E premte, 26.04.2024, 06:08 PM (GMT+1)

Faleminderit

Begzad Baliu: Josif Bageri - rilindasi i dy rilindjeve

E merkure, 06.07.2011, 07:58 PM


JOSIF BAGERI: RILINDËSI I DY RILINDJEVE

 

Nga Begzad Baliu

 

Rezyme: Portreti i Josif Bagerit, brenda dy rilindjeje kombëtare (shqiptare dhe maqedonase, në njërën anë) dhe dy rilindjeve shqiptare (në fillim të shekullit XX dhe në fillim të shekullit XXI), si dhe veprimtaria e tij politike, atdhetare, shoqërore, letrare, në Sofje dhe hapësirën shqiptare, janë llozi  i kërkimit dhe sintezës sime në këtë kumtesë. Brenda portretit të tij dua të identifikoj vlerat etnike dhe etnografike të fshatit dhe krahinës së tij, reflektimit të personalitetit dhe krijimtarisë letrare të Naim Frashërit në jetën dhe krijimtarinë e tij, konceptet politike dhe iluministe të tij për gjuhën shqipe, shkollën, dijen, hapësirën shqiptare duke përfshirë këtu edhe Kosovën etj.

Fjalët nyje: Josif Bageri, Rilindja Shqiptare, Rilindja Maqedonase, shkolla shqipe, gjuha shqipe.

    

Parantezë

Në historinë e popullit shqiptar janë disa periudha, personalitete dhe breza të cilat në një mënyrë apo një tjetër e përsërisin njëra – tjetrën, nga njëri qindvjeçarë në tjetrin, nga njëri fenomen në tjetrin apo edhe nga njëra dukuri në tjetrën, por zor të gjesh një rast të ngjashëm me fatin e Josif Bagerit, të ndryshëm mbase me fatin edhe të brezit të tij që në Lëvizjen Kombëtare Shqiptare përpiqeshin të sendërtonin ëndrrat e tyre e të brezit të tyre mbi konceptet e patriotëve pararendës të Rilindjes Kombëtare.

Me jetën dhe veprën e Josif Bagerit dëshiroj që këtu të merrem duke e parë atë në kontekst të zhvillimeve historike të hapësirës kombëtare, ballkanike dhe ndërkombëtare në fillim të shekullit XX. Josif Bageri e fillon veprimtarinë e tij patriotike në kulm të zhvillimit të mendimit politik, ushtarak dhe kulturor e identitar të popullit shqiptar, në kulm të rilindjes maqedonase, por njëkohësisht edhe në periudhën kur Perandoria Osmane tashmë kishte filluar të rrënohej ekonomikisht dhe ushtarakisht, e kjo do të thotë në kohën kur disa nga popujt e saj kishin fituar autonominë e tyre, shqiptarët po përpiqeshin ta fitonin atë, ndërsa popuj të tjerë madje qytete orientuese të lëvizjes kombëtare, ekonomike, kulturore dhe ushtarake të tyre nuk i konsideronin më Stambollin, Kajron, Selanikun, Sofjen, Bukureshtin, e ndonjë qytet tjetër të Lindjes, por qytetet e Europës Qendrore dhe Perëndimore: Budapestin, Vjenën, Parisin, Romën, Londrën etj.

Është e kuptueshme prandaj, pse ky brez i postrilindasve shqiptarë, ndonëse konceptualisht e kishin formuluar orientimin e popullit shqiptar, politikisht dhe ekonomikisht, për shkak të zhvillimeve shumë të ngadalshme dhe shumë të ulëta, nuk arrinin të dilnin nga gëzhoja e lëvizjeve ballkanike të kohës, ndërsa qytetet ku vazhdojnë të organizojnë dhe zhvillojnë mendimin kulturor, politik dhe sidomos ekonomik vazhdojnë të mbeten qytetet e emigracionit politik dhe ekonomik shqiptar, nëse jo Stambolli dhe Kajro, së pakut Sofja dhe Bukureshti.

 

Josif Bageri dhe Rilindja e dyzuar

Në jetën e vogël personale, politike e identitare të Josif Bagerit e të vendlindjes së tij shfaqen dy premisa, që janë rezultat i përfundimit të një perandorie të vjetër dhe mbivendosjes së një Perandorie të re, po kaq e huaj për gjuhën, kulturën dhe trashëgiminë materiale e shpirtërore të popullit shqiptar e të kulturës së tij, që më së miri mbase shfaqen në letrën e të birit të tij Kristos ‘se do të luftoj për Maqedoninë’ dhe mesazhit për të, ‘që të vazhdojë luftën për Shqipërinë’. Mesazhi i të birit në të vërtetë shprehë jo vetëm mesazhin personal të familjes së tij, por pa dyshim edhe gjendjen shpirtërore, kombëtare dhe identitare të popullit shqiptar, që paraqitet nga lufta për natyrën e alfabetit (arab, latin apo grek) deri te lufta për fytyrën e Shqipërisë (perandorake - nuk dua te them këtu islamike; europiane, - e cila nuk nënkupton njëkohësisht edhe të krishterë; apo ballkanike, - (pa forme dhe pa identitet). Përtej të parës dhe të dytës, letra e të birit shprehë prirjet politike dhe identitare të një pjese të popullit shqiptar në Maqedoni, ndërmjet Rilindjes Kombëtare Shqiptare dhe Rilindjes Kombëtare Maqedonase, pas kryengritjes së Ilindenit (1902) dhe kryengritjeve shqiptare ne prag te Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë.

Kështu, mes ndarjesh përfundimtare të feudalëve të vjetër që po shuheshin bashkë me shuarjen e Perandorisë Osmane, e të një klase të vogël borgjezësh, kryesisht zejtarësh, që nuk po mëkëmbeshin dot brenda zonave autonome të ish-Perandorisë Osmane, kryesisht në Bukuresht dhe Sofje, një ndarje po kaq të vendosur përjeton edhe klasa politike dhe intelektuale shqiptare e formësuar brenda qarqeve arsimore, shkencore e politike perandorake, një pjesë e të cilës vazhdonte traditën e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare me prirje thellësisht europiane, përkatësisht franceze e austro-gjermane dhe italiane; një pjesë tjetër nën ndikimin e strukturave politike të qarqeve osmane vazhdonte të mos shihte përtej koncepteve dhe nostalgjisë tashmë të stërvjetruar shtetërore; dhe në fund një strukture e mesme, e cila vepronte poshtë strukturave shtetërore, pa mundur as të bëhet pjesë e mekanizmave shtetërorë, as pjesë e lëvizjeve të mëdha borgjeze paneuropiane për qëllimet e mëdha të atdheut.

   Në këtë rrjedhë formësohet intelektualisht dhe vepron edhe Josif Bageri. Ai nuk shkollohet në linjën tradicionale të inteligjencës shqiptare: Janinë, Stamboll, Kajro, as brenda strukturave shtetërore dhe arsimore të Perandorisë, në Stamboll. Josif Bageri është brezi i parë i intelektualëve dhe kryengritësve shqiptarë të shkolluar brenda një  shkolle të vetorganizuar dhe me librat e brezit të parë të rilindësve shqiptarë: Naim Frashërit, Sami Frashërit, Konstantin Kristoforidhit, Thimi Mitkos, Jani Vretos, Pashko Vasës etj. Sigurisht kjo është arsyeja pse ky brez postrilindasish dhe shpallës të Pavarësisë së Shqipërisë u bë njëkohësisht standardizues i alfabetit të shqipes, bartës i kryengritjeve që u përmbyllën me shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë,  bartës i përhapjes së shkollës shqipe në gjithë hapësirën shqiptare nga ato elementare deri te Normalja e Elbasanit, përkrahës dhe bartës të krijimit të aparatit të shtetit shqiptar, dhe në fund, shumë prej tyre të zhgënjyerit e Europës.

Josif Bageri është njëri nga ata pak patriotë të brezit të tij, që bëri shumë përpjekje arsimore, kulturore dhe politike, i mbështetur në idealet romantike të Naim Frashërit dhe në përvojën pragmatike të Abdyl Frashërit. Gjithë këtë ai e bëri madje duke punuar jo vetëm në një qendër apo në një vilajet, sikur vepruan shumë të tjerë, po duke udhëtuar edhe në Kosovë, për t’i bërë realitet kërkesat e kohës për shkollën shqipe.

Në të vërtetë fjala është konceptet dhe shenjat naimiane, që veç tjerash përfshijnë konceptin për dijen si koncept për atësinë dhe Shqipërinë, përmasën e ndërtimit gjeografik, material dhe shpirtëror të tërësisë së atdheut në krijimtarinë e tij etj. Në poezinë e Naim Frashërit kemi Shqipërinë rurale dhe qytetare, bregdetare dhe kontinentale, ndërsa në poezinë e Josif Bagerit shfaqet gjithë hapësira e vendlindjes së tij: Nistrova, hapësira etnografike e krahinës së tij: Reka, portreti i qyteteve historike të kësaj ane: Dibra e Manastiri. Po kështu mund të thuhet edhe për portretin vetjak të tij: te Naim Frashëri shfaqet sigurisht më fuqishëm te “Fjalët e qiririt”, ndërsa te Josof Bageri në mënyrë narrative të poezia Prej vetiu kënk mbaronjës![1]. Natyrisht, krahasime të tilla mund të bëjmë edhe më tej.    

Sigurisht kjo është arsyeja pse me këtë brez shfaqet edhe koncepti politik i frymës së shoqërisë socialiste që bashkohej me gjasë nga ndikimi sa i iluministëve francezë në fund të Perandorisë Osmane po aq edhe i frymës së revolucionit bolshevik rus, që do të triumfoj në dekadën e dytë të shekullit XX, por i cili që më parë reflektonte edhe në zonën ballkanike, në prag të përshtrirjes së ideologjisë së saj përmes sllavëve të jugut.

Më parë se sa rilindësit shqiptarë, të cilët ishin formuar me koncepte të tjera arsimore dhe shkencore të kohës, kryesisht në mesin e shekullit XIX, kësaj fryme i nënshtrohej më lehtë brezi i shkolluar dhe i formuar në përmasa modeste, në disa nga qendrat ballkanike, që më parë se sa ta plotësonte me koncepte moderne evropiane të shekullit XX, falë idealizmit të tyre, përpiqej ta imitonte Rilindjen e Kombëtare, natyrisht brenda zhvillimeve ekonomike dhe politike të kohës.

Josif Bageri është njëri prej shembujve shembullor të kohës. Ai bëhet bartësi më i mirë i këtyre veçorive dhe karakteristikave ballkanike të kësaj epoke duke filluar me mënyrën se si e bëri kult të vetin bardin e Rilindjes Kombëtare Shqiptare Naim Frashërin, duke e fiksuar si referencë të zgjimit kombëtar, me udhëtimin e tij në Stamboll; për të vazhduar me largimin e tij nga shoqata politike dhe kulturore e shoqëria “Dëshira”, në shenj të refuzimit të tij për identifikimin e saj me etiketën fetare ortodokse; me akuzën e bashkëkohësve të tij për përhapjen e protestantizmit si ideologji fetare dhe ideve socialiste, si koncepte të reja për shoqërinë e varfër shqiptare dhe përgjithësisht shoqërinë ballkanike;  me mënyrën se si punoi për lirinë e Shqipërisë dhe konceptet e tij të mbjella te i biri për lirinë e popullit maqedonas dhe sidomos me përmasën e identifikimit të popullit shqiptar, gegë e toskë:

“Me kta trima ç’ka Gegnia!

Gjithkund edhe në Kosov...

I ka besa dhe Tosknia”[2], dhe, se si e shihte tërësinë e hapësirës shqiptare: “gjithkund edhe në Kosovë”[3].

 

Josif Bageri dhe Rilindja e dytë e tij

Le t’i kthehemi edhe njëherë sintagmës së dyzuar të dy rilindjeve të Josif Bagerit në fillim të shekullit XX dhe në fillim të shekullit XXI. Jusuf Bageri sot mund të identifikohet katërcipërisht si referencë e dy rilindjeve shqiptare në Maqedoni, në fillim të shekullit XX dhe XXI, ndërsa do të doja të kuptohej këtu edhe si referencë e dy rilindjeve maqedonase të fillimit të shekullit XX dhe XXI.

Fati i tij jetësor, që është njëkohësisht edhe fati i popullit të tij, në fillim të shekullit XX, përkujton fundin e shumë familjeve myslimane, ortodokse dhe katolike shqiptare, që po shuheshin kombtarisht (në Maqedoni, Greqi, Turqi, Rumani dhe Mal të Zi e Kroaci) bashkë me shuarjen e Perandorisë Osmane dhe mbivendosjen e perandorisë së sllavëve të jugut. Kjo është periudha që shënon njëkohësisht edhe mbivendosjen e koncepteve serbe mbi etninë maqedonase. Sot, 100 vjet pas, përkujtimi i tij në shenjë të zgjimit nacional të shqiptarëve të krahinës etnografike të Rekës[4], po kaq sa edhe të përlindjen e identitetit maqedonas të kësaj kohe në përgjithësi, shënon një ngjarje të rëndësishme jo vetëm kulturore e letrare po edhe identitare, për të dy popujt, për të cilët Josif Bageri punoi, luftoi dhe flijoi veten dhe pasardhësin e tij.

 

Në vend të mesazhit

Në fund të jetës së tij, Josif Bageri, në fshatin e tij të lindjes ka lënë një shkollë shqipe, varrin e të birit në Manastir dhe identitetin shqiptar të përulur nga forca e besimit ortodoks, forca e trysnisë shtetërore të perandorisë së sllavëve të jugut, si dhe gjendja po kaq e rëndë social-ekonomike. Sot, 100 vjet pas, vendlindja dhe populli i tij përjeton një lëvizje të fuqishme në drejtim të përlindjes kulturore, gjuhësore, politike, e kjo do të thotë të sforcimit të identitetit kombëtar dhe në kontekst të zhvillimeve politike dhe shtetërore të Maqedonisë e të popullit maqedonas. A do të mund ta qojmë porosinë e Josif Bagerit, një pinjolli tipik të porosive të Naim Frashërit për vendlindjen dhe atdheun e tij, për gjuhën dhe shkollën kombëtare, për të drejtën e secilit komb të Ballkanit që të ndërtoj identitetin e tij në paqe, dhe për realizimin e atyre idealeve të tij që si komb të qëndrojmë me fytyrë ‘andej nga dielli perëndon’?

Unë besoj fortë në këtë, sepse ashtu si edhe Josof Bageri 100 vjet më parë, edhe unë 100 vjet pas, jam idealist i formuar dhe i edukuar në frymën e Naim Frashërit. Ndryshe, Rilindja e tij e dytë, që në të vërtetë është Rilindja e ambientit ku lindi dhe u formua Ai, do të ishte më e zbehtë se sa zhgënjimet e tij, jo vetëm ndaj bashkëkohësve po edhe ndaj Europës.

 



[1] Kopësht malësori (Msime të shqyptarueta dhe vjersha), prej Josif Jovan Bagerit, Sofje, 1910, f. 48.

[2] Shih, poezitë: Reka, Reka e Dibrës dhe rranjësit e saj etj, Po aty, f.  68 - 69.

[3] Shkup, më 25. 10. 1908.

[4] Po aty, f. 68.



(Vota: 4 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora