E merkure, 30.04.2025, 02:03 PM (GMT+1)

Mendime

Çlirim Uça: Unë dhe Muharrem Ibra

E shtune, 03.09.2011, 06:58 PM


Unë dhe Muharrem Ibra

 

Nga Çlirim Uça

 

Pak dit ma parë mediat tona zhurmuen një lajm sensacional: Muharrem Ibra dëshmoi në Hagë në mbrojtje të Millosheviçit.

Mjerisht, këso lajmesh pjell vetëm bota shqiptarë. Shëndeti i mirë i mitrës së saj na ban të frikohemi që ky shëmtim do te vazhdojë përjetësisht.

Mund të merret me mend se çfarë urrejtje do të këtë shkaktue ky njeri tek lexuesit. Mund të paramendohet edhe natyra e shfryemjeve kundër atij që pati guximin të shprehet: , Serbija asht Atdheu im. Në Serbi kam lindë dhe atë s`dua ta tradhtoj”.

Por vështirë të ketë mendue ndokush për rrethanat që e shtynë këtë njeri të vrasë vetveten deri në këte shkallë. Ashtu edhe pakkush do të ketë mendue edhe për gjendjen e tij mendore.

I zhytun në vorbullën e kësaj brenge, më erdhi të pyes vehten: Cili jam unë sot ndaj këtij njeriu dhe Atdheut?

Që t’i përgjigjem kësaj pyetje, u nisa nga shtegu i rinisë sime dhe Muharremit.

Si unë, ashtu edhe ai, ani pse me një diferencë moshe, si fëmijë kemi kalue nëpër koke andërren e mirëqenjes. Si të rritun, nën ndikimin e rrethit dhe rrethanave të ndryshme, duhet të kemi zgjedhë rrugët për realizimin e andërrave tona.

Muharremi, si rrugë ma të lehtë për sigurimin e ekzistencës, ka zgjedhë bashkëpunimin me pushtuesin serb. Punësimi dhe përfitimi i një rroge mujore do të këtë qenë andërra e tij e kthyeme në realitet. Kjo marrëdhanje ka nënkuptue damtimin e interesave të vendit dhe popullit të vet. Si ky njeri ka pasë edhe shumë të punësuem të tjerë. Por për dallim nga shumica, Muharremi, në raport me punëdhansin, ka qendrue korrekt: ka punue pa hile dhe edhe sot e kësaj dite i qëndron besnike atij.

Por mbas çlirimit, Muharremi, për lidhjet me pushtuesin asht ndëshkue me një çmim të randë, ashtu siç edhe asht shprehë: ,,Shqiptarët më kanë vra djalin, tre vëllazen dhe dy nipa”. Pra ai e di mirë që hakmarrës asht populli shqiptar, ish viktimat e tij.

Në anën tjetër, unë dhe brezi im, tue pa veten të rrezikuem dhe tue deshtë siguri, liri dhe mirëqenje, jemi përplasë me rendin e Muharremit. Një nga ta, unë, si i mundun dhe pa forcë të përballem me rendin e Muharremit, i shtërnguem nga nevoja ekzistenciale, jam detyrue të largohem nga Atdheu. Në vendin e huej me asht dhanë mundësia të jetoj, por edhe të vazhdoj luftën me mjete të tjera kundër Muharremit. Në ditën vendimtare kam dalë fitimtar ndaj tij që, si humbës, asht detyrue të ,,zbresë nga kali” dhe të bahet kambësor, ashtu si unë atëherë edhe sot. Me atë rrugë ai asht nisë për Serbi dhe ba refugjat, si unë tash e 22 vjet ma parë, por tjetërkund. Prej atje ai vazhdon të shajë vendin e vet. Sigurisht, atje do të vdesë, e ndoshta edhe të varroset. Si ai, edhe unë, do të përfundojmë me trashëgimi identiteti.

Unë rri në Zvicërr. Mundësia për t’u kthye në vendlindje nuk asht as minimale, përpos nëse me lanë mendt dhe vendosi të ringjalli Don Kishotin. Vendin tim nuk e shaj, por kritikoj udhëheqjen, që për 12 vjet çlirim nuk dha prova jo për të me sigurue ,,kalë,, , sa për të më dallue nga Muharremi, por as edhe dinjitet. Në këtë kërkesë nuk ka se si e t`mos jem i tepërt: po çfarë mund të të japë fukaraja (një gja që as ai nuk e posedon. Fjalën e pata për dinjitet)?

Në Zvicërr vazhdoj ta ngrysi jetën ftoftë, tue mërdhi për atë të shkretë dashunije atdhetare. Këtu mund të vdes, por do te të varrosem atje. Një vorr do të jetë e vetmja fitore që mund të më realizohet në gjithë jetën time plot andrra, mundime, sakrifica, dhimbje , shpresa, mbas humbjes në përballje me Muharremin. Pra një vorr dhe asgja ma shumë. Shtetësì s`më ka dhanë Sali Berisha, as Zvicrra. Shtetësinë e Kosovës nuk e kam marrë dhe nuk do ta marr asnjëherë, për deri sa vend im t`mos jete ai i andërrave të mija dhe të brezit tim.

Po pse?- shtrohet pyetja.

Vendit tim tash i mungon vetëm Muharremi. Asht injorancë fakti që të mungojë vetëm ky njeri atje, që për hir të barazisë, të paktën ka pasë mundësi të rrinte dikund në fshatin e tij. Nga ajo pozicion vështirë së do të mund të bante diçka ma keq së shokët e tij nëpër pozita, të cilët dje, ditë e natë, kanë punue për shkie dhe nganjëherë, si për magji, na kanë ba edhe me sy.

Nëse të gjithë ata që sot janë nëpër pozita nuk janë shokë të Muharremit, atëherë disa janë edhe prototipa te tij. Pse jo, edhe anmiq të tij, që për t’i zgjidhë hallin vetes, kanë vendosë të sfidojnë Muharremin, që një herë edhe ky asht dëshmue për trimni. Se të jesh anmik i popullit tand, sigurisht që je edhe i fortë. E trimit thonë se rrallë herë i shkon puna për huq.



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx