E diele, 28.04.2024, 10:58 AM (GMT+1)

Faleminderit

Aristotel Mici: Poeti rebel

E diele, 26.06.2011, 04:02 PM


POETI   REBEL

                                               

Requiem për  Lame Kodre

(19 korrik 1900  -  12 qershor 1971)

 

Nga Aristotel Mici

 

            Në poezinë shqiptare  emri i Lame Kodrës  qe si një meteor  që ndriti vetëtimë dhe u zhduk në kohë. Për disa dekada ai u mbulua nga mjergullnaja politike për t`u riparë si  shkëndi  poetike qysh me  agimin e demokracisë.

E mbaj  mend emrin e tij letrar që në fëmijëri, kur lexoja në librin e klasës së kartërt fillore  poezinë  “Si e Dua Shqipërinë”. Më 1947, kur fillova shkollën unike në Fier, në librat e antologjive gjendeshin edhe vjersha të Lame Kodrea si edhe  proza poetike “Zgalemi” e Maksim Gorkit e përkthyer prej tij.  Po me vonë, kur vajta në shkollën e mesme në Shkodër, emri i Lame Kodrës nuk dëgjohej më, as si poet, as si përkthyes i “Zgalemit”. Atëhere profesori i letërsise na shpjegoi paralelizmin figurativ dhe na solli si shembull vargjet e poezisë “Furtuna”, po pa thënë se e kujt ishte vjersha.

Pak me vonë doli në qarkullim nje liber teoriko-letrar për të rinjtë adoleshentë të shkollave me titull “Elementët e Para të Teorisë së Letërsisë”, përpiluar nga  shkrimtari me përvojë të gjatë letrare, i mirënjohuri  dhe i palodhuri Sterjo Spasse.  Edhe në këtë tekst paralelizmi figurative konkretizohej   me vargjet  e poezise   “Furtuna”[1], po pa emrin e autorit:

Më thërret, o moj fortunë,

Po burgosur gjendem unë.

Edhe unë jam si ti,

Zjarrin e  luftës kam në gji.

………………………….

Me tërbim do sulem unë

Si edhe ti, o moj furtunë.

            Atë kohë në pushimet verore të shkollës, gjeta  rastësisht librin me titull “Vjersha” të Lame Kodrës botuar më 1945 dhe  nisa ta lexoja.  Me një herë me ra në sy se poezia “Furtuna” ishtë e dyta dhe e mora vesh se kush e kish shkruar.

            Pastaj, as Lame Kodra, as poezitë e tij nuk  po dukeshin gjekundi. Vetëm se kur beheshin  zjarre partizanë me nxenës të shkollave  dhe të rinj, ndonjë nga ata që pat qenë partizan, këndonte duke ua mësuar të tjerëve si këngë:

                                    Natë e errët  mbi Shkumbin,

Mbi Bujanë.

Dhe mbi Vjosën Vale-turbull

Anembanë.

 

Jashtë akull e fortunë,

Bora det:

O! sa dimmer i tërbuar

Ky sivjet.

 

Jashtë  lufta mortje madhe

Kudo zjen:

Sipër maleve të l;arta

Në derven.

 

Bubullojnë kudo topi,

Batareja:

Buzë Vjosës, nga Tomorri.

Nga Dumreja.

I këndonin njerëzit ato vargje poetike pa e ditur fare  nga kush qenë shkruar.

Ndër kohë, si pasojë e gjallërimit të luftës së klasës, nëpër shkolla, në orët e mësimit të historiës, filloi  të flitej për një devijim nga udha e partisë. Dhe ky deviator ishtë një profesor, Sejfulla Malshova, që kish shkruar vjersha me psudonimin Lame Kodra.

Nisi të dukej atëherë një dualizëm  për përsonalitëtin  e  poetit Lame Kodra.  Nga një anë ai  ish Tirteu i Luftës Çlirimtare për liri, “I njohur si  “Poeti Rebel” për arsye të poezive të tij luftarake shumë të fuqishme, të cilat Noli i ka cilësuar si poezi të frymëzuara me zjarrin e shenjtë.”[2]

Nga ana tjetër, ai komentohej  me emrin e vertetë të lindjes, Sejfulla Malshova, opportunist i djathtë, nje person anti-parti.

Ky sulm fjalësh ndaj tij buronte nga  shkaku se  ai kish guxuar të kritikonte  Enver Hoxhën në Plenumin e Beratit. Sejfulla Malshova e kish  kritikuar atë  për sektarizëm dhe  për vrasjet pa gjyq.

Le të  shikojmë konkretisht se si e kujton diskutimin e  Sejfulla Malshovës në Plenumin e Beratit Pandi Kristo[3],  ish pjesëmarrës në  atë Plenum:

“Plenumi i Dytë i K.Q. të  PKSH u mblodh në Berat nga  23 deri 27 Nëntor, 1944.”

“ Sejfulla Malshova deklaroi në Plenum se “Enver Hoxha, ndonëse  eshtë konsideruar si shembulltyra e sukseseve tona të  LANÇ-it e të PKSH, në të vertëtë eshtë sintëza e gabimeve të tyre”. Me poshtë ai do të vazhdontë me guximin e tij  proverbial:

“Sektarizmi jo vetëm në Parti, po edhe në  ushtri degjenëroi gradualisht në terror dhe  s` është  aspak e çuditshme se si ky tërror degradoi në krim, madje në krim të organizuar”.

Sejfullai  i mënçur  nuk do të ngurrontë të proklamontë me guxim në Plenuminh e Beratit, madje, edhe dy vjet me vonë, kur do ta përjashtonin nga Byroja Politike e K.Q. – se  “po vazhduam me këtë mënyrë do të kthehemi shume shpejtë në një klikë, madje në nje klike vrasësish.”[4]

Kritika e  këtij profesori të filozofisë  qe një vision  profetik i politikanit Sejfulla Malshova, gjë që e vërtëtoi koha për disa dekada.

Në vend që udhëheqja kolegjiale e Partisë t`i merrtë në konsideratë vërjetjet e bëra nga ai, e ndëshkoi atë, pra dënoi Sejfulla Malshovën.

Qysh atëherë Poeti Rebel nisi ta ndjentë veten vetëm..

        Lidhur me  masat ndëshkimore  ndaj politikanit Sejfulla Malshova, shkrimtari Naum Prifti në artikullin  “Demokrati i Kryqezuar” ka shkruar se shumë nga “ata që guxuan ta kritikonin Enver Hoxhën në Plenumin e Beratit,e pësuan më vonë  nga prapaskenat… I pari e pësoi intëlektuali i formuar Sejfulla Malshova” [5]

 Dhe kur shkruajmë togfjalshin   “intelektual i formuar” kemi para sysh një personalitet erudit, që  njihtë mirë  botën Perndimore si edhe atë Lindore. Sejfulla Malshova kish filluar studimet  për mjekësi në Romë, po i ndërpreu, për t`iu kushtuar idealeve të  lirisë e demokracisë. Ai do të ishte   pjesëmarrës   në Revolucionin e Qershorit të 1924, sekretar i qeverisë së Fan Nolit, person aktiv midis  mërgimtarëve Fanolistë. Si poet, me emrin  letrar  Lame  Kodra,  ai e kish nisur rrugën  e vjershërimit që më 1921, kur  botoi në gazetën Dielli në Amerikë  poezinë  “Praku”, për të vazhduar  me gazetën Liria   po në Amerikë dhe  më vonë edhe me gazetën  Liria Kombëtare”, të Gjenevës në Zvicër,                organ i   Komitëtit Nacional Revolucionar[6][7]

 Vajtja  e Sefulla Malshovës, alias Lame Kodrës,  në Moskë gjat viteve  `30 nuk do parë si prirje drejt aventurës bolshevike,  po si një synim, për të gjetur opsione të mundshme në rrugën e përpjekjeve për liri e demokraci. Në Moskë ai vazhdoi studimet e larta, duke u diplomuar në filozofi deri sa arriti të bëhet  profesor në universitet.

            Me atë bagazh kulturor dhe me aq përvojë të gjërë politike, Lame   Kodra kthehet në Shqipëri, në korrik të vitit 1943, në zjarrin e Luftës Çlirimtare kundër pushtuesve nazifashistë. Ai erdhi në atdhe me   aureolen e njeriut të ditur duke dhenë me poezinë e tij kushtrimin çlirimtar. Jo me kot shoket bashkeluftëtare qe e rrethonin e therrisnin professor[8]. “Ai kishtë nje përgatitje me të madhe teorike dhe praktike nga të gjithe komunistët shqiptare dhe keshilltaret jugosllave të marre se bashku”[9],- shkruan në librin e saj për Shqipërinë Nina Smirnova.

 

          Në të njejtën kohe ,  si poet dhe si  politikan Lame Kodra ishtë democrat progresiv. Sipas gazetarit dhe poetit  Anton Çefa,  ai ish nje  komunist idealist, qe  i rrihtë zemra për transformime të thella shoqerore në dobi të shtresave të gjera popullore; ai iu kundervu qe në krye të heres diktatures.[10].

            Si politikan me shpirt e bindje demokratike ky intelekrtual  i lartë kerkonte qe Shqipëria të kishte marredhenie të dyanëshme: të lidhej jo vetëm me B.S., por edhe me Përendimin.

 Ky do të ish “mëkat” tjetër i Prof. Sejfulla Malëshovës. Kjo ide ishte tejet e guximshme. Direkt ose indirekt  profesori i filozofisë dhe politikës shqiptare, kërkonte të paktën për Shqipërinë, të  hapej ajo që Winston Churchill e quajti më 1946, “përde e hekurt, qe shtrihej nga Baltiku deri na Adriatik”(From the Baltic to the Adriatik, an iron curtain has descended[11]”)

Dëshira liridashëse dhe shpirti democrat po e tundonin Poetin Rebel. Ai po luante me zjarrin. Nuk u mjaftua me kritikat në Plenumin e Beratit për Komandantin, po ja tani dhe  pikëpamja oportuniste, anësimi, nga Perëndimi . Me një fjalë, pa e zgjatur, ishte deviator i djathtë. Vetëm keto do të ishin të mjaftueshme për ta anatemuar si përson antiparti e armik i popullit, ashtu si u vendos nga Byroja Politike me 1947. 

  Natyrisht, mbas këtyre etiketimeve, profesor  Sejfulla Malshova  nuk e kishte  më vendin as në udhëheqjen e Partisë, as në qeveri.  Mëkatet e tij ishin aq të rënda, sa që për atë nuk mund të gjendej dot punë as si studius në një institution, as si përkthyes e as të paktën si korrektor letrar në një ent botues. Ai mund t` i lantë  “ mëkatet” vetëm duke zbritur në terren.

Po Zeusi lartë dhe  ithtarët e tij poshtë e kishin gjetur,  më në fund vendin më të përshtatshëm për të, pas atij  internimit në Ballsh, e çuan në depot  e ndërmarrjes së grumbullimit në Fier.

Rrethi i Fierit ish i madh dhe kish shumë  kooperativa e ndërmarrje bujqësore, disa lokalitete dhe shitblerje të ndryshme. Çdo gjë që prodhohej, para se të magazinohej, duhej të peshohej në kandar. Mirëpo nga përdorimi i shumtë gurët e kandarëve prisheshin, dëmtoheshin. Që të rikupëroheshin ata  gurë, duheshin sjellë në  magazinat qendrore në qytët. Prej andej, ca nga ca, duheshin shpënë në punishten e axhusterisë,  për t`u rregulluar. Dhe përsoni me adapt për të mbartur gurët e kandarëve nga depot në axhusteri  qe caktuar ai, Poeti Rebel, ai njeriu i ditur me dy emra: Sejfulla Malshova, si e kishin emëruar prindërit, kur u lind dhe Lame Kodra, si e quajti veten, kur nisi të botonte poezitë e para.

Me emrin e dytë, me pseudonimin e tij, ai do të njihej në fushën e letrave.. Po me këtë emër do t`i drejtohej atij edhe  Faik Konica në testamentin e vetë:

“…..Nuk do të më tret  dheu, në se ti, im Zot Noli, dhe ti Lamja[12]  im i vogël  dhe gjithë ata që ë quajnë veten shqiptarë, nuk do ta çojnë kufomën time të tretet në tokën mëmë……Mbyll sytë se ju i nderuar Noli dhe ju të nderuar Shqiptarë e ti Lamja im i vogël në Paris do të ma kryeni këtë detyrë.[13]

Dhe ja pra, ky personalitët, ky intelektual aq  i formuar e i brumosur  me valët e luftës për liri e demokraci, i mirënjohur nga Noli dhe Konica  qysh kur, …   ca  më vonë,  në kohën e demokracisë proletare, rreth vitëve  ‘60,  qe caktuar  nga udhëheqja a Partisë të mbartëte gurët e kandarit

Në ato vite, kur jetoja në Fier, për të vajtur në gjimnaz , shpesh merrja  rrugën me kalldrëm, që ndodhej midis bibliotëkës dhe depove të Grumbullimit. Tëk ecja në atë udhë, disa herë pata rastin të shikoja  me zemër të lenduar Poetin Rebel, kur shkontë kokëulur me një kapele me shapkë.. Iktë nga dalë  drejt  axhustërisë, duke mbajtur në dorë trastën e zgjyrosur me gurët e kandarit. Sa  kisha dashur në vitët  e para  të rinisë time ta kisha njohur autorin e  atyre vjershave , siç ishin: “Poeti Rebel” dhe  Si e dua Shqipërinë”dhe ja tani  e kisha aq pranë. Ndërsa e vështroja si të lodhur, në mendje më shungullonin  vargjet e tij që i dija përmëdsh qysh nga femijëria:

                        Unë e dua Shqipërinë

                        Që nga Shkupi në Janinë,

Ku një popull derë-zi

Heq e vuan në robëri,

Po ka shpirtin luftëtar:

 

Unë e dua Shqipërinë

Si  një revolucionar.

 

Dhe ashtu, me  ato vargjet në  mendje, ndërsa ai ikte në punë të vet, unë shkoja drejt shkollës,  një pjesë e së cilës qe përshtatur për auditoret e Filialit të Universitëtit, ku jepja lëndën e letërsisë së huaj. Kapitulli i parë  fillonte më mithologjinë antike. Ecja  si  me një brengë  dhe në kokë më vërtitëshin trimëritë dhe përplasjet e përëndive të  botës qiellore të Olimpit. Po duke  pasur  para syve  pamjen  e  rënduar të Poetit Rebel, mendimet më  largoheshin  nga motivet e mollës së grindjes  dhe  përqendroheshin të denimet mizore të Zeusit.  Me fanepsej  Prometheu i Lidhur në një shkëmb të Skithisë. i dënuar se kish guxuar të vidhtë zjarrin në qiell për t`ua dhënë njerzëve. Pas tij m`u shfaq Sizifi me atë gurin e rëndë, që  e shpintë  në majë të malit, e  që i  rrësqiste teposhtë edhe ai  pambarimisht duhej  ta  vendoste po atje, te maja të atij  malit të lartë. Dhe duke imagjinuar Sizifin  me atë gur , sytë nuk më ndaheshin nga Poeti Rebel  me gurët e  kandarit  në dorë këtu në tokë, tek depot e Grumbullimit në Fier. Ish a s`ish ky shembullim një paralelizëm figurative….?

Jo më kot shumë lexues e njihnin Lame Kodrën  si Poet Rebel. Shkas për këtë ish edhe poezia me të njëjtin titull, që autori do ta  vendoste në fillim të librit të tij me titull “Vjersha” me 1945.

 Heroi lirik i kesaj poezije do të ish alter-egoja e vet poetit, i cili i ka dalë për zot vegjëlisë, duke i shpallur luftë skllavërisë. Me këtë poezi, që  autori e botoi për së pari në gazetën “Liria” në Amerikë, më 1941, Poeti Rebel, i mbrujtur me  idetë e revolutionit demokratoik,  jep kushtrimin anë e mbanë atdheut”

                                                Anë e mbanë Shqipëria

Le të mblidhet,

Na pallatë tirania

Le të dridhet.

Në kuptimin e jetës sociale poezia e Lame Kodrës të kujton  deridiku idetë demokratike të poezisë së Fan Nolit. Lidhur me këtë kuptim poeti Bardhyl Londo vë re 

se Lame Kodra  “nuk i shpëtoi dot deri në fund ndikimit të poezisë noliane, poezi që duket me një herë e ka pasur shumë për zemër”.[14]

            Noli dhe Lame Kodra nuk ishin të një  moshe,  po ata të dy ishin poet të një ideali.Që të dy ishin  përkrahës të ideve republikane, kundërshtarë të regjimit monarkist. Të dy qenë të brengosur për jetën e gjithë popullit shqiptar, që  ish:

                                                Anës detit i palarë,

                                                Anës dritës i papare,

                                                Pranë sofrës i pangrënë

                                                Pranë dijës i panxënë….

            Të dy, Noli e Lame Kodra, ishin të brengosur për popullin

Se e shempnë derbederët

Mercenarët e bejlerët” ….

Kjo ishte gjendja social ekonomike që pasqyronte poezija e Nolit dhe për të ndryshuar këtë situatë ngrihet  heroi lirik i Poetit Rebel:

                                    Jam rebel e jam  hajdut [15]

Edhe mburrem;

Kundër beut edhe fronit

Unë turrem.

I kam dalë për zot unë

Vegjëlise,

Edhe luftë i kam shpallur

Skllavërisë.

Si dishepull i Nolit, Poeti Rebel është kundër sundimit të belerëve, që favorizuan “tiranin qe krrusi atdhenë”..Ashtu si Noli edhe ai eshtë kunder çdo tirani dhe sundimi monakist. Rgjimeve monakiste historikisht u kish kaluar koha. Dy shekuj më parë, Presidenti  Thomas Jefferson, si ideator i republikanizmit amerikan, thoshte se në “Evropë sundojnë princërit dhe mbretërit, si një vazhdim i mesjetës dhe nuk beheshin zgjedhje demokratike”[16]. Duke ngritur lartë idenë e republikës ai bënte vërejtje për qeverisjen e atëherëshme evropiane dhe deklaronte:

Qeveritë evropiane janë monarkiste. Ato janë mbështëtur në parimin që një pakicë njerezish kanë dhantinë e shenjtë të shtypin shumicën. Kurse sistemi republican amerikan nën kupton prishjen përfundimtare të kodeve feudale e të autoritarizmit mbretëror”[17].

Për ironi të fatit historik në Shqipëri, në kundërshtim me idenë e republikanizmit demokratik të Thomas Jeffersonit, jo me 1804, por më 1924, rrëzohet qeveria demokratike e Fan Nolit, për t`u zëvendesuar me monarkinë gjysëm orientale, për  monarkun e  së cilës vetë përkrahësi i saj, Eqrem Bej Vlora, shkkruan në  kujtimet e tij se mbreti  në atë shkollë  turke në Stamboll, të kohës së  Sulltan Abdyl Hamitit, kishtë mësuar  sjellje dhë mënyra të foluri, të cilat i kishin dhënë  “oborrit” të Zogut vulën e një Sulltani në miniaturë”[18].( nga libri ”Kujtime” f.260) . Edhe studiuesi  amerikan  Julian Ameri do të jepte më pastaj  afërsisht të njejtën  konstatim: “Qysh në  moshë të re  Zogu absorboi principet e  qeverisjes orientale”.[19]

Lame Kodral,si përfaqesues i ideve republikane, ashtu si e thotë edhe vet, si poet revolucionar, është  realisht në anën e shtresave të gjera popullore.. “Si shkrimtar  i ndijshëm  atij i vjen keq kur shikon  varfërinë e skajshme të fshatit shqiptar:

Ku del bujku që me natë

Me parmendë dhe me shat,

Mbjell e korr me djell, me hënë

Dhe s` ka bukë për të ngrenë.

Heroi lirik i Lame Kodrës, Poeti Rebel, brengoset edhe për jetën  me mundime të njerzëve në qytët:

                        Ku nallbani e samarxhiu,

                        Mjeshtri, kallfa e kallajxhiu,

                        Krrusen ditë e krrusen natë,

Që të hanë buke thatë;

Ku hamalli nëpër skela

Ngarkon hekur e varela,

Këmbë-zbathur, bythë-çjerrë:

Punon vetëm për të tjerë.

Si përfaqësues i popullit të thjeshtë në fshhat e në qytët, Poeti Rebel kërkon të futet në jetën politike, jo për të përfituar grada dhe pozita shtetërore si një pushtetar i etur për t`u pasuruar me cdo kusht, por si një idealist, që  dëshiron mbi të gjitha triumfin e demokracisë së vërtetë.  Poeti Rebel është larg intëresave të  nje politikani,  që synon pallat më shumë kate në kryqytet dhe nje vilë në mal e një tjetër në bregdet  Duke  qenë  i prirur nga motivet e një  demokracie popullore, Poeti Rebel  shkruan:

                        S` kam ciflik e  s` kam pallate ,

                        S`kam  dyqan me katër pate;

                        Po e dua Shqipërinë

Për një stan në Trebeshinë,

Për kasollen në Selisht,

Për dy ara në Zallisht.

Nga  këto vargje kuptohet lehtësisht se kemi të bëjmë me një patriot e demokrat të ndershëm, i cili e do mbarë Shqipërinë dhe popullin shqiptar si poet me zemër të dhembshuruar.

Ndikimi i poezisë noliane te  Lame  Kodra duket edhe më shumë  te poema “Klithmë  e Dragobisë.” Që të dy poetët , si patriotë të  shquar  janë thellësisht të prekur nga vrasja e Bajram Currit. Po ndërsa Fan Noli me  elegjinë  “Shpell` e Dragobisë”  i bën  apotheozë heroit  të maleve, duke e cilësuar me figura mithologjike si “Dif

dragoi i Dragobisë/ Trim tribunë` i vegjëlisë”; “Legjendar Ate po rritësh “/Dithiramb i Dragobise”,Lame Kodra e kthen simbolikisht shpellën e Dragobisë në një altar patriotik të atdhetarisë:

                                    Vetë shpella si tërmeti

                                    Oshetin:

Plaku i malevet ka dale

Sokellin.

          Jehona e thirrjes së Plakut të Maleve  bën të mblidhen gjithe herojtë e lavdishem të atdheut. Me anë të nje animizimi të elementëve të natyres, poeti përfytyron se gjithe vendi rreth e qark, vetë shpella, gryka e male po buçasin, kur gjithe trimat, deshmoret heronj po kelthasin.. Ajo klithmë është kushtrimi që vjen e përhapet nga malet në të gjithe Shqipërinë . Me këtë  rast le të kemi parasysh se poema është shkruar  në janar të vitit 1941 dhe është botuar në  gazetën “Liria” në Amerikë më 1942. Është koha kur vendi qe pushtuar nga  fashizmi italian, prandaj Poeti Rebel frymëzohet nga  thirrja e Plakut të Maleve në  Dragobi, duke dhënë kushtrimin luftarak: “Luftë zgjedhës Shqipëri,/ Ngreu popull me  flamur për liri”.  Është me intëres të përmendim se kjo poemë e Lame Kodrës u këndua  nga  shumë formacionë të ushtrise partizanë, pa qënë e kompzuar nga ndonjë  muzikant profesionist. Kompzitor i saj qe popuilli, që e gjeti të pëlqyshme në ato vitë të luftës kundër pushtuesit të huaj, se  çdo strofë e varg  i poemës qenë të   frymëzuar nga ideja e kushtrimit çlirimtar. Luftëtarët e thjeshtë liridashës shikonin me intuitë se shpirti i poetit  nuk vargëzon, po këndon:

                                    Këng` e tij, trumbetë lufte

                                                Po gjëmon” 

            Tjetër anë  që e bënte të këndueshme këtë poemë, përveç fjalëve metaforike edhe shprhjeve të tjera   të figurshme, përveç vetëvetishmërisë së vjershërimit popullor, është edhe vendosja mjeshtërore e fjalëve sipas  elementëve të sintaksës poetike si epitëti,  intonacioni, theksi emocional, përsëritja poetike, e anafora .

Le të shikojmë qoftë edhe me pak  shembuj  disa nga këto dhanti poetike  në vargjet e  Lame Kodrës, siç mund të jenë epitetet  me fjalë të përngjitura (fjale kompozitë), me të cilat fjalë autori kërkon të  krijoj përshtypje të lexuesi: “Botë e ngratë e zorrë-thatë ; Vjosa valë-turbull; Lufta mortje-madhe, trimat zemër-gurë e duar-hekur.”

 Ndonjëherë epiteti me fjalë të përbërë (kompozitë) përforcon efektin emocional epitetit me fjale të thjeshtë, ashtu si e shikojmë tek një strofë që përkujton poetin Naim Frasheri:

Ja nga brigjet e Tiranës

Del Naimi:

         Dyll i verdhe, sy-shkelqyer

                        Nga mejtimi.

Pyetja retorike është pjesë e ligjërimit në vjershërimin e Lame Kodrës, duke e pyetur poetikisht lexuesin ai hyn me shumë në ndërgjegjen  dhe në zemër të tij, sikur e bën shok me emocione të përbashkta, e fton atë si bashkebisedues.:

A ke degjuar si kercet rrufeja ?

A ke degjuar si buçet vullkani?

Ashtu zjentë topi e  batareja,

Hidhej e  gjemonte ky Selamluani.  

Nje nga kerkesat e sintakses poetike, e preferuar për Lame Kodren, eshtë edhe  anafora , ose  fillimi i vargjeve me të njejtën fjale:

 U shporr në det nga Vlora dhe Shqipëria

                         Armiku i huaj   sy-gjak  edhe mizor     

                         Kudo  gjëmuan  buja e brohoria,

 Kudo valoi flamuri madhështor .

 

                   *       *      * 

 

Larg atdheut, si emigrant politik, Lame Kodra mendjen do ta kishtë gjithnjë te Shqipëria. Duke dëshiruar një Shqipëri të lirë dhe demokratke , ai dëshpërohet kur merr vesh për traktatet e qeverisë  shqiptare me  qeverinë fashiste të Benito Mussolinit, traktate, qe u firmosen në vitin 1926 dhe 1927. I revoltuar nga kjo politike e nënshtrimit ndaj Italise, Lame Kodra do të botontë në gazetën Sazani, me 1938, poezinë Vlora, me vargjet e se ciles, ndersa evokon heroiznin e Luftës se Vlores, poeti jep alarmin për të shpetuar  Shqipërinë nga  agresioni i mundshem  i Mussolinit:

                        Po mbeti në Sazan,[20] të gryk` e detit,

                        Kuçedr` e Romes, veshur në çelik;

Dhe këmbë-kryq pastaj  mbi fron të mbretit

U shtrua në Tiranë[21] ky armik.

Për Poetin Rebel ishtë më se e qartë se agresioni ekonomik i Italisë si edhe propaganda pro fashiste paralajmëronin agresionin e mundshëm  të ushtrisë mussoliniane në Shqipëri. Atëherë Poeti Rebel, përmes një eksklamcioni, jep  kushtrimin për mbrojtjen e  atdheut:

O male e fusha, rrotull e verdallë,

Kudo filloni luftën për liri,

Rroke flamurin, prap e dil në ballë

Vlor` o moj Vlorë, sulu përsëri.[22]

Direkt, ose indirekt vjersha “Vlora “ e Lame Kodrës ishtë një paralajmërim i thënë në  mënyrë profetike  për atë qe do të ndodhëte një vit më vonë më 7 Prill 1939. Kushtrimi  i kësaj poezie do të ishtë parathënia poetike e Luftës Çlirimtare, që do të bënte populli shqiptar kunder okupatorve të huaj.  Kjo Luftë ishtë arsyeja për të cilen Lame Kodra do të kthehej në Atdhe.

 

*    *    *

 

  1921 në gazetën “Diell”,  në Amerikë, Lame Kodra do të botonte pozinë e parë me titull “Praku”. Nga leximi i vargjeve të  poezisë kuptohet se fjala “Praku” simbolizon udhëkryqin e një trimi, i cili duhet të zgjedhë ose një jetë me luftë e me  mundime për liri, ose nje jetë të qetë e pa trazime e me begati. Përtej  “prakut” është   bota e re, bota e lirisë, përketej është bota e vjetër, bota e robërisë. Nga një hon i thellë del një zë paralajmërues, që i prërmend  trimit të ri  Kalvarin e një jete që i përkushtohet përpjekjeve për liri. Djaloshi, tek dëgjoi ato fjalë që të frikësonin, një e ngjethur trupin ia përshkoi dhe tha  që të gjitha do i duroj”, dhe pa u trembur nisi ashtu jetën luftarake për liri. Vargjet e kësaj poezie do të ishin preludi i kalvarit të Lame Kodrës, i cili mbaroi trishtueshëm mbas një izolimi të gjatë politik. Ai vdiq nga një dhimbje e madhe abdominale, ndoshta apendisit acut, pa asnjë ndihmë mjekësore. Lame Kodra ndërroi jetë, më 12 qershor 1971,  në katin përdhësë të një pallati trekatësh në Fier, që gjendet pikërisht atje ku rruga “Jakov Xoxa” kryqëzon me rrugën që vjen nga shkolla artistike. Është pikërisht  ky shesh, në të cilin Bashkia e qytëtit të Fierit, ngriti monumentin e Poetit martir, duke i venë edhe emrin e tij.

 

 

 

 

Bibliografi

Anton Çefa: “Disidencë fisnikë “ Illyria, 23 gusht, 2004, Amerikë

Bardhul Londo: Parathenie e librit “Vjersha” të L. Kodrës, Shtëpia botuese “E. Çabej”, Tiranë, 1994 .

Bernd Fischer:: “Balkan Strongmen” ,  Purdue University Press, Indiana, 1988.

Eqerem Bej Vlora: “ Kujtime” II, Shtëpia e librit dhe komunikimit,Tiranë, 2001.

Faik Konica: “Vepra”, Shtëpia  botuese, “N. Frashëri”, 1993.

Gazeta  Panorama, 28 qershor 2003.

James Davidson, “The American Nation”, Prentiche Hall inc, Nëw Jersay, 12986

Julian Amery: “Sons of the Eagle”, London,  1948

Karl (Carl) Sundel, “Four Presidents”, Sun Publishing, Worcestër,  MA, 1987.

Naum Prifti:  Gazeta Illyria, “Demokrati i kryqezuar”, 6  Maj, 2004, në Amerike.

Nina Smirnova:” Historia e Shqipërise përgjatë sh .XX”, Botimet ideart, Tiranë, 2004

Sterjo Spasse: “Elementët e para të Teorisë së Letërsise”, Ndërmarja shtëtërore e Botimeve, Tiranë,1954



[1]  Nga libri  “Elementet e Para te Teorise se Letersise” ,  St. Spasses, Tirane,1954. faqe:12.

[2] Nga  Anton. Çefa: “Disidence fisnike…”  “Illyria”, 23 gusht, 2004.

[3] I kujtojme lexuesit se P. Kristo ne kete kohe ish perkrahes i grupit te Koçi Xoxes, i cili mbeshteste vijen e politikes se Titos, qe synonte  perfshirjen e Shqiperise si republike te shtate ne Federaten Jugosllave. - B. Fisher, “Balkan Strongmen”, p.243

[4] Gazeta  “Panorama”- 28 qershor, 2003

[5] Nga Naum Prifti: “Demokrat i Kryqezuar”,  Illyria, 6 Maj,  2004

 

[7] Komiteti Ncional Revolucionar (KONARE)  ishte  organizate politike e demokrateve  shqiptare antizogiste, qe kishin marre pjese ne Revolucionin e Qershorit 1924 dhe  qe pas shtypjes se  ketij, ishin merguar jashte ardheut. Kjo organizate ishte themeluar me 25 mars  1925 ne Vjene dhe kishte qysh ne fillim per kryetar Fan Nolin.

[8] Edhe Enver Hoxha me Koçi Xoxen ne letren e tyre informative derguar Udheheqjes Sovjetike me 1947  e quajne professor, kur shkruanin se ”ne perberjen e Byros Politike te K.Q. u fut dhe ideologu i restaurimit  te kapitalizmit ne Shqiperi, Profesor Sejfulla Maleshova”,  Marre nga “Gazeta Shqiptare”, 14 – 4 - 2010

[9] Nga Nina Smirnova,  “Historia e Shqiperise pergjate sh. XX”, Botimet Ideart, Tirane, 2004, f..292

[10] Nga Anton Çefa: “Disidence fisnike…” , “Illyria” , 23 gusht,  2004

[11]  James Dvidson, “The American Nation”, Prentiche Hall Inc, New Jarsey- 1986

[12] - Lamja : nenkuptohet  Lame Kodra, pseudonimi i Sejfulla Malshoves.

[13] Faik Konica,  Vepra, Tirane , Shtepia botuese “Naim Frasheri”, 1993, f. 70

[14] Bardhul Londo: libri “Vjersh”, Lame Kodres,Shtepia Botuese  “E.Cabej”, Tirane, 1994, f.11

[15] Ketu fjala  “hajdut” ka kuptimin e kacakut, ose komitit, qe del ne male per te mbrojtut te drejtat e vegjelise, si Zenel Gjoleks, Tafi Buzi e Sheme Hajduti.

[16] Karl  (Carl) Sundel: Four Presidents, Sun Publishing, Worcester, MA.1987, f. 25

[17] Karl (Carl) Sundel:   i njejti liber ne te njejten faqe.

[18] Eqerem Bej Vlora, “Kujtime”, v. II,  Shtepia e Librit dhe Komunilimit, Tirane, f.260.

[19]  Julian Amery, “Sons of the Eagle”. London, 1948, f. 16.

[20] Me 1920, me Luftene Vlores,  forcat italiane e lane Vloren, po mbajten ishullin e Sazanit

[21] Shume specialiste italiane, ushtarake dhe civil kishin ardhur me mission ne Tirane

[22] Sulu si ne luftene Vlores



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora