E premte, 26.04.2024, 01:57 PM (GMT+1)

Mendime

Fadil Lushi: Një ''perandori'' që (nuk) mëton të ndryshojë histori

E marte, 06.09.2011, 04:57 PM


NJË “PERANDORI” QË  (NUK)  MËTON    NDRYSHOJË  HISTORI

 

Nga Fadil LUSHI

 

Psikologët sot mund të thonë se “injoranca është nëna e gjithë të këqijave”! Këtë  thënie nuk ka njeri që e konteston. Shumë kombe në botë gjatë zhvillimit të tyre, si politik, ashtu edhe gjuhësor e kulturor, pos që ndërtuan historinë, ata asnjëherë nuk arritën të krijojnë perandoritë e tyre, përkundrazi ato mbetën nën vartësinë a nënshtrimin e të tjerëve.

     Nga ky nënshtrim disa do të shpëtojnë vetë, disa nga perandori e tjera. Ata që merren me të kaluarën do të thonë se historitë e shpëtimit të shqiptarëve, sipas Aleks Budës, kanë këto rrjedha: “..., ne shqiptarët nga Greqizimi na shpëtuan Romakët, nga latinizimi na shpëtuan Bizantinët, nga sllavizmi respektivisht nga “grykësia imperialiste sllave” na shpëtuan Turqit”!?..., së fundi na shpëtuan amerikanët, bijat dhe bijtë më të mirë kosovarë.  

     Shtrohet pyetja, a kanë nevojë sot shqiptarët t’i kthehen historisë  (historisë së shpëtimit sipas Aleks Budës) së pushtuesve,  respektivisht perandorive që shekuj me radhë kishin mëtuar t’i asimilojnë në aspekt kulturor, gjuhësor e kombëtar. A kanë shqiptarët sot nevojë të krijojnë aleanca me kombe të tjera? Gjithsesi se po. Por ama paraprakisht duhet ta rrënojnë atë kështjellën e perandorisë së inateve të tyre histerike!?

       Krijimi i “aleancave” të reja nuk do të thotë se historia e tyre (nuk) do jetë më shumë e mbrojtur nga rreziku që vjen nga jashtë, qoftë edhe nga “ish-perandoritë”!? Vallë, a kanë sot shqiptarët resurse të mjaftueshme politike, intelektuale, kulturore dhe shkencore të bëjnë një hap të tillë? Gjithsesi jo! Dhe kur shqiptarët dhe popujt e tjerë, të vegjël si ata, nuk do ta bëjnë këtë, atëherë ata gjithë ditën e Perëndisë, “toptan” do të ballafaqohen me fenomenin e “diktatit” nga jashtë. Një i tillë “diktat” u hetua ditë më parë në kryeqytetin e Kosovës, kur ministri për arsim i Republikës së Turqisë, z. Dincer, në një takim protokollar me ministrin për arsim të Republikës së Kosovës, Ramë Buja, prej këtij të fundit kishte kërkuar që nga disa paragrafë të historisë shqiptare të hiqen a të korrigjohen “disa shprehje armiqësore dhe urrejtëse ndaj turqve dhe perandorisë së tyre”!? (se ç’kishte ky ministër të “fiksuar në fiqirin e tij” për të thënë, ose në instancë të fundit ç’ishte qëllimi fundor i kësaj deklarate, unë nuk e di dhe nëse do mëtoj ta di, nuk mund ta paragjykoj si të tillë).

