E diele, 28.04.2024, 04:55 PM (GMT+1)

Faleminderit

Gëzuar ditëlindjen Alfred Papuçiu!

E diele, 26.06.2011, 03:58 PM


Nuk ka më të bukur, sesa urimi i sinqertë i një miku, buzëqeshja e çiltër e një shoku, apo përqafimi i një njeriu të dashur...

Përmbledhur të gjitha këto së bashku në një tufë lulesh, me aromën e fillimverës, në ditën e 26 qershorit, ditëlindjes së shkrimtarit, publicistit dhe mikut, z. Alfred Papuçiut nderuar me disa çmime dhe medalje, ndër të tjera edhe me urdhrin Naim Frashëri, si gazetar, shkrimtar dhe njeri diplomat...stafi ynë, i uron ditëlindjen, gazetarit dhe publicistit, duke i uruar shëndet, jetë të qetë dhe të lumtur familjare, dhe shumë suksese në fushën e letrave shqipe, në të cilën ai jep një kontribut mjaft të çmuar, sidomos në aspektin kulturor.

Urime i nderuar z. Alfred... Është kënaqësi të urosh një njeri si ju...Paçi vetëm mirësi në jetë...

 

________________

 

Alfred Papuçiu ka lindur në Tiranë, më 26 qershor 1947. Ka përfunduar studimet e larta në Universitetin e Tiranës, për gjuhë, letërsi shqipe dhe frënge, duke marrë në të njëjtën kohë një formim si përkthyes. Ka dhënë mësim frëngjishten në Fakultetin e Inxhinjerisë së Universitetit të Tiranës. Ka punuar si gazetar në Radion e Jashtme dhe si shef redaksie. Më vonë ka punuar në diplomaci dhe funksionar ndërkombëta i pavarur, konsulent pranë fondacioneve zvicerane, si dhe anëtar bashkëpunëtor i Federatës Ndërkombëtare të Talasemisë (TIF).

 

Ka ndjekur Universitetin e Gjenevës ku ka mbrojtur “ Diplomën e Studimeve të Larta Evropiane ”. Ka dhënë provimin e formimit për funksionarët ndërkombëtarë në gjuhën frënge, organizuar nga Kombet e Bashkuara në Nju Jork, si dhe ka marrë çertifikatën e aftësisë në gjuhën angleze.

 

Ndër të tjera ka punuar në Zyrën e Kombeve të Bashkuara në Gjenevë, në Komisionin Ekonomik të OKB-së për Evropën, në UNCTAD (Konferenca e Kombeve të Bashkuara për Tregtinë dhe Zhvillimin), në Departamentin e Edukimit Punëtor dhe Departamentin e Botimeve të Byrosë Ndërkombëtare të Punës (BIT) ku ka marrë gradën P-4, në OMS (Organizata Ndërkombëtare e Shëndetësisë), në një shoqëri multinacionale, përkthyes mediator kulturor, si dhe konsulent për botimet në gjuhën shqipe apo frënge të organizatave ndërkombëtare. Është anëtar i Komitetit të Shoqatës së Përkthyesve të Gjenevës - Mediatorë Kulturorë dhe Anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Shqipërisë. Është anëtar i Bordit të Medias së lirë shqiptare.

Alfred Papuçiu ka marrë pjesë në konferenca ndërkombëtare në kuadrin e Kombeve të Bashkuara, të Komisionit Ekonomik të OKB-së për Europën, të UNCTAD-it, BIT, OMS, UNIDIR, të PNUD-i etj, në Gjenevë, Bazel, Nju Jork ( në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara ), Vjenë, Paris, Bruksel, Rhodes, Bazel, Nairobi, Kajro, Tiranë, Limasol, Singapur, Dubai, Nju Dehli, Antalia etj. Ka qënë anëtar i grupit të botimit në gjuhën shqipe të “ Kartës së Kombeve të Bashkuara dhe Statutit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë ”. Ka botuar një libër me temë nga politika ndërkombëtare, si dhe ka shkruar në botimet e Kombeve të Bashkuara. Ka botuar disa libra dy gjuhësh me skica, tregime dhe meditime. Në shtypin shqiptar dhe atë zviceran, midis të tjerash tek “ Tribune de Genève ”, “ La Suisse ”, “ Journal de Genève ” , « Le Courrier » është paraqitur me artikuj, tregime, skica, kujtime dhe përkthime të autorëve zviceranë. Alfred Papuçiu ka botuar disa libra me tregime.

Është anëtar i Federatës Ndërkombëtare të Talasemisë (TIF) dhe konsulent i Fondacionit Zviceran “RFEM”..

Ka botuar pesë libra të BIT (Byrosë Ndërkombëtare të Punës), si dhe një numër botimesh që kanë shërbyer për seminaret e organizuara në vendet e Europës Lindore dhe veçanërisht në Shqipëri . Ka realizuar studimin prej mbi 100 faqesh “ Shqipëria dhe Europa – perspektiva të integrimit ” ( botim në frëngjisht në Universitetin e Gjenevës), “ Problemet e vendeve të Europës Juglindore ”, Aktet e Konferencës së UNIDIR-it, Rhodes, Greqi (botuar tek UNIDIR- Kombet e Bashkuara); studimin për Maqedoninë (Kombet e Bashkuara); studimin “ Mundësitë e bashkëpunimit të Shqipërisë me organizatat ndërkombëtare ”, si dhe ka ndjekur një numër projektesh bashkëpunimi të Shqipërisë me PNUD-in dhe vendet e Ballkanit etj.

Alfred Papuçiu ka përkthyer botimin “ Konflikti i Kosovës, pasojat për mjedisin dhe vendbanimet njerëzore ”, botuar në Zvicër nga Programi i Kombeve të Bashkuara për Mjedisin dhe Qendra e Kombeve të Bashkuara për Vendbanimet Civile, librin e prof. Jean-Philippe Assal dhe Anne Lacroix me titull: “. Aftësimi për vetëmjekim i pacientëve me sëmundje kronike” dhe librin e prof. Alain Golay: “Të njohim diabetin tonë”. Është duke përgatitur në shqip librin e profesor Alain Golay, botuar nga shtëpia botuese franceze “Payot” : “Të dobësohemi sipas stresit”. Ka në dorë një botim në gjuhën shqipe dhe frënge, me tregime dhe meditime, një libër me titull : “Rruga drejt Parajsës” (kujtime, ditar, tregime, skica nga Zvicra), një tjetër libër Ditar për ecurinë e betejës së shekullit kundër sëmundjes së Talasemisë etj.

 

Kohë pas kohe është paraqitur në shtypin shqiptar dhe atë zviceran me përkthime të autorëve zviceranë. Ka botuar në shqip “ Karuzeli i ëndrrave ”, i autores së dëgjuar zvicerane Marie- Luce Dayer. Ka realizuar me sukses botime dy gjuhëshe, si librin dygjuhësh frëngjisht shqip të profesoreshës zvicerane Francine Koch “ Fëmija shqiptar me sy të zinj ” (Botimet TOENA), si dhe « Përrallat e Zvicrës » të prof. Bedri Dedja (Botimet TOENA) . Është duke përgatitur një libër dy gjuhësh me tregime, skica dhe kujtime nga jeta në Zvicër, një vëllim me tregime për fëmijë, dygjuhësh frëngjisht shqip, një botim dygjuhësh me autoren zvicerane Marie-Luce Dayer. Po përgatit dhe një libër me përralla për fëmijë me titull: “Ariu Lulush dhe bletët”.

 

Ka botuar ndër të tjera dhe librat dy gjuhësh shqip dhe frëngjisht: « Meditim për shqiptarët, Evropën dhe Kombet e Bashkuara »(Toena), « Nxënësja e etur e gjuhës romanshë » (Toena), ”Me zemër të pastër” (Alor).

 

Për veprimtarinë gazetareske, si shkrimtar dhe në diplomaci, ka marrë disa çmime, ndër të tjera edhe ”Urdhërin Naim Frashëri” dhe është nderuar me medalje pune. Në vitin 2008 është nderuar me çmimin e parë në Konkursin Mbarëkombëtar të organizuar nga Universiteti Popullor Shqiptar i Gjenevës.

_________________

 

Botimet e Alfred Papuçiut

 

°« Meditim për shqiptarët, Europën dhe Kombet e Bashkuara »(Toena), dy gjuhësh shqip – frëngjisht.

 

°« Nxënësja e etur e gjuhës romanshë » (Toena) dy gjuhësh shqip – frëngjisht.

 

°”Me zemër të pastër” (Alor), dy gjuhësh shqip-frëngjisht.

 

°« Problemet e vendeve të Europës Jugore »- UNIDIR, Aktet e Konferencës së Rodosit (1991) -frëngjisht

 

°« Shqipëria dhe Europa – perspektiva të integrimit » (Université de Genève, 1993) frëngjisht

“Eurokomunizmi” (me Prof. Omer Hashorva), Tiranë

 

° Pesë botime në shqip të Byrosë Ndërkombëtare të Punës, Gjenevë.

 

Përkthime, midis të tjerash :

 

° Marie – Luce Dayer : «Karruzeli i ëndrrave » (shqip)

 

° Francine Koch : « Fëmija shqiptar me sy të zinj »(Toena) (frëngjisht-shqip)

 

° UNEP : « Konflikti i Kosovës- pasojat për mjedisin dhe vendbanimet njerëzore » (shqip). Botim i Programit të Kombeve të Bashkuara për Mjedisin (UNEP), Gjenevë

 

° Prof. Jean-Philippe Assal dhe Anne Lacroix: “Aftësimi për vetëmjekim i pacientëve me sëmundje kronike”

 

° Prof. Alain Golay : « Të njohim diabetin tonë”

 

Libra për fëmijë :

 

° « Genti dhe gardalinat »

 

° « Tregim për Arbanin dhe Dalinën »

 

Artikuj, meditime, tregime, skica, përkthime :

 

« Tribune de Genève », « La Suisse », « Journal de Genève », « Le Courrier » ; si dhe në shtypin shqiptar, në Shqipëri, Kosovë dhe Diasporë (Zvicër, SHBA etj).

 

________________

Mesazhe miqësie

 

1. Alfredit tim të dashur,

 

Jeta nuk është si në këtë libër « një vitrinë kënaqësish… » por ajo që ne mund të bëjmë bashkërisht, është që ta shndrojmë ashpërsinë e jetës në më të gëzuar.Me mirënjohjen më të thellë për aq episode të bukura të kaluara sëbashku,

 

Jean-Philippe (Assal)   

 

2. Faleminderit për urimet tuaja të mira. Jam shumë e kënaqur kur shoh se sa aktiv jeni në shkrimet dhe përkthimet tuaja. Jam e lumtur që ju punoni për Kryqin e Kuq. Duhet të jeni shumë i dobishëm ! Do të isha e kënaqur që ju të përkthenit një nga librat e mij për shkollarët/ një faqe shqip ; një faqe frëngjisht. Sapo kam botuar dy libra dhe është e vërtetë që para Krishlindjeve kam marrë pjesë në shumë mbrëmje « Rrëfenja dhe muzikë ». Por meqënëse mua më pëlqejnë shumë ato, nuk qahem ! Në janar do të jap mësim frëngjisht për refugjatët e vendit tuaj. Të shohim…

 

Zotëri i dashur ! Po ju kthej dorëshkrimin mbi të cilin kalova orë të tëra…Paç fat ! Shumë nga tregimet tuaja janë të arrira. Kujtimet tuaja janë tekstet që më kanë pëlqyer më tepër…Më në fund, « Ditari…. » është i mirë dhe nuk do të krijojë asnjë antagonizëm. Mirupafshim së shpejti !

 

Marie – Luce Dayer    22 février 2000

 

3. Të mbledhësh kultura, histori dhe tradita

 

“Nxënësja e etur e gjuhës romanshë” përmban një sërë takimesh që janë po aq çaste kuptimplote në një udhë jete aq të pasur në fillim në Shqipëri, vend i prejardhjes së autorit dhe në Zvicër gjatë këtyre shtatëmbëdhjetë viteve të fundit, gjatë të cilave Alfred Papuçiu ka përfaqësuar Shqipërinë në OKB në Gjenevë dhe pastaj ka punuar në organizata të ndryshme ndërkombëtare. Kohët e fundit, ai ka luajtur një rol të rëndësishëm në Zvicrën romande si mediator kulturor, funksion që i ka dhënë mundësi që të kuptojë më mirë kulturat dhe traditat si shqiptare po aq edhe zvicerane. Udhë lakadhredhase, por me këtë vijë drejtuese të Alfred Papuçiut, atë që të mbledhë. Të mbledhësh kulturat, pra këta njerëz që i kanë krijuar me historitë, traditat dhe ndjeshmëritë e ndryshme. Të mbledhësh këto përvoja njerëzore të farkëtuara me vështirësitë e jetuara dhe të mbushura gjithashtu me shpresë. Të mbledhësh të gjitha përpjekjet dhe të bësh të njohura të gjitha krijimet e shumta që rrjedhin nga to. Alfred Papuçiu është një grumbullues njerëzish dhe për t’i lënë çdonjërit gjeninë dhe lirinë e vet, ai ka parapëlqyer ta bëjë nëpërmjet puqjes së takimeve të ndryshme që dëshmojnë për kultura të ndryshme.

        “Nxënësja e etur e gjuhës romanshë” paraqitet në formën e tregimeve të shkurtra, të një sërë takimesh, bile edhe fabulash, funksioni i të cilave është që të favorizojë kalimin me butësi të kufinjve gjuhësorë dhe kulturorë. Rrëfenja dhe takime zvicerane për miqtë tanë shqiptare, rrëfenja dhe takime në Shqipëri për miqtë tanë zviceranë.

 Mendimi i paraqitjes së një libri dygjuhësh shqip-frëngjisht e bën lexuesin që të kapë më mirë atë dimension themelor të grumbullimit dhe të shkëmbimit midis dy kulturave, praninë e njëkohshme.

 Ne futemi tek ky libër nëpërmjet dyerve të shumta të vogla, nëpërmjet anekdotave dhe takimeve të rastit, dhe shpejt zbulohen kopshte të brendshme, ato kopshte që dëshmojnë për pasurinë e dy kulturave tona.

 Ngazëllehuni duke zbuluar këtë libër, sidomos në një kohë kur shoqëritë tona vatërohen në atë që ato nuk e kanë ose në atë që nuk pranojnë të ndajnë me njëra tjetrën.

 Alfred Papuçiu është një mbledhës i madh. Ai na drejton në hapat e para të humanizmit: zbulimin e tjetrit dhe ndarjes së gjithçkaje me të.

 

Jean-Philippe Assal

 

4.  Alfred Papuçiu dhe kujtesa e një populli

 

Ky libër nuk lexohet pa u ndalur nga faqja e parë deri tek e fundit. Jo. Më tepër ai shijohet me doza të vogla.

Në rast se shihni tabelën e lëndës, do të vëreni se ajo është e ndarë në tre pjesë të dalluara mirë. E para përmban skica dhe refleksione mbi Zvicrën, vend ku jeton aktualisht autori. E dyta e titulluar “Meditim” mbi diasporën shqiptare, ka domethënie të qartë për synimin e autorit, duke pare edhe vetë termin e zgjedhur: meditim. Kurse pjesa e tretë, ajo përbëhet nga kujtime. Kujtime që japin mundësi të kapërcesh një shekull dhe bile të shkosh deri tek shekulli I XVI-të, në sajë të njohurive historike të një miku të autorit që ka ditur të flasë bukur për diasporën shqiptare.

Alfred Papuçiu është njeriu që na sjell me kujtesën e tij, historinë e një populli. Si i jati, përmbledhja e të cilit « Midis shelgjeve buzë lumit” u botua pas vdekjes nga miqtë që e admironin së tepërmi, ai ka dëshirë të shkruaj dhe na jep edhe neve pasionin e tij.

 

Marie-Luce Dayer

 

 

5. Parathèënie e librit ”Me zemër të pastër”

 

Pas 10 librave letrarë dhe publicistikë të botuar më parë, Alfred Papuçiu del përpara lexuesit shqiptar e të huaj me përmbledhjen pubicistike ”Me zemër të hapur”, përmes së cilës sjell informacion të pasur, dituri dhe kulturë nga dhe për shumë fusha të jetës. Falë formimit shumëplanësh letrar, artistik, historik, filozofik e publicistik, si dhe përvojës shumëvjeçare, sidomos në gazetari e diplomaci, autori, tashmë i mirënjohur edhe në qarqet intelektuale në Gjenevë dhe tej Zvicrës kap, trajton një varg temash që kanë të bëjnë me diplomacinë, me politikën, me historinë, me gjuhësinë, me kulturën, me artet, me shkencën, me shëndetësinë etj. Kësisoj, do të thosha, se libri ka natyrë e karakter enciklopedik. Merita e autorit është se këtë problematikë të gjerë synon dhe e e shtjellon në rrafsh shoqëror, çka duket edhe nga mënyra se si  komunikon me lexuesin, duke iu drejtuar atij, sikur ta kishte pranë e përballë në një bashkëbisedim të çlirtë dhe të hapur. Stili bisedor, i zgjedhur dhe realizuar natyrshëm, i krijon mundësi lexuesit të hyjë në përmbajtjen e problemeve dhe të aspekteve të ndryshme jetësore, në faktet dhe dukurit që evidenton.

 

Lexuesi njihet me karaktere e tipa shoqërorë, personalitete si shkrimtari e mendimtari i shquar, Nonda Bulka, si e mirënjohura ”Artiste e Popullit” Vaçe Zela, si arkitekti Franko nga familja e dëgjuar Marubi apo doktoresha zvicerane Marinette Wyss etj; ndjen mallin për atdheun, vendlindjen e autorit, krenarinë për babain e tij, të ndjerin, gazetarin e shkrimtarin Tuni Papuçiu; hynë në botën e shkencave shëndetësore, duke u ndalur gjerësisht në sëmundjen e Talasemisë; mëson se si luftohet ajo; ndjek me interes gjendjen shpirtërore të autorit, kur me krenari flet për mësimin e gjuhës amtare në Zvicër, kur mban qendrim për manipulimet që bën media shqiptare, duke harruar misionin e saj si mbrojtëse e të drejtave të individit, të lirisë, qytetarisë dhe të demokracisë; përjeton situata dhe ngjarje që pasqyrohen në këtë përmbledhje, qoftë edhe në formën e një meditimi, një ese-je apo të një artikulli.

Në tërësi libri përfaqëson kujtime, përjetime, analiza dhe opinione të autorit Alfred Papuçiu, paraqitur, pasqyruar dhe shtruar me thjeshtësi, modesti dhe natyrshëm.

 

     Prof. Dr.HAMIT BORIÇI

 

 

 

 

6. Libri i Njeriut ndër Njerëz (për “Meditim për shqiptarët, Europën dhe Kombet e Bashkuara »

 

Në jetën e Njeriut aktual, pra të kësaj Bote, përditë bëhet edhe më problem mekanizmi i informimit dhe i dijes. Teknologjia e informacionit mbetet çështja më e debatueshme në mjediset profesioniste, por edhe në qelizat e tjera të kësaj shoqërie që vuan ngutjen, mospasjen e kohës dhe ngjeshjen e zhvillimeve në hapësirë. Në këtë hapësirë dhe në këtë kohëpamjaftim, gjenden më së shumti përfaqësuesit ekspresivë dhe përmbajtësorë të shoqërive kombëtare dhe atyre komunitare. Në zellin e fismë njerëzor të përballimit të kësaj sfide, gjendet prej vitesh edhe Alfred Papuçiu, një qytetar shqiptar i kësaj bote, i cili  mund të konsiderohet virtuoz në vullnet, mes shumë përfaqësuesve të ekspresionit shqiptar në viset e BE-së. Me një dekadë përpjekjesh dhe palodhjeje në kontakte dhe komunikime me Atdheun, Papuçiu, pinjoll i një familjeje të virtytshme në Shqipëri, përbën rastin e një punëtori me mendje për llogari të civilitetit shqiptar në Gjenevë. I mbetur në lëvizje dhe komunikime për llogari të diplomacisë dhe utilitaritetit, zoti Papuçiu shënon njëherësh kontributin e veçantë bibliografik. Si qytetar prej vitesh i Gjenevës, ky autor ka mundur të arshivojë dhe përpunojë një antologji të veçantë të shprehjes dhe kontributit të personaliteteve të emigracionit shqiptar. Është një tërësi e veçantë përmbajtja e këtij botimi, përmes së cilës shqiptarët e botës dhe lexuesit në gjuhë të tjera kanë rastin të shtojnë dijenitë e të pasurojnë njohjen. Në këtë antologji që pa mëdyshje pasuron memorien e lexuesit, ku ditarizohet një jetë e pasur e një qytetari të integruar, ku ndien krejt mentalitetin e admirueshëm të një ballkanasi të europianizuar, shumëkush mund të gjejë një tjetër hapësirë njerëzore, për të cilën aspiron jo virtualisht fisi i shqiptarëve. Nën shtytimin dhe admirimin civil, lexuesi mund të ketë rastin përmes këtij libri, të mësojë shumë më tepër për personalitete dhe përfaqësues me valencë të lartë njerëzore, të mësojë se Atdheu ynë dhe i autorit, Shqipëria, është edhe një atdhe vlerash. Ky libër-antologji, i shton bibliografisë një titull për të cilin ndër të tjera gjithmonë do të citojmë të vërtetën e një komunikimi dhe investimi të tillë intelektual për llogari të qytetarit dhe më së shumti atij të ardhme të Evropës.

Kufijtë sipas syrit, gjithmonë i prish hapi i njeriut. Në leximin e këtij libri verifikohet një sfidë aforistike. Autori ka mundur që perms galerisë së emrave, dialogeve, ditarit dhe krejt komunikimit me komunitetin e bashkëkohësve të vet, të na rrëfejë dhe dëshmojë se koha e tij ishte e pamjaftueshme, jo për shkak të të tjerëve, por për shkak të angazhimit të tij për të qënë Njeriu ndër Njerëz.

 

ALEKSANDËR ÇIPA

 

 

Unë të uroj ditëlindjen që ajo të të gjejë mirë me shëndet, të gëzuar dhe pa halle! I dashur Fredi, të bëhesh njëqind vjet dhe ca shumë, këtë urim e ke prej meje, që plotëson të gjitha urimet e miqve të tu të mirë dhe që të duan dhe të respektojnë

 

I dashur Fredi, ti dhe Roza atë shkoni në ndonjë restorant, ku ka edhe muzikë dhe festojeni ditëlindjen tënde. Shpenzimet i mbaj unë. Më dërgo faturën ose lajm në vesh se sa kushtoi festa.

 

Edhe njëherë, të uroj shëndet e lumturi dhe krijimtari

 

Thani Naqo, Florida, 25 qershor 2011.

 

________

 

 I dashur Fredi,

Me nje e-mail ke shkruar sa per nje roman gjithecka luhet e veprohet ne Memedheun tone te shumevuajtur. Me ndjenjen e humorit qe e paç sa te kesh fryme e lexova dhe me me kenaqesi. Te shkuara te jene dhe nenes suaj fisnike dhe e di qe je i sigurte se ndodhet ne duart e te embles Rozi! Eshte bukur te filloje java dhe me humor, pa dhene nje kokerr pare!

Te fala te perzemerta dhe u bëfsh 100 vjeç

Kozeta Zylo

 

_________

 

Disa skica, tregime, kujtime të autorit

 

Të shprehësh kulturën tënde

 

Alfred Papuçiu falenderon Gjenevën për mikpritjen e saj ndaj bashkësive të huaja dhe respektin ndaj kulturave të vendeve të origjinës.

 

S’ka shumë kohë që isha ftuar në kishën e „Sacré-Coeur“ për një koncert të Krishlindjeve, të realizuar nga Koralja Ibéro amerikane në Gjenevë. Grupi i 36 koristëve të 18 kombeve quhet « Kantares ». Ai drejtohet nga Alfredo Lavalley, qysh nga nëntori 2000. U mrekullova nga këngët e të gjithë koristëve, përfshirë dhe mikeshën tonë Karolinë, që na shpinte në një botë hyjnore, të qetë, plot emocione dhe dashuri për njëri tjetrin. Ne dëgjuam këngët tradicionale meksikane, këngët popullore argjentinase, portorikene, braziliane, venezueliane, kolumbiane, peruane. Cdonjëri nga ne duartrokiti këtë grup të mrekullueshëm.

Mendoj se është një arritje për Zvicrën dhe sidomos për Gjenevën multietnike që në sajë të mirëkuptimit të autoriteteve kantonale apo federale, grupet artistike të popullsive që vijnë nga katër anët e botës mund të shprehin kulturat, këngët e tyre. Ata kanë të gjitha të drejtat për të krijuar grupe artistike. Në Gjenevë, fëmijët e tyre ose ata vetë mund të ndjekin falas kurse në gjuhën amtare në Universitetin Popullor shqiptar, në Bibliotekën Ndërkulturore të Kryqit të Kuq të Gjenevës, në « Camarada » etj. në Gjenevë. Ata kanë libraritë e tyre ku mund të gjejnë libra dygjuhësh, si edhe në gjuhën e tyre amtare. Personalisht, kam dhënë ndihmesën time modeste për integrimin e shqiptarëve në Zvicër : kam realizuar me profesoreshën Francine Koch përmbledhjen dygjuhëshe : « Fëmija shqiptar me sy të zinj », « Përrallat e Zvicrës » (dygjuhësh) të akademikut, shkrimtarit dhe profesorit shqiptar të pedagogjisë dhe psikologjisë Bedri Dedja, si edhe « Karruzelin e ëndrrave » të shkrimtares zvicerane, Marie-Luce Dayer në shqip.

Të gjithë popujt që jetojnë në Gjenevë, në sajë të legjislacionit, edhe pse janë natyralizuar zviceranë, për të cilën ata i janë mirënjohës Zvicrës, mund të ruajnë nacionalitetin e tyre të vendit nga kanë ardhur : atë italiane, spanjolle, afrikane, etj. Pra, ato kanë të drejtë të kenë dyshtetësinë, fëmijët e tyre mund ta dijnë se nga vijnë dhe cila është prejardhja e tyre, një mundësi që nuk është e zakonshme në vende të tjera të botës. Një ditë, këta fëmijë mund të vendosin të kthehen në vendet nga e kanë prjardhjen, si edhe të qëndrojnë në Zvicër.

Bravo për Gjenevën, një qytet ndërkombëtar, i qetë dhe i begatë, një qytet i turizmit, i bankave, por që prêt gjithashtu në gjirin e vet mijra të huaj që punojnë dhe jetojnë aty në harmoni! Të sillesh ashtu siç duhet ndaj popullit dhe kombit që të ka strehuar, të ka dhënë punë dhe të gjitha të drejtat themelore është i lidhur me përgjegjësinë që ndjen çdo evropian : shqiptar, francez, gjerman, bullgar, apo afrikan, arab, etj., me kulturë, për fatin e popujve të tjerë të kontinentit dhe të botës.

 

Botuar në gazetën zvicerane « Le Courrier »

 

__________

 

Kujtime të një shoqërie të pastër

 

Tani që po shkruaj këtë radhë, mendja më shkon tek dita e parë kur erdha këtu në shkollën e mesme: Ra zilja dhe hyra në klasë i emocionuar. Bashkënxënësit e mij ishin të rinj e të reja që i shihja për herë të parë. Të gjithë zunë nga një vend, ashtu si u pëlqeu. Edhe unë u struka në një qoshe , andej nga bangat e fundit.

Para meje rrinte një vajzë shtatlartë, me triko të kuqërremtë, mbi të cilën varej një gërshet i dëndur ngjyrë ari. Nuk e di pse në atë çast më pëlqeu të kisha edhe unë një shok në bangë, me të cilin do të kaloja rrugën e gjatë, të vështirë e aq të bukur të shkollës së mesme. Me siguri do të kisha të tillë, por pse të mos e gjeja që ditën e parë! Ndoshta edhe ajo mendonte kështu si unë, po dukej ishte më e shkathët. Ktheu kokën, më buzëqeshi dhe foli e para:

- Pse rri vetëm? Eja të rrimë bashkë!

Unë u skuqa nga vështrimi i saj plot dashamirësi dhe pa folur mora çantën e librave dhe u ula gjithë ndrojtje pranë saj.

Kështu u njoha me shoqen e bangës sime.

Ditët kalonin dhe mua më doli ai turp që kisha pasur në vitet e shkollës tetëvjeçare, kur rrija me vajza. Ne shpesh bisedonim dhe e ndihmonim njeri tjetrin në mësime. Qëndronim bashkë dhe bisedonim edhe gjatë pushimit, atje në oborrin e shkollës. C'kënaqësi ndjente ajo kur unë merrja nota të mira; apo sa kurajo më jepte me vështrimin e saj, kur unë ndonjëherë hutohesha përpara dërrasës së zezë. (Të them të drejtën kam qënë pak i drojtur më tepër se ç'duhet, ndoshta edhe pse prindërit më kishin mësuar pak si të mbyllur). Ne u lidhëm kaq shumë me njëri tjetrin sa që dhe gëzimet dhe kur diçka nuk na shkonte mbarë, i ndanim bashkë me njëri tjetrin.

Qëlloi njëherë që unë mora një dysh në algjebër. Sa nuk qava nga inati. Kisha mësuar një natë më parë, por ja që problemën s'munda ta zgjidhja. Ashtu i dërmuar dhe kokëulur u ktheva në bangë. Ajo më zuri nga dora dhe më pëshpëriti:

- Mos u dëshpëro, s'ka gjë, e përmirëson!

Kur mbaroi ora e mësimit dhe nxënësit filluan të dalin, unë qëndrova palëvizur. Ajo përsëri foli:

- E pse e humbe kështu? Nuk u prish dynjaja. Përsëri do ta përmirësosh notën.

- Më vjen inat me veten- i thashë- Disa herë hutohem kot së koti.

- A e di ç'ke- foli ajo duke buzëqeshur.- Ti me të vërtetë je ca i dobët në algjebër. A mësojmë bashkë?

- Mirë- ia ktheva unë me gjysëm zëri. -Por mos të pengoj dhe ty?

- E pse mendon kështu?- foli shoqja ime.- Ne duke mësuar bashkë do ta ndihmojmë më tepër njëri tjetrin...

Qysh prej asaj dite kaluan tre vjet e gjysëm. Ne e kaluam klasën e nëntë, të dhjetën dhe të njëmbëdhjetën dhe tani jemi maturantë. Të dy në një klasë, të dy në një bangë. Na është bërë zakon të mësojmë bashkë, në kinema shkojmë bashkë. Shpesh dhe shëtisim bashkë.

Po ka pasur midis bashkënxënësve të mi ndonjë që ka menduar keq për miqësinë tonë. Sa u revoltova një ditë kur dikush nga ata më tha:

- E, si shkon me bjondinen? Nuk iu shqite, po dhe ajo ama.

- Nuk të vjen turp- i thashë duke ja prerë fjalën në mes.- Si mendon kështu? Ajo është shoqja jonë e klasës. C'të keqe ka që mësojmë e shëtisim bashkë?

Ja thashë dhe shoqes sime se çfarë më kishte ndodhur dhe bile me mendimin që të mos qëndronim shumë bashkë, pasi nuk doja që t'i prishja asaj punë.

- Pse e prish gjakun?- më tha. Ata që llomotisim kështu nuk e njohin shoqërinë. Sidoqoftë unë mendoj se dhe në universitet rrugët nuk duhet të na ndajnë. Nuk e di, por e ndjej se dua të të kem pranë, se flas hapur me ty për gjithçka, kaluar vëllait.

Ashtu pa dashur më përqafoi dhe unë e shtrëngova fort, duke e shprehur lumturinë time për atë shoqe të mirë, të çiltër, të pastër dhe njerëzore. Kujtim i një shoqërie të pastër.

1965

 

__________________

 

Vajza ime dhe nëna

 

Isha në një shërbim në spitalin e fëmijëve në Gjenevë dhe infermiere Shantal, e cila është shumë e sjellshme dhe e qetë, më tha: “Telefonuam në shtëpi pasi kishim nevojë të na përkthenit diçka në telefon drejtpërdrejt dhe na doli vajza juaj. Sa bukur që fliste. E bëri rolin e përkthyeses për mrekulli ”.

M’u bë shumë qefi. M’u kujtua, Nausika ishte tepër e vogël atëhere, por çuditërisht shumë e zgjuar dhe e dashur. Shpesh qëndroja me të dhe kishte qef t'i tregoja përralla nga librat e gjyshit të saj, Tunit, si edhe përralla të tjera që sajoja për të. Ajo donte sidomos përrallën e arushit Lulush që e pëlqente shumë mjaltin. Dhe unë ja tregoja shpesh herë, në variante të ndryshme, sa që ajo shkrihej me gjetjet e mija. Vite më parë, im atë i paharruar bënte të njëjtën gjë me fëmijët e profesor Mahir Domit, Etlevën dhe Benin, që çdo darkë qëndronin në shtëpinë tonë dhe ishin komshijtë tanë më të mirë dhe më të afruar…

Nausika mbështetej në kraharorin tim dhe pasi mbaroja, përsëri më drejtohej si me lutje: "Të lutem, edhe një tjetër, se i tregon bukur". E unë vazhdoja të sajoja përralla, një pjesë të të cilave më vonë i mblodha në një vëllim të veçantë dhe i botova. Por kur e jëma ishte në shtëpi, i pëlqente më tepër të qëndronte me të. Bile qante shpesh kur ajo detyrohej të shkonte të jepte mësim, megjithëse shoqet e kishin lënë të lirë nga ato mbledhjet e bezdisëshme. Natasha nuk e mirrte në zbor, apo drejtori i shkollës e kishte lënë të lirë nga veprimtari të tjera të dorës së dytë. Një ditë, në mëngjez, Nausika nuk po e linte t'ëmën të ikte dhe për një çast, me një buzëqeshje të lehtë, karakteristike e saj, u drejtua: "Pse mami nuk bëhet si gjyshja e gjyshja të bëhet mami, të paktën ndonjëherë, që mami të qëndrojë me mua në shtëpi".

Tani Nausika është rritur dhe nuk do t’i vijë shumë mirë që unë ja kujtoj historitë e së kaluarës, pasi mbi të gjitha është edukuar në shkollën zvicerane, është serioze, tepër e ndërgjegjshme. Ajo ka nje zgjuarsi të veçantë dhe shpesh më bën vërejtje, si e ëma, ër “shakatë e tepruara” që unë bëj kur jam midis miqsh të vërtetë, apo kolegë të punës sime të përditshme.

 

______________

 

 

Kujtimi i Bornerit

 

Isha në Dorf tek Ruth dhe Walter Borner, atë ditë të vitit 1991 kur Ruth më tha se ajo dëshironte të ndihmonte fëmijët shqiptarë. Ajo më drejtoi pyetjen se çfarë duhej të dërgonte në Shqipëri dhe unë i sygjerova… Qysh nga ajo kohë, ajo bëri një fushatë në gazetën e saj në Zyrih dhe gjatë disa javëve, kutitë ishin plot triko, çorape, doreza, libra, lapsa, fletore dhe shumë gjëra të vlefshme. Gjithçka ishte gati. Shkrimet dhe publiciteti i saj në gazetë kishin bërë punën e tyre… Ruthi dhe Walteri ikën vetë në Tiranë për të çuar ndihmat. Swissair-i mori përsipër dërgimin falas të atyre kutive të mëdha.

Një kujtim i bukur për fëmijët shqiptarë dhe një kënaqësi e madhe për miqtë e mij zviceranë Borner për të cilët ruaj ndjenjën më të lartë të simpatisë… Shumë zviceranë të tjerë, si ata, në kuadrin e projekteve të ndryshme kanë ndihmuar dhe ndihmojnë shqiptarët…

 

1991

 

____________________

 

Vizita tek fshatarja e urtë zvicerane

 

Kur shkoj në fshatin zviceran jam i habitur nga lulet nëpër ballkone, nga flamurët me emblemën e Zvicrës apo të kantonit ku ndodhesh, nga njerëzit e thjeshtë që të përshëndesin në rrugë që më kujtojnë vitet e fëmijërisë kur shkoja në Fier tek të afërmit e mij, apo edhe në Tiranë, Përmet, Lezhë, Valbonë, Sarandë, Pogradec dhe çdonjeri përshëndeste tjetrin edhe pa e njohur. Në Zvicër, njerëzit nuk flasin me zë të lartë, nuk ngacmojnë vajzat në rrugë apo në autobuza, gjithçka është e pastër dhe e “qëndisur” nga puna e njerëzve të mirë e të ndershëm zviceranë që nuk rreshtin së punuari, por që edhe dijnë të argëtohen…

Atë ditë isha me një mikun tim nga Shqipëria në një fshat pranë Neuchâtelit. Shkuam tek një i njohuri ynë dhe ai na ndali tek një fermë e vogël. U përshëndetëm me të zotët e shtëpisë të cilët na përqafuan dhe na ftuan të pijmë nga një gotë të vogël vere të prodhuar nga vreshta e tyre… U ulëm në dhomën e pritjes dhe e zonja e shtëpisë na nxorri një tas të madh me reçel, ose liko, siç i themi ne nga anët tona. Miku nga Shqipëria që ju zgjat të parit tasi me reçel, filloi të hante…Hante dhe hante dhe nuk kishte të mbaruar…Pas pak, ai i skuqur tha: “Nuk ha dot më”…

Unë me zë të ulët i thashë: “S’ka gjë, pasi zakoni edhe këtu si tek ne është të merret një lugë reçel dhe tjetra lihet”…

Unë u përpoqa ta ndreq gabimin, duke u thënë të zotërve të shtëpisë se në një vend në Shqipëri e kishin zakon si këtu që nxirnin tasin e madh me reçel, por edhe atje kishte njerëz që nuk e dinin si të vepronin dhe hanin pak si tepër, duke menduar se respektonin të zotët e shtëpisë.

Fshatarja zvicerane, me faqet e kuqe flakë u përgjigj: “I bëftë mirë mikut nga Shqipëria. Deri sa e pëlqeu, unë jam tepër e kënaqur. Gëzuar dhe të mirupafshim vitin e ardhëshëm në Shqipëri”….Deshirë që u realizua dhe miqtë zviceranë e pëlqyen fshatin dhe mjedisin shqiptar…

 

_______________

 

Fëmija shqiptar me sy të zinj

 

Fondit të bibliotekës së autorëve të huaj për Shqipërinë dhe shqiptarët ju shtua kohët e fundit edhe një titull tjetër tepër tërheqës “ Fëmija shqiptar me sy të zinj ” e veprimtares humaniste, profesoreshës zvicerane Francine Koch. Ky libër dygjuhësh, shqip dhe frëngjisht, botuar nga „Toena“ është i një natyre të veçantë. “ Ky është një libër me përshtypje vetjake, siç shkruan autorja në fund të tij, për të cilin përgjigjem vetëm unë. I kam grumbulluar gjatë udhëtimeve të mia të rregullta në Shqipëri nga janari 1994 e deri në shkurt 1997, në kuadrin e një projekti zhvillimi për çerdhet e fëmijëve në Tiranë. Ky libër është fryt i një takimi. Ashtu si në çdo takim të vërtetë, ka edhe çaste kënaqësie, afrimi, suksesi, ka edhe çaste dyshimi, bllokimi, shqetësimi, por gjithmonë ruan vlerësimin për gratë dhe burrat, që punojnë dhe jetojnë në kushte, të cilat për mua do të ishin të papranueshme…”

E bëmë këtë hyrje për të treguar se vetëm dëshira e mirë për të bërë diçka për fëmijët shqiptarë e shtyu profesoreshën zvicerane të vijë në Shqipëri…

Ne u takuam një ditë dhe Francina më tha se kishte dëshirë të botonte diçka nga kujtimet e saj nga Shqipëria dhe se kishte dëshirë që unë ta lexoja më parë. Kujtimet i kishte lexuar edhe shkrimtari i njohur zviceran Georges Haldas, si dhe disa kolegë të saj… Me kënaqësi e nisa leximin e tyre dhe pasi i vlerësova çiltërsinë dhe natyrshmërinë e të shprehurit të saj, theksova se për mua ishte një kujtim shumë i bukur dhe mbi të gjitha me një vlerë të veçantë për njerëzit që punojnë me brezin e ri në Shqipëri, pavarësisht nga disa kritika dashamirëse që janë për ecurinë e punës me ta. E vetmja vërejtje që i bëra ishte ta ulte pak dozen e kritikave duke i theksuar “se disa shqiptareve nuk u pëlqejnë edhe kritikat dashamirëse, kështu që do të ishte mire t’i shmangëte”.

Aty për aty, Francinës pasi i pëlqeu mendimi im, m’u shpreh se kishte dëshirë që unë të përktheja librin. E pranova me dëshirë. Të them të drejtën atë libër e lexova me një frymë dhe përkthimi sikur shkonte vetë. Pas një kohe të shkurtër kënaqësia e saj dhe e imja ishte se botimi u paraqit në Panairin e Librit në Palekspo në Gjenevë, si dhe u prit mire nga shtypi zviceran, si dhe ai francez. Francina mbajti disa ligjërata në Zvicër dhe në Francë. Një gazetë ndër të tjera shkroi: “Lexuesi shqiptar, por edhe ai frankofon është i habitur nga përshkrimi realist i mjedisit shqiptar. Në kundërshtim me nihilistët apo entuziastët që vijnë, shpesh edhe në Shqipëri, këto vitet e fundit, Francine Koch është një vizitore që shkruan për vërtetësinë e jetës në Shqipëri. Dhe kjo është përshkruar me një ndërgjegje të thellë përgjegjësie, e stimuluar në çdo kohë me pyetjen e sinqertë:”Kush jam unë, përballë vetmohimit, kurajos, shpresës së madhe të shqiptarëve, unë që jam larg ndryshimeve të papritura dhe peshës së përditëshme?“…

Ndërsa gjendja emocionale, përballë këtij realiteti zbulon një tipar të përbashkët me vizitorët e tjerë të Evropës Perendimore që kanë shkruar me afeksion për shqiptarët dhe Shqipërinë. Kjo ndjenjë është e lidhur me përgjegjësinë që ndjen çdo evropian i kultivuar për fatin e popujve të tjerë të kontinentit apo të botës. Sidomos për një popull, gjuha e të cilit është një nga 9 gjuhët indo-evropiane, një nga gjuhët më të vjetra dhe që nuk vjen nga ndonjë gjuhë tjetër dhe që ka mbetur e paprekur megjithëse ka qënë pushtuar nga shumë të huaj…Një popull që kishte nënë Terezën si shtetase, një papë, guvernatorë, perandorë dhe vizirë të mëdhenj…

Të respektosh të tjerët, sidomos kur ata kanë preokupacione dhe vështirësi të mëdha është një shenjë dinjiteti dhe emancipimi. Ky humanizëm spontan shihet në të gjitha faqet e librit „Fëmija shqiptar me sy të zinj” që unë pata fatin e madh ta përkthej në gjuhën time amtare.

________________

 

 

Stabiliteti në Ballkan dhe Evropa Juglindore

 

Në radhë të parë desha të falenderoj Zotin Jayantha Dhanapala dhe Serge Sur, respektivisht Drejtor dhe Nën-drejtor të UNIDIR-it, si dhe sekretariatin e Fondacionit Helenik për Mbrojtjen dhe Politikën e jashtme që ka ftuan në Rhodes, në ishullin më nadh të Dodekanezit që të kujton jo vetëm një vend ideal për pushime, kulturë, por gjithashtu një vend për t'u mbledhur në një konferencë të tillë të rëndësishme si "Sigurimi evropian në vitet 90-të: problemet e Evropës jugore". Gjatë shekujve, historia ka dëshmuar se Rhodes ka qënë shpesh herë i shkatërruar dhe i grabitur nga pushtuesit. Por "kryeqyteti i Evropës" si e cilësojnë miqtë tanë mikpritës grekë ka rezistuar dhe është kthyer në një qendër të madhe politike, tregtare, turistike dhe nga historia e saj na jep një shembull të bashkëpunimit që ne mund ta rrisim sëbashku, qoftë kjo nga vetë vendet e Ballkanit apo jashtë Ballkanit.

 

Meqënëse kemi ardhur këtu me cilësi individuale dhe jo si përfaqësues zyrtarë të vendeve të ndryshme apo organizmave ndërkombëtare, më lejoni të them disa fjalë për temën e paraqitur, duke shprehur pikpamjet e mija personale, në kuadrin e diskutimit të përgjithshëm.

Do të doja të theksoja se nisma e UNIDIR-it dhe e ELIAMEP është shumë e volitëshme në këtë kuptim: zhvillimi i situatës në fushën e sigurimit ndërkombëtar në planin botëror, por gjithashtu rajonal është shumë i shpejtë. Duke patur parasysh ngjarjet e fundit të ndodhura në Evropën Lindore dhe në perspektivën e ndryshimeve të reja demokratike që do të kenë ndikime në nivelin e vendeve dhe rajoneve të tëra, është me të vërtetë e domosdoshme të shihet situata në Ballkan. Historia ka dëshmuar se Ballkani ka vuajtur nga dy luftra botërore, nga të cilat të gjitha vendet ballkanike kanë vuajtur shumë. Gjithashtu a nuk ka treguar ajo se siguria e vërtetë dhe e qëndrueshme në Evropë nuk mund të vendoset dhe të sigurohet pa qënë real sigurimi i Ballkanit ? Por ky sigurim do të ishte jo i plotë dhe i brishtë nëse duan ta realizojnë vetëm në fushën ushtarake, pa e mbështetur fuqimisht në raporte të qëndrueshme. Ne jemi mbledhur këtu për të dhënë sëbashku një kontribut, për t'i dhënë fund njëherë e përgjithmonë asaj që dëgjojmë shpesh në gazeta "ballkanizimit", për të na treguar se jetojmë në një zonë të pasigurt. Janë realizuar përparime të rëndësishme dhe vendet ballkanike janë angazhuar të punojnë me të gjitha forcat në drejtim të paqes dhe të mirëkuptimit në Evropën Juglindore. Optimizmi që lulëzon pak e nga pak kudo duhet të bëhet një realitet dhe mendimet e avancuara duhet të favorizojnë stabilitetin në Ballkan. Problemet që përballon Evropa ballkanike, si e cilëson një dokument i Institutit me prestigj të Kombeve të Bashkuara për punën kërkimore mbi Carmatimin (UNIDIR) janë të mëdha: duke filluar nga problemet e minoriteteve, të kufijve, të tensioneve dhe të mosmarrëveshjeve ndëretnike dypalëshe, të mjedisit, por sidomos, nga pikpamja e sigurimit, të problemeve të zhvillimit ekonomik. Sidomos ky problem që preokupon qysh prej kohësh Evropën jugore- një zonë kontakti dhe kooperimi me gjithë Evropën dhe botën, provokon migracione, tensione dhe ndoshta rrezikun e një lufte. Për këtë përpjekjet që janë bërë gjatë mbledhjeve të ministrave të jashtëm të vendeve të Ballkanit dëshmojnë për domosdoshmërinë jo vetëm të shkëmbimeve të pikpamjeve, si këtu në Rhodes, por gjithashtu të hapave konkrete që duhen ndërmarrë. Kjo mund të realizohej jo vetëm me anën e mbledhjeve të këtyre ministrave, ose të funksionarëve të lartë, respektivisht në kryeqytetet e tyre për problemet e sigurimit, por sidomos gjithashtu për të nxitur kooperimin ekonomik dhe në fushën e mjedisit. Përveç Konferencës për Sigurimin dhe Bashkëpunimin në Evropë, Këshillit të Evropës, nismat e kooperimit multilateral në kuadrin e Pentagonales etj,. duhet të zgjerohen. Personalisht, mendoj se ne duhet të përdorim gjithashtu UNIDIR-in në Gjenevë dhe organizma të tjera të kooperimit rajonal që do të kenë një peshë gjithmonë e më të rëndësishme në ndërtimin e një Evrope të re. Mendoj se UNIDIR-i mund të organizojë mbledhje periodike, jo vetëm në këtë vend të bukur, mikpritës si është Greqia, por gjithashtu në vende të tjera, si edhe në Gjenevë, në të ardhmen. Mendoj se një nga organizmat rajonale të përshtatshëm për organizimin e veprimtarive të tilla është edhe Komisioni Ekonomik i OKB-së për Evropën. Nga përvoja ime personale, jam i bindur se ka mundësi të mëdha kooperimi në kuadrin e sigurimit evropian dhe sidomos për të zgjidhur problemet ekonomike të vendeve të Ballkanit apo të Evropës juglindore. Komisioni Ekonomik për Evropën përfaqëson një organizëm ku të gjashtë vendet e Ballkanit mund të kooperojnë dhe të përfitojnë nga asistenca e tij. Pse? Mund të realizohen projekte në fushën e ekonomisë, të tregtisë, të energjisë dhe të mjedisit, disa nga fushat midis të shumtave që mbulon KEE. Dhe që paraqesin interes për vendet e Evropës juglindore. Tashmë është një përvojë e frytshme në ndërlidhjen e rrjeteve të elektricitetit të vendeve ballkanike.

Ne jemi mbledhur këtu si ekspertë, por në një mënyrë që çdonjeri i njeh më mirë problemet e vendit nga vjen dhe përpjekjet që duhen bërë për të zgjedhur mekanizmat ndërkombëtare që mund të sigurojnë një organizim të përbashkët të përpjekjeve. Meqë KEE si organizëm i OKB-së, mblidhet rregullisht në Gjenevë, përfaqësuesit e vendeve ballkanike, por edhe të vendeve të tjera evropiane.,etj që kooperojnë me Evropën Juglindore, mundet, që me anën e Komisionit, të organizojnë mbledhje periodike me qëllim që të realizojnë projekte që mund të përfitonin nga ndihma e KEE, PNUD-it, por gjithashtu të vendeve donatore, të interesuara që të nxisin tregtinë, kooperimin në fushën e energjisë, mjedisit, turizmit, etj. Për Evropën Juglindore shtrohen probleme shumë të vështira, siç janë problemet e pasigurisë politike ose ushtarake, por sidomos ekonomike. Këto vende janë më të varfëra në krahasim me vendet e tjera evropiane: akoma ekziston njëfarë proteksionizmi ndaj këtyre vendeve në shkëmbimet tregtare rajonale. Këto vende nuk kanë të njëjtin nivel jetese me pjesën tjetër të Evropës. Ndërkaq nuk do të ishte e drejtë që të mendoje se mund të realizohet sigurimi evropian pa marrë parasysh sigurimin e Evropës Juglindore. Historia dëshmon se nëse ka shumë probleme të minoriteteve, të pasigurisë politike, të kalimit drejt demokracisë me sadopak dhimbje, ky është një refleks i mungesës së zhvillimit ekonomik të domosdoshmëm të këtyre vendeve. Prandaj, në vend që të harxhohen shuma kolosale për të vrarë njerëzit, në vend që të prodhohen armë të reja klasike më të sofistikuara që përodren aktualisht bile edhe në vende të tilla që kanë pranuar Kartën e Helsinkit, duket menduar për paqen sociale, ekonomike, për t’i dhënë fund ndotjes së mjedisit që shkatërron në mënyrë të çfrenuar brigjet tona, pyjet tona, qytetet dhe fshatrat tona të bukur, viset tona mesdhetare. Unë jam i të njëjtit mendim të shprehur këtu nga ambasadori Todor Ditchev kur u shpreh : “ Ne kemi një prioritet. Ne duhet të ecim përpara në fushën teknologjike, energjetike, dhe jo ushtarake ”.

 

Falenderoj edhe njëherë UNIDIR-in dhe ELIAMEP që na dhanë mundësi të shkëmbejmë mendimet tona, si edhe të përpiqemi të gjejmë në gjuhë të përbashkët dhe të heqim dorë nga disa klishe të së kaluarës dhe nga mëritë e kohës së luftës së ftohtë. Ne duhet të veprojmë me një ndjejnë të lartë përgjegjësie jo vetëm për të mundur që t’u bëjmë ballë problemeve shumë preokupuese të aktualitetit, por gjithashtu për të bërë detyrën tonë ndaj brezave të ardhëshëm, për të mos u lënë atyre probleme të vështira për t’u zgjidhur për shkak të akumulimit të gabimeve dhe të hapave të gabuar të politikës së sotme.

 

Botuar tek “ Un publications : “ Actes de la Conférence de Rhodes ”(1991) : “ Les problèmes des pays du Sud-Est de l’Europe ”. Genève 1991.

 

___________________

 

Vaçe Zela- Ikona e muzikës shqiptare përshëndet lexuesit me rastin e 70-të Vjetorit të lindjes

 

Mëngjezi i 7 prillit 2009 ishte i bukur dhe me diell në Bazel, qytet i Zvicrës në kufi me Gjermaninë dhe Francën. Tek kutia e postës në “Burgfelderstrasse 11, 4055, Basel, Suisse” kanë ardhur letra dhe kartolina të shumta të tjera nga miq e dashamirës bashkëkombas dhe të huaj që përgëzojnë Vaçen tonë kombëtare, me rastin e 70-të vjetorit të lindjes së saj. Kanë mbritur edhe gazeta ku është shkruar për të. Bashkëshorti i saj fisnik, Pjetër Rodiqi dhe e bija Irma ja tregojnë Vaçes dhe ajo e përmalluar lëshon disa lotë nga sytë e saj të ëmbël. Telefonat dhe mesazhet këto ditë nuk kanë rreshtur, jo vetëm nga Zvicra, por edhe nga Shqipëria, Kosova dhe nga Diaspora. Zilja e telefonit me numër: 0041613216186 sapo mbaron një urim, bie përsëri.

Kur i them Vaçes se “Zemra Shqiptare” ka botuar me dhjetra faqe për rrugën e saj të gjatë si këngëtare dhe si “Vaçja jonë kombëtare”, ajo mrekullohet dhe më thotë që të përshëndeten të gjithë lexuesit e “Zemrës Shqiptare”, me mirënjohjen e saj të thellë për fjalët prekëse dhe vlerësimin për të. Ajo përsëri me modestinë që e karakterizon shprehet ndër të tjera se gjithçka e ka bërë për të dhënë një mesazh artdashësve në Shqipëri, Kosovë, vise dhe Diasporë. E bija, Irma, enkas për “Zemrën Shqiptare” e merr në një fotografi në sallonin ku e kalon pjesën më të madhe të kohës.

Në orën 11.00 të datës 7 prill 2009 dëgjohet një zë nga larg prej receptorit të telefonit. Është Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bamir Topi që uron nga zemra Vaçen për 70 Vjetorin e Lindjes. Ajo është tepër e emocionuar dhe e falenderon nga zemra Kryetarin e Shtetit me mirënjohje për kujdesin e tij të veçantë. Ajo mban pranë mikrofonin e larë në ar që është dhuruar prej tij për këtë dite feste të madhe. E mrekulluar ajo shikon pllakatin ku shkruhet “Vaçe Zelës si një grua, si një zë, si një mit. Nga Presidenti i Republikës, Bamir Topi dhe Zonja e parë Teuta Topi”. Ndërsa dhurata e dytë ështe një “letër” në formë papirusi e gdhendur në dru, ku shkruhej: “Perlës së muzikës shqiptare nga të gjithë shqiptarët”. Gjithashtu e nënshkruar nga Presidenti dhe zonja e parë. Me thjeshtësinë që e karakterizon dhe me emocion më shprehet se shpreson që një ditë kur të jetë me mirë me shëndet ka dëshirë të veçantë të ndodhet në Shqipëri, në Lushnjën ku ka lindur, në Myzeqe, në Kosovë, por edhe në Diasporë, për të takuar bashkëkombasit e saj. Pjetri dhe unë i themi se së shpejti do vijë ajo ditë...

Përsëri emocion shihet tek Vaçja. Pret me padurim të shohë videokasetën me mbrëmjen “Gala”, për nder të saj, që u mbajt në Pallatin e Kongreseve, nën patronazhin e Zonjës së Parë, Teuta Topi. Miqtë i kanë telefonuar dhe i kanë thënë se këngët më të mira të interpretuara prej saj u shoqëruan me kujtime kolegësh e miqsh. Janë kënduar ndër të tjera “Valsi i lumturisë”, “Natën vonë”, “Mesnatë”, “Nënave shqiptare”, “Rrjedh në këngë e ligjërime”, “Nuk e fshehim dashurinë”, “Flakë e borë” etj. Irma Rodiqi, e bija e Vaçes kujdeset me githë dëshirë të fotografojë të jëmën në këtë ditë të shënuar, për t’u përgjigjur kërkesave të shumta të Medias në Zvicër, por edhe në Shqipëri, Kosovë dhe Diasporë. Vaçja buzëqesh dhe është tepër e lumtur. Ashtu siç buzëqesh në këtë fotografi të freskët, që po ju paraqesim, të Vaçes sonë të mirë. Pranë ka edhe mesazhet e shumta të miqve dhe dashamirësve të saj. Kujton me respekt shkrimtarin Dritëro Agolli, i cili ndër të tjera është shprehur për të:” Unë mund të them pa asnjë lëkundje se Vaçe Zela, si artiste e madhe, hapi një epokë të re në të kënduarën e këngës shqiptare dhe u bë nismëtare e një kulture moderne në këtë fushë. Ajo këngën e zgjoi dhe e bëri një organizëm të gjallë, ku lëvizën e vibruan të gjitha molekulat dhe celulat. Në këtë organizëm ajo nuk la asnjë pjesëz të fjetur dhe të dremitur. Edhe lashtësinë e e këngëve popullore e afroi dhe e bëri të sotme dhe moderne.Edhe krijimet e kompozitorëve i pasuroi dhe ua rriti vlerat. Me mjeshtërinë e një këngëtareje të shquar ua rriti dëshirën kompozitorëve për të krijuar këngë dhe ua nxiti zellin në një garë të madhe artistike, ashtu siç hyjnë në garë vrapuesit në një stadium madhështor”.

Ndërkohë zilja e telefonit dëgjohet përsëri. Ai nuk rresht. Cdonjëri don të urojë Vaçen dhe t’i shprehë mirënjohjen për gjithçka ka dhënë për muzikën popullore dhe të lehtë shqiptare. Ajo nuk e fsheh dot përmallimin dhe me zërin e saj të ëmbël dhe të ulët shpreh me modesti gëzimin e saj. Kujtimet janë të shumta dhe duhen qindra faqe që të shkruhet për to...

Vaçja nisi të këndojë kur kishte ishte vetëm 9 vjeçe. Kishte vetëm 23 vjeç kur fitoi çmimin e parë me këngën “Fëmija e parë” me muzikë të Abdulla Grimcit dhe tekst të Dionis Bubanit. Pastaj prej vitit 1962 deri më 1980 fitoi 11 herë çmimin e Festivalit të Këngës në Radio dhe Televizionin shqiptar. Vazhduan më tej titujt që mori ndër të tjera “Nderi i Kombit”, “Artiste e Merituar”, “Artiste e Popullit”, “Mjeshtre e Madhe e Punës”, “Qytetare Nderi e Lushnjës”, “Qytetare Nderi e Qarkut të Fierit”, “Disku i Artë” nga SHBA, “Gruaja e vitit 97-98 nga Kembrixhi i Britanisë së Madhe, “Mikrofoni i Artë” nga Ministria e Kulturës së Kosovës, “Cmimi i Karrierës”, Vaçja është ndër 500 njerëzit më me influencë në botimin e Institutit Biografik Amerikan etj etj. Këto trofe ruhen me kujdes në sallonin e pritjes të Vaçes në Bazel.

Vaçja ka kënduar me qindra e qindra këngë shqiptare, por edhe në gjuhën italiane, spanjolle, ruse, rumune, greke etj. Disa nga këngët e saj më të njohura janë: “Çelu si mimoza”, “Zunë fushat të lulëzojnë”, “Qeshu Myzeqe”, “Djaloshi dhe shiu“,“E dua vendin tim,“Ëndrra ime”, “Fëmija i parë”,“Gjyshes“, “Këngët e vendit tim”, “Lemza“, “Sot jam 20 vjeç”, “Valsi i lumturisë”, “Nënë moj do pres gërshetin”, “ Nuk e fshehim dashurinë”, “ O diell i ri”, “Për Arbërinë”, “Shoqet tona ilegale”, “Shqiponja e lirisë”, “Të lumtur të dua”. etj. Këngët e saj kompozohen nga kompozitorët më të mirë të vendit, ndër të tjerë si Avni Mula, Feim Ibrahimi, Tish Daija, Pjetër Gaci, Ferdinand Deda, Baki Kongoli, Agim Prodani, Agim Krajka, Llazar Morcka, Aleksandër Peci, Abdulla Grimci, Luan Zhegu, Aleksandër Lalo, Tonin Harapi, Naim Krasniqi etj. Autorët e teksteve të këtyre këngëve janë: Ismail Kadare, Dritëro Agolli, Robert Shvarc, Xhevahir Spahiu, Fatos Arapi, Mark Gurakuqi, Zhuljana Jorganxhi, Gjoke Beci, Adelina Mamaqi, Kudret Isai, Gjergj Zheji, Kol Jakova, Sulejman Mato, etj.

 

I pasur është repertori i Vaçes edhe në interpretimin e këngëve të huaja, ndër të tjera: “Sei stato il primo amore”, “Esperanto”, “Gjinkalla” (ruse), “Na u prish karroca” (rumune), “Gjithë bota je ti” (Greke), “Granada” (spanjolle) e sa e sa të tjera.Kujton këngën e kënduar prej saj “Firence stanotte” në Pallatin e Sportit në Milano, kur mori duatrokitje të stuhishme nga publiku italian, apo në turneun në Norvegji kur i kërkuan të këndojë në gjuhën norvegjeze një këngë të tyre dhe ajo shpalosi talentin e saj që ngjalli emocione të shumta. Vaçja kujton me nostalgji kur ishte në Prishtinë vite më parë dhe megjithëse ka kënduar në shumë salla të botës i ka bërë përshtypje publiku i mrekulleushëm i Kosovës. Përmallohet me këngën “Jetë na dhuruat”, të kënduar nga Naim Krasniqi, me teskt të poetit Ekrem Kryeziu, dedikuar Vaçes në Fest’98, kur ajo ishte ftuar nga organizatorët, si kryetare e Jurisë.

 

“Fenomeni Vaçe Zela”, shkruan Prof. Dr. Fatmir Hysi, fenomen që në tërësinë e vet është i pandashëm nga jeta e njëkohshme e shqiptarëve, nga shijet, dëshirat e shpallura e të pashpallura të tyre, nga aspiratat për një jetë shumëdimensionale dhe të ndryshme nga ajo që ofronin ditëpasditet e njëtrajtëshme e të kufizuara të kohës...Myzeqeja, Lushnja, shtëpia e vjetër, çezma e qytetit, Shtëpia e Kulturës, Kinoteatri i Fierit, Tirana, gjimnazi “Qemal Stafa”, Estrada e Ushtarit, Estrada e Shtetit, Instituti i Lartë i Arteve, Ansambli Shtetëror i Këngëve dhe Valleve Popullore- të gjitha këto krijojnë një përfytyrim të saktë, jo vetëm për shkallët e formimit institucional të artistes, por edhe për atë pjesë të jetës shqiptare që për disa dekada me radhë ishte e vetmja shenjë identifikimi artistik ose, thënë më thjeshtë, ishte i vetmi terren i mundshëm arti, sidomos kënga, arrinin të zhvilloheshin e të afirmoheshin”.

..Kur e pyetën kritiken Zana Shuteriqi për mendimin e shprehur prej saj që, e konsideron Vaçe Zelën një Edith Piaf të këngës shqiptare, ajo u përgjigj: „Natyrisht, unë kam patur parasysh këngëtaren franceze si vlerë kombëtare që arriti me muzikën e lehtë të vendit të saj. Edhe sot emri i saj përmendet si pikë referimi edhe pse kanë dalë këngëtarë të rinj. Prandaj, duke parë te Vaçe Zela të njëjtën vlerë historike, si fenomen artistik, dhe po atë glorifikim të personalitetit të saj, e kam konsideruar këngëtaren tonë si një Edith Piaf të muzikës shqiptare“. Ndërsa As. Prof. Nexhat A. Agolli që ka bërë një punë të shkëlqyer me monografinë e tij me titull “Vaçe Zela- magjia e këngës shqiptare” ndër të tjera shprehet: « Vaçe Zela ishte një nga këngëtaret më në zë të gjysmës së dytë të shekullit që shkoi,e cila pushtoi skenën shqiptare : fillimisht me këngën popullore dhe, krahas saj, në vazhdimësi, edhe me këngën e muzikës së lehtë. Në të dy këto zhanre muzikore, ajo arriti një kulm që nuk do të shlyhet nga kujtesa artistike. Një yllësi që ndriçoi mendjen muzikore shqiptare për afër dyzet vjet radhazi me zërin e saj aq të ngrohtë e të gjithpushtetshëm. Dy zëra në kohë të ndryshme të fenomenit Vaçe : në të parën, adoleshente dhe në të dytën, madhore. Mes tyre një periudhë e gjatë, e shtrirë në kohë dhe në hapësirë mes dy caqeve nga ku nisi dhe arriti zenithin këngëtarja jonë e shquar. Një lëvizje drejtvizore, e pangjashme me atë të tokës rreth vetes dhe diellit, por me një trajektore më të gjatë, do të thoja kozmike. Në kufijtë e kësaj trajektoreje ne përjetuam zërin e saj të magjishëm”.

“Interpetim brilant”, “talent i lindur”, “vokal i shkëlqyer”, “Këngëtare e rrallë”, “mahnitëse” janë disa nga vlerësimet për interpretimin artistik të Vaçe Zelës...Një pasdite ajo hapi letrat e shumta që merr çdo ditë. Janë letra edhe nga njerëz të panjohur që shprehin çiltër ato që ndjejnë kur dëgjojnë akoma këngët e saj të rregjistruara. Takimet me njerëzit janë emocionuese, direkte dhe të sinqerta për Vaçen. Një personalitet i tillë shumë i respektuar, flet me modesti për veten, e më tepër flet për të tjerët. Ato shpesh përmbajnë një rrëfim, duke patur parasysh klimën e intimitetit që krijohet nga vetë ajo, besimit, duke i lënë shpesh përgjegjësinë intervistuesit, pa dashur të rishikojë përsëri tekstin që ai ka shkruar. Shpesh, fjalët e Pjetrit dhe Irmës japin mundësi të thellohesh më tepër në personalitetin e pasur dhe kompleks të këngëtares sonë të shquar.

Megjithëse është e rrethuar nga bashkëshorti, e bija dhe të afërm që i kanë ardhur me rastin e 70 Vjetorit të lindjes, ajo shprehet me mall për vendlindjen. Ka tre vëllezër dhe dy motra që jetojnë në Tiranë. Ajo ka qenë e lidhur shumë me familjen. Ishte më e madhja dhe gjithmonë ka patur dëshirë t’i kishte pranë ata. Dhe ashtu i mbajti deri sa jetoi në Shqipëri...

Shprehet me emocion dhe mirënjohje për shpalljen e saj si “Personaliteti i Vitit 2009”, bashkë me poetin Lasgush Poradeci dhe skulptorin Odhise Paskali. Gjithashtu dhe atmosfera e anëtarësimit në NATO e ka mallëngjyer. Ashtu siç ndjek ecurinë e demokracisë në Shqipëri, ndoqi në televizion atmosferën festive me rastin e pranimit të Shqipërisë në NATO, fjalimet e presidentit Bamir Topi dhe të Kryeministrit Sali Berisha, si dhe koncertin e Madh në Tiranë me këtë rast."Jam e mrekulluar. Sa bukur ishte". .. Për çdo 28 Nëntor flamuri shqiptar shpaloset në shtëpinë e këngëtares sonë me zemër të madhe në Bazel. Ashtu siç valëvitet ai me rastin e Ditës së Pavarësisë së Kosovës. Me këto kremtime tashmë janë mësuar edhe fqinjët zviceranë, të cilët vijnë dhe e urojnë familjen e saj. Ashtu siç admirojnë lulet e saj, pasioni i hershëm qysh në vogëli, por edhe më vonë në Tiranë e këtu në Bazel.

Urojmë që legjenda e muzikës popullore dhe të lehtë shqiptare të festojë dhe 100 Vjetorin e Lindjes dhe ta kemi midis nesh jo vetëm në vatrat tona por dhe në skenat shqiptare!

Më poshtë, lexues të “Zemrës Shqiptare” po ju japin vetëm disa nga dhjetra e dhjetra vlerësime të shumta të këtyre ditëve që janë paraqitur në shtypin shqipfolës. Cdonjëri nga ju mund të shfaqë mendimet e veta që do t’i transmetohen Vaçes sonë Kombëtare e cila i pret si buqeta me lule, sëbashku me lulet e saj të shumta që ka mbjellë në Bazel të Zvicrës. Sëbashku me lulet e shumta që zbukurojnë akoma apartamentin e saj në Tiranë, një kujdes i veçantë i të afërmve të saj të mirë. Atje, ashtu si edhe në Bazel të Zvicrës, fotografia e Vaçes qëndron e varur në mur, me buzëqeshjen e saj karakteristike. Ndoshta, në një ditë të afërme, këto fjalët tona, do t’i mbledhim sëbashku në një libër-kujtim për t’ja lënë brezave të ardhëshëm për të mos harruar kurrë Vaçen me zërin e saj të ëmbël që ka ngritur peshë artdashësit në Shqipëri, Kosovë e Diasporë. Dhe fotografinë e saj do ta ruajmë si një ikonë, ashtu siç i kanë ruajtur breza të tërë...

Zvicër, më 7 prill 2009

 

 _________

 

Koncerti në kishën e Sakrë-Kër të Gjenevës

 

S’ka shumë kohë që isha ftuar në kishën e Sakrë-Kër për një koncert , të realizuar nga Koralja Ibéro amerikane në Gjenevë. Grupi i 36 koristëve të 18 kombeve quhet « Kantares ». Ai drejtohet nga Alfredo Lavalley, qysh nga nëntori 2000. U mrekulluam nga këngët e të gjithë koristëve, (përfshirë dhe mikeshën tonë Karolinë dhe të shoqin tepër human Michel Porcher), që na shpinte në një botë hyjnore, të qetë, plot emocione dhe dashuri për njëri tjetrin. Ne dëgjuam këngët tradicionale meksikane, këngët popullore argjentinase, portorikene, braziliane, venezueliane, kolumbiane, peruane. Cdonjëri nga ne duartrokiti këtë grup të mrekullueshëm.

Mendoj se është një arritje për Zvicrën dhe sidomos për Gjenevën multietnike që në sajë të mirëkuptimit të autoriteteve kantonale apo federale, grupet artistike të popullsive që vijnë nga katër anët e botës mund të shprehin kulturat, këngët e tyre : qoftshin portugeze, spanjolle, shqiptare, franceze, afrikane, arabe etj. Ata kanë të gjitha të drejtat për të krijuar grupe artistike, siç janë grupet artistike shqiptare që shpesh na japin shfaqje në sallat më të mira të Gjenevës. Apo fëmijët e tyre ose ata vetë mund të ndjekin kurse në gjuhën amtare në Universitetin Popullor shqiptar, në Bibliotekën Ndërkulturore të Kryqit të Kuq të Gjenevës, në « Camarada » etj. në Gjenevë. Ata kanë libraritë e tyre ku mund të gjejnë libra dygjuhësh, si edhe në gjuhën e tyre amtare. Personalisht, kam dhënë ndihmesën time modeste për integrimin e shqiptarëve në Zvicër : kam realizuar me profesoreshën Francine Koch përmbledhjen dygjuhëshe shqip dhe frëngjisht: « Fëmija shqiptar me sy të zinj », « Përrallat e Zvicrës » (dygjuhësh shqip dhe frëngjisht) të akademikut, shkrimtarit dhe profesorit shqiptar të pedagogjisë dhe psikologjisë Bedri Dedja, si edhe « Karruzelin e ëndrrave » të shkrimtares zvicerane, Marie-Luce Dayer në shqip. Me shkrimtaren zvicerane jemi duke përgatitur një vëllim tjetër dy gjuhësh me tregimet e saja të bukura që përfshijnë edhe motive shqiptare. Ajo është edhe profesoreshë në një kolegj dhe ka shumë nxënës shqiptarë.

Të gjithë popujt që jetojnë në Gjenevë, në sajë të legjislacionit, edhe pse janë natyralizuar zviceranë, për të cilën ata i janë mirënjohës Zvicrës, mund të ruajnë nacionalitetin e tyre të vendit nga kanë ardhur : atë italiane, spanjolle, afrikane, etj. Pra, ato kanë të drejtë të kenë dyshtetësinë, fëmijët e tyre mund ta dijnë se nga vijnë dhe cila është prejardhja e tyre, një mundësi që nuk është e zakonshme në vende të tjera të botës. Një ditë, këta fëmijë mund të vendosin të kthehen në vendet nga e kanë prjardhjen, si edhe të qëndrojnë në Zvicër. Bravo për Gjenevën, një qytet ndërkombëtar, i qetë dhe i begatë, një qytet i turizmit, i bankave, por që pret gjithashtu në gjirin e vet mijra të huaj që punojnë dhe jetojnë aty në harmoni.

 

Botuar në gazetën zvicerane „Le Courrier“

_________________

 

Në njëqindvjetor të Nonda Bulkës (Chri-Chri)…

 

Mbushen 100 vjet nga lindja e njërit prej korifejve të letërsisë shqipe, shkrimtarit Nonda Bulka. Kushdo që ka patur fatin të bisedojë me të, të dëgjojë fjalët e tij, të shohë fytyrën e tij të vrarë nga jeta, por të qeshur, ndjen një nostalgji të thellë, pasi ai nuk ndodhet më midis nesh, qysh nga viti 1972. E shihje gjithmonë të menduar me ato flokët e tij të gjatë, që e fisnikëronin atë burrë jo shtatgjatë, me një shikim të mprehtë. Në jetën e tij të shkurtër 66-të vjeçare (1906-1972), ai kishte qënë një prej penave më të mira midis shkrimtarëve të sërës së vet. Kishte shkruar shumë, por botuar pak. Kishte shumë për të thënë, por fliste pak. Kishte tepër merita, por kurrë nuk u mburr ! Ishte trim dhe krenar që ishte shqiptar gjë që e kishte shprehur edhe gjatë kohës që kishte bërë burg në Kështjellën e Ali Pashë Tepelenës. Më 1934 botoi me pseudonimin e tij Chri-Chri shkrimet e tij therëse, fejtone dhe skica, nën titullin « Kur qan e qesh biblili ». Bashkëpunoi tek « Besa », « Flaga », « Rilindja » (Korçë), « Bota e re » (Tiranë), « Diana ». Nonda bashkëpunoi dhe me gazetat dhe revistat « Arbënia », « Përpara », « Përpjekja shqiptare » etj., ku trajtoi probleme të shumta politike dhe shoqërore. Vite më pas çlirimit ai ju përkushtua punës si pedagog i gjuhës shqipe dhe frënge, por dha dhe një ndihmesë të çmuar me shkrimet e tij therëse në revistën « Hosteni ». Në vitin 1962 botoi « Bota siç ish kur qante dhe qeshte bilbili », si dhe një numër vëllimesh në prozë, por që janë më tepër publiçistikë letrare.

 

Kur i thashë njëherë profesorit tim të nderuar të letërsisë frënge në Universitet, me të cilin kuvendoja shpesh, se shokët e tij e kishin cilësuar jo më kot : « Biblil i Përmetit », ai m’u kthye duke ndezur si zakonisht atë gjysëm cigaren e tij : « Dëgjo, i dashur Fredi, Përmeti dhe Shqipëria kanë patur dhe kanë njerëz të shquar, më tepër se unë ». Nuk e zgjata, pasi nuk i pëlqente lavdërimet. Ishte tepër modest. Edhe kur bënte vërejtje për ndonjë shkrim të botuar apo shkruar nga studenti i tij, përpiqej që të « vriste me pambuk ». Bënte vërejtje shoqërore, por me tepër takt dhe maturi. Asnjëherë nuk i duroi padrejtësitë shoqërore, bile edhe kur ishte me ne si profesor letërsie. Nuk e përtypi mirë meskinitetin e një pedagogu profan që pengoi një grup të studentëve të tij të vazhdonin studimet jashtë shtetit, pasi sipas atij pedagogu « ishin akoma të rinj ». Nonda ishte ngritur kundër, por ai pedagogu me ofiq i vitit…66 « kishte fituar » me argumentat e tij banale. Nuk pranoi lavde, megjithëse i takonte për qëndrimin e tij të paepur, për prozën e tij poetike me nerv, për skicat humoristike nga më të mirat gjatë viteve 30-të e më tej, kur vazhdoi të botojë sidomos në « Hosteni ». Merrej edhe me përkthime nga letërsia frënge, të cilën na e shpjegonte me aq pasion e bukuri. Shpesh qëndronin me sy të ngulur te shikimi i tij serioz, te pamja e tij njerëzore, shprehëse dhe e zgjuar kur na tregonte për Hygoin, Rabelenë, Dumasin, Merimenë, Mopasanin, si dhe pena të tjera të shquara të letërsisë franceze, atje në katin e dytë të Fakultetit të Histori-Filologjisë. Megjithëse ishte një nga personalitetet e shtypit të viteve ’30, polemist i shtypit të atyre viteve, ai fatkeqësisht është përmendur pak nga kritika e viteve të mëvonshme ose mund të themi se është anashkaluar pa të drejtë. E vërtetë se ishte modest së gjalli dhe nuk pranonte të jepte intervista apo të afishonte dijet, zgjuarsinë e tij të pamasë, por meritat e tij njihen nëpërmjet poezive, prozave poetike e sidomos skicave humoristike... Nonda Bulka njerëzori, i urti, i dashuri, i dhëmshuri, e meritonte më tepër të përmendej jo vetëm për to, por edhe për përkthimet me vlerë nga shkrimtarët francezë, për përmbledhjet e « Tregimeve të moçme shqiptare » të Mitrush Kutelit (Dhimitër Pasko), etj etj. Nga skicat, fejtonet dhe shkrimet e tij më të mira mbaj mend « Intervistë me Shën Pjetrin », « Mësim gjeografie », « Vija e vdekjes », « Kujtime tragjikomike », « Përralla abisine » etj. Profesor Nonda ishte tepër mirënjohës dhe gjatë kohës që kurohej në Rumani la këtë shënim : « Atdhetarit veteran Dhimitër Kristesku, i dhuroj këtë vepër modeste, në shënjë mirënjohjeje, për mikpritjen, dashurinë dhe ngrohtësinë që ka treguar ndaj meje, me gjithë familjen e tij »(Bukuresht, 31 maj 1972). Gjyshi i sime shoqeje, Dhimitër Kokoneshi që e kishte patur profesor Nondën, shok të ngushtë, pasi qëndronin bashkë në pushime në Pogradec, tregonte se ishte njeri me karakter, nuk mashtronte kurrë kur luanin sëbashku me letra, apo edhe e quante tepër modest, kur shokë të tjerë të një moshe pak a shumë të avancuar, nxirrnin meritat e tyre të « Luftës ». Ai vetëm buzëqeshte dhe vështronte me shikimin e tij të mprehtë, por tepër domethënës…U nda nga ne nga kjo jetë, më 14 nëntor 1972, pasi e breu sëmundja e pashërueshme, njeriun e mirë, të çiltër, të madhin Nonda Bulka. Vepra « Gazetarë dhe publicistë të shquar » (Fjalor enciklopedik) (botuar në 2005 nga Unioni i Gazetarëve Profesionistë të Veriut (UGPV), i jep një vend të dukshëm figurës së publicistit dhe shkrimtarit pendëartë, Nonda Bulka

 

Ja një kujtimet e mija të paharruara me profesorin tim Nonda Bulka.

 

Atë ditë pranvere të vitit 1966, profesori ynë hyri në klasë dhe nuk na kërkoi si zakonisht leje për të pirë një gjysëm cigare, siç e kishte zakon, por na tha : “ Sot letërsinë, nëse jeni dakord, do ta bëjmë jashtë në natyrë, afër kodrave të liqenit artificial ”. Nuk e di por ishte diçka e veçantë që do ta ruaj si kujtim gjithë jetën time. Chri-Chri, pseudonimi i tij letrar në vitet 30-të, na shpjegonte me aq dashuri dhe përsosmëri ecurinë e letërsisë frënge, sa ne shpesh kishim dëshirë të qëndronim akoma me të gjatë, edhe pas rënies së ziles që tregonte mbarimin e orës së mësimit. Kishte udhëtuar dhe lexuar shumë dhe dukej që kishte një formim të përkryer që shprehej dhe në shkrimet e tij realiste dhe tepër të forta në ide. Na fliste me aq pasion e dashuri për Viktor Hygonë, Romen Roland, Henri Barbusse dhe shkrimtarë të tjerë dhe me shpirtin e tij romantik na tërhiqte në atë botën e bukur të letërsisë frënge. Përkthente dhe vepra të letërsisë frënge, sidomos romane të shekullit XIX. Dhe po ta shohësh me kujdes veprën e Nonda Bulkës së paharruar ajo është një polemikë e një gazetari pendëhollë, e poetit, e narratorit apo e një kritiku dashamirës letrar. Pamfletet e tij të shkurtër në përmbledhjen e tij “Kur qante e qeshte bilbili”, botuar në 1932, “Vjershat satirike”, “Fabulat” dhe “Maska të çjerra” janë një pasqyrë e shpirtit të tij të pastër, njeriut me karakter të fortë, gjithmonë i buzëqeshur dhe tepër zemërmirë. Flisnim bashkë për letërsinë, i tregoja shkrimet e mija ku më bënte vërejtje të sakta, si fëmijës së tij, « pa më vrarë », por thjesht si një prind i vërtetë. Ishte njeri i madh dhe na donte si fëmijët e tij, na qëndronte pranë, na këshillonte, sepse jeta e tij tërë dallgë, nuk i kishte falur një fëmijë të vetin…

 

Profesor Nonda na thërriste herë pas here në shtëpinë e tij në rrugën e Durrësit, ku diskutonim me pasion për letërsinë frënge dhe shqipe dhe ku na servirte edhe ndonjë raki nga Përmeti i tij. Shihnim ndonjëherë televizion, pasi në atë kohë ishin të rrallë. Kishte marrë në Rumani, një xham me ngjyrë për televizorin dhe shikimi ishte me një refleks disa ngjyrësh. Në Rumani kishte shkuar për t’u kuruar nga gryka, sëmundje që fatkeqësisht ja shkurtoi jetën. Dhe një ditë e përcollëm në banesën e fundit në vitin 1972, në moshën 66 vjeçare.

 

Profesor Nonda kishte një bibliotekë shumë të pasur, sidomos me autorë francezë dhe herë pas here na jepte libra për t’ lexuar.

 

Njëherë një shok i fakultetit tonë u bë gati të merrte një libër nga biblioteka. Profesori, pa u ngritur, por me zërin e tij impulsiv, pjesë e karakterit të tij, e ndërpreu në hovin e tij : “ Djalë, para se të marrësh atë libër, ki parasysh se duhet të kthesh tjetrin që ke marrë ”…Dhe shtoi: “Dua t’u le dhe brezave të tjerë të shfletojnë librat e mi”. Kujtimi, shoku ynë i klasës, që u largua shpejt nga kjo jetë, me atë të qeshurën karakteristike, na bëri edhe neve që të shpërthenim në gaz.

Ky ishte një mësim i bukur për çdonjerin nga ne. Qysh atëhere më ka mbetur pasion i veçantë t’i ruaj librat me kujdes kudo që kam qënë, në banesën time në Tiranë dhe kudo që më kanë çuar rrugët e jetës.

 

Marrë nga libri « Me zemër të pastër”, botimet “Alor”, 2008

 

 __________ 

 

Vedat Kokona, profesori i fjalorëve

 

Ai u largua nga kjo botë me kujtimin më të mirë, të profesorit flokëbardhë që na dha nocionet e para të artit të përkthimit. Shumë nga botimet e tij mbajnë autografin e tij të cilat i ruaj me kujdes në bibliotekën time. Më shkruante pak para se të ndronte jetë se shqipot nuk mendojne për fjalorë e lexim…Dolëm në fotografi bashkë me të në Tiranë, në shtëpinë e tij, ku i qëndronte pranë e shoqja, një grua e urtë dhe pafjalë, diskutuam për fjalorin e madh që kishte në dorë, për një botim tjetër që kishte dëshirë që unë ta sponsorizoja…Fliste me atë zërin e tij karakteristik, me gjuhën e pastër shqipe, për të cilën kishte punuar shumë dhe kishte botuar së fundi “Thërrime me mjaltë”-gramatikë e vogël e gjuhës shqipe. Më thoshte me keqardhje se “me kalimin e kohës në shtyp e në mjetet e komunikimit masiv përdoreshin shumë fjalë të huaja, duke e lënë pas dore gjuhën amtare, për të cilën u munduan aq shumë rilindasit që e shkruan edhe me gjak”.Mbi të gjitha kujtuam edhe vitet e shkuara, ato vite të 1965-66 kur shkonim bashkë me profesorin flokëbardhë në malin e Dajtit, duke u ngjitur në këmbë. Rrugës ai na mbante gjallë dhe megjithëse binte dëborë dhe bënte ftohtë na tregonte pambarim barcoleta me kripë dhe me “bum”. Kujtuam edhe vitet e fakultetit kur profesori i shquar na dha nocionet e pastra të përkthimit që më shërbyen pastaj tepër gjatë viteve. Kujtonte me nostalgji romanin e tij “Me valët e jetës”, si dhe dramën “Hijet e natës”, që ai ish kryeministri e kishte ndaluar pa kuptim. Sidoqoftë vite më vonë, ajo u vu përsëri në skenë dhe profesor Vedati ndjente një kënaqësi të veçantë. Kujtuam edhe raste të shumta kur ndonjë nga bashkëstudentët i emocionuar bënte gabime në shqiptimin e fjalëve frënge, e ai me dashamirësi e korigjonte, ose shtonte me shaka: “T’i shkruajmë Akademisë Franceze që ta përfshijë këtë fjalë të re në fjalor”.Kujtuam edhe Rudinën e cila pyeti a ka në frëngjisht fjalë “përtoj” e ai ishte përgjigjur se nuk ka francezë përtacë, prandaj edhe folje të mirëfilltë në frëngjisht nuk ka. Ose mbaj akoma pranë letrën e tij të fundit që më dërgonte së largu, midis shumë të tjerave ku më shkruante me dashuri: “I dashur Alfred. Të uroj nga zemra, pak me vonesë ç’është e vërteta për dhuratën që më pate bërë shumë kohë më parë dhe për të falat që më ke dërguar disa herë. Nuk të kam shkruar, por ta dish se të kujtoj shpesh me dashuri. Je nga fort të pakë ish studentë të mi që të kam pranë shpirtërisht dhe shpesh e kujtoj shëtitjen në Dajt 30 vjet më parë dhe fjalët që shkrove për profesorin flokëbardhë. Me rastin më të parë që do të gjej do të të çoj një botim, me disa sonete të Shekspirit. Këtu gramatika thuajse s’po shitet. Shqipot s’kanë nevojë për gramatikën e gjuhës së tyre, të cilën e njohin shumë mirë. Urimet e mija më të përzemërta për Vitin e Ri dhe Krishlindjen ’96. Të përqafoj me mall. I Yti Vedati”…

Ai u largua nga ne, por me kujtimin më të mirë të një njeriu zemërmirë, me pasion për jetën, për gjuhën, për frëngjishten që aq mirë e zotëronte, duke na lënë së fundi një dhuratë të çmuar për gjuhën: fjalorin 35 mijë fjalësh shqip-frëngjisht, botuar nga kmiku ynë i përbashkët Fatmir Toçi, i botimeve “Toena”…

 

Nga vëllimi “Nxënësja e etur e gjuhës romanshë” (Toena), dy gjuhësh shqip-frëngjisht

 

___________________

 

Muzikologu zviceran Marcel Cellier dhe shqiptarët

 

Nuk e mbaj mend mirë se si lindi miqësia jonë, vetëm se atë mbrëmje e ndjeja veten tepër të lumtur që isha në shtëpinë e Marcel Cellier, bashkë me gruan time. Ishte edhe për të një gjë e mirë, pasi shpesh nga që lodhej gjatë javës parapëlqente të qëndronte e të çlodhej në shtëpi, përveç punëve të shumta që e prisnin. Marceli na nxorri aperitivin dhe na shërbeu gjëra të tjera, me atë buzëqeshjen e tij karakteristike. Gjithmonë faqet i rrinin të kuqe. Kujtonte udhëtimin e tij në Shqipëri e sidomos në festivalin e Gjirokastrës ku kishte bërë rregjistrime të bukura e me shumë vlerë. E vetmja gjë që i kishte mbetur peng ishte se atëherë dikush atje në Tiranë nuk kishte pranuar ta shoqëronte e shoqja e cila donte të realizonte fotografitë, siç bënte në udhëtime të tjera me të. Edhe unë kisha mbetur i mërzitur atëhere, por të paktën nga Zvicra shkuan tre personalitete të artit: Marcel Cellier, Pierre Barde dhe Antoine Bordier, të dy gazetarë të televizionit të Gjenevës...

Atë darkë aty ishte edhe Aleksandri, djali i Marcelit, një virtuoz i vërtetë, që e kishte azhendën e tij të mbushur plot, për muaj të tërë. Ai kishte kënaqësi të merrte pjesë nëpër dasma dhe të kënaqte të pranishmit me lojën e tij të mrekullueshme. Ishte dhe djali tjetër si edhe e shoqja e tij. Pas një kohe, mbasi kishim dëgjuar Aleksandrin në piano, si dhe Marcelin duke na treguar muzikën e tij të rregjistruar shqiptare, Marceli më tha: „Do të të jap një dhuratë. Ky është disku i ri që kam bërë me muzikë shqiptare, realizuar në Francë... U emocionova kur e mora atë disk me nënshkrimin e Marcelit…Mbi të gjitha më kujtoheshin emisionet e tij pasionante tek “ Radio Swis romandë ” për muzikën shqiptare. Ato fjalë të bukura e plot dashuri të Marcelit për këngët tona popullore, për folklorin shqiptar: „ Këngët ishin shumë dinjitoze“, „qënja `shqipëtare` e kësaj pasurie“ kur ai u drejtohej „miqve të muzikës tradicionale të Zvicrës“, siç e përsëriste vetë shpesh. Më kujtoheshin fjalët e tij shumë poetike: „Ngjitem me manjetofonin tim Nagra, mbajtur krahëqafë, në rrugën e mundimshme dhe me gurë që shkon zigzag deri tek kalaja e Gjirokastrës. Duke marrë përsëri frymë, shikimi im shkon tek çatitë prej guri të qytetit piktoresk...“ Dhe më tej, ai thekson kur shiu i rrëmbyeshëm fillon të bjerë mbi skenë: „Shqiptarët janë shumë krenarë dhe nuk braktisin me asnjë pretekst... Artistët kanë ardhur nga disa fshatra dhe lugina të largëta, në mënyrë të çuditshme me dhunti, për të na shfaqur diçka me origjinalitet të habitshëm“... „Të gjithë ngrinin shëndet me të gjithë, me konjak Skënderbej për miqësinë me Shqipërinë ”. Ai tregon: „Papritur, pas meje, dëgjoj të flitet për emra që janë tipikë amerikanë. Pra shkoj në atë drejtim dhe menjëherë bëj një pyetje: „Nga keni ardhur?“ „Ne jemi shqiptarë nga Detroiti i SHBA“- më përgjigjen ata. „A e ndjeni veten si në shtëpinë tuaj këtu në Gjirokastër“- i pyes. „Jo, këtu ne jemi në shtëpinë tonë“.

„Ky grup, sapo ngjitet në skenë, thotë Marceli, la një përshtypje shumë të mirë, të stilit me të vërtetë shqiptar...“

Më tha se para pak kohe kishte marrë Oskarin për muzikën bullgare dhe të njëjtën gjë donte të realizonte me muzikën shqiptare. Propozoi që të bënte një disk tjetër me muzikë shqiptare, duke futur elementë të rinj...

Le të shpresojmë se dikush do të bëj një hap për të realizuar dëshirën e mikut tim Marcel dhe të gruas së tij shumë të devotshme Katerina që e shoqëron në çdo udhëtim pune, me fotografitë e saj të arrira...

Darka kaloi në një atmosferë të këndëshme, megjithëse ne na u desh të ktheheshim vonë në Gjenevë, nëpër rrugën me dëborë dhe të lodhur. Në mendje më mbetej melodia e luajtur në mënyrë të përkryer nga Aleksandri që e bëri enkas për neve, si dhe buzëqeshja e shprehur në faqet e kuqe të Marcelit që ishte tepër mirënjohës se kisha bërë përçapje për ta shpënë në Shqipëri, megjithëse unë kisha bërë detyrën time. Në radiokasetën e makinës sime, kisha lëshuar „simfoninë pastorale të shtetit mëmë“, sipas fjalëve të mikut tim muzikant, një muzikë polifonike arkaike të Jugut të Shqipërisë...

 

________________

 

Meditim për doktoreshën humane zvicerane, mike e shqiptarëve

 

...Prej vitesh kam ndarë me personelin human mjekues, mjekë dhe infermiere në Gjenevë, para fillimit të një konsulte, « kruasantin » (croissant) dhe kafen e mëngjezit, duke diskutuar lirshëm dhe si midis kolegësh që na bashkon një qëllim : si të përmirësojmë bisedën me një pacient nga Shqipëria, Kosova apo nga viset, Maqedonia, apo me bashkëkombas shqiptarë që janë vendosur në Zvicër, qoftë edhe përkohësisht. Flasim për atë gruan shqiptare që nuk dinte asnjë fjalë frëngjisht dhe dëshirën e saj për të kuptuar gjithçka nga biseda, për prindin e asaj fëmije që nuk ka konsultuar asnjëherë mjek në fshatin e saj, për mungesë mjetesh dhe personeli mjekësor…Midis tyre, kam pasë rastin të marr pjesë dhe të diskutoj me doktoreshën zvicerane Marinette Wyss, një njeri i qetë, në pamje e ashpër, por tepër modeste, njerëzore dhe e urtë, kur e njeh nga afër. Për të gjithë ata që kanë pasë fatin ta njohin, ajo nuk linte asnjerin prej tyre indiferent. Kureshtare, njerëzore dhe e dashur, ajo vazhdoi në rravat e jetës, duke ecur në një « udhë » profesionale që dallohej nga autorësia e saj për një trajtim të ri të sëmundjeve gjenetike, duke përfshirë edhe Talaseminë, që është e përhapur sidomos në zonat mesdhetare : Greqi, Itali, Qipro, Shqipëri, Francë, Britani e Madhe por edhe në vendet arabe, si edhe në Kanada, SHBA, si rezultat i migrimit. Doktoreshë Wyss kishte aftësi të bashkëpunonte ngushtë dhe me kolegët e saj të spitaleve të tjera në Zvicër, por edhe jashtë, si për shembull edhe me profesorët shqiptarë të hematologjisë, Selaudin Bekteshin dhe Enis Boletinin. Ajo komunikonte edhe me profesorin e shquar francez Robert Girot lidhur me pacientët shqiptarë që kuronte në Departamentin e Pediatrisë së Spitalit Kantonal Universitar të Gjenevës. Kohët e fundit para rastin të shfletoj letërkëmbimet e saj me prof. Enis Boletinin, si dhe me prof. Robert Girot. Ajo shquhet për shpirtmadhësi dhe këmbëngulje për të trajtuar pacientët talasemikë me një terapi sa më bashkëkohore. Ajo ka shpëtuar shumë jetë fëmijësh dhe adoleshentë që vinin nga kontinente të ndryshëm, duke përfshirë edhe nga Shqipëria, Kosova dhe viset. Gjithçka që po shkruaj më poshtë, është një nga mijra dëshmitë që mund të shkruheshin nga qindra njerëz që kanë biseduar dhe kanë ndeshur me këtë doktoreshë të jashtëzakonshme.

 

Megjithëse i kam shprehur disa herë dëshirën që të shkruaj për jetën e saj, ajo me modestinë që e ka karakterizuar nuk ka pranuar, pasi e quante veprën e saj, si përkushtim modest ndaj profesionit që e kishte pranuar me dëshirë. Lindi në vitin 1930 në një familje modeste zvicerane dhe shumë shpejt prirja e saj ishte mjekësia, studimi i sekreteve të trupit të njeriut dhe gjetja e rrugëve për të ulur sadopak dhembjet e atyre mijra të sëmurëve që prisnin diçka më të mirë…Ajo me punën e saj si mjeke, qysh e re fitoi besimin e ekipit tjetër mjekësor, si dhe të pacientëve të shumtë. Komunikonte me ta me një gjuhë të thjeshtë, në frëngjisht, gjermanisht, italisht apo anglisht, kur kishte të bënte me pacientë, dhe me gjuhën mjekësore të mirëfilltë, me kolegë zviceranë apo të huaj. Shumë shpejt mori titullin e lartë Doktore në mjekësi dhe në vitin 1973 krijoi Qendrën e Hematologjisë dhe Onkologjisë Pediatrike në Spitalin Universitar të Gjenevës. Në këtë spital kanë kryer sidomos studimet e tyre universitare dhe pasuniversitare edhe shumë mjekë shqiptarë që sot kanë marrë edhe titullin profesor në mjekësi. Sot kujtohet akoma me respekt nga ish-kolegët e tij në Spitalin Kantonal Universitar të Gjenevës, profesori i dëgjuar shqiptar, Isuf Kalo, i cili ka qënë për një kohë të gjatë edhe funksionar i lartë i OMS-it në Kopenhagë. Ai nuk i ka ndërprerë lidhjet me ish-kolegët dhe profesorë zviceranë edhe pas largimit nga Gjeneva ; vazhdon edhe sot e kësaj dite që është kthyer në Shqipëri. Me ndihmën e tij do botohet së shpejti një libër në shqip i profesorit të dëgjuar zviceran Jean-Philippe Assal. Edhe doktor Met Dybeku, i cili është nga Shqipëria dhe po përgatit me një profesor të shquar zviceran një projekt për geriatrinë shqiptare (mjekimin e të moshuarve). Kardiologia Adriana Keta pas aftësimit në Spitalin Kantonal Universitar të Gjenevës jep përvojën e saj, të fituar në Zvicër por edhe në Francë, në Spitalin Kantonal të Lozanës, dhe së shpejti do të shkojë si konsulente në Spitalin me famë botërore të Zyrihut. Mjekë të tjerë nga Shqipëria janë aftësuar në Spitalin Universitar të Gjenevës, diabetologë, dentistë, gjeneticienë etj, si dhe një numër infermeriesh që kanë marrë edhe diploma në shkollën e Lartë « Bon Secours » në Gjenevë, partnere e privilegjuar e Spitalit Kantonal Universitar të Gjenevës…

.

..Doktoreshë Wyss, ashtu si edhe profesor Jean-Philippe Assal që është njëkohësisht anëtar nderi i Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq dhe drejtor i një qendre të OBSH-së në Gjenevë, profesor Pierre Dayer, drejtori shkencor i Spitalit Universitar të Gjenevës, prof. Afksendyos Kalangos kryekirurgu i famshëm botëtor në Sherbimin e kardiologjisë vaskulare (ka realizuar me shumë sukses edhe operacione të zemrës të pacientëve shqiptarë dhe ka shpëtuar mëse njëherë, jashtë territorit spitalor me përvojën e tij shëmbullore, një paciente shqiptare që pati një vdekje klinike), kanë pritur dhe formuar shumë mjekë shqiptarë si dhe kanë bërë të mundur ardhjen në Gjenevë edhe të personelit tjetër mjekues shqiptar. Ndjenjat e tyre dhe respekti për shqiptarët kanë bërë që shkëmbimet dypalëshe në fusha të ndryshme të mjekësisë bashkëkohore të vazhdojnë.

 

Doktoreshë Wyss, siç e quanin kolegët e saj, si dhe pacientët dhe prindërit e tyre ishte një nga pionieret e mjekësisë moderne zvicerane, por modestia, urtësia dhe krenaria e saj, bënë që ajo shpesh çdo arritje të saj ta kalonte në heshtje…Tani, ajo nuk mund të më qortonte ndoshta me shikimin e saj me buzëqeshje por edhe njëkohësisht qortues : « të kam thënë të mos shkruash për mua se gjithçka që kam bërë ka qënë e zakonshme dhe gjithë personeli mjekësor ka dhënë ndihmesën e vet »…Unë e mora këtë guxim, pasi ajo s’ka shumë ditë që u largua nga kjo jetë, në moshën 76 vjeçare. Ky është një homazh që i bëj një mjeke zvicerane, por edhe mike e shqiptarëve, që u dha gëzim dhe optimizëm për jetën qindra e qindra vogëlushëve dhe adoleshentëve, si edhe prindërve të tyre, qofshin këta zviceranë apo të huaj, por me sigurinë se e ardhmja e tyre do të ishte më e mirë. Ajo iku ashtu e heshtur, me vështrim të patronditur në çastet e fundit, e urtë, pa u qarë njëherë. Ajo iku por qindra e qindra pacientë të saj, që tani janë në moshë madhore, zviceranë dhe të kombeve të tjerë që kanë zgjedhur Zvicrën si tokë qëndrimi, edhe për disa vite, do ta kujtojnë Doktoreshë Wyssin, si një qënie të hijshme, të gjallë, me fytyrën që i shkëlqente para çdo pacienti. Personalisht, do të kujtoj ditët që kemi kaluar bashkë, jo vetëm kur ajo ushtronte profesionin e mjekes hematologe, por edhe kur ajo doli në pension. Kujtonim çastet e vështira por edhe gëzimin e saj kur pacienti bëhej më mirë ose shërohej fare, në sajë të teknikave të reja në mjekësi. Kujtonim pjesëmarrjen e saj në programe kërkimore për transplantimin e palcës së kockës tek fëmijët Talasemikë. Çdo herë që vija nga ndonjë udhëtim jashtë shtetit, nga kononferencat ndërkombëtare për Talaseminë, më dëgjonte me vemendje. Ashtu si ai profesori i nderuar shqiptar, Aleko Vesho që megjithëse ka mbushur 80 vjet, i shprehet një mikut tim mjek që t’i dërgoj botime të reja për Talaseminë, edhe ajo ngaqë nuk kishte mundësi të lëvizte më, i priste si ujët e pakët botimet në përgjithësi për hematologjinë, por në veçanti për Talasemikët. I fola për takimin me babain e transplantimeve të palcës së kurrizit, profesor Guido Lucarellin, i cili ka arritur të bëjë transplantime edhe në raste kur nuk ka përputhshmëri të plotë BMT. I theksova se profesor Lucarelli më ishte shprehur se s’ka shumë kohë që kishin realizuar rezultatet tek pacientë me Talasemi Major që nuk kanë përshtatshmëri BMT me donatorët e mundshëm. Ky është një studim i shumanëshëm dhe premtues ». I thashë doktoreshës Wyss se profesori i nderuar italian që ka realizuar transplantime me sukses edhe tek fëmijë shqiptarë do të më dërgojë së shpejti përmbledhjen e re të transplantimeve për hemoglobinopatitë në të ardhmen. I theksova se ai do të shkojë dhe në Shqipëri për një program bashkëpunimi të mëtejshëm në këtë fushë. Ju mbushën sytë me lotë dhe më kujtoi rastin e një fëmije që shumë kohë më parë kishte luftuar për ta mbajtur në jetë, por për shkak të teknikave jo të avancuara ato vite në këtë fushë, ajo nuk kishte mundur ta shpëtonte…Më thoshte shpesh se biblioteka e saj ishte e hapur për mua në çdo kohë për ta shfletuar. Me mijra faqe të shkruara nga dora e saj, nga përvoja e pasur e jetës mjekësore. Shumë nga to nuk i botoi, pasi nuk i quante si vlera të krijuara prej saj. E gjeta me lot në sy kur shfletonte së fundi revistën me prestigj « American Journal of Medical Genetics » ku ishte botuar një punë kërkimore e saj në fushën e hematologjisë. Kolegët nuk e harronin, por gjithmonë merrnin mendimin e saj, megjithë moshën e thyer. Botimi i saj, së bashku me kolegun, docentin Pierre Wacker, « Regresi i insuficensës kardiake pas administrimit ambulator intravenoz të Desferalit në Talaseminë Majore » që do përkthehet edhe në gjuhën shqipe, është një udhërrëfyes dhe një dëshmi e punës së saj me pasion, e ndjekjes me përsosmëri edhe të pacientëve shqiptarë. Kishte qënë anëtare e Byrosë së Ligës kundër kancerit të Gjenevës, drejtuese e Departamentit të Pediatrisë në Qendrën Mjekësore Universitare të Vodit (CHUV), ku kanë punuar edhe punojnë akoma mjekë shqiptarë që kanë bërë emër në fushën e tyre të specialitetit mjekësor. Ka qënë konsulente e Spitalit të dëgjuar « La Tour » në Gjenevë, si dhe ka marrë pjesë në shumë programme kërkimore për transplantimin e palcës së kokcës në Evropë…

Doktoreshë Wyss, duke e parë pasionin tim për të mësuar më tepër për Talaseminë, më tha një ditë, pas leximit të dy librave të mij të fundit dy gjuhësh frëngjisht dhe shqip « Meditime për shqiptarët, Evropën dhe Kombet e Bashkuara », si dhe « Nxënësja e etur e gjuhës romanshë » , ku unë kam përfshirë përveç tregimeve, skicave dhe refleksioneve edhe artikuj të mij lidhur me hapat në luftën kundër Talasemisë : « Mesazhet lidhur me mjekimin klinik të talasemisë janë të shumta dhe premtuese. Shkencëtarët punojnë në këtë drejtim, por realizimet e tyre do të varen edhe nga pranimi i një mjekimi klinik të përshtatshëm nga ana e vetë pacientëve talasemikë, për të arritur pastaj tek mundësia e një kurimi më të efektshëm”. Ajo i jep rëndësi edhe informimit të familjeve që kanë predispozicion të kenë paraardhës me genin e Talasemisë, depistimit të tyre me anë të anketave në familje, gjatë konsultave mjekësore të përditshme apo paralindjes, çka ndikon në parandalimin e sëmundjeve te fëmijët e ardhshëm ; shtron si domosdoshmëri diagnozën prenatale, që falë përparimeve të teknikave të marrjes së materialit gjenetik dhe biologjisë molekulare, është zbatuar që nga vitet 1970.

Një ditë duke kërkuar në dosjet e saj të panumërta, ku kishte shkëmbimet e saj me mjekë të vendeve të ndryshme, më nxorri edhe letërkëmbimin me Doktor Enis Boletinin dhe, nëpërmjet tij, me profesor Selaudin Bekteshin, lidhur me trajtimin klinik fillestar të një pacienti shqiptar në klinikën e saj. Bile më tregoi edhe letërkëmbimin me profesorin e dëgjuar francez Robert Girot, një nga njohësit më të mirë të Talasemisë në botë. Ai i shkruante se prof. Enis Boletini kishte komunikuar me të lidhur me mjekimin e disa pacientëve shqiptarë dhe e quante me interes bashkëpunimin me atë mjek shqiptar që e njihte shumë mirë problemin e Talasemisë. Ai ka trajtuar për herë të parë me sukses, me eliminues të rinj të hekurit, që grumbullohet në trupin e talasemikëve, edhe pacientë shqiptarë. Doktoreshë Wyss kishte miqësi me të, ndaj konsultohej gjithmonë edhe për pacientët shqiptarë që ajo kuronte me tepër përkushtim e dashuri. Prof. Robert Girot ka shumë botime për Talaseminë. Ai tashmë është një nga bashkëpunëtorët më të njohur të Federatës Ndërkombëtare të Talasemisë (TIF), që kohët e fundit i ka zgjeruar kontaktet me Ministrinë tonë të Shëndetësisë, me mjekët tanë hematologë dhe me shoqatën shqiptare të luftës kundër Talasemisë. Presidenti i saj, Musa Zenelaj, është një anëtar i TIF, me të drejtë vote, midis shoqatave të vendeve të tjera anëtare.

I kujtoja Dr. Wyss, sidomos në këtë vitin e fundit, se ajo ishte gjithmonë e pranishme në shërbimin e hematologjisë dhe rrezatonte akoma me këshillat e saj atje. E kuptonte se i jepja kurajo dhe i vinte keq se, për shkak të sëmundjes së saj, nuk mund të ishte më e pranishme atje … ; megjithatë shprehte një kënaqësi kur e cilësonin akoma si të domosdoshme në shërbimin hematologjik…Bisedonim në apartamentin e saj në Shampel të Gjenevës, tepër modest për një mjeke të njohur si ajo, me piktura të shumta, dhuruar nga dashamirës të saj. Më tregonte për pasionin e saj, qysh në rini, për librat, për pikturën, për udhëtimet, për dëshirën e shprehur nga një qytetar belg, mik i saj, për t’u vendosur në vilën e tij, diku në rrethinat e Brukselit…Ajo megjithëse kishte mbetur mik me të, nuk kishte pranuar të largohej nga shërbimi hematologjik pranë Spitali Universitar të Gjenevës, pasi aty ishte kënaqësia, jeta e saj si mjeke. Kujtonte udhëtimet e saj në Europë, etj., shërbimet lidhur me transplantimet, bashkë me mikeshën e saj të vjetër, Karolinën…Kujtonte ato netë pa gjuhë të mikeshës së saj, Roza, e cila i qëndronte pranë, e qetësonte, i jepte pak e nga pak për të ngrënë dhe ia ledhatonte flokët e saj të bardhë…Disa kohë më parë, pasi pa librat e mi, si dhe botime të shkrimtarëve shqiptarë, që i kisha dhuruar apo diskun me muzikë shqiptare të realizuar në Festivalin Foklorik shqiptar nga miku im Marcel Cellier, fitues i Oskarit për muzikën e tij, ajo më tha : « Kam letra shqip nga pacientë shqiptarë, por siç e di, unë shqiptoj vetëm disa fjalë shqip : « Mirëdita », « Si ndiheni », « Faleminderit », « Mirupafshim » dhe disa fjalë të tjera. Do të doja të mësoja më tepër »…Unë e dija se gjendja e saj shëndetësore nuk e lejonte të bënte një sforcim të tepërt, por për ta qetësuar i përgjigjesha : « Do ta mësojmë bashkë pak e nga pak ».

 

Më lejoni t’u tregoj një kujtim të bukur dhe të paharruar për doktoreshën Wyss.

« Mbrëmja e asaj të shtune tek « Victoria Hall », salla më me prestigj në Gjenevë ku shfaqen operat, ishte e mrekullueshme. Çasti më prekës ishte kur orkestra, nën tingujt e "Ditëlindjes së gëzuar" i bënte thirrje një gruaje të moshuar, serioze dhe që nuk flet shumë, por ka një zemër dhe ndjenja njerëzore të jashtëzakonshme. Quhet Marinette Wyss, por të gjithë e thërresin Doktor Wyss. Ajo u emocionua kur Natalia i dha një buqetë të madhe me lule dhe e përqafoi fort si nënën e saj, shënjë e mirënjohjes për vitet e një jete të lumtur, në sajë të kujdesit të treguar nga Doktoreshë Wyss. Ajo vazhdonte ta mbronte atë dhe Natalia e adhuron me një pasion të jashtzakonshëm. Ajo u përgjigj me shumë modesti kur kolegu i saj më i ri fliste për jetën e saj në shërbim të qindra e qindra njerëzve.

 

Ajo ka punuar qysh prej afro tre dhjetëvjeçarësh në spitalin e fëmijëve në Gjenevë. Ajo ka parë të kalojnë para saj fëmijë që vuanin, që luftonin për një jetë më të qetë e me më pak halle, që diti t'ua ulë dhimbjet; ajo ka parë fëmijë që në fillim kishin frikë nga spitali, dhe analizat, që vinin nga zona të thella të Kosovës apo vise të tjera, por me butësinë e fjalët e saj, ajo mundi t'i bindë për dobinë e trajtimit. Sëbashku me ekipin simpatik dhe kompetent të Hematologjisë, ajo bën gjithçka për t'u kujdesur dhe shëruar fëmijët e prekur nga sëmundjet imuno-defiçitare etj. Shpesh ajo qëndron vonë në spital, pranë fëmijëve të sëmurë ; diskuton me ta dhe gjen ilaçin më të mirë duke u konsultuar me kolegët e tjerë specialistë që përfaqësojnë një ekip kompakt. Megjithëse e ka kohën shumë të zënë, ajo është gjithmonë e gatshme t'i dëgjojë. Ajo jep mendimin e saj dhe bashkëpunon me shoqatën ARFEC në Gjenevë që organizon shumë veprimtari për fëmijët e sëmurë, eskursione në Zvicër, Francë, kampe pushimi, udhëtime tek Eurodisnei etj.

Mbrëmja tek Viktoria Hall do të mbetet e paharrueshme për të gjithë ata që morën pjesë dhe admiruan gjithashtu orkestrën e artistëve të Lozanës. Ishte një kujtim i bukur për punën e përkryer që doktoreshë Marinette Wyss ka bërë dhe vazhdon të bëjë në shërbim të njerëzve , të fëmijëve dhe të adoleshentëve zviceranë, shqiptarë, arabë, italianë, portugezë e kombeve të tjerë që e përbëjnë Gjenevën multietnike »

 

Nga libri „Me zemër të pastër“, dy gjuhësh shqip frëngjisht, Gjenevë 2008



(Vota: 9 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora