fenomen i çuditshëm si: “në se ndonjë nga ju e ka provuar në gjumë, mes një ëndrre të frikshme që kërkon ndihmë, kërkon të flasë dhe s'flet dot”...
BABA, s'di se ç’më doli nga shpirti një pjesë e tij apo ai xhëngu që më merrte frymën... Nga sytë e Tij zbritën nje zinxhir lotësh, ne ishim ballë per ballë. Ai ishte truphedhur, më rroku, koka ime ishte në gjoksin e tij. Unë ndjeva aromën e babait pas 45 vjetësh, për ta besuar që ishte im atë ndjeva mbi flokë pikat e strehës së kasolles, ku na internuan, që në vjeshtë pikonte mbi mua.
Isha në në një botë të panjohur, është e madhe bota e prindrit dhe sidomos e atij që na kishte lënë një boshllëk aq të madh? S'di sa ndenjëm se s'isha i përqëndruar, ish kohë, apo endërr e jetuar?... Më largoi dhe me duart e tij në supet e mij më vështroi thellë që hyri gjer në gjak ai vështrim...
-Përse kaq i dobët mor bir?...
Dëgjova bir per herë të parë e cila erdhi dhe u bë si një ombrellë. Unë ndjeja një lloj ngrohtësie që s'e kisha ndjerë, ngrohtësi shpirti jo lëkure.
Më rroku dhe ndjeja një lëkundje sizmike të përqëndruar në ato centrimetra katrore ku shpirtrat tanë komunikonin me një urdhër hyjnor.
Ai që kish humbur luftën dhe familjen i trokiste brenda vetes e kaluara e hidhur dhe
padyshim mbante pohueshëm pjesën e “fajit” që Atij i kish rënduar gjithë jetës.
Hodha sytë në qelqet e Triestes që dërgonin gjithë diellin me një dritë që sikur ishte shpirti i asaj Drite (emri i nënës sime) që vuajti aq shumë dhimbje të cilat s’na u ndanë kurrë…
Ju jetuat me babain tuaj gati për 10 vjet në Çikago, si e përshkruante Konferencën e Mukjes prof.Luzaj si ish pjesëmarrës aktiv në atë konferencë e cila kishte si qëllim kyresor bashkimin me Kosovën?
Isufi luftën e jetoi si ushtar, pa ditur se do kthehej apo jo gjallë dhe në se do merrte tituj dhe grada.
Luftoi për Atdhe me pushkë, gojë dhe penë. Mukja ishte mejdani i bashkimit dhe ndarjes përfundimtare i Ballit me Nacionalçlirimtaren
Ditën e dytë m'u dha fjala mua (tregonte babai) si pjesë e delegacionit të Ballit Kombëtar. Fola për një Shqipëri etnike, as të vogel as të madhe dhe mënyrën e votimit që do bëhej më vonë. Në mes të fjalës sime u ngrit Mustafa Gjinishi i Nacionales dhe më ka puthur në ballë. Ju e dini dhe duhet ta fiksoni se Mukja u sakrifikua vetëm që Enveri të rrinte në krye të Partisë Komuniste. Ai s'kishte alternativë tjetër, ose të sakrifikonte Mukjen ose postin që i premtohej.
Babai juaj është dekoruar si mësues i Amerikës nga presidenti Regan, fatkeqësisht atij nuk i është dhënë vendi dhe nderi i merituar në Shqipëri si e gjykoni këtë heshtje?
Brezat që vijnë dhe shkojnë krijojnë një grafik të çrregullt. Ata që bëjnë majën e një brezi, në shkencë, letërsi, mjekësi apo më tej, si shpërblim moral për këto vlera që ngelen për pasardhësit, shteti, Akademia e Shkencave dhe komisione të veçanta duhet t’i nderojnë këto kulme.
Komisionet e ngritura duhet t’i shikojnë Isufit vetëm krijimtarinë e tij duke lënë mënjanë miqësite, shoqëritë që s'kanë vendin në peshoren e vlerave që përmban krijimtaria e tij. Ndoshta, dhe me të drejtë, presin që të botohet të paktën një pjesë edhe më e madhe e veprës, por ndoshta për ta... s'paraqet interes. Unë s'kam as të drejtën e ndërhyrjes as reklamimin e saj. Unë kam në shtëpinë time në Çikago gjithë krijimtarinë e tij, pasi e tërhoqa ku ndodhej, veçova dhe fotokopjojuam 12 librat, Korpusin filozofik të tij në prozë që janë gati për botim, por shteti gjer tani s'ka treguar asnjë interes.
Për një gjë jam i sigurtë, që Ai sot apo nesër do ta gjejë vendin që meriton. Kohërat janë të ashpra, por të drejta. Vlerat janë pjesë e një të vërtete që vë në lëvizje forcat mendonjëse të brezave.
Halla juaj znj. Rrahile ka qenë në një burg me Musine Kokalarin cfarë kujton ajo nga kalvari i vuajtjeve dhe miqësinë me të?
Rrahileja, motra e Isufit dhe halla ime, në moshën që do vinte unazën e fejesës i vendosën hekurat e forta dhe të ftohta për ta prangosur dhe torturuar si dinin xhahilat e regjimit diktatorial. Hetuesi i saj ishte vetë Gjeneral Petrit Hakani, një kriminel i lindur që vuri në zbatim torturat më çnjerëzore mbi një vajzë të re.
E merrte në hetuasi mbas orës 1 të natës. Këtu s'është as përgjigjja e pyetjes as vendi për të treguar se si e torturonte, por gjithmonë dy njerëz në hetuesi.
U dënua me 10 vjet për agjitacion e propagandë kundër pushtetit popullor. Për ta bërë më të plotë po shkëputem nga burgu i Rrahiles dhe po kaloj në Korçë ku ndenjën për disa kohë me Isufin. Isufi ishte miqësuar që në Francë me Enver Hoxhën, aty u ra rasti të punonoin në një shkollë, në Lice. Kishin një miqësi shumë të mirë me njeri tjetrin dhe shkonin dhe vinin vizita, por zakonisht Enveri i bënte më shumë. Isufi kishte marrë në Korçë familjen, motrën dhe nënën. Zakonisht, në orët e vona ata degjonin radion në frëngjisht.
Bëri nja dy ditë që Enveri mungoi në shkollë. Të tretën e ditës kur Isufi po largohej nga shtëpia porositi Rrahilenë që të blinte një pako me mollë (zarf) dhe të shkonte te Enveri për ta pyetur përse s'kishte ardhur në shkollë për dy ditë?
Enveri rrinte në një dhomë qe dilte drejtë e në rrugë. Ajo trokiti dhe pasi mori të drejtën e hyrjes shkoi brenda. Enveri ishte shtrirë në një krevat, pranë kishte një komodinë, një libër dhe një thikë. Pasi i spjegoi arsyen e vizitës Rrahileja e pyeti se përse s'kishte ardhur në shkollë. Ai i tha se jam me reumatizëm, dhe thuaji Isufit se nesër do filloj punë.
E pyeti se ç’kishte në zarf? Ai i pa, por për të qenë në bisedë me të i kërkoi që t’i qëronte një mollë se i kishte duart të palara.
Unë thotë Rrahileja isha e vogël, por ngadalë ja qërova dhe ja dhashë.
Ai më tha: Moj Lele (Lele i thërisnin Rrahilesë në shtëpi) Unë tani s'e ha se është me dorën tënde. Më detyroi thotë ajo në një mënyrë të rafinuar që mollën që qërova e mora për vete. Kuptohet po të më afronte një mollë nga zarfi, unë s'do e merrja. Ditë më vonë e spjegoi te Isufi në shtëpi se si i kishte dhënë mollën...
Halla mori 10 vjet dënim në burg në një gjendje tepër të dobët nga shëndeti. Në ish punëtorinë qendrore të Artizanatit Tiranë, u njoh dhe u miqësua me Musine Kokalarin, Drita Kosturin, (të fejuarën e Qemal Stafës). Punonin shumë rëndë, rrobaqepsia kishte shumë gra dhe vajza, por këto të dyja u bëne shoqe të ngushta. Musineja ishte një vajzë e bukur, me kulturë serioze dhe me një karakter të rrallë. Kuptohet ishte më e madhe se Rrahileja. Disa gjëra s'e kanë vendin në këtë intervistë, por vlen të thuhet se kur po e çonin në gjyq turma të organizuara dhe të përgatitura nga sigurimi e qëllonin dhe e shanin tepër ndyrë dhe mbas dënimit e çuan në një dhomë me gati 30 burra dhe djem ku flinin në brinjë të njeri tjetrit. Kuptohet filloi dënimi i turpit, por u gabuan pashallarët e kuq, aty për çdo natë dy të burgosur i bënin roje Musinese gjer në mëngjes. Vajza kishte nevoja të tjera, por edhe këto djemtë reaksionarë dhe bijtë e tyre, të cilët luftuan për Atdhe, që as varri s'u dihet, grisnin këmishat e tyre dhe ajo i përdorete atje ku i nevojiteshin. Këta ishin ata që do bënin varrin e Musinesë. Vdekja morale është varr i zbuluar, dhe qelb për shumë kohë.
Kur u nda nga ajo dhomë, Musineja i përqafoi si vëllezër dhe u tha: “Unë kurr s'do jua harroj këtë nder dhe trimëri që ju më bëtë. Në këtë jetë s'do jua shpërblej, por mbase shihemi në hajret, vëllezër nderi”.
Rrahileja u martua dhe ka dy djem, banon në Skelë të Vlorës, e plakur dhe e sëmurë...
Ju keni qenë shok klase me akademikun Xhevahir Spahiu, ndërsa ju u internuat së bashku me poezinë tuaj të parë botuar në gazeten “Drita”, Xhevahir Spahiu u la i lirë në jetën e tij, si i keni mbajtur lidhjet, dhe si do t’i gjykonit këto diferencime midis poetësh?
Miqësinë me Xhevahirin e ruajta si një gjë të vecantë atje ku ruaja dhe relikat e tjera të shpirtit, ne zemër. E ruajta se ajo ishte dhe ngeli një miqësi e pastër e sinqertë, e pa infektuar nga asnjë virus xhelozie apo interesi. Komunikimin me Xhevon e pata të mbarë, kuptohet ai në Universitet, unë në fshatrat e Tepelenës, mesonjës.
Shkëmbenim poezi dhe ai më dërgonte dispensat e dy vjeçarit që unë fillova me korespondencë institutin “A. Xhuvani”, Tiranë. Në periudhën e internimit për 23 vjet as që bëhej fjale për lidhje, ose korespondencë me Xhevon. U takuam rastësisht në Vlorë ku shkëmbyem dashurinë, sepse lufta e klasave bëri ndarjen midis pjesëtarëve të një familjeje, ajo ndante gjakun dhe jo më miqësite. Shumë njerëz s'do t’u besohet, por shumë gjëra lexohen dhe mësohen se janë pjesë e dhimbshme e shqiptarëve që fati iu dha për të jetuar një nga faqet më të hidhura të historisë së tij. Poetët i bën vëllezër poezia dhe jo xhelozia. Frymëzimi i çdo poeti është i diferencuar, ashtu si eshte gjaku, dhe vetë ADN-ja e tij. Ai kishte talent dhe e ushqeu me kulturë deri sa arriti në zenith, që për mua është poeti më i fuqishëm, pas Nolit dhe Migjenit.
Aktualisht ju jeni kryetar i shoqatës së shkrimtarëve themeluar nga Gjekë Marinaj, ju jeni zgjedhur dy herë radhazi nga shkrimtarët si e çmoni veprimtarinë e kësaj shoqate në metropolin e kulturës botërore?
Miku i të gjithë anëtarëve të shoqatës edhe imi, shkrimtari dhe poeti Ramiz Gjini, fitues i çmimit kombëtar në gjininë e romanit ka thënë: “Të qenurit kryetar s'do të thotë se je më i mirë se shokët”. Kjo thënie është busull për këdo që ka radhën. Shoqata e shkrimtarëve shqiptaro amerikanë është krijuar nga i madhi Gjekë Marinaj që është një gjetje sa e mençme aq patriotike, nga ky djalë që i rrit karatin Atdheut këtu dhe më tej. Në këtë bashkim vullnetar çdo njeri nga ne duhet të pranojë statusin dhe detyrat e tij. Duhet të dimë që kjo shoqatë është nga më autoritaret në botën letrare jashtë Atdheut. Të jetosh në Amerikë do të thotë të jesh i privilegjuar. Para se të hedhim në letër mendimin ose vargun duhet të kemi parasysh se do të bëhet libër. Libri ka përgjegjsinë se prezanton autorin dhe ana tjeter tepër e rëndësishme është se libri ka autoritet në se ka vlerë, ndryshe ul përqindjen e emrit tonë dhe kryesorja të origjinës së tij. Librat kanë një kod të shenjtë se të ushqejnë me dritë, të bëjnë shkencëtar, mjek, mësonjës etj, ndërsa letrarët të ushqejnë shpirtin. Ky bum në sasi dhe pse jo edhe në cilësi i botimeve të anëtareve të shoqatës është meritë personale, por edhe kënaqsi për shoqatën tonë.
Kam falënderuar shokët për rizgjedhjen time si kryetar.
Ju faleminderit zonja Zylo për bashkëbisedimin!
Chicago, Nëntor 2011