E diele, 28.04.2024, 06:10 PM (GMT+1)

Editorial

Lis Bukuroca: Parandalim ose kaos

E shtune, 20.08.2011, 07:05 PM


 

Parandalim ose kaos

 

Nga Lis Bukuroca

 

Regjistrimi duhet parandaluar para se t‘ i jepen Greqisë “fakte” në dorë, me të cilat ajo mund ta shantazhojë shtetin shqiptar ose ta dhunojë integritetin e vendit. Censusi duhet evituar me çdo kusht, sepse po bëhet regjistrim jo sipas interesave të vendit,  por sipas planeve dhe dëshirave greke. Greqia nuk bën një regjistrim të tillë, nuk ka bërë, por urdhëron Kryeministrin shqiptar ta bëjë këtë. Ne nuk dimë sa arvanit jetojnë atje. Sali Berisha do ta shndërrojë jugun në vend eksploziv, si Tadiçi  veriun e Kosovës. Dyzetmijë serb në veri mbajnë Kosovën peng. Edhe grekët po përgatiten. Edhe ata kanë pas vete Akademinë e Athinës, si dje Serbet Akademinë e Beogradit. Edhe ata kanë popët e vet që manipulojnë popullin. I njëjti rrugëtim, e njëjta ideologji dhe popët në rend të parë me tasa në dorë, qoftë para cungave, qoftë para busteve, qoftë duke spërkatur kriminel e armë me ujë të bekuar. Perversion që nuk mund të gjendet sot te asnjë kishë perëndimore! Kishat e privatizuara greke dhe serbe, janë grupime ultra-nacionaliste, ultra-ortodokse, ekstremiste dhe nuk merren me religjion, por me politikë. Aty ku protestojnë dhjetë veta, shfaqet menjëherë  popi duke tërhequr pas fustanin e zi. Ato dy kisha janë organizata politike dhe nuk kanë asgjë të përbashkët me doktrinën krishtere. Ato nuk merren me religjion, por popët mjekërbardhë e mjekërzinj, bëjnë politikë të zezë dhe përgatisin luftëra. Ata edhe fitojnë nga vdekja. Nuk është me rëndësi a fiton shteti i tyre, me rëndësi të vdiset. Varrimet sjellin përfitime. Është iluzion të besohet se një pop që bekon tanke, cunga e buste, banka e biznese, të jetë i krishterë. Krishti  ndalonte edhe  vrasjen e pushtuesve romak në atdhe. Krishti u falte vrasësve të vet nga kryqi dhe ua tregoi vendin të pasurve, atij soji, që sot bekohen nga popët. Ato dy kisha, janë kisha antikrisht, profane dhe ofendim për Jezu Krishtin.

 

Merreni me mend Krishtin duke bekuar një tank

Merreni me mend Krishtin duke bekuar një bankë ose një biznes

Merreni me mend Krishtin duke bekuar një bandë të armatosur

 

Nuk mund të përfytyrohet? Te kisha e privatizuar serbe, po. Te kisha e privatizuar greke, po! Ata, aq shumë kanë keqkuptuar Krishterimin, sa shumë prej tyre besojnë se Jezu Krishti ishte serb, respektivisht grek! Kujt i besojnë këta popë? Këta i besojnë parasë, nacionalizmit, politikës dhe vdekjes. E çka thoshte Biri i Zotit pak para se të shkonte në qiell: “ O atë, fali se nuk dinë ç’ po bëjnë!” E ç’ ka thonë këta popë: “ O atë, bekoi paratë dhe armët e bashkëkombësve të mi për ta vrarë të afërmin!” Ankth dhe paranojë e pafund!

Nejse, t’ i kthehemi oborrit tonë: Popi tjetër, apo hoxha, dreqi nuk din se çka është, i joni, që solli Janullatosin me tre grek tjerë në krye të Kishës Autoqefale Shqiptare, Sali Berisha, nuk qeverisë Shqipërinë, por manipulon dhe cenon sovranitetin e vendit. Dhe, kopeja e demokratëve, miratoi ligjin, që rrezikon  Korçën dhe Gjirokastrën, që nacionalistët grek me ndihmën e popit, duanë t’ i shndërrojnë në “Vorio-Epir”.

Pse sillet Greqia kështu? Ajo dinë se duke shfaqur pretendime territoriale, do t’  i mbështeste për muri nacionalistët shqiptarë dhe në vend se të dëmshpërblejë për Çamërinë, do të vajtohet jugu. Pas përmbarimit të këtij akti, pasi të shndërrohet Shqipëria në një shtet fragjil, ndoshta edhe e zvogëluar, Sali Berisha do të mbetet në pushtet me mbështetjen  e gardës dhe Greqisë, ashtu si mbeti Zogu: me bashibozukë dhe Serbinë pas vete. Dallkaukët tanë sigurojnë pushtetin vetëm duke falur troje dhe duke u mbështetur prej atyre që kanë pretendime territoriale dhe ujore.

Nuk ka dyshim se numri i grekëve do të rritet. Për këtë ka vite që kujdeset Janullatosi, konsulli grek dhe Qeveria greke. Nuk ka dyshim se njerëzit nga nevoja do të deklarohen si grek. Prindi mund ta refuzojë denacionalizimin, por nëse fëmijët e tij kanë uri, ai do të pranojë të shkruhet edhe dreq, mjafton t’ i shohë ata të ngopur. Disa do të shpresojnë se marrin  nga treqind euro në muaj, si të tjerët deri tani. Nëse këtë herë mbyllim sytë, atëherë do të gdhihemi me probleme më të mëdha, se sa që i kemi sot. Administratorin e Kishës Autoqefale Shqiptare,  duhet ekstraduar dhe ajo të drejtohet nga një ortodoks shqiptar. Ashtu si duhet dëbuar edhe Oliver Ivanoviçi nga Kosova. Pas njëzet viteve, nuk mund të përligjet drejtimi i Kishës Shqiptare nga  një i huaj, që urren gjuhën shqipe dhe kombin shqiptar.

Regjistrimi i popullsisë duhet mbajtur pas integrimit në BEE dhe pasi Greqia të braktisë forcat separatiste në jug dhe pasi të kujdeset për gjendjen e vet ekonomike, ku mbi dy të tretat (sipas shtypit gjerman) nuk paguajnë tatime.

Nëse ky regjistrim duhet mbajtur patjetër, atëherë para se të nisë, të deklarohet Kryeministri shqiptar dhe ai grek, se rezultati nuk do të shfrytëzohet për autonomi territoriale apo ndryshimin e kufijve. Meqenëse është paradoksale dhe e çuditshme t’ i besohet Sali Berishës, atëherë të  kërkohet garanci për integritetin e vendit nga: SHBA-të, Gjermania, Anglia, dhe Franca. Nëse regjistrimi bëhet pa këtë dorëzani, atëherë askush nuk mund ta parashikojë gjendjen pas regjistrimit.

Ata që mendojnë se Greqia për shkak të BEE-së nuk mund të pushtojë troje shqiptare, atyre duhet rikujtuar Qipron: Greqia dhe Turqia janë në NATO, por njëra copëtoi tjetrën! Duhet rikujtuar diskriminim shqiptar në Maqedoni me bekimin e BEE-së. Europa nuk do t’ i prishte marrëdhëniet me Greqinë për disa qytete shqiptare.

Regjistrimi  duhet pezulluar para se të shkaktohet dëmi. Kjo detyrë i takon grupimeve të reja, ndoshta Aleancës Kuqezi, sepse është dëshmuar se opozita nuk ka aq fuqi, energji, ide dhe vullnet, sa ka Sali Berisha për të mbetur në pushtet. Është krijuar hapësirë për krijimin e një aleance të re shqiptare, e një partie që mbron interesat e popullit.

Zgjedhjet e ardhshme

Partitë opozitare të deklarohen qysh tani dhe të zotohen publikisht se nuk do të dalin në zgjedhjet e ardhshme. Marrja pjesë është tallje, që i bëhet popullit dhe vullnetit të tij. Mund të miratohen qindra ligje, Sali Berisha do t’ i gjejë mijëra mënyra për t’ i manipuluar ato dhe për ta shpallur vetën fitues. Sali Berisha nuk guxon të zbresë nga pushteti! Ai e dinë se do të ndiqet penalisht. Partitë politike duhet të marrin pjesë vetëm pasi të jetë shqyrtuar drejt përgjegjësia për të vrarët në Gërdec dhe pasi të jenë arrestuar fajtorët.

Partitë opozitare duhet të marrin pjesë në zgjedhjet e ardhshme vetëm nëse arrestohen hajnat  e 220 milion eurove. Ato nuk i ka marrë vetëm Saliu dhe Luli, por janë ndarë në mes shumë vetave dhe, me atë shumë të madhe, mund të blihen edhe së paku njëqind vendime gjyqësore.

Partitë opozitare nuk duhet të marrin pjesë në zgjedhjet e ardhshme, pa u burgosur ai që dha urdhrin dhe ata që vranë katër shqiptarë jashtë oborrit të Kryeministrisë.  Në komunizëm pushteti vriste njerëz dhe nuk dënohej askush, kjo nuk guxon të lejohet edhe në demokraci.

Dënimi i dashit me vdekje, duke i prerë qafën në mes të qytetit me një thikë të madhe, nuk është vetëm simbolikë, por është edhe mesazh; “ne për pushtet vrasim njerëz, kafshëve ua presim qafën në mes të rrugës dhe kështu festojmë fitoren e dyshimtë dhe vdekjen e sigurt të të parëve.” Kjo ishte arsyeja pse u spërkat me gjak të nxehtë bashkia e Tiranës. Për pushtet u spërkat me gjak shqiptari edhe rrethoja e Kryeministrisë.

Si mund të rrëzohet katraligu, Sali Berisha? Me protesta paqësore, që duhet të zgjasin më shumë se sa mund t’ i përballojë ai. Jo të drejtuar nga opozita, sepse ajo mbledhë vetëm elektoratin e vet, por nga Aleanca Kuqezi, që do ta tubonte popullin. Koloneli Myslim Pasha zmbrapsi një herë  shitjen e detit. Tani, për integritetin e vendit, nuk mjafton një njeri, duhet populli. Nëse nuk pengohet kjo nismë, atëherë do të merremi me llogaritjen e dëmit apo do të kemi një kaos të madh dhe kjo do t’i kushtojë shumë popullit dhe ekonomisë kombëtare. Integrimin në BEE  mund ta harrojmë në njëzet vitet e ardhshme. Në Ballkan dhe Europë, ka shumë njerëz, që mezi presin destabilizimin e Shqipërisë. Me këtë regjistrim, sipas urdhrave greke, destabilizimi do të jetë i përkryer! Mirëpo, ka edhe një alternativë tjetër: të flemë si deri tani, e ndoshta Saliu mëshirohet me ne e nuk i falë aq shumë tokë e aq shumë det, sa kemi frikë ne! A i meritojnë popujt qeveritë, që i kanë? Po, mirëpo me një kusht. Vetëm nëse nuk janë vjedhur votat.



(Vota: 6 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora