E diele, 10.11.2024, 07:43 PM (GMT)

Kulturë

Flet aktorja e estradës së Durrësit, “Artistja e Merituar”, Aishe Stari

E merkure, 16.11.2011, 06:36 PM


“Për mua, aktrimi në estradë është si ajri i detit...”

 

Nga Albert ZHOLI

 

Aktorja e Estradës së Durrësit, Aishe Stari mbetet gjithmonë e re dhe me humor, pasi ajo është gjithmonë në lëvizje, në kërkim të roleve, në kërkim të emocioneve të reja. Sipas saj, puna nuk e le atë të plaket dhe pse ka trokitur në të 70 vjetët. Rruga e saj drejt suksesit nuk ka qenë e lehtë për vetë faktin se duhet të kaloje disa tabu që të bëheshe aktore në periudhën e sistemit komunist. Rolet, sipas saj, kanë qenë të shumta dhe ajo s’ka mundur t’i numërojë, pasi në vit në atë periudhe bëheshin 4 ose 5 premiera me disa role. Mund të jenë mbi 200 role në arkivin e saj. Ajo s’ka asnjë peng, pasi ka ende kohë dhe forcë të interpretojë si më parë edhe ato role që ka si ëndërr.

 

Megjithëse, tek të shtatëdhjetat, sërishmi jeni e re, cili është sekreti i kësaj rinie?

Puna në estradë dhe lidhja me njerëzit. S’kam kohë të mendoj për negativitete  dhe ta mbars veten me vogëlsira. Humori do gjendje të mirë shpirtërore, ndryshe nuk bën dot humor.

Mbi 30 vjet në skenë, si ju duket ky rrugëtim?...

Kur hedh sytë mbrapa në kohë them se vërtet janë shumë vite, por, kur i bie hollë lapsit, më duket sikur sapo jam ngjitur në skenë. Skena e ka këtë magji, të lidh me veten dhe nuk të lë të mendosh detaje. Ajo të do në pozicione të njëjta çdo ditë dhe jo me hope.

Fillimet e tua në skenë si aktore?

Qysh në vitin 1962, kur ende isha në Institutin e Arteve. Aty më kanë aktivizuar pedagogët e mi, ishin vitet që sollën njohjen dhe përshtatjen time me skenën. Më vonë pas përfundimit të studimeve, u vendosa në estradën e Durrësit, ku nuk jam larguar kurrë si aktore profesioniste.

Ishte e vështirë të bëheshe aktore në atë periudhë?

Shumë e vështirë, sinqerisht, po. Duheshin thyer tabutë e kohës. Femra nuk kishte kaq liri sa sot, nuk kishte kaq hapësira, aq më tepër në profesione të tilla ajo ishte e paragjykuar. Ishin të pakta femrat në atë kohë që merreshin me art. Madje, dhe familja i ndalonte. Familja kishte prirje patriarkale në ato kohë dhe femra shihej vetëm brenda katër mureve të shtëpisë. Por koha bëri të vetën dhe dalëngadalë femra filloi të emancipohej dhe të zërë një vend të caktuar në shoqëri.

A është i vështirë profesioni i aktorit?

Sigurisht që po. Duhet të qeshësh edhe kur ke probleme familjare apo dhimbje. Arti i përjashton këto momente. Në skenë duhet të jesh i freskët, i qeshur, i motivuar. Është një profesion i vështirë e i lodhshëm, pasi duhet te harrosh gjithçka kur je në skenë e të përqendrohesh tek personazhi artistik që interpreton.

Ju keni qenë deputete në Kuvendin e Shqipërisë në vitet 1973 deri në vitin 1981, a keni pasur raste të takonit udhëheqësit e kohës dhe çfarë mbresa ruani?

Po, unë kam qenë për tetë vjet deputete në Kuvendin e Shqipërisë. Në këto tetë vjet, unë kam pasur rastin të takoj të gjithë udhëheqësit, nga Enver Hoxha dhe deri tek Mehmet Shehu. Takimet nuk kanë qenë tet a tet, por kanë qenë takime së bashku me deputetë të tjerë. Marrëdhëniet dhe takimet kanë qenë korrekte dhe pa hyrë në biseda të mirëfillta pune. Si deputete jam munduar të jem e përgjegjshme dhe të çoj zërin e masës në institucionet përkatëse.

Si ke bashkëpunuar me aktorët e Estradës së Durrësit?

Në mënyrë shumë korrekte dhe profesionale. Durrësi ka pasur dhe ka aktorë shumë të mirë. Ne e kemi ndihmuar njeri-tjetrin pa xhelozi, por me dashuri. Fadil Hasa, Muharrem Hoxha, Roland Koça,  janë ndër aktorët më të mirë dhe në Shqipëri. Estrada e Durrësit ka një veprimtari të ngjeshur dhe produktive. Ne kemi qenë dhe jemi miq të mirë edhe jashtë estradës.

Në këndvështrimin tuaj si një grua civile,  cilat janë problemet e sotme të shoqërisë shqiptare?

Problemet e shoqërisë janë të shumta. Çdo shoqëri ka problemet e saj. Ajo që më bie në sy është, se është shtuar dhuna në familje, por dhe jashtë saj. Përpos kësaj varfëria dhe papunësia, janë dy probleme të tjera që vërtet të bëjnë të ndihesh keq dhe të prishin humorin. Mund të radhisim dhe të tjera, por për mua këto janë më të spikaturat.

Një nga preferencat tuaja në vitet e fundit ka qenë emisionet për fëmijë në disa televizione lokalë. Mos është një risi në rrugën tuaj të aktrimit?

Mbase dhe risi, pasi fëmijët i dua vërtetë shumë. Të gjithë jemi rritur me përrallat e gjysheve dhe nënave tona dhe në kushtet e mediave të fuqishme vizive, argëtimi i tyre duhet të rritet në cilësi, por dhe në kohë.

Në gjithë këtë rrugëtim, a ka ndonjë personazh që ju ka mbetur peng, që keni dashur vërtet ta realizoni, por s’ju janë dhënë mundësitë?

Artisti mbetet artist. Si shpirt artisti jam gjithmonë në riprodhim të ideve e personazheve dhe me këmbënguljen, punën e talentin kam realizuar gjithçka që kam dashur. Besoj se, ndonjë peng do ta realizoj deri sa vazhdoj të punoj.

Si ka qenë vlerësuar puna artistike në regjimin komunist?

S’kam ndonjë nostalgji për atë sistem, por puna kolektive e artistit ka qenë më e vlerësuar. Të gjithë ishin të aktivizuar dhe të përhapur në punë, pasi kishte shumë aktivitete.  Sot për artistin dyert e punës janë të kufizuara. Estradat thuajse janë inekzistente. Besoj shumë se në demokraci për artin do hapeshin shumë dyer, por ende nuk po i shoh këto dyer. Mendoja se demokracia do të gjente rrugë të reja për artistin, sepse është hequr censura. Por vetëm kaq.

Folët për censurën, ju vetë iu është censuruar ndonjë pjesë në regjimin monist?

Ka qenë një material për një shofer që shkonte në skajet e Shqipërisë, dhe ne si shoqe ndërmarrjeje i bënim porosi të ndryshme për mollë apo arra që nuk i gjenim dot në qytet. Kur i jepnim porosi, uleshim në lokalin e ndërmarrjes dhe këndonim ndonjë këngë popullore në pushim. Ky skeç u hoq pasi s’duhej të dilte në pah që socializmi s’kishte furnizime dhe se femra shqiptare nuk ishte aq e civilizuar.

Femra shqiptare a ndihet e vlerësuar?

Femra shqiptare duhet të punojë vetë për veten. S’duhet të presë ta kapin për dore për të fituar të drejtat. Dihet që shoqëria shqiptare është shoqëri maskiliste dhe politika pak hapësira le për femrat, ndaj femra duhet të respektojë veten dhe të kërkojë çka i takon. 

 

Ja ku e kam gjetur veten...

Për vetë faktin se unë banoja në Durrës dhe isha pranë estradës së qytetit, kisha angazhime të shumta në këtë estradë. Koha ishte e ngjeshur me veprimtari që nuk mund të shkëputeshe gjatë për filma. Kam realizuar disa filma dhe drama, por jeta ime është e lidhur me estradën. Atëherë nuk realizoheshin shumë filma, ndërsa e kishe detyrë që në estradë të jepeshin 5 premiera në vit. Por nuk them se filmi s’ka qenë në preferencat e mia. Për këto arsye u angazhova më shumë me trupën profesioniste të estradës, e cila kishte një aktivitet të gjerë kulturor dhe me jepte mundësinë të shprehja talentin tim. Gjithsesi, secila gjini ka rëndësinë e vetë, por për mua aktrimi në çdo lloj gjinie është si ajri i detit që më ndihmon të eci përpara duke mos bërë dallime. Nuk refuzoj role dhe në filma.

Rolet?...

S’i kam numëruar dhe ndoshta kam bërë gabim. Ne çdo vit bënim 5 premiera, ku unë luaja 4 ose pesë role. Atëherë bëje llogarinë vet për mëse tri dekada. Besoj i kanë kaluar 200. Unë si detyrë shikoja profesionalizmin, respektimin e rolit dhe të spektatorit dhe jo numërimin, por mendoj se dhe kjo duhej bërë.



(Vota: 4 . Mesatare: 3/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora