Editorial
Redan Bushati: Shkodra «rrëzon» Sali Berishën!
E enjte, 28.07.2011, 07:59 PM
Shkodra «rrëzon» Sali Berishën!
Nga Redan BUSHATI*
Shkodra, kryeqendra e veriut dhe një ndër bastionet kryesore të Partisë Demokratike, e cila që në fillim të demokracisë shfaqet haptazi edhe si kryeqendra e antikomunizmit dhe e rrezistencës popullore. Shkodra, një ndër qytetet më të bukura, por edhe më të vjetra të Shqipërisë i jep vehtes sot ngjyrat e « zisë », me një varfëri « migjeniane ».
Specialistë të ekonomisë shqiptare konstatojnë se si pasojë e kushteve të vështira ekonomike, që po kalon vendi edhe si ndikim i krizës ekonomike, të cilën qeveria shqiptare e mohon çdo ditë mediatikisht, numri i familjeve shqiptare që marrin ndihmë ekonomike nga buxheti i shtetit është rritur. Normalisht, kjo rritje e numrit të familjeve që marrin ndihmë ekonomike është edhe tregues i ecurisë së përgjithshme të ekonomisë së vendit tonë. Ndihma ekonomike (asistenca, në gjuhën e popullit) u jepet nga shteti atyre familjeve të varfëra, të cilat nuk plotësojnë minimumin jetik dhe personat e aftë fizikisht ndodhen papunë. Kjo ndihmë varion nga shuma 23 apo 24 euro - 29 euro në muaj për familje.
Në vitin 1999, numri i përfituesve të asistencës ekonomike ishte afro 20%, rreth 149 mijë familje. Në vitin 2008 ajo bie ndjeshëm dhe Banka Botërore raporton për shifra deri në 94 mijë familje. Në vitin 2009 dhe 2010 do të kemi rreth 97 mijë, ndërsa në vend që të synohet të shkohet drejt përmirësimit të gjendjes, ndodh e kundërta. Në tremujorëshin e parë të këtij viti numërohen rreth 98 mijë familje, ku qeveria shqiptare shpenzon mesatarisht rreth 352 milionë lekë çdo muaj për ndihmën ekonomike. Gjithashtu duhet theksuar se Banka Botërore ka deklaruar se kjo shumë që qeveria shqiptare derdh për këto familje të varfëra, nuk i nxjerr këto të fundit nga minimumi jetik, i cili në vendin tonë është vlerësuar 5.900 lekë në muaj për frymë.
Si për ironi të fatit dhe për habinë e të gjithëve, Shkodra e cila për 20 vite me radhë në mënyrë masive jep votën për Partinë Demokratike, e cila ka 6 vite që po qeverisë vendin, renditet e para në rang kombëtar në përfituesit e skemës së ndihmës ekonomike me rreth 16% të të varfërve, e ndjekur nga Dibra me 15% dhe Elbasani me 13.6%. Duhet theksuar që veriu i vendit ndodhet në një situatë më të rënduar dhe mjerane.
Shkodra ku në vitet 90' dha kontributet më të vyera... Shkodra ku më 2 prill 1991 dha jetën e katër djemve të saj për demokraci (Arben Broci, Bujar Bishanaku, Nazmi Kryeziu dhe Besnik Ceka)... Shkodra, e cila gjatë protestave masive « Nano ik » renditej e para dhe drejtuesit e djathtë kryeqendrën e protestave e kishin në sheshin « 2 Prilli »... Shkodra, ku me fanatizëm nxirrte edhe me 9 apo 11 deputetë të djathtë dhe asnjë të majtë... Shkodra, ku plot 20 vite qeveriset nga e djathta në pushtet lokal... Shkodra, e cila me votat e saj solli PD-në në pushtet në vitin 2005... Shkodra, e cila për shumë vite ndalonte shumë drejtues të majtë të vinin e të organizonin mitingje, manifestime apo protesta... Shkodra, e cila në vitin 2011 i dha Berishës aq deputetë më shumë se e majta sa asnjë Qark tjetër në Rep. e Shqipërisë... Mbi të gjitha, Shkodra që për hir të idealeve të veta edhe ndërtimin e çdo impianti bërthamor do ta lejonte sikur të thoshte Sali Berisha... A thue Shkodra e meriton një gjë të tillë?! A thue Shkodra që e solli dhe e ngriti në pushtet Sali Berishën dhe PD, ajo vetë nga varfëria këmbëkryq mund ta rrëzojë?!
*(Autori është Kryetar i Këshillit Studentor të Universitetit të Shkodrës, shkurt K.S.U.SH)