       Sot edhe sehirxhijtë, sherxhijtë, hazërxhijtë dhe gojëkëqijtë si dhe ata që “përnjëmend” hiqen si analistë, kolumnistë të sikletosur dhe të mërzitur shqiptarë dhe si kundërshtarë të përbetuar të historisë së Perandorisë Otomane, respektivisht ndaj qytetarëve të Republikës së Turqisë, me të “drejtë” do të thonë se vokabulari politik i ministrit turk kishte qenë fund e krye shovinist dhe nacionalist, nga njëra anë dhe, nga ana tjetër, na paskësh qenë sa ankues, po aq edhe akuzues (ndonëse këto akuza janë të paqarta dhe pa adresë të saktë politike e historike), e para, kurse e dyta, kinse gjatë dhe pas këtij takimi me ministrin turk, qëndrimi i homologut të tij respektivisht ministrit shqiptar Ramë Buja, ndaj kësaj “deklaratë-kërkese” na paskësh qenë skajshmërisht i “harlisur”, i butë, lutës dhe shumë më pak kundërshtues. Ministri për arsim i Republikës së Kosovës, Ramë Buja, këtë “harlisje” të tij do ta “justifikojë” me faktin se ai nuk është kompetent dhe s’e ka të drejtën t’i fusë hundët edhe aty ku nuk e ka vendin, aty në oborrin e historianëve shqiptarë, të cilët me a pa qëllim u lanë mënjanë nga ai takim protokollar, që u zhvillua në “kryeshkallët” e Ministrisë së Arsimit të Republikës së Kosovës! Pavarësisht se cila do të jetë gjatësia e kësaj “gafe diplomatike” a e kësaj deklarate të ministrit turk, zoti Buja nuk deshi të jetë pjesëmarrës i drejtpërdrejtë në “trafikimin, klandestimin dhe kodoshimin” e fakteve të historiografisë shqiptare! Në instancë të fundit, ministri turk këtë “kërkesë” duhej t’ia adresonte Ministrisë së Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës dhe Shoqatës së Historianëve të Kosovës dhe jo gjithfarë opinionistëve (në atë adresë ku janë të strehuara të vërtetat dhe vetëm të vërtetat, qofshin ato dedikuar edhe historisë së Perandorisë Otomane, ku padyshim kanë hise edhe shumë figura të ndritura të shqiptarëve si vëllezërit Frashri dhe shumë të tjerë që i shërbyen me devotshmëri PERANDORISË OTOMANO-SHQIPTARE !???)..., pavarësisht se ishte një kërkesë e zbehtë dhe e papërfillshme për historianët a edhe për përpiluesit e teksteve mësimore të kësaj fushe.

     Dikush mund të pyesë se sa ia vlen që shqiptarët (qofshin ata intelektualë, analistë a edhe historianë) t’i përgjigjen me mllef kësaj deklarate ose edhe lloj-lloj provokatorëve gjegjësisht politikanëve, diplomatëve, historianëve (sllavë) lugetër, akademikëve të huaj dhe shkrimeve të tyre ku në vijimësi kandisen të na etiketojnë si “pllaninari, terroristi, shiptari” e të tjera shtrembërime që dalin nga enciklopedi, të cilat nuk janë kurrgjë tjetër pos dreqër që mëtojnë të deformojnë faktet historike shqiptare. Këto enciklopedi djallëzore e fletushka të historive të sajuara, kurrën e kurrës nuk mund të fragmentarizojnë a të rrudhin historinë shqiptare, por ama nuk duhet lejuar që këta të na zënë në befasi e në gjumë, në veçanti atë historianin e “mllefosur” shqiptar nga Maqedonia, i cili një vit më parë tha se do të fillojë ta shkruajë “Enciklopedinë e shqiptarëve të Maqedonisë!??.

      “Gjymtimi i kureshtjeve” të opinionbërësve shqiptarë qëndron në faktin se shumë shpejt “ndizen dhe provokohen” vend e pa vend, aq më tepër kur mëtojnë që një të pavërtetë ta lexojnë dhe ta rilexojnë. Gjithë kësaj i shkon ajo thënia kuranore dhe biblike: “..., një gjë që sa më shumë ndalohet aq më shumë kërkohet”, gjegjësisht sa ma shumë të shkruhet për shtrembërime, aq më shumë ato do të lexohen e dëgjohen. Sot shefi i ministrisë turke të Punëve të Jashtme, Ahmet Davutogllu, do të thotë se këtij ministri për  arsim të Republikës së Turqisë nuk duhet t’i zihet për të madhe, sepse ai ende  mbijeton jashtë “ekologjisë së mjedisit politik, po edhe diplomatik”, se njëherit ajo deklaratë ishte rezultat i mungesës së higjienës morale dhe mentale të tij.

      Unë nuk mbaj mend që një diplomat jomysliman të ketë vendosur kurorë te lapidari i familjes së Jasharajve. Sinqerisht nuk di që një diplomat të jetë përulur para lapidarit të legjendarit tonë, po ja çuditërisht z. Davutogllu,  përuli veten  para trashëgimtarëve, dëshmitarëve dhe pronarëve të Kullës së Jasharajve të Prekazit.

     Ky ministër turk i Punëve të Jashtme sikur këtë gjest përuljeje (një përulje që prodhoi një mal heshtje dhe habi) ta kishte bërë për qejfin e tij, mbase për mirësjellje, ndoshta me a pa qëllim edhe për “inatin” e disa politikanëve shqiptarë, qofshin ata nga Kosova a edhe nga Shqipëria politike, të cilët sot e kësaj dite nuk e panë të arsyeshme ta njohin luftën kosovare dhe njëkohësisht ta vizitojnë Prekazin, respektivisht mëhallën legjendare të Adem Jasharit! A e dini pse nuk vizituan atë mëhallë? Ja po jua them unë: vdekja e njerëzve të asaj mëhalle ua prishi njëherë e përgjithmonë “rehatinë dhe hesapet e karrierës së tyre politike”! Ku ta dijë njeri. Unë nuk e di dhe s’dua ta di. Ndoshta nuk dua të jem në cilësi të një të përgojuari, një njeriu i cili në emër të arrogancës mëton të ndërtojë shkrime krahasuese, shkrime më shumë narrative, pasionante, emocionale, patetike, folklorike, folkpatriotike, provinciale, personale dhe së fundi shkrime të shkarravitura dhe kurrgjë tjetër. Tipin e kësaj arrogance nuk e duron as gazetaria, po as opinioni publik, në rastin tonë as lexuesi i këtij shkrimi dhe..,sikur të bëhet kjo atëherë ky vështrim do të kishte një moral të dyfishtë. Shkrimet me moral të dyfishtë nuk i shërbejnë askujt. Nëse kjo që thamë më lart ka pak të vërteta historike, atëherë pse asnjë analist, po qoftë ai këmbë krye subjektiv, nuk ndërtoi një të vetmin vështrim objektiv ndaj politikanëve që inatosën Prekazin si dhe përuljen e z. Davotogllu para lapidarit te Adem Jasharit!?

     Pse sot (pseudo) analistët nuk kundërshtojnë kolegët e tyre të cilët në shkrimet a vështrimet e tyre e ushqejnë fundamentalizmin islam, nga njëra anë, dhe, nga ana tjetër, e anashkalojnë atë tradicional. Pse sot kolumnistët nuk inatosin ca kolegë të tyre që mëtojnë ta rrënojnë kështjellën e harmonisë ndërfetare shqiptare (myslimane, katolike dhe ortodokse)!? Pse sot “emrat e ndritur” të shkrimeve shqipe nuk sikletosen për çështjen e rrezikut të asimilimit të pahetueshëm të mërgatës sonë, qoftë në aspekt kulturor, gjuhësor, fetar etj..,të mërgatës shqiptare e cila është strehuar (ky strehim i përkohshëm ekonomik, ka koston e vet) në hapësirat ekonomike të Greqisë, Italisë dhe trojeve të tjera evropiane. Pse nuk u thur një shkrim serioz për “kurbetçiun” i cili në vijimësi do të “këndojë” pjesë të poezisë së Naimit: “Baltë e pluhur do të bëhem, të më shkelë këmbë e...,”grekut dhe italianit(!??), vetëm e vetëm të kem një leje pune! Pse nuk provokohemi hiç nga gjymtimet tona dhe për to të ndërtojmë opinionin tonë publik, apo na vjen më mirë që ta heshtim këtë “mesele” dhe shumë të tjera si kjo, apo na vjen më mirë të rrimë ashtu këmbëkryq dhe të “kënaqemi me zhurmën e mullirit”..., atij mulliri që pa mëshirë bluan a asimilon popuj të tërë ndër to edhe shqiptarë myslimanë, katolikë e ortodoksë. Pse duhet të merremi me njerëz të paragjykuar që prodhojnë thashetheme?

      Diplomacinë kosovare nuk mund ta bëjnë analistët politikë, atë e bëjnë njerëz të përzgjedhur me votën deliberative të popullit, njerëz të paguar për këtë punë.



(Vota: 2 . Mesatare: 3/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora