E premte, 29.03.2024, 03:45 PM (GMT)

Editorial » Ukaj

Ndue Ukaj: Kultura përshpejton integrimet

E diele, 24.07.2011, 06:59 PM


Kultura përshpejton integrimet

 

Nga Ndue Ukaj

 

Kultura është shpirti i një kombi, ajo forca e brendshme shtytëse qe e bën te gjalloj. Një popull pa kulture, rrezikon gjithmonë t’iu nënshtrohet shtypjes, jolirise, dhunës, tensioneve te brendshme. Ndërsa, një popull që vë në ballë të kulturën, është i afte me i sfidua gjitha te papriturat, me i tejkalua tensionet e brendshme. Kësisoj, kultura mbetet  një force shtytëse, qe edukon qeverisjen, popullin dhe stimulon forcat pozitive. Andaj ka ardhur koha për një trajtim dinjitoz te kulturës. Kështu ruhet dhe përforcohet substanca e kombit dhe përshpejtohet rruga e integrimit në familjen perëndimore.

Shoqëria jonë, s’duhet të inkurajojë diskurse ideologjike që interpreton çështjen e integrimeve, sipas apetiteve të ulëta, naive e primitive, e që  shmangen nga thelbi i integrimit në familjen Perëndimore-integrim ky që nënkupton një shkëputje nga mendësia sterotipe e të menduarit shabllonik e të huaj; nga mentaliteti që në vend të punës ka fjalët, në vend të tolerancës kultivon intolerancën dhe arrogancën, në vend të bashkëpunimit vë në pah individualizmin dhe shpirtin egoist, në vend të kreativitetit shfrytëzon imitimin.

Në sfondin e zhvillimeve të hovshme politike, kudo hapësirave shqiptare, kryefjala e diskursit politik, akademik, mediatik, të sferave të biznesit, mbetet çështja e integrimeve  europiane. Ajo që i karakterizon këto debate, natyrisht mbetet një diskurs patetik për të ardhmen europiane të Kosovës, proklamuar nga institucionet dhe segmentet tjera shoqërore, madje me një nervozizëm dhe diskurs naiv. Ç’është e vërteta, në jetën publike shqiptare, nuk ka fjalë më të shpeshta që përdoren dhe njëkohësisht abuzohen se fjalët: integrime në familjen perëndimore. Përsiatjet për këtë orientim nacional janë nga më gjithfarshmet. Është bë tashmë klishe në mendësinë shqiptare, të flitet më diskurs të lartë çështja e integrimeve në familjen e madhe perëndimore, por duke ju shmangur esencës së këtij procesi. Madje, ky aspekt orientues nacional, përmendet në çdo vend, për çdo lloj organizimi, nga çdo kush, me vend e pa vend. Madje, edhe pushtet tona mbijetojnë në saje të këtij proklamomi. Sidomos sforcohet ky soj diskursi kur kemi data të rëndësishme, apo edhe kur retorika mashtruese politike vihet në shërbim të poltikbërsëve të ditës. Mirëpo kulmi i saj gufon kur ka kriza politik. Nga e gjithë kjo, krijohet përshtypja se jemi bërë të veçantë në këtë çështje. Natyrshëm në këtë aspekt prijnë politikanët, të cilët përmes një diskursi, në esencë retorikë (mbase edhe të rrejshëm e heretik) trumbetojnë fuqishëm këtë filozofie politike. Mirëpo, në praktikën e përditshme, shihen qartë, anët e kundërta të kësaj medalje, që nisen prej godinave nga proklamohen këto politika, e deri tek shkollat e nivelit të ultë që formësojnë shoqërinë tonë, pastaj universiteti anarkist, televizioni publike politike, akademia, e gjetiu, në të cilat shpërfaqet një arrogancë e përgjithshme kulturore; mendësi kjo joperëndimore.

Është fakt i pa kontestueshëm se orientimi i shqiptarëve për ofrimi dhe integrimi në vlerat perëndimore, mbetet shekullor. Fatkeqësisht më shumë se gjithë popujt europian shqiptarët, për shekuj jetuan shkëputur nga Europa për shkak të konformizmit me ideologji, kultura dhe orientime tjera që na u vërsulën. Rikthimi i dinjitetshëm mbetet ideal i kamotshëm i shqiptarëve, i artikuluar përmes luftërave dhe filozofisë së Gjergj Kastriotit- Skënderbeut, me aspiratat e të madhit Pjetër Bogdanit, eruditit të pashembullt (prototipit të lëvizjes së gjerë panperëndimore, prej së cilit u frymëzua një lëvizje e gjerë në dy dekadat e fundit tek shqiptarët) dhe, e shumë personaliteteve të mëdha kombëtare, në altarin e së cilit angazhim u shkrin shumë figura ndritura të kombit, deri te Lëvizja e dekadës së fundit në Kosovë, që u nis nga kolosët Anton Cetta, Ibrahim Rugova dhe shumë idealist, që zgjedhjen e çështjes së Kosovës nuk e shihnin si një ndarje me kufi, por mundësi për t’u integruar në strukturat Perëndimore, në vlerat e përbashkëta të këtij civilizimi.

Përbashkimi për integrimin në strukturat perëndimore, përveç aspekteve tjera, duhet ketë një konensues psikologjik, që nënkupton manifestimin e vlerave dhe kulturës perëndimore, në gjitha aspektet e organizmit të jetës sonë kombëtare, pa ju shmangur edhe çështjeve të ndjeshme. Në dukje të parë, të krijohet përshtypja se për këtë objektivë ekziston një kompromis nacional. Mirëpo, segmente të caktuara shqiptare, këtë objektive e kanë keqkuptuar. Mbase, edhe kamufluar nga ithtarë të rrymave tjera destruktive, që kanë sytë nga errësira dhe janë barikaduar në taborre tjera kulturore. Shembuj të tillë ka mjaft.

Një nga standardet fundamentale  për integrim, ai që paracakton e determinon gjitha aspektet tjera, pa mëdyshje është kultura. Ky aspekt që duhet ta gjej formën e vet të artikulimit, tashmë nëpër institucione, jo me diskurs folklorik, por me nisma reale që ndryshojnë në esencë gjendjen e tanishme dhe do të krijonin perspektiva për integrime reale në perëndim. Angazhime këto që do të stoponin kulturën tonë të stërmbushur me nuanca kulturore që kanë çfarëdo prejardhje tjetër, përpos mendësi e kulturë shqiptare dhe hiq më pak perëndimore.

Në procesin e integrimeve, ne shqiptarët, natyrshëm jemi më të vonuarit në rajon. Madje edhe pas shteteve që sapo janë krijuar, mbase, edhe pas shteteve të brishta që sapo kanë dal nga luftërat. Dijetari i madh shqiptar Faik Konica thoshte “shqiptarët në histori gjithmonë vonohen”. Kjo vonesa e jonë është produkt i të menduarit stereotip, anadollak që s’ka të përbashkët, bash asgjë me shoqëritë e përparuara perëndimore. Ky mentalitet e ka penguar dhe po pengon proceset pozitive në hapësirat shqiptare.

Kultura është ajo qe ne na shpëton si komb, na nxjerr nga anonimiteti dhe aspektet degraduese që na cilësojnë, që nga politika deri tek ekonomia e rënd. Kultura, është shpirti qe i jep fizionomi trupit tonë te gjymtuar kombëtar, karshi botës së përparuar dhe karshi proceseve te rënda që na sfidojnë si komb, pa marr parasysh hapësirën gjeografike ku jetojmë. Në këtë aspekt, një kulturë e përbashkët, e integruar, e pagjymtuar, sipas klaneve e grupeve të caktuara, rajoneve e grupeve gjuhësore, do të shërbente në ngritjen e kombit në piedestalin e kombeve të emancipuara perëndimore, si një mënyrë për t’u rikthyer dinjitetshëm në këtë familje. Mbase, definimi i qartë i rolit dhe funksionit që ka kultura në tërësi brenda sistemi të parimeve që përbëjnë boshtin e integrimeve, do të shkurton rrugën drejtë rikthimit tonë në Familjen Perëndimore dhe do të bëhej katalizatore e ndryshimeve pozitive. Natyrisht vetëm një kulturë e mirëfilltë, me shije e vlera që përkojnë më aspektet kulturore që praktikohen në Familjen Perëndimore, pa kamuflime dhe ndarje të barikaduara në taborre tjera kulturore. Kësisoj ndërtojmë premisat për një vëmendje më të madhe nga bota e zhvilluar dhe hapim shanse reale për përfaqësim të denjë brenda Familjes në fjalë.

Për të realizua sa më plotënisht çështjen e integrimeve, duhet të ekzistoj vullneti i plotë. Dhe ky vullnet, në perceptimin e drejtë të rrugës për ofrim, duhet të ndryshoi dimensionin: nga retorika demagogjike, duhet të merr përmbajtje të mirëfilltë, jetësimin e standardeve dhe politikat kulturore reale perëndimore. Në të vërtetë, kultura është fushë që predeterminon gjitha aspektet tjera organizuese të shoqërisë perëndimore, që nga institucionet, demokracia, ekonomia, arsimi e sferat tjera. Ndërsa në procesin e integrimeve shqiptare, kultura ka mbetur jashtë sistemit.

Ajo çka është e rëndësishme për proceset e tanishme në hapësirat shqiptare është kuptimi i faktit se integrimi në botën e përparuar, përveç aspekteve tjera, duhet të shoqërohet edhe me transformime të rrënjësishme të brendshme, që prekin çështje të ndjeshme të forëmsimeve kulturore dhe psikologjike. Nga qendrat tona politike e kulturore, duhet të hartohen projekte të mençura që ndikojnë në edukimin e shijeve kulturore dhe formësimin e tyre sipas parametrave moderne. Kështu do të plotësoheshin boshllëqet e shumta që janë krijuar në këto hapësira, sidomos nga plagët e trashëguara, prej së cilave lëngojmë dhe nga të cilat vështirë shkëputemi. Plagë këto që janë në esencë pengesa e integrimeve edhe të brendshme, edhe të jashtme.

Përmes plotësimit të standardit kulturor, do të mund të bëheshin afri mentalitetesh e botëkuptimesh; ofrim ky që assesi s’mund të ndodh, vetëm më aspektet tjera politike, as ekonomikë, siç është tentuar kotas që vite të tëra. Ky ofrim, pikësëpari, nënkupton një mendësi kulturore perëndimore në politikë, në ekonomi, në konceptet e sigurisë, në kulturë, në shikimin nga e ardhmja, dimensione që karakterizojnë universalitetin e kësaj kulture e civilizimi të përparuar.

Shtresimet kulturore të një kombi, tiparet dhe vetëdija, përcaktojnë edhe politikat institucionale, pasqyrojnë edhe mendësinë  institucionale, pasqyrojnë edhe ekonominë e çka jo tjetër?

Në jetën tonë kombëtar, edhe pse flitet shumë për procesin e integrimeve, shumë pak zihet në gojë aspekti kulturor i këtij procesi. Andaj edhe politikat kulturore, bashkë me ato edukative, janë lënë preh e diletantëve që prodhojnë opinione çoroditëse, tipe të menduarit të çfarëdoshëm, por jo shqiptar, jo perëndimor, jo integrues.

Në çdo analizë racionale dhe të pangarkuar, në suaza të një normaliteti të paekzagjeruar, shohim se angazhimet që bëhen, me vetëdije a pa të, pikërisht dalin kundër filozofisë dhe themeleve perëndimore. Ma thotë mendja, se ky objektiv politikë, ekonomik, kulturor etj. nga segmente të caktuara shoqërore, është perceptuar gabimisht. Për të mos thënë, kuptohet vetëm në suaza të interesave egoiste nacionale. Andaj, kemi sot kaq shumë trumbetime për koncepte tjera, aspak të moderuara e perëndimore.

Për të qenë pjesë e familjes në fjalë duhet të pranohen sistemi dhe vlerat që ngërthen në vete kjo familje politike, ekonomike, kulturore etj., duke kuptuar faktin se nuk mund të jesh pjesë e një sistemi vlerash universale, siç janë parimet dhe vlerat që ngërthen në vete filozofia dhe qenësia e Familjes Perëndimore e njëkohësisht të angazhohesh në të kundërt të këtyre vlerave. Kjo është një ëndërr e bukur, por e parealizueshme

Në botën shqiptare, veçmas në atë kosovare, ekziston një keqinterpretimit e keqkuptim i integrimit. Në të vërtetë këtë vello të keqkuptimit e stërngarkojnë të ngarkuarit me kulturë në Kosovë, pastaj arsimimi, mediat e kushdo jo tjetër. Pa dyshim, në këtë aks problemi qendror mbeten tek institucionet kulturore, që asnjëherë nuk dalin jashtë zyrave për të parë në realitet politikat kulturore të Familjes në fjalë dhe për të punuar për një tro higjen kulturore në Kosovë, pse jo edhe në Shqipëri dhe hapësira tjera kombëtare, nga papastërtia dhe shija e mbrapsht që e kanë vërshuar e mbërthyer kulturën kombëtare, atë që mban gjallë shpirtin e një kombi.

Janë shumë arsye të cilat të shtyjnë të mendosh se brenda organizmit të shpirtit të shqiptarëve, në Kosovë, por edhe jashtë, në hapësirat tjera shqiptare, vepron diçka e brishtë, nën substratin e së cilit zihen dëshira të ndryshme, naive, klanore, fisnore, grupore dhe më së paku universale: vlera dhe parime të cilat i njeh bota e moderuar perëndimore. Këtë e themi ngase shohim, çdo ditë e më tepër, në “kulturë” të marshojnë diletant, të cilët në vend se të bëjnë kulturë, bëjnë antikulturë. Në vend se të përafrojnë mentalitetin me botën civilizuar, e largojnë. Pra bëjnë bash antikulturë në kuptimin puro të fjalës. Këtë segment e hasim edhe në politikë, edhe në ekonomi, edhe në arsim e kudo jo tjetër. Veçanërisht në muzikën allaorientalosllave, pastaj nga “serialet e shumta humoristike” në të cilat të zihet fryma nga johigjenia kulturore dhe estetike që ngërthejnë në vete, pastaj një sistem arsimor i degraduar, etj. Këndej pari edhe krijohen hapësira për të prodhuar opinione të çoroditura nga çdo kush dhe atë në emër të kulturës. Në të vërtetë, nëse bën ndonjë analizë sado sipërfaqësore të disa hallkave kulturore, sheh qartë një përçudnim vlerash, një shije, që s’ka të bëjë asgjë më proklamimet perëndimore. Kjo çka ndodh me kulturën, është rruga më e mirë kundër integrimeve në Familjen Perëndimore. Në tersi, strukturat kulturore, të cilat në vend se të angazhohet për të promovuar një sistem vlerash kompatibile me Familjen Perëndimore, shkojnë në drejtim të kundërt dhe instalojnë mendësi bizantino-orientale.

E kemi thënë shpeshherë dhe po e përsërisim se kultura është ajo që na avancon në rrugën e përparimit si komb, është shpirti që i jep fizionomi turpit tonë kombëtar të sakatosur; është aduti i vetëm me të cilin mund të plasohemi në botën civilizuar perëndimore, në të cilën synojmë të integrohemi. Por me këso lloj “kulture”, ne jo vetëm që do vazhdojmë të vajtojmë mjerimin që na ka mbërthyer, por edhe do shtrojmë të njëjtat pyetje e dileme: Cili është atdhe ynë, ky që e jetojmë në mjerim, apo ai që e shohim në retorikën demagogjike të politikës?



(Vota: 5 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora