E shtune, 27.04.2024, 11:20 PM (GMT+1)

Mendime

Naser Pajaziti: Intervistë me biznesmenin Lazim Destani

E marte, 30.08.2011, 07:42 PM


Përkushtimi pas biznesit dhe larg politikës

 

Pronari i kompanisë ndërkombëtare “Ecolog”, Lazim Destani në një intervistë për INA për herë të parë sjellë sekuenca nga jeta dhe bizneset e tij...

 

Jeta private dhe pushimet, relacionet me biznesin dhe familjen, modestia në përditshmëri,  sukseset e mëtejme, shmangia nga politika, investimet në vendlindje dhe rajon dhe sfera të tjera, janë disa nga sekuencat për të cilat jep përgjigje biznesmeni i suksesshëm shqiptar, Lazim Destani në intervistën për agjencinë e lajmeve INA.

 

Intervistoi: Naser PAJAZITI

 

Z. Destani, në fillim do t’ju pyesnim – ku e kaloni stinën e verës si periudhë pushimesh ?

 

- Duke qenë se biznesi ynë ka shtrirje të gjerë gjithandej, por me përqëndrim pak më të theksuar në Lindjen e mesme dhe Evropë, gati çdo herë verat më gjejnë në vende të ndryshme. Kjo impononohet nga aktivitet e mia, dhe megjithqë angazhimet e mia në biznes tashmë janë më shumë të natyrës këshilldhënese e reprezentuese, agjenda vazhdon të jetë intensive. Kështu sivjet rastisi të kaloj një pjesë të kohës së verës edhe në vendlindje, aty ku përherë ndihem më mirë se çdo kund tjetër. Madje, meqë ndodha këtu edhe në këto ditë të ramazanit, është kënaqësi edhe më e madhe të jem në mesin e familjes sime më të gjërë dhe miqve të mi.

 

Si do ta përshkruanit aktivitetin tuaj ditor në relacion me biznesin dhe familjen?

 

- E kam përmendur më shumë herë se puna dhe familja për mua paraqesin një binom të pandashëm. Vërtetë biznesi u ngrit në saje të përkushtimit tim dhe të mundësive që më janë ofruar në vendin ku nisa ndërmarrësinë, pra në Gjermani, por këto dy shtylla nuk do të mjaftonin po të mos e kisha të tretën, pra mbështetjen pa rezervë tek familja ime, por gjithsesi edhe te bashkëpunëtorët e  mi nga rrethi më i afërt.

Gjithmonë jam përpjekur që krahas punës së përditshme të kaloj sa më shumë kohë së bashku me familjen time. Viteve të fundit këtë dëshirë arrij ta realizoj gjithnjë e më shumë. Këtë e ka bërë të mundur kalimi i udhëheqjes direkte të bizneseve drejt djemve të mi dhe menaxhmentit përkatës. Gjithashtu në këtë drejtim kanë ndikuar edhe avantazhet që i ka sjellë niveli i jashtëzakonshëm i sistemimit të administratës në bizneset tona familjare.

 

Ju keni krijuar një imazh të një biznesmeni të suksesshëm dhe jo shumë të zhurmshëm, pa shumë reklamim. A thua kjo nënkupton një modesti që preferoni ta ruani vazhdimisht ?

 

- Nuk do të ishte modeste të flas unë për këtë, po më lejoni të përmend se njëri nga parimet kyçe që jam munduar ta ndjek gjatë karrierës sime është se –arritjet dhe veprat e realizuara flasin vetë.  Jam i bindur se modestia është një nga ato tipare që të bën të suksesshëm në punë e të mirëseardhur në të gjitha mjediset, si në familje ashtu dhe në shoqëri.

 

Cilët ishin hapat e parë në biznesin tuaj, a jeni i kënaqur me arritjet dhe në saje të kujt erdhi suksesi?

 

- Agjencia për transport udhëtarësh është në themelet e biznesit tonë familjar. Agjencinë “Sharr Turist” e themelova në vitin 1987 në Gjermani dhe me rënien e socializmit, sapo u lejuan ndërmarrjet private në Maqedoni, hapa zyrën e kësaj agjencie në Tetovë, ishte agjencia e parë këtu te ne. Gjithmonë kam qenë i përkushtuar në punë dhe sigurisht që suksesin e kam pritur por ç’është e vërteta, jo të këtyre përmasave. Kështuqë, patjetër jam i lumtur dhe falënderues për arritjet.

Se si vjen suksesi është pak e vështirë të shpjegohet shkurtimisht, - unë në rradhë të parë do t’i ndaja në dy grupe faktorët që ndikojnë drejtpërdrejt në nisjen dhe drejtimin e një biznesi. Në grupin e parë bëjnë pjesë analizat e të gjitha parametrave që kërkon një iniciativë e caktuar në biznes, siç janë, definimi i produktit apo shërbimeve, tregut, strategjisë, etj. Këta janë faktorë të cilët një njeri i shkathët e me sens për të bërë biznes i ka në dorë për t’i kalkuluar por në anën tjetër janë faktorët e jashtëm që nuk janë në dorën tënde – siç janë ndryshimet ekonomike, politike apo edhe fatkeqësitë natyrore, pra të gjitha aspektet që nuk mund të maten apo parashikohen saktësisht. Në botën e biznesit, ata që arrijnë  t’u bëjnë ballë vështirësive që dalin nga këto rrethana karakterizohen me guxim të theksuar, përkushtim e qëndrim të pathyeshëm.

Përveç udhëheqjes, siç dihet, secili biznes ka një kombinim unik të faktorëve kritik të suksesit, por disa janë të rëndësishëm për çdo sipërmarrje: të menduarit global edhe në rastet kur biznesi është kryekput lokal – pra duhet ndjekur trendet globale, se si mund të ndikojnë në disponueshmërinë e resurseve apo kërkesën për produkte respektivisht servise të cilat i ofroni për t’u përshtatur gjithnjë sipas ndryshimeve. Pastaj krijmi i një ambienti ku pasioni shumëfishohet, sensi i pronësisë përcillet tek çdo punëtor, dhe më e rëndësishmja fuqizimi e dhënia e lirisë së vendim-marrjes tek menaxhmenti përbëjnë benefitet kyçe për një organizatë biznesi. Tek ne kjo qasje është bërë praktikë, gjë që krahas përkushtimit konsistent në punë, lirisht do ta përshkruaja si faktor thelbësor për arritjet dhe zhvillimin e deri tashëm.

 

Shumë biznesmenë kanë prirje për t’u futur në skenën politike, pse nuk ju shikojmë juve si një aktor në këtë skenë?

 

- Kjo pyetje më është bërë disa herë, dhe unë do ta përsëris se nuk kam patur ndonjëherë aspirata për t’u angazhuar drejtpërsëdrejti në politikë. Gjithnjë duke respektuar parimin  se një njeri nuk mund të jetë njësoj frytëdhënës në më shumë veprimtari. Pra, edhe tek ne, siç ndodh rëndom nëpër botë, duhet të profilohemi dhe të përqëndrohemi tek punët për të cilat jemi më të kualifikuar.

Për të çuar shoqërinë tonë në një nivel tjetër zhvillimi, duhen më shumë aktorë dhe role. Politika sigurisht që luan një rol të rëndësishëm në këtë proces, por ekonomia është motori kryesor i lëvizjeve të mëdha. Kështu për sa i përket rajonit, fokusi im është zhvillimi i bizneseve që do të hapin vende të reja pune, dhe pikërisht në këtë sektor e kam parë angazhimin tim më frytdhënës dhe të dobishëm për shoqërinë ku jetoj dhe veproj. Ndërkohë brenda mundësive të mia do të vazhdoj gjithnjë të jap kontributin tim për çështje të ndryshme shoqërore edhe në forma tjera.

 

Po për çështjet që lidhen me shqiptarët e Maqedonisë, a jeni aktiv në rrafshin e lobimit në arenën ndërkombëtare apo një gjë të tillë nuk e keni në agjendën tuaj?

 

- E vërteta është se zhvillimet në fushën e investimeve e të biznesit gjithsesi janë të gërshetuara me zhvillimet politike. Siç e përmenda dhe më lartë, angazhimet direkte politike nuk janë pjesë e prioriteteve të mia. Prezenca jonë ndërkombëtare përmes bizneseve, natyrisht ka përparësi dhe sa herë që na jepet rasti shfrytëzojmë mundësitë për të tërhequr vëmendjen edhe për çështje shoqërore në Maqedoni, por siç e përmenda fokusi ynë është zhvillimi ekonomik – gjë që besoj ka impakt të rëndësishëm edhe për aspektet politike për të cilat ju mund të aludoni me pytjen tuaj.

 

Kush janë njerëzit që ju mbështesin dhe ju rrinë pranë për të menaxhuar biznesin tuaj i cili njeh vetëm suksese?

 

- Janë djemtë e mi si dhe menaxhmenti e këshilltarët nga fusha e specializime të ndryshme. Pastaj janë qindra të rinj e të reja që vijnë nga dhjetëra vende të botës. Këta janë profesionistë e specialistë të shumë drejtimeve që kanë fituar dituritë e shkathtësitë e tyre profesionale nëpër qendra të njohura universitare anembanë botës dhe tash punojnë të shpërndarë nëpër zyrat e kompanive tona që nga Shangai deri në Uashington. Një pjesë e tyre, rreth 150, punojnë në zyrat e Ecolog-ut në Tetovë, dmth bëhet fjalë për stafin që bën mbështetje administrative të projekteve tona. Në thelb është një punë ekipore, dhe secili e ka rolin dhe rëndësinë e vet, që nga menaxhmenti i lartë deri tek mijëra puntorët tanë që i kryejnë me shumë përkushtim detyrat e përditshme.

 

Përveç asaj që deri tani keni arritur dhe keni realizuar projekte si Ecolog, cilat janë planet për investime në projekte tjera që synojnë zhvillimin e trevave tona, gjegjësisht zonës që ju i takoni, me qëllim të nxitjes së punësimeve, krijimit të një imazhi tërheqës apo ndonjë projekti tjetër ?

 

- Unë jam shumë i përkushtuar në orientimin e investimeve nëpër trevat tona, jo vetëm aty nga vij, por edhe më gjërë në rajon. Kështu që, sigurisht në strategjinë e zhvillimit të grupit tonë përfshihen edhe targete investimesh në këto vende. Tashmë janë realizuar një numër investimesh në disa sektorë, si prodhim, patundshmëri, etj. dhe në një të ardhme të afërt pritet të materializohen projekte edhe më kapitale për të cilat do të njoftoheni sipas hapit të realizimit.

 

Sa ka të vërtet se Ecolog synon ndërtimin e një qendre biznesi grandioze në Tetovë, - a do t’ua sillni këtë qytetarëve të Tetovës?

 

- Kompania Ecolog International dhe ndërmarrjet simotra paraqesin vetëm një pjesë të grupit tonë të kompanive, dhe veprojnë në një fushë shumë të specializuar të industrisë së shërbimeve. Kështu aktivitet e saja në tregun e rajonit janë më pak të theksuara, megjithëse ka patur aktivitet intensiv rekrutimi e punësimi të mijëra njerëzve nga këto vende nëpër lokacionet e projekteve tona jashtë Maqedonisë. Momentalisht investimet në fushat tjera në Maqedoni apo gjetiu në rajon menaxhohen nga njëri prej holdingjeve me seli në Zürich të Zvicrës. Kësisoj brenda grupit tonë të kompanive kemi një sektor të dedikuar pikërisht në fushën e zhvillimit të patundshmërive, dhe jam në dijeni që në fazë vlerësimi janë mjaft projekte dhe investime të tilla, disa bile me destinim edhe për Maqedoninë.

 

Vitin e kaluar ju zgjeruat grupacionet tuaja me një investim në një projekt mjaft ambicioz në Kosovë. Cfarë ishte motivi për të investuar në një kapacitet prodhimi në industrinë e tekstilit?

 

- Investimet në rajon apo në trojet tona shqiptare, në përgjithësi gjenezën e kanë pikërisht në motivet për ndikim në zhvillimin ekonomik të rajonit. Kohën e fundit holdingjet tona kanë blerë në Kosovë disa kompani, dhe njëra nga to është Kosovateks-i, ku vitin e kaluar është ngritur dhe vënë në funksion një fabrikë me teknologji më moderne në rajon për prodhimin e xhinseve me mbi treqind të punësuar dhe kapacitet maksimal prodhimi prej njëqind mijë palë xhinse në muaj.

Pastaj, përveç ndjenjave kombëtare, ideja për të qenë prezent në ekonominë kosovare buron nga perspektiva që unë e shoh, pavarësisht sfidave të kohës që kemi patur dhe vazhdojmë të kemi. Unë besoj në potencialin dhe hapësirën që ka ky treg dhe kjo do të shihet qartë sidomos atëherë kur rajoni do të bëhet pjesë e tregut të bashkuar evropian. Do të shtoja se ne kemi të njëjtën qasje edhe për tregun e Maqedonisë, dhe projekte me natyrë të ngjashme janë në përgatitje e sipër për realizim në një të ardhme jo shumë të largët.

 

Ju, bizneset tuaja, gjithnjë e më shumë jeni nikoqir të personave të rëndësishëm nga arti, shkenca, biznesi, politika, etj. Si vjen kjo?

 

- Është thjeshtë pjesë e përditshmërisë sonë, aktiviteve tona. Gjithnjë kam ndier dhe vazhdoj të ndiej kënaqësi kur vizitohem nga miqtë e mi. Sa vjen e kalon koha, lista e miqve të mi dhe e bizneseve tona përgjithësisht zgjerohet me emra të rinj nga të gjitha fushat, si nga biznesi, arti, shkenca, apo politika. Është shumë me rëndësi të jesh i rrethuar me njerëz të mirë dhe produktiv. Kështu kur ndodh e bashkohen fuqitë e njerëzve me mundësi ndikimi, sigurisht rezultatet janë më të larta dhe si rrjedhojë, rritet edhe numri i të tjerëve përreth që përfitojnë nga këto marrëdhënie. Shoqëritë janë të konceptuara në mënyrë që njerëzit të përkrahin njëri-tjetrin. Unë do të dëshiroja shumë edhe tek komunitetet tona, të gjithë ata që kanë forcë për të bërë një ndikim pozitiv përbrenda grupit të vet shoqëror, kombëtar në këtë rast, ta bëjnë këtë dhe të rritemi së bashku në çdo aspekt. Pra kështu, me miqtë tanë ne lidhim bashkëpunime nga të cilat përfitojnë të gjithë, e tillë ishte tash së fundmi këtu te ne vizita e Nobelistit Ferid Murati, apo më parë vizitat e shumë figurave tjera të shquara.

 

Sa mendoni se shoqëria jonë di ta vlerësojë kontributin që ju jepni për të, në aspekt punësimesh, filantropie, apo si përgjegjësi shoqërore në përgjithësi. Pas dekorimit tuaj me çmimin Qytetar Nderi i Tetovës, morëm vesh që nga organizata CIR e Maqedonisë kohëve të fundit keni fituar një çmim meritor pikërisht për këtë?

 

- Unë mendoj se shoqëria jonë i vlerëson mjaft kontributet dhe veprat e mira. Por, një fjalë e urtë popullore thotë “bëje të mirën dhe hidhe në det”. Kështu edhe unë në parim nuk preokupohem nëse për një vepër të bërë dikush do më shprehë mirënjohje, apo jo. Pa dyshim, kur veprat vlerësohen nga shoqëria të cilës ia dedikon, ke një satisfaksion të veçantë. Çmimet e mirënjohjet, ndër të cilat dhe ato që po përmendni ju, i vlerësoj shumë. Por, po e ritheksoj, çmimet nuk janë motivi mbi të cilin unë, apo bizneset e familjes sime i bazojmë planet për aktivitet filantropike apo ato të përgjegjësisë shoqërore. (INA)



(Vota: 4 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora