Ambasadori paska kuptuar Konicën, tani mjafton që ta “kuptojnë” shqiptarët!
Nga Besi BEKTESHI
Nuk ka ndonjë rëndësi të madhe, pse nuk është marrë shumë media me komentet e ambasadorit Withers shpesh herë në fund të kabllogrameve, dhe unë jam kujtuar ti shikoj, por ato kanë rëndësi... ama! Mua ma kujtoi këtë një njeriu im, të cilit normalisht që i kishin bërë përshtypje komentet e politikanit që dikur ka përfaqësuar Amerikën si “ministër” i yni. Nuk dua të përmend komentin mbi Berishën dhe Berluskonin, as për fjalimin e Topit në Izrael. Më i rëndësishmi më është dukur ai që pa ndonjë koment, jepej një e thënë e Faik Konicës. Aty në kabllogram... në fund thuhet: 10. “Shqipëria është mbrojtur rastësisht, e bërë nga idealistët dhe është vrarë nga politikanët” – Faik Konica, një nga më të mëdhatë figura të kulturës shqiptare, në dhjetëvjeçarët e parë të shekullit njëzet.Nuk e di nëse ambasadori (me sa duket duhet ta dijë) e ka lexuar edhe këtë tjetrën e Konicës që thotë: "Sot mirë, nesër keq. Ku vemi, pse duallmë? A duam të merremi vesh dhe të bëjmë ndonjë punë? Konica gjithashtu thotë: Ahere le të mblidhemi të peshojmë punën mirë, edhe mos të humbasim kohë, se u poshtëruam në sy të botës". Nuk besoj se nuk do ta kishte lidhur me atë shprehjen lart, të cilën e ka shkruar në kabllogram dhe që ky i fundit shkon në State Departament. Po pastaj mundet që Withers të ketë lexuar edhe këtë shprehje që thotë: "Mjerisht, në Shqipëri ka pak pula. Shqiptarët janë të gjithë këndeza". Pra mendoj se mund të lidhen të gjitha të thënat e Konicës, i cili edhe pse kundërshtar i Zogut është lejuar prej këtij të fundit që prej vitesh të qëndronte “ministër fuqiplotë” i Shqipërisë në vendin ku Konica jetoi, dhe ku demokracia ishte në vendin e parë në botë. Ai dinte të krijonte edhe të thënën e madhe dhe të justifikonte edhe profesionin e tij, duke thënë: "Palla ime është penda: atë pallë e kam, me atë përpiqem t'i shërbej atdheut." E unë nuk dua të përfitoj nga rasti që një personaliteti të tillë ti përmend një nga shprehjet jo “apropriate” që ja vendosin shpesh herë në gojë, kur shqiptarët zakonisht mërziten e veten. Padyshim që Konica është i madh si njeri i letrave, dhe ai kishte edhe zakonin e madh të shkruante edhe në toskërisht dhe gegërisht, duke qenë një gjithëpërfshirës i jashtëzakonshëm në historinë e fillimit të shekullit 20-të.Normalisht që ambasadori e ka shkruar shprehjen e Konicës (i cili në 42-shin u pajtua me Zogun, duke kuptuar se ka më tepër edhe se sa kaq në shprehjen e tij) duke pasur parasysh jo “rastësinë, as idealistët”, por politikanët, vetëm politikanët e këtij vendi. E pastaj normalisht në kabllogramet e tij dalin dhjetra syresh edhe në kohën e sotme, në kohën e Withers e të tjerë përpara dhe pas tij. Megjithatë, njeriu i cili thotë në kabllograme që ka marrë “fedback” ambasada dhe SHBA-ja, sepse në një farë mënyre Withers ka qenë në “Portokalli” dhe këto janë format e reja – se ka zbuluar diçka të vërtetë. Atë që në përgjithësi shqiptarët thonë për politikanët dhe shqiptarët vetë. Pra, faktin se shqiptarët nuk merren vesh mes tyre, me veten e tyre, me rracën e tyre, me bashkombasit e tyre, me ato që flasin gjuhën e tyre dhe janë origjinarë si ato. Por ama duke qënë një ambasador që lexon të tilla të thëna, histori dhe biografi, por edhe tregon fabula dhe shkruan për “Big Brother” dhe Portokalli-në, kuptohet se në fund kur ka lexuar Konicën , të jetë bindur njëherë e përgjithmonë për politikanët shqiptarë. Them se po...! Jam krejt i bindur se kabllograme kanë bërë dhe do të vazhdojnë të bëjnë të gjithë ambasadorët amerikanë nga Tirana për në Washington, por ama me ngjyra, me ndriçim të tillë folklorik dhe jetësor, por edhe me detaje letrare, fabuleske dhe gazetareske si zoti Withers, zor se mund të ketë. Në të vërtetë, historitë e Konicës dhe Nolit, por dhe të tjerëve e deri te Zogu dhe Mbretëria, më tepër vitet 1920-1928, dhe ato më vonë në fund të fundit, ngjajnë shumë me vitet e sotme... shumë!
Po ato mënyra të të interpretuarit të politikës, po ato stërkëmbësha, po ato fjalamanë te të huajt si sot, po ato “tradhtira të vogla”, po ato puthje dore dhe ngulje thike, po ato lëmosha dhe nxitje për të keq, po ato mbyllje titujsh, dhe po ato inate të mëdha për njëri tjetrin. Po ato...! Shqipërinë e shkatërruan politikanët... këtu është edhe rëndësia e shprehjes së Konicës që midis të shumtave të tij, ndoshta është më e rëndësishmja. Kështu e thonë edhe sot shprehjen në popull dhe masat e mëdha të njerëzve. Na vdiqën politikanët, na rropën, na dogjën, na lanë jashtë BE-së, “na morën në qafë”, “prishën Shqipërinë”, “dogjën Shqipërinë”... politika dhe politikanët e keqa e këtij vendi... etj., etj. Normalisht që atyre ju vihet i gjithë faji.E të gjithë harrojnë popullin. E harrojnë që ai ekziston, se është ai, se jeton, se gjallon, se vepron, se krijon, se dallon, se numëron, se harron, se kujton, se largon dhe se afron....harrojnë të gjithë. Mirëpo një pyetje mund t’ju bëhet të gjithëve!? Ku i marrin francezët politikanët, po amerikanët, po britanikët, po gjermanët!? Ku? Aty mes popullit të tyre. Ai i vendos ato në pushtete të larta. Edhe në ato vende politikanët kanë bërë edhe vepra të mira dhe të këqija. Ne nuk na i sjellin politikanët si “pajë”, por edhe sikur të na i sjellin, kjo tregon se ne jemi disi popull kukull. Në fund të fundit, prej këtu dalin të gjithë ato që sipas Konicës e prishin Shqipërinë. Nuk janë as rracë e përveçme, e pastudiuar në botë. Janë shqiptarë, edhe ato dhe shpesh herë kanë edhe momentin e tyre të jetës me kuptim. Puna nuk është në se e ka kuptuar Konicën, që dikur thonë ka thënë edhe një shprehje tjetër më të ashpër kësaj rradhe për “Shqipërinë”... të kam... s’më kuptove... herë...! As nuk është puna nëse ka kuptuar Withers, por nëse populli, e kupton dhe e di që “politikanët e prishin Shqipërinë” dhe që ky popull i zgjedh apo mbështet këto politikanë?! Pra del se vetë populli prish Shqipërinë... sipas kësaj teorie! Paskan shkuar dekada e dekada dhe shqiptarët nuk e kanë kuptuar Konicën dhe Ëithers e kuptoi menjëherë i ngrati duke u ballafaquar përditë me to. Normalisht nuk i pa derman vetes dhe filloi të tregonte përralla dhe merrte pjesë në Show të ndryshëm, që në atë “pjesë të popullit që nuk e kupton thellë Amerikën, të kuptohesh më mirë dhe më qartë”. Në fund të fundit, kaq e zorshme është ta kuptosh Konicën, kaq vështirë është të kuptosh se me politikanët prishet Shqipëria!!? Po në fakt është shumë e lehtë, por me sa duket tani edhe po ti kesh inat, nuk ke se çfarë ju bën, sepse rëndësinë dhe moralin, jua ke mbrojtur ti si popull, dhe pa dyshim i justifikon kur vjen fundi në prapësitë që ato bëjnë si politikanë. Ky popull është, kur i justifikon, dhe kur i harron, kështu që shprehja në fjalë në shekullin e 21-të, humb lidhjen me atë të shekullit 20-të. Shqipërinë nuk e prishin dot politikanët, sepse nuk munden, ato vetëm e vonojnë dhe e vonojnë, për interesa të shkurta dhe meskine, krejt të vogla në ballafaqim me atë çfarë mund të përfitohet në ditët e sotme, dhe në kohën kur bëjmë fjalë. Gjithsesi do zoti dhe Konicën e “kuptojnë shqiptarët” dhe të thonë “çfarëëë kemi bërë deri më sot”. Nuk e kemi kuptuar, për politikanët!