E marte, 15.10.2019, 02:46 PM (GMT+1)

Aktualitet » Bota

Kur djali i Al Kapones kërcënonte Ted Kenedin me jetë

E enjte, 04.08.2011, 06:26 PM


“Nëse Ted Kenedi vazhdon që të bëjë budallain, do të ketë edhe ai atë që meriton”. Është vera e vitit 1968 dhe kanë kaluar fare pak javë nga vrasja e Bob Kenedit, vëllait të Presidentit të vrarë amerikan, Xhon Kenedi, tragjedi që ndodhi 5 vite më parë. Dhe kjo fjali, që i adresohet vëllait të tretë të mbetur gjallë të Kenedëve, është shqiptuar në një telefonatë të bërë nga Sony Capone, i biri i Al Kapones, ose i mbiquajtur ndryshe “Brumbulli”. E ka pasur gjuhën më të zgjidhur se zakonisht dhe ndoshta kjo ka ngjarë për shkak të efektit të pijes. Por janë katër dëshmitarë që në atë çast ndodhen në një restorant në Florida dhe që e dëgjojnë së largu këtë frazë kërcënuese në adresë të Kenedit. Njëri prej tyre lajmëron FBI-në, e cila edhe pse ishte në dijeni të kësaj situate, nuk e mori mundimin që të çelte asnjë çështje apo hetim. 43 vjet më pas, një fakt të tillë të rëndë dhe të turpshëm për vetë FBI-në e nxjerr në dritë gazeta “Boston Globe”, pasi ka përdorur ligjin “Për lirinë e informacionit”, që i ka mundësuar gazetarët të detyrojnë FBI-në që të çelë arkivat e saj në lidhje me çështjet Kenedi. Dhe nga kjo del në dritë pista e një komploti në të cilin ka qenë përfshirë mafia, e cila ka pasur lidhjet e saj në shërbimet sekrete në polici. Kjo është një nga dëshmitë më të qarta në lidhje me të vërtetën ende të padalë në dritë të çështjes Kenedi.

 

Pasi përfaqësoi në Senat shtetin e tij të lindjes, Masaçusesin nga viti 1962 deri në vitin 2009, pasi mori rolin e atit dhe liderit historik të së majtës demokrate amerikane, Ted u shuajt nga një tumor i rëndë në kokë dy vjet të shkuara. Por sipas dokumenteve të gazetës së sipërpërmendur, del se edhe vëllai i tretë i Kenedëve i mbetur gjallë, është kërcënuar me vrasje dhe ka jetuar nën kërcënimin e vazhdueshëm të atentateve. FBI dhe shërbimet sekrete kishin grumbulluar shumë fakte dhe prova të atentateve të mundshme ndaj tij, përfshirë edhe një pistë misterioze që shkonte deri tek Kuba e Fidel Kastros. Sipas dokumenteve, përshkallëzimi i kërcënimeve erdhi kur Ted doli si kandidat për presidentin amerikan nga ana e demokratëve në vitin 1980. Por episodi më interesant është ai në të cilin ishte përfshirë Sony Capone. Sipas arkivave të FBI-së, konfirmohet se ai jetonte në zonën ku ishte lokalizuar telefonata e sipërpërmendur, që u bë në verën e vitit 1968. Dëshmitari që telefonoi në zyrën e FBI-së së Majemit dha edhe emrat e tre personave të tjerë që kishin dëgjuar pjesë të bisedës telefonike. Në kohën kur bën fjalë kjo histori, Al Kapone kishte vdekur që prej 20 vjetësh, pra në vitin 1947, i rrethuar nga familjarët e tij në shtëpinë që kishte në Majemi. I biri i tij, Alberty Francis, i ashtuquajturi Sony, nuk ndoqi gjurmët e të atit si bos mafioz. E vetmja njollë e tij në dëshminë e penalitetit është një grabitje që kishte bërë në të ri në një dyqan. Por ndërkohë, përveçse trashëgoi nga i ati një sifiliz të rëndë, ai trashëgoi edhe një sërë lidhjesh me njerëz të fuqishëm dhe të rëndësishëm  të ‘Cosa Nostras’. Dhe pikërisht kjo e bën të çuditshëm faktin se përse FBI nuk arriti që të bënte asnjë lloj kërkimi apo përpjekjeje për të ndjekur apo hetuar Sony-n pas informatës që mori në lidhje me telefonatën. Gjithsesi, sado i vonuar qoftë, është një episod që do të vazhdojë që të pasurojë edhe më shumë dosjen tashmë të pasur dhe të madhe të paqartësive të shumta që kanë lidhje me vrasjen e Presidentit amerikan, Kenedi dhe të vëllait të tij, Bob. Kjo është një e dhënë më shumë për të gjitha ato teori sipas të cilave Kenedi nuk u vra nga në bastard paranojak, por nga një plan i hollësishëm dhe i mirëorganizuar i njerëzve që nuk i donin ndryshimet për mirë, flamurtar i të cilave Kenedi dhe vëllai i tij u bënë.

 

Shpjegimet zyrtare flasin se Presidenti Kenedi u vra në 22 nëntor  të vitit 1963, në Dallas, nga një njeri i vetëm, Lee Harvey Oswald. Për sa i takon vëllait të tij, Bob, edhe ai sipas burimeve zyrtare thuhet se ishte viktimë e veprimit vetmitar të një të çmenduri, Sirhan Sirhan, në 5 qershor të vitit 1968. Por që në fillim këto versione zyrtare u kundërshtuan, dhe madje me prova. Në rastin e John, komisioni ‘Warren’ e përgënjeshtroi në vitin 1964 pistën e një komploti, por më pas ky vendim u kundërshtua nga një sërë komisionesh dhe hetimesh që pasuan.

 

Thuajse një gjysmë shekulli distancë nga këto ngjarje, sondazhet vazhdojnë që të thonë se 70% e amerikanëve nuk i ka besuar dhe nuk i besojnë aspak versioneve që ka dhënë shteti deri më tani për vrasjen e Kenedit dhe vëllait të tij, Bob. Ndër pistat alternative të hetimit në lidhje me këto vrasje që kanë tronditur jo vetëm Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por të gjithë botën, njëra është më këmbëngulëse dhe bëhet fjalë për pistën e mafies. Arsyeja në një rast të tillë do të ishte shumë e qartë: me të mbërritur në Shtëpinë e Bardhë, Xhon emëroi të vëllain e vet, Bob ministër të Drejtësisë dhe ky i fundit ndërmori fushatën më të ashpër dhe më të fortë deri më atëherë kundër krimit të organizuar, duke vënë në shënjestër të hetimeve dhe të gjyqeve  në mënyrë të veçantë mafien italo-amerikane. Me Bob në Departamentin e Drejtësisë, numri i procedimeve anti-mafia u shtua, madje u shumëfishua 12-fish krahasuar me administratën e mëparshme.  Ndër bosët mafiozë që kanë pasur armiqësi me Kenedët ka qenë Jimmy Hofa, Carlos Marcello, Sam Giancana, Jony Roselli e të tjerë. Por para skupit të gazetës “Boston Globe”, deklarata më e fundit në lidhje me vrasjen e Kenedëve lidhet me vitin 2006, kur sipas arkivave të tjera të FBI-së doli në dritë një konfesion i detajuar i Carlos Marcello në lidhje me rolin e tij në organizimin e vrasjes së Xhon Kenedit.

 



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora
PËLLUMB GORICA: MURET CIKLOPIKE QË SFIDOJNË SHEKUJT