Mendime
Nexhmedin Ramadani: Pse shqiptarët e Maqedonisë po humbin dhe atë që e kanë fituar?
E merkure, 31.08.2011, 06:58 PM
Pse shqiptarët e Maqedonisë po humbin dhe atë që e kanë fituar?
Nga Nexhmedin Ramadani
Kohëve të fundit në Maqedoni shpesh jemi duke hasur në probleme etnike të cilat këto nuk janë në favor të anëtarësimit të Maqedonisë në strukturat e BE-së. Shpesh herë jemi të fokusuar për të dëgjuar debate të ndryshme, shpesh jemi të përqendruar me vëmendje të lartë se ç’farë po ndodhë, poashtu dhe si do të vazhdojë në rrjedhë e sipër çështja e bashkëjetesës në Republikën e Maqedonisë. Por, ti lemë anash këto supozime e të flasim se, pse shqiptarët po humbin dhe atë që e kanë fituar?
Në këtë pyetje retorike mund të ju shpjegoj shumë elemente kyçe të cilat tregojnë fatin e shqiptarëve të Maqedonisë.
Republika e Maqedonisë u pavarësua nga Jugosllavia e atëhershme më vitin 1992, ku edhe gjatë shtet-formimit edhe shqiptarët pranuan që Maqedonia të jetë shtet i pavarur dhe sovran. Por, ja që gjithë kjo teori ra poshtë nga disa fytyra eminente politike në Maqedoni të cilët e poshtëruan vleftën dhe e baltosën kombin shqiptarë, e nënçmuan dhe e dërguan gjeri në pikën e fundit të skamjes.
Por, pas formimit të këtij shteti filloj të paraqitet një valë tepër e ngrohtë nacionaliste nga të dyja palët saqë e dërguan vendin që të vijë deri tek konflikti ndëretnik.
Jemi dëshmitarë të vitit 2001 se si filloi ky konflikt, si u paraqitën luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare, si u shkatërrua totalisht infrastruktura e rajoneve të banuara me popullatë shqiptarë, si e “rimëkëmbën” atë dhe si po e humbin atë që e fituan.!!?
Kjo valë trazirash u paraqit për ndarjen e vendit, por ja që doli huq ra poshtë nga deklaratat e çmendura të disa personave të cilët për qëllim e kishin që të arrijnë gjerë tek kolltukët e arta dhe të buta të këtij shteti.
Viti 2001 u bë vit i cili i shkatërroj shqiptarët tepër në të gjitha aspektet, disa luftuan për atdhe dhe disa të tjerë luftuan për të holla. Ata që luftuan për atdhe e dimë se ku e kanë vendin e tyre; të rënë dëshmorë, invalid të luftës, të mos kyçur në asnjë institucion të këtij shteti kinse-multietnik, të burgosur nëpër burgje etj. Ndërsa ata të cilët luftuan për të holla dhe për kolltukë të arta tani janë të kyçur dhe të inkuadruar në të gjitha institucionet të punësuar në baza partiake, të tjerët shtirren kinse kanë për qëllim ndihmesën e kësaj popullate tepër skamnore për përfitime të poenëve politik dhe të tjerët vetëm se mundohen të mos i shfaqen turpet që i bëjnë, për arsye që populli të mos ketë asnjë lajm për këto turpe… Vallë a mos empirizmi nga shkollat e ish-Jugosllavisë i ka mësuar këto që të jenë kurban të Nikolla Gruevskit apo Branko Cërvenkovskit, pa marrë parasysh se cili është !?.
Sot ekziston një “parti e luftës” e cila po vazhdon të mbrojë interesat e kombit shqiptarë në këtë shtet. Megjithatë edhe un si një i ri vazhdoj të përcjell se gjerë ku kanë arritur!? Asgjë nuk kanë bërë, vetëm dhe vetëm dështuan, dështuan sepse nuk janë të përgatitur psiqikisht dhe nuk mund ti prijnë asnjë drejtorie apo ministrie pa marrë parasysh se për cilën bëjmë fjalë.
Kemi rastin të dëshmojmë se numri i shqiptarëve në institucione vetëm po zëvendësohet e jo duke u rritur, infrastruktura e pazhvilluar në rajonet me banorë shqiptarë sidomos në Kumanovë, Shkup dhe Likovë asnjë cent nuk iu është dhënë, nuk kanë hapur fabrika të cilët para zgjedhjeve i premtuan, nuk kanë përmirësuar infrastrukturën, kushtet sociale të çdo personi janë në gjendje katastrofale si dhe shumë dëshmi të tjera të cilat nuk po mund ti shpreh këtu.
Kjo parti, poashtu premtoi se do ta rregullojë statusin e dëshmorëve dhe invalidëve të luftës, por ja që kjo teori e papërgatitur mirë nuk u praktikua dhe ra poshtë nga kokat mendjelehtë. Këta deklaruan se : “ Ne jemi parti e luftës dhe do të vazhdojmë t’i mbrojmë interesat e ushtarëve të UÇK-së”. Megjithatë këtyre ditëve patëm rastin të shohim një vepër tepër interesante nga kjo parti e luftës.
Ministri i Mbrojtjes, Fatmir Besimi përkulet përball “branitellave” të 2001 dhe vendos buqetë me lule. Tepër një gjest qesharak, tepër një gjest i pamenduar. Po, si mundet një delegat i kësaj partie të përkulet para “branitelave” të 2001, ku këta branitela në vitin 2001 vranë shumë shqiptarë dhe sot ky ministër lutet për ta, ky është një turp, turp duhet të ketë ky ministër”.
Sidoqoftë, në fund të gjithë të kësaj neve shqiptarëve na nevojitet një riciklim i madh që të largojmë disa fytyra negative që na poshtërojnë kombin tonë. Nevojitet një person që do t’i mbrojë me të vërtetë interesat e popullit shqiptarë në këtë shtet, për arsye se ende nuk jemi askund dhe nuk do të arrijmë kurrë me kësisoj “budallallëqe” që po i bëjnë.