Editorial » Shkreli
Frank Shkreli: Shkodra nderon Profesor Sami Repishtin
E merkure, 03.08.2011, 08:04 PM
Shkodra nderon Profesor Sami Repishtin
Nga Frank Shkreli
Njoftohet se Këshilli Bashkiak i qytetit të Shkodrës vendosi kohët e fundit që një rrugë e këtij qyteti historik të kombit shqiptar të mbajë emërin e birit të saj në mërgim, Profesor Sami Repishtit.
Megjithëse ky vendim i Bashkisë së Shkodrës nuk më habiti, kur të merret parasyshë veprimtaria e gjatë të Profesor Repishtit në diasporë, në favor të të drejtave të shqiptarëve, si edhe vuajtjet e tija në ferrin e burgjeve komuniste të Enver Hoxhës. U kënaqa pa masë dhe më erdhi aq mirë që një shqiptar i mërgimit, sic është Profesor Repishti -- viktima koshiente e terrorit komunist në Shqipëri dhe mbrojtësi i të drejtave të shqiptarëve nga katedrat universitare amerikane dhe në zyrat më të larta të qeverisë amerikan -- nderohet në këte mënyrë nga vendlindja e tij, për të cilën punoi ditë e natë dhe me përkushtimin e një patrioti të vërtetë.
Nuk e kam në mend që të rrjeshtojë veprat, shkrimet, intervistat, fjalimet, konferencat dhe dëshmitë e dhëna nga Profesor Repishti -- nepër qendrat akademike amerikane e deri tek Shtëpia e Bardhë e Kongresi amerikan gjatë viteve, në mbrojtje të interesave kombëtare, pasi bota shqiptare në përgjithësi njeh mirë veprimtarinë e Profesorit. Por deshta të përshëndes mikun tim Profesor Repishtin për nderin që i bëri Shkodra dhe të uroj dhe të falenderoj Bashkinë e Shkodrës për vendimin fisnik që mori për të emëruar një rrugë të këtij qyteti, ''Rruga Profesor Sami Repishti''.
Dua të përshëndes mikun tim Sami Repishtin si njërin prej atyre shqiptaro-amerikanëve që besonte se dashuria për Amerikën mundej dhe duhej të këthehej në shërbim të interesave të kombit shqiptar. Profesor Repishti ishte njëri ndër personat më të rëndësishëm të komunitetit që informoi publikun amerikan si dhe Uashingtonin zyrtar, gjatë gjysëm shekullit të kaluar, mbi gjëndjen e mjerueshme të shqiptarëve nën regjimin komunist të Enver Hoxhës dhe mbi gjenocidin e ushtruar nga sllavo-komunistët kundër shqiptarëve në Kosovë dhe në troje të tjera nën ish-Jugosllavinë.
Bashkia e Shkodrës nderon, pra, njërin prej eksponentave kryesorë të komunitetit shqiptaro-amerikan që njeh shumë mirë shoqërinë amerikane dhe botën shqiptare, dhe i cili ka punuar për forcimin e marrëdhënjeve midis kombit amerikan dhe kombit shqiptar, si një garanci për një të ardhme më të ndritur të kombit shqiptar, që ai të zëjë vendin që i takon në radhët e kombeve të përparuara të botës perëndimore. Sot, si edhe më parë gjatë gjithë karjerës së tij, Profesor Repishti gjithmonë e përdori këtë njohuri vetëm për të mirën e kombit shqiptar. Duke nderuar Profesor Repishtin, Shkodra nderon të gjithë komunitetin shqiptar në Amerikë. Komuniteti shqiptaro-amerikan është krenar me nderimin që iu bë Samiut nga Bashkia e Shkodrës, pasi ai vet është personifikimi i komunitetit shqiptaro-amerikan si edhe shembull i mundësive të mëdha intelektuale dhe i forcës morale dhe shpirtërore që ky komunitet ka në gjirin e tij. Me sakrifica e flijime personale, Profesor Sami Repishti, duke u bazuar në traditën dhe trashëgiminë shpirtërore dhe morale të kombit tonë, ështe prijës në veprimtarinë e komunitetit shqiptaro-amerikan, i cili vazhdon të mbajë lartë lavdinë e kombit shqiptar në botë.
I shtyrë nga një dinamizëm amerikan, bile edhe në moshë të shkuar, ai sot e kësaj dite, nuk pushon së punuari në interes të kombit, i përkrahur nga rrethi i vjetër por edhe i admiruar nga dashamirë të ri të komunitetit, Profesor Repishti gjithnjë shkruan dhe merr pjesë në manifestime, darka e celebrime të komunitetit shqiptar në Amerikë -- një shembull i gjallë e frymëzues për brezin e ri. Ai është dekan i të drejtave të njeriut i komunitetit, i cili si antar i organizatës ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, Amnesty International, me dekada, ka zhvilluar veprimtari në mbrojtje të të drejtave të njeriut, jo vetëm në Shqipëri e në Kosovë, por edhe anë e mbanë botës.
Prandaj i dashur Sami, megjithëse të njoh si njeri modest, ke arsye të jeshë krenar për nderin që të bëri vendlindja jote Shkodra -- për veprat dhe shkrimet e shumëta tuat, qëllimi i të cilave gjithmonë ishte dhe është për të ngritur ndërgjegjen e botës ndaj padrejtësive dhe vuajtjeve të shqiptarëve, si edhe për vuajtjet tua në burgjet komuniste shqiptare, ku ke qenë dëshmitar arrestimesh, burgosjes, ekzekutimesh pa gjygj dhe lloj-lloj ushtrimesh të terrorit komunist kundër bijve e bijave më të mirë të Shkodrës e të mbarë Shqipërisë. Jeta jote është një thesar i çmueshëm i kombit, një shembull për tu ndjekur e lavdëruar. Këtë shembull e njohu Shkodra loce me dashuri, për njërin prej bijve të saj më të mirë.