E marte, 08.10.2024, 10:21 PM (GMT+1)

Editorial

Lis Bukuroca: Batakçiu i rendeve

E diele, 24.07.2011, 08:03 PM


Batakçiu i rendeve

 

Nga Lis Bukuroca

 

Jam kundër regjistrimit të fesë së individit, sepse këtë e konsideroj çështje private. Njeriu nuk ka vetëm një besim fetar, por ka edhe plot besime tjera: i beson mikut, të dashurës, prindërve, madje edhe armikut... I beson edhe atij që nuk duhet besuar fare, për shembull: Sali Berishës. Ndoshta dikush është politeist, budist, gnostik, vetëm deist apo edhe satanist, por krejt këto, nuk i duhen Sali Berishës. Këto i nevojiten Greqisë. Fansat i besojnë këtij shoumeni edhe kur gënjen, edhe kur mashtron, edhe kur manipulon, edhe kur mban fjalime pranë varreve të atyre, që i largoi nga skena politike të gjallë, por i respekton të vdekur. I besojnë edhe kur flet kundër komunizmit, edhe pse ai është i vetmi në majë me përfitime të mëdha, pikërisht nga ky rend.

Njeriu thjesht nuk duhet të pajtohet me atë ide, sepse ajo vjen nga Sali Berisha. Ashtu si nuk duhet pajtuar me idetë e Gadafit, Salehut, Kastros etj. Ashtu si nuk pajtoheshim me shitjen e detit që e konsideronte marrëveshje madhore. Ashtu si nuk pajtoheshim me piramidat që i quante përparim ekonomik, me vrasjen e shqiptarëve që e konsideronte detyrë madhore, me vjedhjen e më shumë se 200 milion eurove që e konsideron patriotizëm. Thjesht ashtu si nuk pajtoheshim me faljen e 400 mijë eurove serbeve të një fshati në Kosovë, që edhe sot mbështesin politikën antishqiptare...

Ky qëndrim nuk është paragjykues, por pasojë empirike, sepse kur një njeri prodhon aq shumë skandale - pa u harruar njëri, prodhon tjetrin- atëherë nuk duhet humbur kohë për t’i  kuptuar synimet e tij, më saktë, obligimet e tij. Deri tani, ai ka sjellë shumë ide të prapa dhe nuk mund të ketë dyshim të bazuar se këtë herë e ka mirë.

Saliu duhej shtruar vetes këtë pyetje: nëse në jug të Shqipërisë ka edhe të varfër dhe nëse ata të varfër shpresojnë të marrin ndihma ekonomike apo pasaporta greke dhe nga nevoja deklarohen me mijëra si grek - edhe pse nuk dinë e nuk kanë ditur kurrë greqisht-  si do të reagonte Greqia që deshi domosdoshmërish këtë regjistrim? Apo, si do të reagonte Saliu me një numër të tillë mbi tryezë? Rezultati i këtij regjistrimi do të tregojë se a do të kërkojë Greqia autonomi për grekët, respektivisht aneksimin e territorit duke e shkëmbyer me pajtimin për aderim të Shqipërisë në BEE?

Nëse nga ky regjistrim rezulton se pakica  e shqiptarëve janë mysliman, çka do të bënte Saliu me Konferencën Islamike dhe si do ta përligjte ai praninë e shtetit laik shqiptar atje?

Nuk ishte i çuditshëm fjalimi i tij. Ishte vazhdimësi e diskursit të njohur salik. Më argëtuese është të shikohet një fjalim, një spektakël, një shou i Berishës, se sa “Kafeneja Jonë” apo “Përralla me tupana”. Ai shan dhe stigmatizon ata, që nuk mendojnë si ai, sepse ai kështu kupton demokracinë. Dikur shante vetëm gratë, tani ua krisi edhe burrave, të gjithëve, pa dallim gjinie dhe orientimi seksual.

T’ ia japim fjalën Kryeministrit dhe të shohin si i përshkruan njerëzit, që nuk pajtohen me të.  “Këta vetë janë njerëz pa Zot. A mund t’i bëj unë me Zot ata? Jo! Ata të cilët shfrytëzojnë karriget e larta shtetërore, ata i përdhosin ato karrige”. Partia Demokratike duartrokiti në mënyrë frenetike!

E lexuat mirë?  Kush përdhos karriget shtetërore? Ata që shfrytëzojnë ato karrige! E kush gjendet në ato karrige? Saliu me të zgjedhurit e vet, që i përkulen BEE-së, por mendimet e tyre i quajnë pordha! Ai për herë të parë pranoi botërisht, se nuk mund t’ i bëjë njerëzit me Zot, edhe pse i ka hapur dyert dhe dritaret  predikuesve të çdo lloji, edhe atë me një qëllim: t’ i bëjë shqiptarët me shumë Zotëra dhe t’ i përçajë deri në theqafje.

Ai nuk u ndalë aty, por vazhdoi me semantikë të njëjtë: “Regjistrimi i popullsisë nuk ka asnjë lidhje me klithmat mjerane të disa individëve që për interesa të tyre personale duan të vënë në pikëpyetje identitetin, besimin dhe thelbin e kësaj shoqërie.”

Nëse je kundër regjistrimit sipas kërkesës greke, atëherë je mjeran. Dhe ke përfitime vetjake! Çfarë përfitime? Të paguajnë revizionistët! Tradhtarët e jashtëm! Si të zhduket identiteti? Ai të zhduket nëse kundërshton regjistrimin sipas dëshirës greke! Anëtarët e PD-së e duartrokitën përsëri.

Fol edhe një herë Sali, të lutem: “ Ata që përpiqen të derdhin lot për kërcënimin e identitetit të shqiptarëve, kanë fatkeqësinë të kenë lindur pa identitet.”, tha ai me plot seriozitet duke marrë një pozë prej shkencëtari. Se njeriu lindet me identitet, nuk ka guxuar ta pohojë asnjë sociolog, asnjë psikolog, asnjë neurolog e asnjë psikiatër, e asnjë bujk. E as etnologu dhe antropologu  Claude Levi Strauss për shembull. Mirëpo, ithtarët e Sali Berishës, që e duartrokasin edhe kur flet, edhe kur kollitet, edhe kur fshinë hundët, e duartrokitën përsëri, në vend se t’i kafshojnë buzët. Në vend se të skuqen!

Fol Sali edhe një herë të lutem se na kënaqe: “ Ata kanë deficencë kongjenitale identiteti, por shoqëria nuk i pranon”, bërtiti ai përsëri me pozë intelektuali duke menduar se zbuloi fakte shkencore të reja dhe anëtarësia e PD-së e duartrokiti me plot krenari, në vend se të trishtohej. Ky tog fjalësh” deficencë kongjenitale” shqip domethënë se ata që janë kundër regjistrimit, ata kanë mungesë identiteti që nga lindja dhe nuk janë lindur me identitet shqiptar si do të kishte dëshiruar Greqia. Edhe ky është zbulim për një Çmim Budallallëku, e kundërta e Çmimit Nobel! “Dhe shoqëria nuk i pranon”. E kush është shoqëria? Shoqëria është Sali Berisha. Partia e din çka i duhet popullit dhe e din çka mendon populli, prandaj ajo nuk  i pranon! Kjo mënyrë e të gjykuarit është e njohur për ne. Ai nuk mund të shkëputet nga baza. Partia Demokratike duartrokiti përsëri dhe derisa lexon këtë shkrim, ata janë në duartrokitje e sipër. Ata duartrokasin doktorin e shkencave të mjekësisë, i cili mendon dhe është i bindur se foshnja lindet me identitet kombëtar! Këtë njeri, me këtë dije, ne e kemi Kryeministër! Trishtim!

Se e voton populli, mund deri diku të arsyetohet. Populli nuk është një subjekt, por një masë me fuqi dhe aftësi perceptuese individuale të niveleve të ndryshme. Domethënë e votojnë edhe ata që nuk marrin vesh, por si e duron kryesia e PD-së një njeri të tillë në krye, kjo nuk mund të shpjegohet, kjo nuk mund të kuptohet, kjo nuk mund të arsyetohet.



(Vota: 8 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora