E marte, 16.07.2024, 07:25 AM (GMT+1)

Editorial » Shkreli

Frank Shkreli: Politika rumune si ''alter ego'' e politikës anti-shqiptare serbe

E diele, 17.07.2011, 07:59 PM


POLITIKA RUMUNE SI ''ALTER EGO'' E POLITIKËS ANTI-SHQIPTARE SERBE

 

Nga Frank Shkreli

   

 Ministria e Jashtëme e Rumanisë kritikoi ashpër Ministrinë e Jashtme të Shqipërisë, pasi Tirana zyrtare, duke reaguar ndaj disa komenteve anti-shqiptare në internet -- tani të përgnjeshtruara -- të cilat i atriboheshin Presidentit rumun Traian Basesku, u përpoq të merrte ndonjë informatë nga përfaqsuesi diplomatik i Bukureshtit në Tiranë mbi vërtetësinë ose jo të atyre komenteve të përhapura në internet. Sipas mediave,  Ministria Rumune e quajti veprimin e Ministrisë së Jashtëme të Shqipërisë si të ''pazakontë'', dhe të ''papranueshëm'', megjithjëse,   ky është, pikërisht roli i cdo ambasadori në një vend të huaj, që ndër të tjera, të adresojë cdo keqinformim, keqkuptim ose mosmarrveshje midis të dy vendeve.  Ndërsa përgnjeshtron si të pa vërteta fjalët në adresë të presidentit rumun kundër shqiptarëve në përgjithësi e shqiptarëve të Kosovës në veçanti, kumtesa e Ministrisë së Jashtëme rumune nuk ngurron aspak që rishtas të ritheksojë qëndrimin e saj ''parimor'' e të ''bazuar në parimet themelore të së drejtës ndërkombëtare'' ndaj Kosovës dhe në të njëjtën kohë shton se akuzat që i atribohen presidentit rumun ''kanë për qëllim dëmtimin e marrëdhënjeve tradicionale midis Rumanisë dhe Shqipërisë''.  Është një thënje në anglisht që thotë ''with friends like these, who needs enemies'', që në shqip mund të përkthehet, ''me miqë si këta, kush ka nevojë për armiq''. 

 

Reagimi zyrtar rumun e bëri këte çeshtje më të madhe se ç'ishte deklarata anti-shqiptare e përhapur në internet, tani e përgnjeshtruar, duke venë në dukje edhe njëherë se problemi i Rumanisë me shqiptarët, e sidomos me shqiptarët e Kosovës si dhe me pavaresinë e shtetit të Kosovës, jo vetëm që nuk ka ndryshuar, por sa vjen e keqësohet. Problemi nuk është për ato që mund të ketë thënë ose jo Presidenti rumun në lidhje me shqiptarët në deklaratën në internet, që i atribohet një hakeri serb. Problemi kryesor në marrëdhënjet e tanishme midis shqiptarëve dhe rumunëve janë prononcimet dhe aktet zyrtare të Rumanise, është politika anti-shqiptare që ndjekë Bukureshti, sidmos ndaj shqiptarëve të Kosovës dhe pavarësisë së Kosovës, të njohur tanimë nga shumica e vendeve demokratike perëndimore.  Problemi është se Bukureshti zyrtar është një ''alter ego'' i politikës anti-shqiptare serbe që e trumpeton dhe e ndjekë me sy mbyllë, jo vetëm në marrëdhënjet bilaterale por edhe në arenën evropiane dhe ndërkombëtare.   

 

Në protestë-kumtesën e Ministrisë së jashtëme rumune thuhet gjithashtu se ajo ''nuk pajtohet me zvogëlimin e rolit të dialogut diplomatik'', por në të vërtetë është Rumania, së bashku me Serbinë, ajo që i shmanget dialogut rajonal, evropian dhe ndërkombëtar, duke bojkotuar mbledhje ndërkombëtare të nivelit të lartë ku ftohen të marrin pjesë zyrtarët më të lartë të Republikës së Kosovës, siç ishte takimi i nivelit të lartë i 21 udhëheqësve të Evropës Qendrore e Lindore në Varshavë, fundin e Majit që kaloi, ku mori pjesë edhe Presidenti i Shteteve të Bashkuara Barak Obama.  Presidenti rumun Basesku dhe Presidenti serb Tadiq bojkotuan këte takim të nivelit të lartë pasi, për herë të parë, Kosova u përfaqësua në një tubim të tillë, nga Presidentja Jahjaga, e ftuar nga Shtetet e Bashkuara dhe Polonia, e cila tani është presidente radhës e Bashkimit Evropian.  Bojkotit të Serbisë iu bashkua vetëm Rumania. Ministri i Jashtëm i Polonisë, me atë rast, i bëri thirrje Serbisë, dhe indirekt edhe Rumanisë që të hiqnin dorë dhe të largoheshin nga demonët keqbërës të së kaluarës, ndërsa zyrtarët amerikanë shfaqën gjithashtu zhgënjimin e tyre me bojktomin e mbledhjes së Varshavës nga Rumania dhe Serbia. Gazeta amerikane, Nju Jork Tajms raportoi me atë rast se bojkotimi i mbledhjes se nivelit të lartë në Varshavë nga na e Rumanisë, nuk do të pritej mirë nga Shtetet e Bashkuara.

 

Ndërkaq, reporterja e Parlamentit Evropian për Evropën Juglindore, z. Ulrike Lunacek u shpreh ashpër ndaj bojkotimit serbo-rumun të takimit në Varshavë duke thënë se ''mospjesmarrja e Presidentit serb dhe Presidentit rumun....është një fyerje ndaj Polonisë si presidente e ardhëshme e Bashkimit Evropian. Justifikimi i bojkotimit të mbledhjes për arsye të pjesmarrjes së Presidentes së Kosovës, Zonjës Atifete Jahjaga, është i papranueshëm'', tha ajo në websajtin e saj, dhe shtoi se dyshon në angazhimin e Serbisë për marrëdhënje të mira fqinjësore.  

 

Çdo popull do të kishte reaguar me indinjatë ndaj një deklarate të tillë fyzese që iu atribua presidentit rumun dhe që tani u pergnjeshtrua dhe çdo popull që ka pak respekt për vetveten do të përpiqej të zbulonte nëse një deklaratë e tillë ishte e vërtetë ose jo.  Ministria e Jashtëme e Shqiperisë nuk bëri asgjë me pak as më shumë se të përpiqej të zbulonte të vërtetën në lidhje me një deklaratë që i atribohej një kryetar shteti dhe që ofendonte një komb të tërë.  E për të zbuluar të vërtetën mbi deklaratën, ke të pyeste më parë Tirana zyrtare se përfaqsuesin diplomatik të presidentit rumun?

 

 Mirëpo, ky incident rreth asaj që tha ose nuk tha Presidenti rumun për shiptarët do të harrohet shpejt, por fatkqesisht mbetet qendrimi zyrtar i Rumanisë ndaj shqiptarëve dhe pavarësisë së Kosovës, që në thelb është në kundërshtim me vendet kryesore të Perëndimit -- dhe reagimi i Ministrisë së Jashtëme rumune, me vjen keq të them, vazhdon të jetë një pasqyrim i politikës së Bukureshtit, që ka qenë dhe vazhdon të jetë në përputhje të plotë me politikën serbe, jo vetëm i të mos njohjes së pavarësisë së Kosovës, por edhe të gjenocidit të ndërmarrë kundër shqiptarëve të Kosovës, në fund të shekullit të kaluar, që u dënua nga e gjithë bota.

 

Shpeshëherë nga një 'incident' si ky, që siç duket ka turbulluar pak  ujërat  në marrëdhënjet midis dy palëve, del diçka pozitive.  Presidenti rumun ka një rast tani që të zhdukë keqkuptimet dhe të rivendosë raportet e miqësisë tradicionale shqiptaro-rumune duke u bashkuar me pjesën dërmuese të Evropës dhe me Shtetet e Bashkuara dhe të vendosë raporte të reja me kombin shqiptar.

 

Prandaj, i nderuar president Basesku, per hir të miqësisë së vjetër dhe ''raporteve tradicionale të miqësisë'' --sic thuhet në kumtesën e Ministrisë së Jashtëme të vendit tënd -- midis dy kombeve tona dhe për një të ardhëme më të mirë në marrëdhënjet midis shqiptarëve e rumunëve, bën atë që ka bërë shumica e botës së qytetëruar: njihe Kosovën shtet të pavarur e sovran, pasi një gjë e tillë është jo vetëm në interesin e përbashkët, por i shërben gjithashtu edhe paqës e stabilitetit në Evropën jug-lindore, zhvillimit demokratik, paqës e begatisë rajonale, si dhe integrimit të sajë të shpejtë në komunitetin euro-atlantik.



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora