E diele, 28.04.2024, 09:10 AM (GMT+1)

Mendime

Halil Matoshi: As Enveri as Omeri

E diele, 28.08.2011, 07:55 PM


As Enveri as Omeri

 

Nga Halil Matoshi

 

Dallimi mes neootomanizmit turk dhe romantizmit shqiptar është i madh, i pari është i menduar mirë për dominim rajonal dhe aspiratë globale, kurse i dyti është thjesht tendencë permanente për folklorizmin e politikës, pra padije, që variron nga përulësia (poltronizmi) dhe pranimi duarhapur nga një pjesë e shqiptarëve që shfaqen si islamistë të rinj (islami politik) deri te kundërvënia me mjete raciste, etnonacionaliste dhe fyese. Pra shqiptarët kosovarë i kundërvihen një doktrine të përpunuar hollësisht në shekullin 21 me mjetet e shekullit 19, duke cituar frashërllinjtë

Shtrirja në thellësinë strategjike e Turqisë ia nisi me iftare nëpër Kosovë dhe aty mes ëmbëlsimit me hurma do të shpaloset një ide e re dhe do të shtrihet dora e ngrohtë si prej abeje turke ndaj “mbeturinave osmane” në rajonin tonë.

 

“Thellësia strategjike” është libri i Ahmet Davutogllu-t, aktualisht ministër i jashtëm në qeverinë turke. Pikërisht ky libër influencoi rizgjimin diplomacisë turke për ta reviduar historinë, duke u kthyer thellë në kohë për t’ia dhënë hakun Turqisë Osmane për vlerat e saj civile dhe për të depërtuar po ashtu thellë në kohën e ardhshme, për ta arritur plotësinë gjeografike të kësaj Turqie famëmadhe. “Turqia përballet me përgjegjësinë për të formuar një tërësi të re e kuptimplote mes thellësisë historike dhe thellësisë strategjike dhe për ta kaluar në jetë këtë tërësi brenda thellësisë gjeografike.

 

Të inspiruar nga “aventura” strategjike e Davutogllut, një ditë i piku në mendje kolegut të tij nga resori i arsimit Omer Dinçer që të shkojë në Prishtinë dhe të kërkojë (natyrisht jo me ultimatum por me ilahi) nga Qeveria e saj që të ndërpritet historia!

 

Pra që të fshihen kapitujt në librat e historisë ku fyhen Perandoria Otomane dhe turqit, sepse historia e përbashkët i bën një shqiptarët dhe turqit, dhe gjithnjë sipas ministrit aziatik Dinçer, nuk është ekzagjerim të thuhet se këta dy popuj janë vëllezër!?

 

Nuk besohet qe ministri të ketë harruar një fakt domethënës në këtë tregim, se shqiptarët u përkasin tre besimeve dhe, është shumë irrituese dhe jologjike që shqiptarët e besimit katolik të ndihen “një me turqit.”

 

Për hatër të qytetërimit që arbërve (shqiptarëve të sotshëm) u paskësh sjellë inkursioni Perandorak Otoman, ata, shqiptarët kosovarë sot, u dashka të jenë mirënjohës e jo të fyejnë Perandorinë mesjetare dhe Padishahun.

 

Prandaj është historikisht i pambështetje dhe jo moral leksioni i thjeshtëzuar që krerët e Turqisë së sotme po u mbajnë sot shqiptarëve kosovarë.

 

Kjo është sikur pas rreth një shekulli, një Serbi e re, të kërkojë nga kosovarët që të korrigjojnë kapitujt ku shkruhet për përpjekjet gjenocidale të fashizmit serb ndaj shqiptarëve të Kosovës dhe në vend të tyre të shkruhet se Millosheviqi u solli atyre e demokracisë, vetëm nga shkaku se në vitet ’90 ra komunizmi dhe iu hapën dyert shumëpartizmit, madje edhe në Kosovë u krijuan shumë parti të orientimit çlirimtar dhe demokratik.

 

Ose, t’i thuren oda Jugosllavisë së Titos, vetëm nga shkaku se nën regjimin e saj u krijua i pari Universitet shqip në Prishtinë...

 

Kjo është strategji e ngjashme sikur ajo e qarqeve aktuale panhelenike, që mund të pretendojnë se Greqia e sotshme u solli qytetërim shqiptarëve duke i ‘ndarë’ nga orienti.

 

Dihet se Ataturku përfundimisht u shkëput nga despotizmi dhe mënyra perandorake e të menduarit, gjë që po e rikthejnë partitë e orientimit islam, si AKP e Erdoganit që është në pushtet, duke u shndërruar në mentor të Sali Berishës dhe Hashim Thaçit, me pretendimin që t’ia shkruajnë historinë etnike dhe kombëtare-shtetërore Shqipërisë dhe më me këmbëngulje Kosovës...

 

Ministri turk i Arsimit, Omer Dinçer gjatë Ramazanit erdhi në Kosovë.

 

Në pamjet televizive nga Prizreni ai u fokusua duke qarë kur disa të rinj prizrenas që identifikohen si turq kënduan ilahi. Dinçer në Prishtinë, pati edhe një kërkesë në adresë të homologut të tij kosovar: të ndryshohen tekstet e historisë shqiptare, posaçërisht kapitujt ku përdoren fjalë fyese për Turqinë. Ramë Buja, nuk është se nuk e ka pranuar sugjerimin e “vëllait”, por as ai nuk e di nëse ka apo jo cilësime fyese për Turqinë në librat shkollorë të Kosovës. Por prapa shpine të publikut dy komisione ndërqeveritare për ta ndrequr historinë!

 

Çështja arriti në shtyllat e gazetave dhe në lajmet televizive dhe ministria e jashtme turke u desh të reagonte. Sipas palës turke nuk është thënë se duhet të ndryshohet historia, por që të korrigjohen ata kapituj ku ka pjesë fyese për popullin turk.

 

Por a ka vërtet fyerje për Turqinë dhe turqit në historiografinë shqiptare?

 

Nëse Ataturku ishte shkëputur përfundimisht nga kjo trashëgimi, cilësimet e Perandorisë Osmane si barbare dhe pushtuese nuk janë fyerje për Turqinë e re, popullin turk dhe absolutisht jo për komunitetin e vogël turk në Kosovë.

 

Si çdo kund në Europë edhe tek shqiptarët, gjatë gjysmës së dytë të shekullit 19 ishte nacionalizmi etnik si ideologji që përdorej dendur për ngjizjen e kombeve, konstruktimin e tyre, pothuajse nga hiq gjë, siç thotë Patrick J. Gearyt te “Miti i kombeve”.

 

Së pari Sami Frashëri në debatin mbi gjuhën turke para vitit 1900, thoshte se “ne nuk jemi as arabë, as persë, ne jemi turq të pastër (...) Ne kemi të njëjtën racë dhe të njëjtën gjuhë me të gjithë turqit”, por ai kishte shënuar kthesë te “Shqipëria, çka qenë...”.

 

Kurse i vëllai Naimi shkroi poemën e historike për Skënderbeun (1898), me theks të vrazhdë racist (si tek të gjithë nacionalizmat evropianë) ku mes tjerash përshkruhet sulmi barbaro-aziatik turk, ndaj Shqipërisë mesjetare, qe ai e përshkruan sipas kodeve nacionalromantike, me tone idilike, si një vend ku mbretëronte urtësia, paqja, kamja, nderi, drejtësia, dashuria, miqësia e besa...

 

Këtu nis të shfaqet edhe tek shqiptarët miti i “Kohës së artë”, si pasojë e vështirësive të mëdha dhe mungesës të një të sotmeje prosperuese, sepse pos kësaj “kohe të artë” imagjinare, vështirë të gjesh në historinë kombëtare shqiptare një periudhë plotësisht të lavdishme.

 

Vargjet e Naimit janë shkruar sipas modelit të nacionalizmave evropianë të gjysmës së dytë të shekullit 19, ato thonë “ ... kur n’je madhe egërsirë/ duke dalë p’ej Asije/ u përhap si errësirë/ dhe mbuloj botën si hije...” dhe këto vargje u bënë levë e kombkrijimit dhe e shkrimit të historisë shqiptare.

 

Por a qëndrojnë sot këso tablosh për tjetrin?

 

Natyrisht se jo.

 

Por a mund të korrigjohen?

 

Jo, sepse edhe kjo do të thoshte revidim joshkencor i historiografisë, në këtë rast letërsisë së romantizmit.

 

Në anën tjetër, dallimi mes neootomanizmit turk dhe romantizmit shqiptar është i madh.

 

I pari, neootomanizmi është i menduar mirë duke studiuar strategjitë për dominim rajonal dhe aspiratë globale të shtetit turk, kurse i dyti, romantizmi, është thjesht tendencë permanente shqiptare për folklorizmin e politikës, pra buron nga padija e thellë dhe variron nga përulësia (poltronizmi) e disa liderëve politikë kosovarë dhe pranimi duar hapur nga një pjesë e shqiptarëve që shfaqen rishtas si islamistë të rinj (islami politik) deri te kundërvënia me mjete raciste, etnonacionaliste dhe fyese, nga disa të tjerë.

 

Pra shqiptarët kosovarë i kundërvihen një doktrine të përpunuar hollësisht në shekullin 21 me herë me mjetet raciste të shekullit 19, duke cituar frashërllinjtë, e herë me mjete komuniste të shekullit 20, duke rikthyer mitet që Enver Hoxha i ngriti në piedestal, për ta mbështetur pushtetin e tij despotik në historinë kombëtare. Dhe historiografia shqiptare duhet të çlirohet nga secili interpretim ideologjik, duhet t’i nënshtrohet revizionit në dritën e fakteve objektive, ajo nuk do të shkruhet as siç e bëri Enveri, por as qysh e do Omeri.

 

Por t’i kthehemi trashëgimisë Osmane që me aq zell e kujton Davutogllu.

 

Perandoria Otomane pos shumë pashallarëve e ushtarakëve e administratorëve njeh tre kryeministra me origjinë shqiptare, derisa më 1908 në hapësirat e banuara me shqiptarë kishte vetëm tre shkolla shqipe, kundrejt 300 në greqisht.

 

Në Voskopojë është e vërtetë se frymoi kultura, tregtia, arti dhe letërsia, porse shkolla e vitit 1710 ishte greqisht. Zhvillimi i arsimit dhe i kulturës në Voskopojë ndodhi nën ndikimin e lëvizjes iluministe të Europës Perëndimore, sipas mendësisë së Voltaire,  Rousseau , Diderot etj., mirëpo arbrit dhe gjuha e tyre nuk ishin gjëkundi në këtë qytetërim-sjellje osmane.

 

As Beteja e Kosovës (koalicioni i krishterë ballkanik, ku realisht shqiptarët ishin aktorë periferikë) e vitit 1389 dhe as luftërat Skënderbegiane (vitet 1400) kundër ushtrive perandorake Otomane nuk kanë ndonjë rol jetik, të matshëm, as në konstitucionin shpirtëror të shqiptarëve kosovarë, deri te rikthimi i tyre në mendësinë zyrtare gjatë Lidhjes së Prizrenit (1878), dhe hiq se hiq në motivimin e idesë së lirisë dhe shtetkrijimit të Kosovës.

 

Po Frashërllinjtë?

 

Ata e kanë njohur një çështje unike shqiptare (pra nuk kanë projektuar ndonjë ide kosovare), prandaj këta dy autorë duhet të jenë vetëm objekt studimi në fushë të letërsisë komparative.

 

Thjeshtë, gjatë Perandorisë Osmane nuk kanë ekzistuar kombet moderne, sikur që në kohën e Frashërllinjve nuk ka ekzistuar ideja e shtetit dhe kombit kosovar.

 

Nisur nga ajo që u tha më lartë, shqiptarët kosovarë, nuk kanë pse të shqetësohen gjithaq, me neootomanizmin, sepse historia e tyre shtetkrijuese dhe kombformuese është e re dhe ndërlidhet me idenë e Europës si dhe me SHBA-në si promotore të doktrinës kombkrijuese, dhe nuk përkon me kontekstin perandorak.

 

Historia e re e Kosovës është histori e të drejtave të njeriut dhe vlerave të përbashkëta evropiane. Kemi të bëjmë me një komb të dalë nga konflikti (shpërbërja e Federatës Jugosllave), ashtu siç ishte pra konflikti gati njëqind vjet më parë (shpërbërja e Perandorisë Otomane) kyçi i krijimit të shtetit dhe kombit shqiptar (1912-1920.)



(Vota: 5 . Mesatare: 3/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora