E premte, 26.04.2024, 09:16 AM (GMT+1)

Kulturë

Nuhi Ismajli: Rrëfimi në dy kohë

E merkure, 25.01.2012, 08:57 PM


Nuhi Ismajli

 

(tregim)

 

Rrëfimi në dy kohë

 

Rrëfimtari kishte kohë që, me një lloj fanatizmi, po e ruante të freskët në mendje tregimin e Mendimtarit. Atë tregim ai e donte dhe e çmonte aq shume sa e ruante në kujtesë edhe mënyrën e rrëfimit, që ta rrëfente vetëm në një moment e në një mes të zgjedhur dhe të kënaqte me rrëfimin e tij vetëm njerëz të çmuar, e kur do të vlerësonte se ai do t’i shërbente dikujt si një urti dhe mendim i çmuar për jetën.

Atë ditë, kur ai po rrinte në vendin e tij të preferuar, me ata tre vetë, të cilët i njihte bukur mirë dhe me të cilët rrinte herë-herë, atij iu duk se ishte një mes i përshtatshëm për ta bërë tregimin e tij pjesë të bisedave me të tjerët, në tavolinën e tij.

E zgjodhi për tregim, prandaj, edhe atë rast për ta treguar para të pranishëmve të tavolinës së tij.

U soll si u soll biseda dhe, kur Rrëfimtarit iu përshtat, inkuadroi në bisedë rrëfimin e tij.

Rrëfimin Rrëfimtari e bënte duke u përpjekur t’i ngjante Mendimtarit, rrëfyesit të rrëfimit. Ai po përpiqej të përdorte të njëjtat fjalë, fraza, fjali. Edhe intonacionin synonte ta kishte të njëjtë me atë të Mendimtarit. Rrëfimtari kishte dëshirë që tregimi i tij të zgjonte të njëjtat mbresa që dikur kishte lëne tek të pranishmit tregimi i Mendimtarit.

Tregimi ishte ky, si e kishte treguar Mendimtari:

“Ishte shpallur një konkurs ndërkombëtar, për tri koka, që do të ekspozoheshin në një muze të njohur.

Ishin paraqitur në konkurs një francez, një gjerman dhe një shqiptar.

Institucioni i konkursit kishte ftuar pjesëmarrësit e konkursit të mirrej vesh me ta për çmimin e kokave.

Ishte paraqitur i pari francezi.

- Sa kërkon për kokën tënde? - i kishin thënë përgjegjësit e konkursit.

- Një milion dollarë - kishte thënë francezi.

- Pse mendon se vlen kaq koka jote? - kishin kërkuar arsyetimin përgjegjësit.

- Kjo është kokë francezi! - kishte thënë francezi. – Francezi ka krijuar vepra të mëdha.

Koka e francezit krijoi veprat e Volterit, Rusoit, Hygosë, Balzakut…

- E kuptojmë! - i kishin thënë përgjegjësit.

Del francezi. Hyn gjermani.

- I nderuar, - i ishin drejtuar përgjegjësit gjermanit, - sa kërkon për kokën tënde ?

- Dy milionë dollarë! - kishte thënë gjermani.

- Po, si e arsyeton këtë çmim? - i kishin thënë përgjegjësit. - Pse mendon se vlen për atë shumë?

- Po - kishte thënë gjermani. – Koka e gjermanit është shumë e çmuar. Ne, gjermanët, kemi dhënë gjenitë e njerëzimit: Kantin, Hegelin, Gëten…

- Mirë! - i kishin thënë përgjegjësit.

Pasi del gjermani, hyn shqiptari.

- Sa kërkon për kokën tënde? - i kishin thënë përgjegjësit shqiptarit.

- Tre milionë dollarë! – kishte thënë shqiptari.

Përgjegjësit po mundoheshin të gjenin arsyetimin për një çmim të tillë për kokën e shqiptarit. E krahasonin me francezin. E krahasonin me gjermanin. Nuk ishin në gjendje të gjenin një përgjigje. Po për këtë shqiptari ishte përpara. Kureshtja e komisionit për të ditur pse kërkohej çmimi më i lartë për kokën e konkuruesit të tretë, shqiptarit, ishte e madhe, prandaj përgjigja e vetë shqiptarit, nga përgjegjësit, pritej me padurim.

- Pse mendon se vlen të paguhet aq për kokën tënde ? - pyetën përgjegjësit e konkursit.

- Po, - kishte thënë shqiptari, - kjo kokë vlen kaq, sepse është e pashfrytëzuar. Kjo kokë mund të shfrytëzohet !”

Mendimtari, në ato rrethana, kishte dashur, qartazi, të shprehte një porosi, që shqiptarët të punonin, siç kanë punuar të tjerët.

Profesor Dardani ishte një nga ata që kishte dëgjuar me vëmendje rrëfimin e Mendimtarit. Ai kishte dëgjuar me vëmendje jo vetëm ta kuptonte e përjetonte rrëfimin e Mendimtarit, por edhe ta hulumtonte vetë Mendimtarin, karakterin, intelegjencën dhe gjithçka tjetër që lidhej me personalitetin e tij. Mendimtari ishte bërë për shumë kohë figurë qendrore dhe kishte tërhequr vëmendjen e publikut me çdo paraqitje e fjalë të tij. Ashtu si ishte, ngapak enigmatik e misterioz, ai kishte zgjuar edhe për këtë  kureshtjen e njerëzve

Vetë prof. Dardani, në thellësi, ashtu si e kapi esencën e domethënies së rrëfimit, nuk po pajtohej me Mendimtarin. Po të mos ishte një tip që nguron aq sa të quhet i turpshëm, ai do ta mirrte fjalën dhe do ta kundërshtonte domethënien e rrëfimit të Mendimtarit. Ah, sa do të dëshironte, në këtë rat, të ishte krejt i paturpshëm, si ata që flasin vend e pavend dhe  pa u skuqur aspak bile. Ngurrimi, turpërimi, këto ishin të metat e prof. Dardanit. Këto ishin ato që e kishin penguar bukur shpesh dhe po vazhdonin ta pengonin. Sikur të mos e kishte një dobësi të tillë, punën do ta kishte më mirë dhe, edhe në këtë rast, do ta mirrte fjalën edhe do ta kundërshtonte mendimin e Mendimtarit. Në këtë rast, ndër të tjera, do t’i kishte thënë atij se shqiptari nuk është se nuk është dëshmuar dhe se nuk ka krijuar vepra të mëdha në të kaluarën, me të cilat është bërë i njohur në botë dhe është radhitur krahas popujve më të çmuar. Sikur të mos turpërohej e të nguronte, do t’ia përkujtonte Mendimtarit disa fakte, të cilat ai nuk do të mund t’i mohonte dhe ta bënte që herat tjera të mos i mohonte vlerat e së kaluarës, ashtu si i e kishte formuar bindjen Prof. Dardani se Mendimtari kishte një qëndrim mohues ndaj së kaluarës. Ndër të tjera, sikur të mos ishte ashtu si ishte, Prof. Dardani do t’ia përkujtonte Mendimtarit veprat e Skënderbeut, për të cilat ai është çmuar gjitherë, në gjithë botën; do t’ia përkujtonte figurën krijuese të Barletit, i cili qe përkthyer shumë, në shumë gjuhë të mëdha, në kohën e tij, dhe pati bërë ndikim tejet të madh te krijuesit e ndryshëm botërorë, për t’u marrrë me dashamirësi me historinë shqiptare.

Sikur të mos ishte ashtu i turpshëm e ngurrues, prof. Dardani do t’ia përkujtonte Mendimtarit edhe figurën madhështore të humanistes Nënë Tereza, të çmuar e të nderuar në gjithë botën ….

Mirëpo, prof. Dardani heshti. Dhe, mirë që heshti. Mendimtari e kishte treguar tregimin e tij t’i fliste momentit, të thoshte një mendim që kishte vlerë në atë moment, në një moment të keq për popullin, në një moment, para ndërmarrjes së pushtuesit për ta shfarosur popullin. Po të kishim bërë shumë, kishte një kundërargument të mendimeve të tij, prof. Dardani, nuk do të ishim ende në këtë gjendje. Të tjerët, orekset djallëzore të tyre, janë shkaku, po ai që krijon vlera të mëdha, si ka lejuar të gjendet në një situatë të tillë ?! Është edhe dikush nga radhët tona që i ka shërbyer kësaj, mbase, thoshte Prof. Dardani me mendjen e tij, ashtu si e kishte menduar shpesh. Prandaj edhe heshti, nuk reagoi. Askush nuk kishte reaguar në rrëfimin e Mendimtarit, po e kishin dëgjuar me vëmendjen më të madhe, si tregim që i fliste pikërisht atij momenti.

Rrëfimi i Mendimtarit, në restorantin “Parajsa”, në praninë e një numri të madh të njerëzve dhe disa burrave bukur të mëdhenj (të cilët i premtojnë ndihma Mendimtarit, në çdo kohë, në prag të një lufte tejet të keqe dhe në prag të një tragjedie të madhe për

kombin), ishte rrëfyer me mjeshtërinë më të përsosur dhe kishte lënë mbresa të thella tek të pranishmit. Rrëfimi kishte arritur efektin e tij pozitiv, se, në mënyrë të përshtatshme, ishin gjendur bashkë: rrëfyesi, dëgjuesi dhe momenti. (Kështu mendonte dhe kështu mendon edhe tani Rrëfimtari).

Të pranishmit, njerëz mjaft të zgjedhur për atë moment, e kishin dëgjuar me kureshtjen më të madhe Mendimtarin. Ata vetë e kishin lutur atë t’ua rrëfente një shaka, pasi aty kishin rrëfyer shaka edhe të tjerë, të pranishëm. E, si të mos rrëfente diç edhe Mendimtari, i cili mbahej ndër oratorët më të mirë? Aty, Mendimtari iu kishte rrëfyer se ishte ftuar në një dasmë, ndërsa ai se ndjente veten aspak mirë të mirrte pjesë, në dasma, ahenxhe, tubime…Po, për hir të miqësisë, duke mos mundur të mohojë kërkesën dhe dëshirën e një miku, ai kishte shkuar në dasmën e përmendur dhe aty kishte dëgjuar një shaka. Shakaja ishte ajo, si e tregoi Mendimtari.

Rrëfimtari përfytyroi në mënyrë tejet të gjallë një rrëfyes mjeshtër, siç ishte mendimtari dhe një dëgjues përplot kureshtje e respekt, siç ishin dëgjuesit e tij, këtu e dhjetë më parë.

Atëherë, aty, përpara rrëfimit të Mendimtarit, ishte kureshtja dhe respekti, kurse tani, kur rrëfimtari rrëfen të njëjtën gjë, që kishte rrëfyer Mendimtari, atij nuk i besohet! Pse?!

Rrëfimtari, në fund të rrëfimit, u përpoq të vlerësonte sesa i ishte ofruar me tregimin e tij rrëfimit të Mendimtarit. I dukej se me gjithë përpjekjet për t’i ngjarë atij, ai nuk kishte arritur t’i ofrohej as tregimit, as efektit të tij. Këtë e nxori si përfundim nga pritja e të pranishëmve dhe nga reagimi i tyre, ndaj rrëfimit të tij. Dëshpërueshëm ai vlerësoi se tregimi i tij shkaktoi jo efektin e pritur, por një efekt tejet të keq tek tre të pranishmit e tavolinës së tij.

Për mossukses Rrëfimtari së pari ia hodhi fajin vetvetes, se mbase ai nuk diti ta rrëfejë rrëfumin. Po edhe situata kishte ndryshuar shumë, pas dhjetë vjetësh, kur tani gjërat kishin filluar të mos merreshin me seriozitet, po devalvohej çdo gjë, edhe ato më të çmuarat. Pastaj, si problem Rrëfimtari pa edhe vetë receptuesit, ata tre shoqëruesit e padenjë e të parespektueshëm të tavolinës së tij, të cilët aq padhembshëm u sollën ndaj tij. Sidomos ai mustaqja, me ato flokët e ngritura çrregullueshëm, si një kaçadre, që nuk nguroi t’i thoshte:

“Kështu e ka pas treguar milicia e dikurshme…Është tregim për milicët…”

Përplotë dëshpërim, por me mjaft ngulmim, Rrëfimtari nuk nguroi të thoshte: “Ku po e dini, se ky ka qenë tregimi i milicisë së pushtuesit?! Si keni arritur ta mësoni këtë ?! Unë e kam dëgjuar këtë, më 1997, nga  vetë goja e Mendimtarit…”



(Vota: 10 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora