Shtesë » Lajme
Edhe shqiptarët e Skënderbeu, në manifestin e terroristit të Oslos. Është mbështetur nga dy celula të tjera
E hene, 25.07.2011, 07:31 PM
U paraqit sot për herë të para para gjyqit, ai që tashmë quhet “terroristi i Oslos”, norvegjezi Anders Behring Breivik, autor i dy atentateve të së premtes së kaluar, shkaktar i mëse 76 vdekjeve. Gjyqi zhvillohet me dyer të mbyllura, për të mos i dhënë terroristit mundësinë ta konsiderojë veten një farë “heroi” përbindësh. Madje, në kundërshtim me kërkesën e terroristit, gjykatësi urdhëroi që Breivik të mos ketë asnjë kontakt me shtypin. Në audiencën e sotme, Breivik deklaroi se në ishullin Utoja, dëshironte të vriste ish-kryeministren norvegjeze Gro Harlem Bërtlend, quajtur prej tij në manifest si “vrasëse e vendit”. Ish-kryeministrja mbajti një fjalim në ishull pak para se të mbërrinte aty Breivik. Gjithashtu, ai tha se ekzistojnë edhe dy celula të tjera ekstremistësh, të cilat e kanë ndihmuar për realizimin e atentateve. Ligji norvegjez parashikon tetë javë paraburgim, nga të cilat, sipas vendimit të sotëm, katër të parat, Breivik do t’i kalojë në izolim të plotë.
Në manifestin e tij në internet flitet gjerësisht për Shqipërinë e Kosovën, duke përshkruar me imtësi hyrjen e islamizmit, pas vdekjes së Skënderbeut, i cili edhe për Breivik është hero evropian i krishterimit. Ai shprehet me përbuzje për shqiptarët myslimanë kudo që janë, duke marrë të dhëna nga faqet ekstremiste serbe të internetit për të justifikuar tezat proserbe në dëm të shqiptarëve. Sipas tij, shqiptarët, sidomos në Kosovë e në Maqedoni kanë qenë bashkëpunëtorë të nazizmit dhe aktualisht, janë terroristë, që bashkëpunojnë me Al Kaedën. Aq i bindur është Breivik për tezat serbe, saqë deklaron hapur se është nxitur për këtë lloj terrori në Oslo dhe në ishullin Utoja, nga bashkimi i Norvegjisë me vendet e NATO-s në vitin 1999, për bombardimet kundër Serbisë, gjatë luftës së Kosovës. “Ishte i kundërshtueshëm fakti – shkruan ai në manifestin e vet, i cili mund të gjendet në internet – që regjimet amerikane dhe të Evropës Perëndimore bombarduan vëllezërit tanë serbë. Gjithçka dëshironin serbët ishte të zmbrapsnin Islamin, t’i kthenin myslimanët shqiptarë në Shqipëri”.
Nga ana tjetër, 32 vjeçari norvegjez i mbron çamët myslimanë kundër grekëve, të cilët i akuzon se i kanë shpërngulur çamët me forcë. Shqiptarët e sotëm, sipas Breivik, janë antievropianë dhe të pagdhendur. “Kujdes kur i ndeshni – sinjalizon ai – ata mund t’ju grabisin”. Terroristi analizon edhe partitë shqiptare, që sipas tij nuk janë islamike, duke përmendur Partinë Demokristiane dhe Bashkimin për të Drejtat e Njeriut.
Ndërkaq, në Norvegji, kanë bërë jehonë fjalët e Papës në Lutjen e Engjëllit të Tënzot dhe thirrja e tij për t’u larguar nga urrejtja. Kujtojmë se Breivik kërcënon hapur edhe Benediktin XVI në manifestin e vet, si të shitur të myslimanët. Ndërkaq, disa media e kanë quajtur atentatorin e Oslos “fondamentalist të krishterë”. Në të vërtetë, kemi të bëjmë me një person të çekuilibruar, të ndërlikuar, pavarësisht se me një kulturë jo të paktë. Cili është pra Anders Behring Breivik? Të dëgjojmë studiuesin italian të feve, prof. Masimo Introvinje, përfaqësues i OSBE-së për luftën kundër racizmit dhe diskriminimit antikristian:
Tani është bërë e qartë gjithçka: doli një komunikatë e Lozhës së Madhe të Norvegjisë, Masonerisë pra, që konfirmon se Breivik ishte mjeshtër mason në Oslo, shumë aktiv në atë urdhër, i cili nuk është përgjegjës për masakrën. Breivik na ka lënë shumë: na ka lënë një libër prej 1500 faqesh, përveçse një seri shkrimesh në faqet e internetit, nga të cilat mund t’ia kuptojmë idetë. Atë e dominon urrejtja për Islamin dhe mbrojtja e traditës evropiane, traditë në të cilën bën pjesë edhe krishterimi, por sipas tij, më tepër si trashëgimi kulturore se sa si fe e gjallë. Breivik u drejtohet të gjithë atyre që, në një farë mënyre, mund të jenë kundër myslimanëve, për t’i mobilizuar. Kështu, kontakton ateistët e organizuar, paganët e rinj e madje, edhe satanistët. Për ironi të fatit, është pikërisht një ministër i Kishës sataniste, që në Norvegji njihet nga ligji, personi, që e ka vendosur në internet manifestin 1500 faqësh të Breivik.
Çfarë personaliteti del nga ky manifest?
Ky “libër” në internet na tregon për një person të kulturuar, megjithëse lexon kuturu, pa një plan. E dimë se në familjen e tij kishte politikanë e diplomatë. Fatkeqësisht, ishte edhe një familje me divorce të dyfishta e Breivik kalonte nga një prind tek tjetri. Ka frekuentuar një shkollë elitare, por i kishte mbetur konfuzioni për identitetin e vet: në mënyrë natyrisht patologjike, ua vishte të gjitha problemet e tij, të gjitha problemet e botës e të historisë myslimanëve.