E merkure, 04.12.2024, 08:58 PM (GMT)

Mendime

Majlinda Bregasi: Historinë nuk e shkruajnë humbësit

E marte, 30.08.2011, 07:57 PM


Historinë nuk e shkruajnë humbësit

 

Nga Majlinda Bregasi

 

Në moshën 30-vjeçare, Jul Cezari është parë të qante kur u gjend para bustit të Aleksandrit të Madh. Ai kishte klithur si histerik: Nuk ju duket se është kaq e dhimbshme, që ai në moshën time qe sundimtar i madh e unë thuajse nuk kam bërë ende asgjë.

 

Vite më pas Cezari u bë sundimtar i gati tërë botës. Lavdisë dhe brutalitetit ekstrem të tij i janë kushtuar mijëra faqe në historinë botërore. Këta janë ai lloji i sundimtarëve të cilët u përkujdesën personalisht për ta shkruar historinë në shumë mënyra, me shpatë, me penë e me art.

 

Të frikësuar nga kohëzgjatja e jetës së tyre biologjike (fatkeqësisht nuk mund të dilnin mbi Zotin), ata investuan për atë historike. Ambiciet për ekspansion sa më të madh, nuk përbëjnë gjë tjetër përveçse shtojnë probabilitetin e kësaj jetëgjatësie.

 

Një lloj tjetër i sundimtarëve, janë ata që kur përplasen me një civilizim më të përparuar apo të ndryshëm nga i tyre, gjëja e parë që bëjnë është të shkatërrojnë çdo gjë që gjejnë përpara.

 

Të parat si kudo, janë objektet e kultit. Është më se e kuptueshme kur synohet shkëputja më e fortë me të kaluarën. Kështu vepruan normanët kur pushtuan Italinë apo spanjollët kur u ndeshën me qytetërimin prekolumbian.

 

Lloji më i ri i sundimtarëve, janë ata të cilëve u jepet froni nga një klan i caktuar. Në këmbim të pushtetit të pamerituar, ata do të veprojnë verbërisht për interesat e klanit, në kurriz të popullit të vet.

 

Por, koncentrimi i pushtetit te një person i vetëm, është i pamundur të mos e shndërojë atë në diktator. Nuk kemi nevojë të bredhim nëpër botë për të gjetur shembuj, pasi e kemi aq të freskët te Enver Hoxha, emri i të cilit, ende shkakton përplasje të mëdha mes shqiptarëve, dëshmi e rrënjëve të thella që i nguli në këtë truall.

 

Diktatori Enver, sikurse edhe gjithë paraardhësit e tij, u kujdes mjaft mirë për historinë. Ai angazhoi një ndërmarrje të tërë për shtrembërimin, pastrimin apo, le ta quajmë, rimodifikimin allahoxhian të historisë. Balta më e madhe u hodh mbi personalitetet e fuqishme shqiptare që kishin pasur pushtet të madh te populli.

 

Kështu u anatemua mbreti Zog dhe gjithë fara e tij, madje, gati gjithë zona nga ai vinte. Por, Enveri qe diktator i një lloji më specifik. Ai e kuptoi se vetëm me ndryshimin e historisë nuk mund të arrinte shumë, e ndërlidhur me të është letërsia, e cila flet edhe kur historisë ia kanë prerë gjuhën, pastaj arti në përgjithësi, i cili është i lidhur me shpirtin e popullit dhe shpreh drejtpërdrejtë ndjenjat e mendimet e tij.

 

Enveri u hodh në fazën e dytë. Përveç ngritjes së një kinematografie propogandistike, filloi pastrimin e letërsisë nga figurat e veta madhore, të cilëve u printe Fishta, i quajtur poet kombëtar që në gjallje të vet.

 

Vuri në funksionim industrinë e pastrimit të artit, e cila funksiononte brutalisht, jo vetëm me të gjallët që përplaseshin nëpër burgje, por edhe me të vdekurit, të cilëve u zhdukeshin varret. Kjo e fundit duket si një luftë kundër fantazmave, të cilat sigurisht që nuk e linin të qetë Enverin në asnjë moment, por njëkohësisht edhe ia shtonin paranoiat duke e bërë që ky të kërkonte çdo ditë gjak të freskët.

 

Duket sikur kjo luftë qe tepër e fortë, tepër e lodhshme, pasi Enveri nuk mundi të ngjitej edhe më lart në histori. Ai nuk i zgjati dot mirë duart e tij të përgjakura deri të Rilindja kombëtare, megjithëse pati gati gjysmë shekulli kohë për ta bërë këtë.

 

Pastaj edhe nëse do të luftonte Rilindjen shqiptare, do të duhej të luftonte edhe kundër asaj arbëreshe që zhvillohej paralelisht në dhe të huaj, përtej Adriatikut. Ndoshta qe tepër për një industri që vepronte brenda burgut nën qiell të hapur të quajtur Shqipëri. Kështu arritën të mbijetoniin disi figura si Naimi, Pashko Vasa etj. Bashkë me ta edhe kryefigura Gjergj Kastriot Skënderbeu.

 

Shpesh shqiparët pas rrëzimit formal të diktaturës pyetnin, pse Enveri e la të gjallë Skënderbeun? Po Naimin? Supozimet qenë se ndoshta edhe ajo shoqëri e diskriminuar deri në palcë, kishte nevojë për disa figura, të cilat do të mund të mbanin gjallë shpirtin e tyre të pangopur kurrë me bukë.

 

Apo qe një mundësi për të zëvendësuar deri diku kultet e dhunuara me heronj, por gjithësesi ata heronj duhej të ishin të largët, gjysmë të mbuluar, pasi vendi i parë i takonte sovranit, diktatorit që i kishte sjellë më në fund lirinë popullit të shumëvuajtur.

 

Apo ndoshta qe pikërisht letërsia arbëreshe, gjaku ynë i shprishur, i cili që pesëqind vjetë jashtë atdheut, vazhdonte të himnizonte periudhën e ndritur të Skënderbeut, glorifikonte bukuritë e atdheut të të parëve, ëndërronte deri në amshim kthimin në dheun e arbrit.

 

Të pastrohej mirë historia, definitivisht nuk qe punë e thjeshtë, edhe pse Enveri ia dedikoi tërë jetën e vetë e të familjes së tij. Sot, në 2011, në kohën e globalizimit, kur teknologjia e shkenca ka arritur në përparim marramendës, një ministër turk vjen me imperativin më shokues te shqiptarët, vetëm te shqiptarët: Ndërroni historinë.

 

Përgjigja e ministrit të Arsimit kosovar, në vend që të ishte kundërpërgjigje, me pak fjalë qe: më vjen keq efendem që nuk mund ta bëj menjëherë, por sigurisht vitin tjetër do ta keni gati.

 

Ka shekuj që te shqiptarët investohet në injorancë, më parë me dhunë, së fundmi edhe me pare. Niveli aktual i arsimit nuk mund të na lërë indiferentë, pasi pasojat i kemi përballë syve, por edhe më keq, do t’ia shohim për shumë vite në të ardhmen, nëse gjërat nuk ndryshojnë sa më shpejt.

 

Dokumentimi tepër i vonë i shqipes së shkruar, fillimi i Rilindjes shqiptare vetëm një shekull pas asaj evropiane, hapja e mësonjëtores së parë shqipe (ndoshta 7 mar 1887), pastaj i asaj të vajzave( 23 tetor 1891), persekutimi i mësuesve, shpesh priftërinjve a hoxhallarëve që nga Bogdani e Gjeçovi e deri te Hafiz Ali Korça e shumë martirë të tjerë që kërkonin me këmbëngulje arsimin shqip, janë dëshmi të vështira për t’u fshirë nga çfarëdo komisioni që mund të formohet.

 

Enver Hoxha edhe pse qe fitimtar, nuk mundi të ndryshonte sa deshi historinë, pasi më parë duhej të vriste këngën. Perandoria otomane jo vetëm që është humbëse, rrënojat e së cilës na ranë përsipër edhë ne shqiptarëve që u copëtuam si mos më keq në Ballkanin gjakatar, por pas 100 vjetësh, në emër të “koncepteve moderne historike”, nuk përton të rishkruajë një histori.

 

Tekefundit, te ne befasitë moti kanë përfunduar. Por imagjinoni sa qesharake do të dukeshin për nxënësit këto vargje të Fishtës, nëse një paradoks i tillë do të ndodhte:

 

Ndihmo Zot, si m'ke ndihmue!

Peseqind vjet kishin kalue

prej se t'bukuren kete Shqipni

Turku e mbate ne robni,

krejt tue la te mjeren ne gjak,

...frymen tue ia xanun njak,

as tue lan jo drite me pa:

kurre te keqen pa ja nda:

rrihe e mos e len me kja:

me iu dhimt minit n'mur,

me iu dhimbte gjarprit nen gur...!

 



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora