E marte, 18.06.2024, 12:54 PM (GMT+1)

Editorial

Enver Bytyçi: Spekulimi spektakolar me emrin e Martin Camajt

E marte, 12.07.2011, 08:04 PM


Spekulimi spektakolar me emrin e Martin Camajt

 

Nga Enver Bytyçi

eb_shqip@hotmail.com

 

Dje shtypi shqiptar është marrë me një ngulshmëri të pazakontë me një temë të rëndësishme për albanologjinë dhe jetën kulturore e shkencore shqiptare. Shefi i së ashtuquajturës “katedër e albanologjisë” pranë Universitetit “Ludvig Maksimilian” Bardhyl Demiraj ka bërë thirrje për “shtetet shqiptare”: “Shpëtoni katedrën e albanologjisë në Munih!” Termat që janë zgjedhur duket qartë se kishin të bënin me një spekulim spektakolar, duke përdorur deri thirrjen: “Mos lejoni të shuhet katedra e Camajt!”. Bardhyl Demiraj ka shfrytëzuar së bashku me një grup miqsh e shokësh të tij tubimin e 30 albanologëve të huaj e shqiptarë për të formuluar një thirrje sensibilizuese për opinionin publik dhe qeveritë e Tiranës e të Prishtinës, me qëllim që t’i shpëtojë falimentimit shkencor e, për pasojë, atij financiar të punës së kësaj katedre. Në mbështetje të tij kanë dalë dhe do të dalin shumë intelektualë dhe studiues nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia, ndër të cilët drejtori i Institutit të Gjuhësisë në Tiranë Shaban Sinani.

Fatmirësisht, e njoh dhe e kam ndjekur nga afër veprimtarinë e degës së albanologjisë pranë Universitetit të Mynihut. Kam qenë disa herë në këtë të ashtuquajtur “katedër”, rreth së cilës janë mbledhur ndoshta doktorantë që nuk e njohin gjuhën shqipe; kam marrë pjesë në sesione e konferenca shkencore, kam lexuar disa prej të ashtuquajturave “punime shkencore” të miqve dhe mikeshave të drejtuesit të saj. Për këtë arsye mora të shkruaj disa të vërteta të sipërfaqshme, të cilat përgënjeshtrojnë faktin se katedra e albanologjisë është një katedër “me nam” në Gjermani. “Nami” i saj është thjesht një perceptim i gabuar për ata që nuk e njohin nga afër, ose një spekulim për ata që janë të lidhur me interesa të caktuara klanore me këtë katedër. Po të ishte një katedër ku bëhej shkencë, ajo nuk do të lihej jashtë sistemit arsimor gjerman, parimi themelor i të cilit është cilësia e të bërit shkencë. Në Gjermani funksionon sistemi i universiteteve elitë. Janë gjithsej dhjetë të tilla. Ndër ta dhe universiteti “Ludvig Maksimilian” i Mynihut. Por universitetet elitë gjermane në principet e tyre nuk mund të mbajnë si apendicit të tyre katedra shkencore të nivelit mediokër, e cila më shumë sesa zbulime shkencore dhe punë shkencore bën zhurmë. Katedrat shkencore, së paku në Gjermani, nuk ndiejnë kurrë nevojën e mediatizimit të problemeve që kanë. Ato funksionojnë në bazë të rezultateve dhe argumentit shkencor që kanë prodhuar. Në Gjermani nuk funksionon metodologjia ballkanike e shqiptare e të bërit zhurmë. Atje funksionon vetëm logjika e të bërit punë dhe në rastin konkret shkencë. Pikërisht se kësaj katedre, që te ne na paraqitet si me nam të madh, i mungon aspekti shkencor, ajo mund të qëndrojë jashtë sistemit arsimor gjerman.

Kushdo që e njeh sistemin gjerman të arsimit, e di se në këtë vend financohen kurse, shkolla, shoqata të shumta, të cilat promovojnë kulturat jogjermane. Nëse katedra e albanologjisë në Mynih ka dalë nga ky sistem financimi, atëherë nuk është zor të kuptosh faktin se kjo katedër mund të jetë një katedër shkencore. Gjermania dhe gjermanët i respektojnë shumëfish shkencëtarët dhe punëtorët e shkencës, i financojnë pa asnjë hezitim ata dhe nuk reshtin për të evidentuar vlerat shkencore. Madje dhe gjysmë vlerat. Fakti që katedra e Mynihut është në prag të mbylljes shpjegohet me falimentin e saj shkencor.

Bardhyl Demiraj ka shkruar thirrjen patetike të tij dhe ia drejton shtetit shqiptar të Shqipërisë dhe shtetit shqiptar të Kosovës, jo për të shpëtuar katedrën e albanologjisë në Mynih, por për të vijuar punësimin e tij të pameritë si shef i një katedre që ka një imazh për shkak se atë e ka themeluar para 50 vjetësh Martin Camaj dhe për shkak se ajo është në një nga kryeqendrat e kulturës europiane, në Mynih. Janë këto dy elemente me të cilët ai spekulon në mënyrë fyese për shkencën dhe publikun shqiptar. Ai spekulon gjithashtu me perceptimin shqiptar, sipas të cilit një katedër albanologjie pranë një universiteti elitë në Gjermani dhe e themeluar nga një emër i njohur i letrave shqipe si Martin Camaj medoemos duhet shpëtuar nga falimentimi. Sipas kësaj logjike, gjithkush mund të ngrejë diçka të ngjashme në një nga vendet dhe kryeqytetet europiane, t’i vendosë emrin e Konicës, Camajt, Fishtës apo Kadaresë dhe thjesht për këtë shkak të arsyetojë financimin e veprimtarisë së tij nga “shtetet shqiptare”. Ky lloj arsyetimi është jofunksional në një shoqëri funksionale.

Bardhyl Demiraj, në vend që të mbante përgjegjësi për dobësimin deri në falimentim të katedrës së albanologjisë në Mynih, në letrën e tij hiqet si viktimë e një reforme në thelbin e së cilës qëndron cilësia, madje duket sikur e fajëson atë reformë. Por reformat gjithmonë janë procese që eliminojnë dobësitë e krijuara. Ai rendit në letër disa veprimtari dhe mburret me faktin se në to ka grumbulluar një grup të caktuar studiuesish, kryesisht shqiptarë, përfshirë dhe arbëreshët. Ndërkohë opinion nuk ka pasur asnjë mundësi të njihej me faktin se shumica e emrave që ai i ka aktivizuar bëjnë pjesë në rrethin e tij të ngushtë shoqëror, pa vendosur asnjë kriter shkencor të njëmendtë. Zoti Demiraj përmend në letër botimet që kanë bërë shtëpitë botuese në Tiranë, siç janë veprat e Camajt, por nuk përmend faktin se janë përjashtuar nga publikimi punimet shkencore për vetë veprën e Camajt.

Ndërkaq mund të arsyetojmë edhe për procesin e reformës në sistemin arsimor në Gjermani. Reforma të tilla janë bërë disa herë në 50 vjet jetë të katedrës së albanologjisë në Mynih. Sa kohë Martin Camaj ishte gjallë, nuk kishte ndodhur të diskutohej ekzistenca e saj. Dhe jam i sigurt se, po të jetonte i ndjeri Camaj, do të tmerrohej me praktikat e punës, të organizimit, të abuzimit dhe të të bërit “shkencë” të dr. Bardhyl Demirajt. Shumë prej pjesëmarrësve në veprimtaritë e zotit Demiraj janë zhgënjyer tej mase për shkak të nivelit të ulët të trajtimit dhe diskutimeve shkencore, përveç një numri të vogël injorantësh, të cilët shërbejnë si dekor në sallat e konferencave, edhe pse nuk dinë shkrim e këndim. Në të ashtuquajturat “konferenca shkencore” referojnë në të shumtën e rasteve studiues që mbajnë në dorë një copë letër me katër a pesë pika shënimesh dhe për këtë shpërblehen pa hesap nga drejtuesi i aktivitetit, autor i kësaj letre sensibilizuese. Sipas kësaj letre, shtetet shqiptare duhet të hapin thesin për të sponisorizuar diçka pa vlerë: thjesht përsëritjen e tezave shkencore që thuhen e stërthuhen në Tiranë, me qëllim që të paguhen biletat e avionit, hotelet dhe shpenzimet e tjera për rrethin e miqve dhe të shokëve të Bardhyl Demirajt. Nuk po përmend abuzime të tjera, kur grupi i klanit të tij ftohet të qëndrojë për dy ditë, por në fakt do të bënte pushime të gjata javore, këtë herë me paratë e “shteteve shqiptare”. 

Në letrën e tij zoti Demiraj përmend interesin kulturor dhe shkencor, ndërkohë që nuk e pranon faktin se kësaj katedre i mungon pikërisht aspekti shkencor e për këtë arsye Universiteti i Mynihut nuk dëshiron që ta ketë si pjesë të tij. Ndërkohë, nëse shtetet shqiptare do ta financonin këtë katedër, përsëri ajo nuk do të ishte më pjesë e universitetit të Mynihut. Sepse në Gjermani nuk mund të bëhen pjesë e një universiteti që prodhon shkencë mediokritete që mbahen gjallë me paratë e taksapaguesve shqiptarë. Nëse do të mbahej gjallë kjo katedër në gjendjen e tanishme, do të ishte thjesht një instrument i ashtuquajtur “shkencor” në duart e një grupi manipulatorësh, të cilët pas Camajt nuk kanë punuar asnjë ditë për ngritjen shkencore të kësaj katedre, por për interesat e ngushta personale e grupore. Shkenca nuk përjashtohet asnjëherë nga auditorët e universiteteve në vende të tilla, ku ka lindur dhe promovuar ajo, siç është Gjermania.

Duke lexuar letrën e Demirajt, të shfaqur nga disa gazeta edhe si letër e 30 albanologëve të huaj e shqiptarë, vihet re dukshëm një spekulim spektakolar, por edhe i lexueshëm dhe i pamoralshëm. Nuk mund të kërkohet diçka në emër të një personaliteti kur vetë nuk ke bërë asgjë shkencore për t’u shënuar në mendimin shkencor të universitetit ku je atashuar. Nëse nuk prodhon shkencë, edhe pse prodhon “doktorë” e pa punime shkencore, siç ka ndodhur me këtë katedër, atëherë nuk ka më asnjë arsye që të bësh viktimën. Pikërisht ky lloj imoraliteti, i përdorur jo pa efektivitet në shumë raste nga kallëpe të tilla me grada e tituj shkencorë, e dëmton albanologjinë dhe shkencën albanologjike shqiptare. Katedra e albanologjisë në Mynih, fatkeqësisht, ka vepruar si katedër jashtë sistemit shkencor universitar, me disa atribute specifike. Këto atribute specifike, sidomos në menaxhimin e katedrës, nuk mund të jenë të pranueshme në sistemin universitar në Gjermani. Ato bëhen të refuzueshme veçmas në një proces reformimi, çka po ndodh aktualisht në këtë vend. Ndërkaq drejtuesi i saj, në vend që ta lartësonte Martin Camajn dhe emrin e albanologjisë në Gjermani, me inkompetencën e tij shkencore dhe intelektuale ka bërë të kundërtën: e ka degraduar katedrën e albanologjisë deri në atë masë sa ta nxjerrë jashtë sistemit universitar gjerman. Ai në letër mburret se paska lauruar Martin Camajn për dekoratën “Nderi i Kombit”. Por të tilla veprimtari më duket se janë atribute edhe të shoqatave joqeveritare. Të tilla mund të bëjë dhe një shoqatë me analfabetë, mjafton që njëri prej tyre të ketë mbaruar 8-vjeçaren. Dhe nëse katedra e albanologjisë do të funksionojë në të ardhmen si shoqatë, atëherë ajo mund të mbijetojë njësoj siç mbijetojnë të gjitha OJQ-të në botë. Duke spekuluar me këto atribute në pranimin e doktorantëve dhe studentëve, pa u dhënë atyre as minimumin e dijeve shkencore që duhej të jepte një katedër shkencore universitare, janë kapërcyer kufijtë e sjelljes morale e shkencore të drejtuesit të saj në panik. Implikimi ose përpjekja për të implikuar shtetet shqiptare në këto lloj historish është gjithashtu e pamoralshme dhe madje duket si një cinizëm i pamerituar.

Megjithatë, unë jam i mendimit që një katedër albanologjike në Mynih apo diku tjetër në Europë të jetësohet, të mbështetet, të financohet qoftë dhe nga dy shtetet shqiptare ose nga të gjitha shtetet europiane. Nëse do të mbështetej shkenca dhe jo mediokriteti shkencor, ia vlen që taksapaguesit shqiptarë të paguajnë për një katedër të tillë. Nëse vijon edhe më tej të spekulohet me shkencën, me emrin e Martin Camajt, me “paudhësinë” e shtetit gjerman, reforma e të cilit e lë jashtë sistemit universitar katedrën e albanologjisë në Mynih, nëse vijohet edhe më tej roli i viktimës pa mbajtur kurrfarë përgjegjësie për punën dhe detyrimet si drejtues, atëherë unë, njëri prej taksapaguesve të këtij vendi, nuk do të doja të shpenzoja asnjë cent në dobi të mashtrimit, spekulimit dhe imoralitetit.



(Vota: 4 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora