E premte, 26.04.2024, 05:12 AM (GMT+1)

Editorial

Aurel Dasareti: Kur të vdekurit bëhen simbol i krimit më të madh të gjallët janë dënuar t`i përkujtojnë

E diele, 21.08.2011, 08:03 PM


Kur të vdekurit bëhen simbol i krimit më të madh të gjallët janë dënuar t`i përkujtojnë ata. Përgjithmonë.

 

Nga Aurel Dasareti, Arizona (specialist i shkencave ushtarake dhe psikologjike)

 

Sa më tepër që kalon koha aq më shumë vërejmë tek shqiptari një njeri që ka marrë rrugën e gabuar në kërkimin e tij të shpëtimit. “Politikanët” shqipfolës, UZURPATORËT të cilët me forcën e bajonetave të huaja, kanë mbytur lirinë tënde, vendosën terrorizmin; të pafytyrët 20 vite me radhë tallen me gjakun e martirëve, poshtërojnë nderin, dinjitetin tënd dhe të familjes tënde, kërkojnë të shesin Dheun e Shenjtë të Atdheut. 

Breznitë përkeqësohen gjithnjë e më tepër. Do të vijë një kohë kur do të jenë në mënyrë të atillë sa të adhurojnë fuqinë (dhunën). Fuqia do të jetë e njëvlershme me të drejtën për ta, dhe do të zhduket nderimi për vullnetin e mirë. Më në fund, kur njeriu nuk do të jetë më i aftë të indinjohet për padrejtësinë, apo të turpërohet prej pranisë së shpirtngushtësisë, natyra do t`i shkatërrojë. E pra, deri atëherë, do të ketë një shpresë, vetëm nëse njerëzia e zakonshme do të ngrihet dhe do të përmbysë tiranët që e kanë vënë nën zgjedhë. 

Që shoqëria shqiptare të funksionojë në mënyrë të përshtatshme, është e nevojshme që anëtarët e saj të kenë dëshirë të bëjnë atë që duhet të bëjnë. Procesi i shndërrimit të energjisë psikike të përgjithshme në energji psikoshoqërore të posaçme është ndërmjetësuar nga karakteri shoqëror. Mënyra me anë të të cilave krijohet karakteri shoqëror janë kulturore. Shoqëria iu përçon të rinjve vlerat e saj, normat e sjelljes, urdhërimet, etj., me ndërmjetësimin e prindërve. Në një kuptim më se elementar, karakteri është një dukuri njerëzore; vetëm njeriu ia del mbanë të krijojë një zëvendësues për përshtatshmërinë e tij instiktive të humbur. Fitimi i karakterit është një element shumë i rëndësishëm dhe i domosdoshëm në procesin e mbijetesës të shqiptarëve të okupuar, por paraqet edhe mjaft vështirësi, e deri në rreziqe nga indiferenca e popullatës, sidomos intelektualëve, hajnitë e tradhtitë të liderëve politik si dhe shpërdoruesit e fesë islame (vehabistëve) dhe asaj krishtere ortodokse (grekofilëve). 

Vallë ku e keni ju at trimërinë, 
ju që për të tjera gjë s`kurseni, 
që lavdëroheni aq në Perëndinë, 
dilni një herë tregoni se kush jeni. 

Në masën me të cilën është ngjizur nga traditat dhe motivon shqiptarin pa i bërë thirrje arsyes, karakteri shpesh nuk përshtatet me kushtet e reja, ose ndonjëherë është deri dhe në kundërshti me to. 

Për mendimin tim gjendja politike është e errët, shumë e zezë. Nuk do të jetë aspak më ndryshe në këtë plan edhe nëse do të ketë ndonjë revolucion, gjë që nuk është e pamundshme. 

Për ta përkthyer konceptin e gabueshmërisë në tema funksionale e për ta bërë më të qartë duhet të them se të gjitha idetë tona abstrakte, me pak përjashtime, janë në fakt ose potencialisht me të meta. Ato mund të përmbajnë një element të së vërtetës, por ai element ka gjasa të zmadhohet deri në at pikë sa të shtrembërojë realitetin. Tradhtarët nuk e shikojnë drejtë realitetin, ëndërrojnë se unë nuk ekzistojë, prandaj nuk i marrin seriozisht kritikat dhe sinjalet që me vite ua dërgoj. Është e vërtetë se këta kodosh nuk kanë përse të më frikohen pasi ende nuk më njohin. 
- Më njeh ti mua? 
- Të njoh. 
- E unë të them se nuk më njeh, ose edhe në më keni njohur, ajo ka qenë ana ime e mirë. Ndërsa tani do më njihni anën time të keqe. 

Jeta ime aktuale është fakt, në këtë aspekt unë s`kam mundësi ta qeras vetveten; por unë kam respekt për fatin dhe aspiratën time. Për to jam duke folur. 

Kolonizatorët ju frikësojnë pasi nuk i njihni si duhet. Pamja që ofron moria e tyre është mbresëlënëse, me zor durohen ulërimat e tyre dhe ata kanë një mënyrë shumë kërcënuese të tundjes së armëve të tyre në ajër... 

Stërgjyshërit tanë, ilirët ishin të njohur për karakterin e tyre luftarak dhe luftënxitës, madje gjaknxehtë. Karakteri i tyre krenar, i pavarur, i panënshtrueshëm, i vrullshëm dhe rebel qysh nga kohërat e mugëtirës si dhe përçarja e tyre nuk kanë favorizuar për krijimin e një etniteti politiko-shoqëror. Megjithatë, infrastruktura dhe reliefi i thyer i vendit nuk ka qenë i volitshëm për grumbullimin e fiseve të ndryshme të strukur në skutat e tyre malore. 

Por, nëse shqiptarët në këto 20 vitet e fundit do të kishin vetëm një prijës dhe nëse do të merreshin vesh midis tyre, do të dekolonizonin trojet dhe do të formonin një popull të pamposhtur dhe sigurisht më të fuqishmin nga të gjithë popujt e Ballkanit, sipas mendimit tim. Por, për momentin kjo është e pamundur për ata pasi politikanët kanë tradhtuar, intelektualët kanë dështuar, popullata nuk është zgjuar dhe as nuk kanë zbuluar prijësin dhe nuk janë të interesuar për Bashkim, Atdhe e Komb, të përçarë keq në fe, parti, krahina, bajraqe e oxhaqe; prej nga rrjedh edhe dobësia e tyre. 

Nuk është e mjaftueshme vetëm të bëhet pyetja "Kush duhet të qeverisë a të drejtojë", por pasi t`i zgjedhim më të mirët dhe të pa-korruptuarit të gjejmë mënyrë "Si të kontrollohen ata që drejtojnë", apo më saktë, "Si t`i organizojmë institucionet politike në mënyrë që t`i ndalojmë qeveritarët e këqij a të pazotë të na bëjnë shumë dëm". Nuk ekziston asnjë tip autoriteti politik sipëror, më i mirë nga të tjerët e i vlefshëm në çdo situatë. Të gjitha format e legjitimimit të pushtetit ("prejardhja e fisme", "hiri hyjnor" apo zgjedhja nga populli) e humbasin rëndësinë përballë çështjes së kontrollit, sepse edhe sikur ata që qeverisin të kenë ardhur në pushtet në mënyrë legjitime, kjo nuk do të thotë aspak se veprimet e tyre janë të përligjura. 

Dikush arrin në përfundimet e tij mbi të gjitha duke u nisur nga një mbështetje emocionale, pa marrë në shqyrtim faktet. Për të tillët interesi privat - ideologjia e përkatësisë partiake zëvendëson njohuritë politike, ekonomike e shoqërore. Pasi kanë vendosur të besojnë në një ideologji që i përshtatet emocioneve të tyre, i mbanë të vërteta të gjitha faktet e shpallura nga ajo ideologji. Shqiptarët lypset të mbështeten në aftësitë e veta për t`i parë punët me sy kritik dhe në vullnetin e vet për të pasur rreth vetes njerëz që nuk ngurrojnë të shprehin kundërshtimin e tyre. 

Konceptimet e shtrembëta dhe keqkuptimet që përshkojnë diskutimet tona ndihmojnë për t`i dhënë trajtë ngjarjeve ku marrim pjesë. Gabueshmëria luan në çështjet njerëzore po at rol që luan mutacioni në biologji. Edhe shqiptari duhet ta pranoje se njohja prej nesh e realitetit ku jetojmë është në thelb e mangët. Këtë mangësi e pa-përsosmëri lypset ta shohin me faktin se ne jemi pjesë e atij realiteti që përpiqemi të njohim dhe marrim pjesë në krijimin e tij. Kam kuptuar se në shoqërinë shqiptare, sidomos te "politikanët" ka një prirje për ta tepruar me rëndësinë e parasë. Paraja nuk duhet të jetë qëllim i jetës sonë. Për ne ajo duhet të jetë mjet për arritjen e qëllimit madhor: fitimin e Lirisë për gjithë shqiptarët e okupuar. 

Diskutimet (kacafytjet) e shqiptarëve të rëndomtë, e sidomos e simpatizuesve të partive politike në forume të ndryshme, kanë dy aspekte. Njëri pasqyron si mendojnë këta të manipuluar, kurse tjetri si janë gjërat me të vërtetë. Atdhetarët e mirëfilltë, të gjithë ata që e ndjejnë veten shqiptar, doemos duhet ndryshuar qëndrimet e tyre personale nëse dëshirojnë ndryshime pozitive për Kombin; lypset t`ja bëjnë vetes një vështrim kritik, nuk duhet më të japin kontributin e vet për mirëqenien e kësaj garniture të politikanëve të dështuar, por të synojnë për të vënë ca rregull në këtë univers rrëmujë. 

Në një shoqëri raciste që bazohet mbi okupimin e trevave tona, mbi kontrollin dhe mbi shfrytëzimin e popullatës shqiptare gjejmë karakteristika të parashikueshme. Ajo priret të dobësojë pavarësinë, integritetin, mendimin kritik, prosperitetin e atyre që i janë nënshtruar. 

Armiku i jashtëm përherë ka futur spica ndër krerët shqiptarë me qëllim të ndarjes dhe përçarjes me anën e komploteve, tradhtive të brendshme. 

”Shqyptar', me vllazen jeni tuj u vra, 
Nder nji qind çeta jeni shpernda; 
Vjen njeri i huej e ju rri n'voter, 
Me ju turpnue me grue e moter, 
Baheni robt e njerit t'huej, 
Qi nuk ka gjuhen dhe gjakun tuej 
Para se t'hupet keshtu Shqypnia, 
Me pushke n'dore le t'dese trimnia!” – stërgjyshi im 

I vështirë është bashkimi i shqiptarëve sepse "kapedanët" lokal asnjëherë gjatë historisë tonë nuk kanë duruar dhe nuk durojnë politikën përqendronjëse të një udhëheqësi të vetëm që i prin kombit. Oborret "princore" shqiptare haheshin edhe sot e kësaj dite hahen në mes tyre se kush do të shkëlqen më shumë, "princi" i cilës mëhalle do të jetë i pari, pa një hov ndërmarrjesh të largëta ushtarake dhe pa një autoritet të lartë që t`i mblidhte tok. 

Shqiptarët bashkimin rreth një udhëheqësi të përbashkët të Shqipërisë etnike e shikojnë si një shoqërim midis të barabartëve, dhe jo si një disiplinë, si një nënshtrim hierarkik kundrejt një autoriteti. Kjo mendësi ose kjo natyrë është i pari shkak që ka penguar formimin e një shteti shqiptar gjatë shekujve dhe që e ka shpërndarë racën shqiptare në të katër anët, si kashtën që e merr era. 

Pjesët e ujit që qëndrojnë në sipërfaqe ndërrojnë paprerë: ngjiten nga fundi, nga maja zbresin në humnerë, formojnë shtjella, nivelime, zhvendosje. Mua më duket i pasur, i shndritshëm dhe i aftë për të qenë i lumtur, ai shpirt shqiptari që përparon vazhdimisht drejt një shtegtimi dhe shkëmbimi nga errësira e thellë tek zona e dritës.



(Vota: 6 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora