E marte, 08.10.2024, 04:15 PM (GMT+1)

Mendime » Radovani

Fritz Radovani: Të gjitha ''fajet e mëkatët'' e Shqipnisë i ka kleri katolik shqiptar (III)

E marte, 16.08.2011, 08:00 PM


KUSH  TJETËR  NA  LA  EDHE PA  SHKOLLA…

VETËM  “KLERI  KATOLIK  SHQIPTAR”..!

 

(Pjesa e tretë)

 

Nga Fritz RADOVANI

 

Shqiptarët janë kenë ndër popujt ma të pashkollë në Europë. Edhe pse dy a tre prej gjimnazeve të para në Shqipni i pat hapë Kleri Katolik dhe se deri në Pllanë pesëqind vjet ma parë vune themelet e shkollave të para shqipe, fajin e ka pasë dhe e ka prap edhe sot Kleri Katolik Shqiptar. Ai kujtonte se asht i dijtun, po Popullin e la pa shkollë, pa kulturë dhe në “errësirë”!

            Ashtu si Kleri Katolik veproi edhe Klika fashiste e kryesueme nga Mustafa Kruja e Ernest Koliqi, edhe këta “vegla” të njohuna të Klerit Katolik. Nuk i doli Toka jonë e caktueme nga “Konferenca e Londres” në 1913, po shkojnë e hapin shkolla edhe në Hot, Grudë, Kosovë e deri poshtë në Maqedoni…Të dy “tradhëtarë”! Atje kishte boll shkolla! Këta vetem si e si me na prishë me komshijë... Ata plas me i kulturue Shqiptarët edhe me gjuhë të hueja serbisht e greqisht, këta leni pa shkollë, tue i vu me mësue shqip! E çka ju donte Hotnjanëve, Grudës, Kosovës apo Maqedonisë Gjuha Shqipe? Sa me i pa sherrin!

            Sa u “çlirue” Shqipnia prej tyne, shumica u mbyllën. Pse? – Nuk i “donte” Populli i atyne krahinave! Madje edhe mësuesit i vranë, tue fillue nga Kolë Margjini, Kolë Parubi, Prof. Ymer Berisha, Gjergj Martini e me ta edhe Priftnit që i ndihmuen me i hapë ato tue u mundue si e si me përgatitë “agjenta të Vatikanit”... 

            Edhe ndër male partizanët “çlirimtarë” hapën shkolla! Gati asnjë partizan nuk ishte analfabet. Shkodra e di ma mirë se unë këte! Unë ishe fëmijë kur partizani Shaban Arra erdhi si inspektor në fshatin e Dajçit të Bregut të Bunës...dhe solli lajmin e “mirë” që në Shkodër u mbyllën shkollat fetare...si në kohën e Zogut, veç këte herë nuk u hapën ma! Mjaft kishte Shkodra një gjimnaz! Ata tjerët veç priftën patën përgatitë dhe mirë ua bane që i zhdukën! Edhe Malësia u mbush me shkolla e mësues! Shtëpijat e tradhëtarëve e qelat e priftënve u banë shkolla. Mësuesit vërtetë ishin mangut, po me “kurse kundër analfabetizmit” arritën edhe ata me u ba të “dijshëm” si partizanët! Kush mund ta mohojë faktin që në Shkoder erdhën “juristë” të përgatitun nga këta kurse, po sa gjenerala, si Koçi Xoxe, Sheuqet Peçi, Mehmet Shehu, Zoji Thëmeli, Rahman Parllaku, Haxhi Lleshi, Abaz Fejzo, Dali Ndreu, Beqir Balluku e sa të tjerë kolonela e kapitena hetuesë, gjykatës e prokurorë kasapë të njohun, e kriminelë si Aranit Çela, Sirri Çarçani, Xhemal Selimi, Zoji Shkurti, Abdyl Hakiu, Ali Xhunga, Nesti Kopali, Misto Bllaci, Mustafa Iljazi, Jonuz Mersini, Nestan Ujaniku, e sa “dr. Prof” vllehë, “vëllaznit tonë”, që ua pat hjekë për thonjësh grekëve Imzot Bumçi, të gjithë jurista me nga dy tri gjuhë të hueja, serbisht, greqisht, vllehisht, toskënisht, veç Shqip JO! Ai Kuqi i Vlonës vetëm, pa fshatrat tjerë, ka nxjerrë mbi 30 gjenerala...e çfarë gjeneralash?  Cili drejtor i Gjimnazit të Shkodrës mund të matej me kulturën e drejtorave Nesti Haviarit, Dhori Samsurit, Fadil Hoxhës, Marjan Zhagarit,..apo të hetuesit të Korçës, spijunit amoral Skënder Villa? He, cili? – A mund të quhej me kulturë Luigj Shala, Xhevat Korça, Anton Deda, Mirash Ivanaj...Asnjeni! Prandej edhe përfunduen ndër burgje e lanë edhe kockat mbrendë nëpër Burrel e kampe pune! E pse?– Asnjeni nuk ishte takue kurrë me “shokun” Enver, se nuk dinin “frengjisht”...Ata edhe mund t’a dinin frengjishten, po nuk dinin asnjeni parimet e “Revolucionit Francez”, nuk i kuptonin shprehjet e Kardinalit të Parisit, kujtonin se ai ka thanë “të mos shkatrrohet Katoliçizmi”...E kjo, ju duket gja e vogel? Partia solli në Shkodër gjithë ata “kuadro” për me shkatrrue Katoliçizmin e këte pak kush e kuptoi!! Vetëm në sigurimin e shtetit ajo ka sjellë sa kuadro që nuk i kishte as Tirana, llogarit, vetëm me i ndigjue emnin e tyne ka pasë thanë Zoji Themeli: “...Do të dridhet edhe fëmija në barkun e nënës!” E besa jo vetëm në kohën e Zoji Themelit apo Dulaç Lekiqit, Elez Mesit, Kasem Troshanit, Xheudet Milotit apo të gjeneralit kriminel nga Çamëria, “shokut” Hilmi Seiti, bash prej asaj Çamëri, që në vitin 1924 gazeta “Ora e Maleve” botonte krye tri ditësh thirrje që ua drejtonin shteteve Europjane, se shihni se çka po ban greku ndër “vëllaznit tonë”... Edhe Europa ua kthej të gjithëve përgjegjen mbas vitit 1944... Erdhi koha gati me bertitë e me shkye zanin ndër biruca e hetuesi të Shqipnisë: “Aman ata që keni, mbajini, veç merrni edhe Korçen e Gjirokastren.. E na i hiqni qafet këta katila që po na marrin shpirtin me kryeterroristin gjakajtuer të Gjirokastres..!”

Mirë ka pasë thanë Ajo zonja në Lezhë: “Shkolla e madhe ma prishi djalin...!” dhe me të vertetetë shkollat e universitetet e Europës Perëndimore na shkatrruen e na banë mos me na ra ndër mend për universitetet e tyne... Po si mund të pranohet me mend në kokë e me nga dy tri doktorata në ata universitete Europjane, mjedis shteteve sllave e të rrethuem rretherrotull me popullsi muslimane në të gjitha krahinat shqiptare me shpallë botnisht Poetin Kombëtar Shqiptar, një katundar prej Fishtës së Zadrimës, me brakesha e kësulë, pa dijtë i Ati i Tij as kush asht kenë sulltan Mehmeti, as Ali Pashë Tepelena, as Haxhi Qamili, po e shpallin vetem se ishte Frat Katolik dhe se shante prej mjesit e deri në darkë bash “ata” që sa herë kemi pasë rasën me formue Shtetin Shqiptar, na sillnin nga Beogradi me të “hollat” e tyne e jo pak po napolona ari, të gjithë drejtuesit e Shtetit tonë, tue fillue nga Ahmet Zogu, Enver Hoxha e Ramiz Alia...e ndoshta, na e prit Zot edhe... As “këta” nuk ndejen pa ua pague “borxhin” atyne...Të gjitha Tokat Shqiptare, tue ua fillue me i numrue nga Ulqini e deri në Prevezë, me muslimanë, ortodoksë e katolikë ua lanë tash 100 vjet me ba si kanë dashtë “komshijtë tonë”! Edhe kjo nuk asht paburrni!

Në fund të fundit, me e ba llogarinë, “një kolltuk i siguruene ata”, tjerat “mos kjofshin përmendë!!” të gjitha i kemi ba “me forcat tona!” A po, jo? Madje edhe “si në rrethim!” thonë “akademikët”!! Edhe pse pa shkolla erdhi një kohë që u mbushëm me “dr. Prof. e akademikë në të gjitha skutat e hetuesitë e Shqipnisë. Leni udhëheqësit!.. Në kjoftë se nuk më besoni vetem lexoni emnat e antarëve të byrosë politike të PPSh...

            Ata “udhëheqës” pra janë që na kanë “shpëtuar edhe nga shpërbërja kombëtare” jo vetëm atëherë... po edhe sot “pasuesit e tyre”...vazhdojnë me shkrue “akademikët”...

 

Vazhdon...



(Vota: 8 . Mesatare: 3.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora