Mendime » Radovani
Fritz Radovani: Të gjitha ''fajet e mëkatët'' e Shqipnisë i ka kleri katolik shqiptar (VII)
E merkure, 31.08.2011, 07:59 PM
KJO SHQIPNI…“SERA TURKE” E BALLKANIT…
(Pjesa e Shtatë)
Nga Fritz RADOVANI
Të ka andà me shfletue historinë…me lexue enciklopedi e mendime dijetarësh apo filozofësh nga bota për Shqiptarët ndër shekuj...Secili asht e pamujtun mos me thanë e shkrue edhe dishka për njerëzit e mëdhej që ka nxjerrë ky vend i vogel i Ballkanit. Edhe na vetë mundohemi me i vue në dukje shumë nga Këta njerëz, po kur duem me i tregue të huejve se kush ishte ky apo ai, ata kanë ma shumë dokumenta në arkivat e tyne kështu që dokumentacioni ynë duket shumë i vorfën karrshi atyne që ruejn ata. Kur flasim për një periudhë të lavdishme fillojmë edhe ma parë se me Ilirët apo Pellazgët, tue i tregue edhe Greqisë së Vjeter se na kéni pas marrë dikur edhe gjuhën tonë...lé mandej Romës së para Krishtit që erdhi e na plaçkiti edhe Butrintin... Asaj 2000 vjet ma parë i dhame edhe Krishtenimin. Ndër ma të mëdhajt njerëz Shqiptarë bota njohu Aleksandrin e Madh dhe Gjergj Kastriotin, dy figura që edhe na shkruejmë për Tá, ndonse çka thotë njeni nuk e thotë tjetri... Kur flasim për kohen e vjeter pothuej shkrimet përputhen, kur vijmë në pesë apo gjashtë shekujt e fundit kundershtitë e mendimeve janë aq të mëdha sa të duket se sikur bahet fjalë me aq pasiguri për kohen e piramidave të Egjiptit...dhe presim kur mund të na japin ndonjë nga amerikanët ndonjë inçizim të zaneve të atyne që masakrohen të marrun nga kështjellat ku jetonin “Ata”... sigurisht, të ruejtun nën gurë!
Kur fillojnë klerikët katolikë me u krenue se né jemi mbasardhës të Atij Kombi me tradita aq të vjetra dhe të lavdishme, sa para kaq apo aq shekujsh i kemi dhanë edhe Vatikanit Papë të Mëdhaj sa historia i rreshton ndër kolosët e Mëdhaj të Krishtenimit! Kjo madhështi nuk na ka ndihmue shumë mbasi ky asht çengeli ku asht varë etiketa e njohun e shekullit të XX, se: “Katolikët me veladon e pa té ishin ‘agjenta të Vatikanit!”
Imz. Fan S. Noli ndër të parët na tregon edhe korespondencë të Atyne Papëve të Vatikanit me Gjergj Kastriotin...tue paraqitë edhe letra të shkrueme nga Ky për Papën... Asht edhe një Imzot Pal Engjulli, që të shumten e herës ia hjekim titullin “Imzot” se sikur Ai titull ia zvoglon vleren edhe dokumentit të Tij...Imzot Noli shkruen gati 60 vjet përpara se ndër materialet ma me vlerë që ka shfletue për Kastriotin janë studimet e njëfarë At Athanas Gegaj...Për dreq Imz. Noli gabon e ven emnin e At Athanasit bashkë me titullin e Fratit “At”, gja që shvleftëson krejt materialin e Tij dhe e ban të pavlerë për Historinë e Shqipnisë, aqsa edhe sot “dr. Prof.” tanë as nuk e njohin fare...sigurisht, tue hy edhe ky material në dosjen “punë klerikësh katolikë, ose punë priftnish”... që ma vonë ka me iu dashtë “djalit” ndonjë “historianit” me marrë ndonjë titull për vete... At Gegaj ka edhe një mangsi tjeter të madhe se në studimin e Tij nuk ka asnjë “analist turk”...E kujt mund t’i vlejë materiali i Tij kur nuk permendet asnjë “dijetar apo historian” turk?
Dr. Prof. Namik Ressuli asht i pari kritik i Historisë së Letersisë Shqipe, që në vitin 1940 – 41 ka ba ndamjen e saktë të kapitujve të Letersisë sonë, por gabimisht i ka shkue goja dhe ka vue në vendin kryesor At Gjergj Fishten, i cili, simbas Tij “ka arritë me vepren epiko – historiko të Lahutës së Malësisë, me bërë atë që nuk arriti dot t’ a bëje shkrimtari i Toskërisë Naim Frashëri”. E si mund të vlersohet mendimi i Prof. Ressulit, sot nga “dijetarët”, kur tue kenë edhe Toskë nga Berati, shkon e shvleftëson shkrimtarin me të cilin Toskënia krenohej deri atë ditë kur mori vesh se edhe ai kishte ba marrinë ma të madhe të shkrimtarëve Muslimanë e kishte ba edhe një poezi për Jezu Krishtin!... Këto rrethana nuk duhet t’i vinte në diskutim Prof. Ressuli, sepse kështu ka fshi edhe “Veten”!
Historia e Shqiptarëve sot duhet të fillonte nga Njerëzit e Mëdhaj që njeh edhe Historia Turke, mbasi arkivat e tyne janë ma të besueshmet po edhe ma të saktat. A mund të krahasohen ato me dokumentat e relacionet e Klerikëve Katolikë, që jo vetem ishin dhe janë edhe sot pa shkollë, pa njohje të saktë faktesh që tue kenë në Shqipni nuk dinë çka asht tue u ba, jo ma me dijtë çka asht ba kur ishin në shkollat serbe apo arbëreshe, kur edhe atje studjonin me librat e historisë së Mejtepeve të Tiranës? Si mund të fillohet me dijtë kush jemi na Shqiptarët pa studjue se kush ka thëmelue Stambollin apo siç e quejnë disa Konstantinopolin...A ishte Ilir nga Nishi Ai fshatari i cili asht edhe ai dijetar që ka vue bazat e kulturës Turke, edhe pse ishte “Shqiptar”?... Historia sot dhe gjithmonë fillon për fundi...Dijetarët e Klerit Katolik donin me e fillue nga Koka, nga Veriu... – Jo kjo, nuk mund të ngjasë! Puna e parë kur shkon në Xhami hjekë shkarpat dhe nuk hjekë “fesin” apo “kësulen”... E si fillohet me folë për shkencë nga “kësula” pa hjekë shkarpat? – Mësoni me fillue nga poshtë...Nuk e kuptoni se Historinë janë tue e shkrue shkarpat ...dhe madje edhe me kambë dhe jo me dorë! Vëreni me kujdes!
Qyperlinjtë ishin një familje thohet shqiptare që asht rreshtue mbas familjes së Sulltanit dhe i ka dhanë Turqisë tre kryeministra...qeveritarë e sa gjeneralë...
Rektori i universitetit të Stambollit ishte Hoxha Tahsim nga Çamëria... Askush nuk thotë Tahsim Shqiptari, po i venë titullin “Hoxha” dhe kuptohet se punoi për Turqi!
Ashtu edhe mbas 1944 Kryetar i Shtetit ishte Enver Hoxha, edhe këtij në vend që me ia vue para titullin “Hoxha Enver”, Tito ia vuni mbrapa...pra edhe Ky tue kenë osmanllijë ka vazhdue qeverisjen turke që i përshtatej edhe Serbisë që i siguroi kolltukun po, dhe ky ua ka shperblye até tue zhdukë fare Inteligjencën Shqiptare dhe Klerin Katolik Shqiptar, që nuk ishin asnjëherë dakord me qeverisjen turke në Tiranë...Mbas tij erdhi një tjeter turkoshak me origjinë nga Bosnja, Ramë Efendija...Edhe ky një Sulltan që ruejti pa prekë asnjë nga lidhjet tona shpirtnore me turqit, aqsa arrijti me na kuadrue edhe në një nga paktet aziatike ma të njohuna në “Konferencen Islamike”...Të gjithë presidentët që erdhen mbas 1991, nga Berisha e deri tek i fundit Topi, asnjeni nuk i ka prekë as tituj as dekorata sulltanëve turqë, pashallarëve, qeveritarëve të këtyne 60 e sa viteve të fundit...
E pse? – Se ata kanë një meritë të madhe në zhdukjen e anmikut të Turkut, që ishte Shqiptari besnik i Gjergj Kastriotit, inteligjenca si dhe Katolikët Shqiptar...
A vetem kaq? – Jo! Dy sulltanët e fundit me “seren” e vet Shqipni, arritën tue kultivue me kujdes veset ma të poshtra që kishin në trupin e vet me formue një brez poaq të poshter sa veten, të cilit, sot i kanë dorzue stafeten e turqizimit me elementët vehabistë e muhaxhirë të shartuem apo të importuem nga viset ma të humbuna aziatke, të cilat po punojnë kundër Shqiptarëve për shpartallimin e të gjitha Trojeve tona!
Viktima “Shqiptar” do të quhet shumë shpejtë “Tradhëtar i Atdheut Turqi!”
E tallalli i Zadrimës me brakesha me ushkurë thrret ndër rrugët e Tiranës:
“Bini, Toskë, e bini, Gegë!
Shoqi – shojnë shkoni tue djegë!
Bini n’ pshesh! Bini n’ laknorë!
Trima, mbrendë! Me dorë! Me dorë!” (“Gomari i Babatasit” 1923).