Mendime
Ramiz Dërmaku: Deri kur kështu o njerëz
E marte, 30.08.2011, 07:59 PM
DERI KUR, KËSHTU O NJERËZ
Nga Ramiz DËRMAKU
S'kalon ditë të mos na dëgjojnë veshët lloj lloj hatrash nga më të tmerrshmet e më çnjerëzoret dhe na duket habi se si arritëm në këtë gjendje.., ashtu siç na duket habi që…, duke u mësuar me to, po tjetërsohemi e nuk po tronditemi më si dikur. Zemra jonë po ngurtësohet në mënyrë të pakuptueshme e ndjenjat tona po shuhen, falë egërsisë së këtij shekulli. Për çdo ditë po dëgjojmë gjëma po mësohemi të durojmë, po përpiqemi të harrojmë e po mundohemi të ngushëllojmë fatkëqinjët e radhës në pritje të fatkqësive të reja. Pse kështu, o njerëz ! ? Atje një grua var veten apo helmohet me dëshpërimin fatal të shkaktuar nga mjerimi i pafund. Nuk i sheh dot fëmijët duke qarë për një kafshat bukë, nuk sheh burrin që përpëlitet në kufijët e çmendurisë ngaqë s'po gjen një punë sa për mbijetesën e familjes së tij, nuk sheh asnjë fije shprese as në të sotmen e as në ditët që vijnë. Atje një burrë vret ne mënyrën më barbare gruan i shtyrë nga xhelozia. Xhelozia e ka pushtuar të tërin në një kohë në një kohë kur dashuria dhe durimi, shpirtmadhësia dhe toleranca, besimi dhe siguria i kanë shterur. Tjetërsimi i tij shpirtëror i ka deformuar çdo gjë. Xhelozia ka gjetur rastin dhe çastin t'ia shkatërrojë gjithçka dhe t'ia lërë fëmijët jetimë në mes të rrugëve. Diku në trojet etnike shqiptare (dhe jashtë tyre) një vëlla vret vëllaun për një copë tokë dhe për një vijë uji, ai që deri dje u çepej maleve e kodrinave për të hapur toka, për të tharë kneta e moqale. Më largë një djal vret baban për të "vendosur" qetësinë dhe harmoninë në familje. Babai shet vajzën për tu pasuruar (duke e shitur edhe nderin e moralin). Babai një kohë të gjatë ka ushtruar dhunë e bërë presion (duke përdorur edhe forcën) ndaj gruas, çupave dhe djemve. Djali gjen rrugën më të shpejtë e më të sigurt. Vret babain. Ai as nuk do t'ia dijë se ç'farë tragjedie të pashprehur mund të këtë pasur në shpirt babai, cilat kanë qenë arsyet që e kanë kthyer një prind në përbindësh dhe as e ka vrarë mendjen të gjejë një rrugëdalje tjetër. Instikti i vrasjes, pasi ka vrarë tolerancën e dashurinë, e kthen njeriun në kriminel. Mendoj se asnjëherë më parë gjykatësit, prokurorët apo avokatët nuk kanë qenë e nuk janë më të befasuar se në këto vite të mallkuara. Laramania e krimeve i tejkalon kufijtë e manualeve dhe librave të shkruara nëpër shekuj.Pse, kështu o njerëz ! ? C'po ndodh me ne shqiptarët ? Dikush e ka të lehtë të thotë që çdo gjë ka bazë sociale, është pasojë e mjerimit që ka pllakosur në pjesën më të madhe të popullit tonë. Mund të konstatojm se ndoshta ai që mendon kështu ka të drejtë.
Por, ne nuk duhet harruar që populli shqiptarë ka kaluar në situata më të këqija, kemi jetuar në ditë më të vështira e prapëseprapë nuk jemi tjetërsuar deri në at shkallë sa të vrasim njëri - tjetrin. Me hir apo pa hir jemi orvatur dhe i kemi kaluar të gjitha udhëkryqet e rrezikshme me mirëkuptim e me dorë në zemër. Dikush mendon se ringjallja e menjëhershme e ndjenjës së pronës, ngritja triumfale e atij përemri të mallkuar "unë", mbi çdo lloj përemri tjetër, transformoi ç'do lloj mendimi, morali, e respekti. Madje, këtë të fundit e vuri mbi bazën e interesit material. Ne e kemi provuar se një njeri i vetëm, sado i fuqishëm qoftë e ka të pamundur të jetë i lirë dhe i lumtur. Mund të jetë i pasur, por ka humbur të drejtën e përjetshme dhe të mrekullueshme për të gëzuar pasurinë në mes të njerëzve të tij, me ta dhe duke punuar për ta. Kurrë gjatë historisë nuk kemi qenë më egoistë dhe të egër. Po të kishim qenë të tillë, do të na kishin përbirë armiqët dhe shekujt. Dikush mund të thotë që dalja e armëve dhe armatosja e të mirëve dhe të këqinjëve bëri që gjithkush ndihet trim e i plotfuqishëm me një kollashnikov poshtë krevatit, të lë mënjanë arsyen e dashurinë dhe të zgjidhë ç'do problem me zgjedhjen më ç'njerëzore e më të paarsyeshme . Ne të armatosur kemi qenë brez pas brezi, por njëri tjetrin nuk e kemi vrarë. Arma është e verbër, nuk di as kë qëllon e as kë mbron. Dikush mendon se çoroditja (apo dalja e këtyre) partive politike me programet e tyre të pakuptueshme, por me qëllimin satanik të përbashkët, shkatërruan çdo lloj morali e dashurie. Mitrovica po ndahet: Liderët tanë po heshtin.., sa u gezuam se filluan punën pikat doganore, nuk zgjati shumë ato përësëri ndodhen ne duart e armikut tonë shekullor. Disa lider që ndodhen sot në instituciopnet tona, qeshnin, akuzonin dhe sulmonin, në mediat e shkruara dhe ato elektronike, se, Dr. Ibrahim Rugova, çdo herë po kërkon Durim. Shtrohet pyetja ? Çka po prisni tani ju, o të mjerë..,edhe sa duhet pritur që të funksionoj shteti i pavarur i Kosovës. Pse tani po heshtëni, a nuk poi shihni ku para syve tuaj, defilojnë të lirë kriminelët serbë të cilët masakruan dhunuan dhe vranë popullin tonë. Ju lider të Kosovës një të afërme të shpejt do tu dënojë gjygji i popullit. Por kjo nuk do të thotë që ne, duke i mbajtur ison atyre, t'u japim kënaqësinë e zbatimit të parimit "divida et impera". Ne do të jetojmë, duan apo s'duan ata. e do të pëpiqemi vetë ta ngjallim shpresën për ditë më të mira. Mbahuni, o njerëz !, mbahu o popull shqiptar.., jetoni, ndertoni e pasurohuni ju o liderë të Kosovës, Shqipërisë, Maqedonisë, Malit të Zi, dhe ju të Kosovës lindore.
Punuar me 26.08.2011
Weingarten-Gjermani