E diele, 28.04.2024, 11:17 AM (GMT+1)

Faleminderit

Thanas L. Gjika: Kujtime për Prof. Eqrem Çabeun

E premte, 03.06.2011, 08:05 PM


KUJTIME PËR PROF. EQREM ÇABEUN

Nga Thanas L. Gjika

Nga koha sudentore: Ora e fundit e leksioneve

Këto kujtime desha t’i shkruaja e botoja në vitin 2008, me rastin e 100-vjetorit të lindjes së profesorit, vit i cili u shpall Viti Eqrem Çabej, por atëhere mendova se ata që e kishin njohur më nga afër dhe për kohë më të gjatë mund të shkruanin gjëra me më shumë vlerë dhe më bukur se unë. Mirëpo tani vonë, mbas disa komunikimesh me bijën e tij, z-njën Brikena Çabej, e cila nuk u kursye të më ndihmonte me korrigjime e saktësime, i shkrojta këto kujtimet për këtë pedagog, studiues dhe njeri të madh.

Prof. Çabeu në degën Gjuhë Letërsi Shqipe të Fakultetit të Historisë e të Filologjisë jepte kursin e plotë të leksioneve Historia e Gjuhës Shqipe, vepër origjinale e tij. Këtë lëndë ai e zhvillonte në dy simestra, gjatë simestrit të dytë të kursit të tretë dhe gjatë simestrit të parë të kursit të katërt. Ai ishte pedagogu më mbresëlënës i fakultetit, ndoshta dhe i gjithë Universitetit të Tiranës. Ai ishte nga ato rastet e ralla kur përputhen tek një person i vetëm gjithë të mirat: pamja e bukur fizike, bukuria shpirtërore, aftësitë profesionale dhe talenti. Mbas shkërmoqjes së diktaturës, kur shpërtheu shfaqja e pakënaqësive të ndrydhura, profesor Çabeu ishte një nga personalitetet e pakta të kulturës sonë, që nuk u kritikua prej askujt. dëshmi e vlerave të tij.

Ishte burrë i gjatë e i pashëm, elegant, me një shikim të ëmbël, gjithnjë i natyrshëm, asnjëherë pozant ose kërcënues. Kur ecte i vetëm, ecte shpejt me hapa të gjatë, si atlet. Tepër i sjellshëm, ngrinte dorën dhe e çonte pak kapelën republikë kur salutonte. Në sallën e leksionit, ose në korridoret e fakultetit nuk e pashë kurrë të nervozuar. Gjithnjë i matur në të folur, madje pak i ngadalshëm. Na sillej sikur ishim të barabartë me të. Leksionet i mbante gjithnjë në këmbë tek katedra duke folur, rallë lexonte ndonjë fragment të shkurtër. Kur lexonte vinte syzet. Vënia dhe heqja e syzeve i kishte shumë lezet. Disa fjalë kyçe të leksionit i shkruante në dërrasën e zezë. Fliste me zë jo të lartë, gjë që e shtonte qetësinë në sallë. Ato që shqiptonte ai, ne përpiqeshim t’i përpinim. Në pamjen dhe sjelljen e tij kishte diçka madhështorer që të tërhiqte e të bënte për vete. Leksionet e tij, ndonëse trajtonin probleme të vështira, ishin plotësisht të kuptueshme. Në to sundonte analiza logjike dhe argumentimi, nuk përdorte fjalë të huaja, gjithçka ishte e qartë.

Profesori përdorte disa shprehje të vetat, midis të cilave më kanë mbetur në mendje dy. Shprehjen: Për hir të së vërtetës, duhet pranuar se, e përdorte për të miratuar një mendim të kundërshtuar më parë, kurse shprehjen: Këtë, një Zot e di, e përdorte për të treguar dyshim ndaj një mendimi ose hipoteze të pazgjidhur. Këtë shprehjen e dytë, e cila ishte një shprehje popullore shumë e vjetër, e shqiptonte duke ngritur deri te fytyra e tij gishtin tregues të dorës së djathtë. Shprehjen e parë filluan ta përdornin edhe disa pedagogë, studiues e studentë, por shprehjen e dytë nuk guxonte ta thoshte askush tjetër veç tij.

Ora e fundit e mësimit me të, dhjetor 1965, më ka mbetur në mendje. Atë orë, profesori nuk shpjegoi lëndë nga teksti, por duke na konsideruar kolegë, na dha disa këshilla për jetën tonë të ardhëshme. Për të krijuar afrimitet me ne, atë orë ai foli ulur. Këshillat e asaj ore më kanë lënë mbresë, ndoshta sepse, kujtimi i mjaft prej tyre më bën të ndjehem fajtor. Ndjehem fajtor, sepse në rininë time dhe më vonë nuk i vlerësova sa duhej dhe nuk i zbatova si duhej...

Mbasi u vendos qetësia, profesori filloi me shprehjen: Ju do të bëheni mësues. Mësuesia nuk është profesion, ajo është mision. Ju do të punoni për formimin e njeriut. Gabimet që mund të bëjnë profesionistët e ndryshëm, mund të korrigjohen me disa shpenzime, por gabimet që mund të bëni ju me nxënësit, janë të pakorrigjueshme. Po ta formosh shtrembër karakterin e një njeriu, është shumë, shumë e vështirë, në mos është e pamundur, ta ndreqësh atë.

Ju duhet të edukoni përmes sjelljes suaj, përmes shëmbullit tuaj. Në rast se ju silleni keq, edhe sikur të mbani dhjetra leksione morali, ose leksione për nevojën e sjelljes së mirë, nxënësit nuk do të përfitojnë asgjë, ata do të ndikohen kryesisht prej sjelljes suaj.

Kur punoni, punoni seriozisht dhe me ritmin e duhur. Mos u merrni me muhabete gjatë punës. Kur të pushoni, pushoni vërtet. Mos përzieni punën me pushimin dhe pushimin me punën. Ata të cilët gjatë punës bëjnë muhabete dhe gjatë pushimit përpiqen të kryejnë ndonjë punë të mbetur në mes, nuk arrijnë rezultatet e duhura.

Mos jini kategorikë.

Gjithcka shikojeni me sy kritik.

Mos e konsideroni veten tepër të rinj dhe të paformuar për të shprehur dyshime, për të hapur diskutime, kur mendoni ndryshe.

Mos kini turp të pyesni për gjëra që nuk i keni të qarta. Gjërat e paqarta nuk mbahen mend.

Mos bëni asnjë punë shkel e shko.

Mos lini asnjë punë pa e përfunduar plotësisht dhe si duhet.

Mos merrni dhe mos lejoni t’ju marrin dinjitetin nëpër këmbë, etj.

Profesor Çabeu nuk i pëlqente djallëzitë dhe jetonte thjesht

Mbasi mbarova fakultetin, në verë të vitit 1966 u emërova redaktor në Radio Tirana. Në vitet 1967-69 punova në redaksinë e kulturës ku përgatisja emisionet Enciklopedia e Radios, Në Botën e Shkencës dhe Teknikës, Universiteti Popullor i Radios, Kujtim Datash Historike, etj. Midis bashkëpunëtorëve të mij më kujtohet Ilia Mitrushi, një agronom e studiues i dendroflorës shqiptare. Ai kishte studiuar në Graz të Autrisë bashkë me Eqrem Çabeun dhe Lazgush Poradecin. Sejcili kishte studjuar në degë të ndryshme dhe kishte banuar në shtëpi të ndryshme. Eqremi kishte qenë më i riu midis tyre.

Një herë ing. Mitrushi (ky nuk e quante veten agronom, por ingjinier) e solli materialin në fund të orarit zyrtar dhe iu luta të shkonim bashkë. Po ecnim drejt lumit Lana. Ilia më tregoi se prof. Norbert Jokli, albanologu më i shquar i kohës, i ftonte këta tre studentë shqiptarë një herë në dy javë të djelave për vizitë në shtëpi të tij. Aty ai hapte diskutime për probleme të gjuhës shqipe. Eqremi ndonjëherë mungonte. Unë me Lazgushin, shtoi Ilia, mendonim se Eqremi mungonte sepse si student i regullt i Joklit i kishte dëgjuar ato diskutime në leksione. Mirëpo Jokli një të djelë tha:

-Çabeu është i ri, për të ka më shumë rëndësi një shëtitje me një vajzë të bukur sesa diskutimet e mia që i ka dëgjuar në auditor.

Ing. Mitrushi desh të më tregonte me këtë thënie të prof. Joklit, se Eqremi i ri kishte qenë dhe qejfli femrash. Unë kisha idenë se prof. Çabeu kishte qenë gjithnjë si tani, njeri i përkushtuar pas studimeve. Për ta ngacmuar z. Mirtushi thashë:

-Profesor Eqremi më duket pak naiv dhe njeri i padjallëzuar.

-Eqremi dhe ne të tjerët që kemi studiuar në Austri dukemi naivë, por nuk jemi të tillë. Ne i kuptojmë fare mirë djallëzitë e të tjerëve, por nuk bëjmë vetë djallëzira. Ne u rrijmë larg djallëzive, sepse e kemi të qartë ku të shpien ato...

Kjo përgjigje ma qartësoi më tepër karakterin e profesorit dhe ma shtoi dashurinë e respektin për të. Një gjë e ngjashme më ndodhi edhe kur dëgjova prej z. N. Shllaku, ish nxënës i gjimnazit të Shkodrës rreth vitit 1935, se Padre Gjergj Fishta gjatë një takimi në atë gjimnaz në prani të Eqremit, kishte thënë: Eqrem Çabeu ka le me u ba klerik, por i asht kushtue shkencës.

Për të përgatitur emisionet e Radios, përveç bashkëpunëtorëve shfrytëzoja dhe dy tre revista të huaja që vinin në bibliotekën e Radio Tiranës. Një ditë shtatori të vitit 1969, duke shfletuar revistën franceze Shkenca dhe Jeta (Science et Vie), pashë brenda saj një disk me inçizime. Mësova se kishte filluar në Francë krijimi i enciklopedive zanore, me inçizime të personaliteteve të artit, shkencës, kulturës, politikës, etj.

Më shkoi mendja se mund ta filloja dhe unë një punë të tillë sado modeste me disa njerëz të shquar të botës shqiptare. Disa ishin inçizuar prej kolegëve të mij ose prej meje në emisione të ndryshme, por shiritat nuk i ruanim. I sugjerova shefit të redaksisë, z. Ruzhdi Pulaha që t’i ruanim disa disqe me inçizime me këtë synim, por ai më tha se shiritat ishin mall importi dhe sot për sot ruhen vetëm inçizimet e fjalimeve të udhëheqësve kryesorë të partisë. Në Shqipëri nuk ka filluar hartimi i enciklopedisë së shkruar me fjalë, enciklopedisë zanore kushedi kur i vjen radha.

Atëhere mendova të bëja diçka vetë, së pari me profesorin më të dashur, prof. Çabeun. E takova dhe i thashë se doja të inçizoja një leksion përmbledhës të tij, me synimin që ta ruante ai e familja për kohën kur mund të krijohej një enciklopedie zanore. Ai më tha se gazetari Skifter Këlliçi i kishte inçizuar disa leksione të Historisë së Gjuhës Shqipe. Më ftoi për t’i dëgjuar dhe pastaj të vendosnim ç’duhej bërë. Vend takimi ai la shtëpinë e tij, mbi Unazë, në lagjen Varri i Bamit.

Aty, gjatë tetor-nëntorit ‘69, të djelave njoha familjen e profesorit. Zonja Shyhret, nikoqirja e shtëpisë, vinte rrotull me lëvizje të shpejta. Pas minutave të përshëndetjeve, na qiraste regullisht me ëmbëlsira të bëra vetë e ndonjë shurup frutash, pastaj ulej për të dëgjuar dhe ajo. Ishte elegante dhe shumë e kujdesëshme. Ishte një dibrane e vërtetë, shtëpinë e mbante shumë pastër, në biseda ishte e shpejtë, hazër xhevap si i thonë fjalës; gjykimet i formulonte shpejt e saktë. Kuzhina dhe dhoma e pritjes ku pata rast te rrija, ishin mobiluar thjesht, pa ato kolltuqet e divanet e kombinatit Misto Mame, me karrike e mindere si shtëpitë gjirokastrite e dibrane…

Djali, Artani 16 vjeçar, i gjatë, i ngjante nga pamja babait. Kishte qejf të konsultonte herë pas here fjalorin francez Petit Larousse. Ndjehej se kishte lexuar shumë për moshën e tij. Mori pjesë vetëm në dëgjimin e leksionit të parë, herët e tjera lexonte te dhoma e vet.

Vajza, Brikena 12 vjeçe, ngjante nga të dy prindërit. Ishte elegante dhe e shkathët si mamaja, por vështrimin e kishte të qetë si të babait. Ajo kishte qejf të lexonte në dhomën e vet, ose të luante jashtë me shoqet. Nuk erdhi kurrë për të dëgjuar leksionet.

Njoha dhe tre nga nipat e profesorit, Tanushin, Hysenin dhe Fatosin, djem të gjatë, seriozë dhe të pashëm, nuk ngjanin midis tyre. Hyseni kishte diçka të ngjashme me profesorin në qëndrim dhe buzëqeshje. Ata erdhën herë njëri herë tjetri, herë dy bashkë. Një të djelë erdhi dhe mjeku Flamur Topi, i cili ishte mik i familjes, e njihja se ishte gazetar i jashtëm i Radio Tiranës.

Për disa të djela me radhë dëgjuam nga një leksion, një orë e gjysëm. Prej z-njës Shyhret mësova se ditët e djela profesori i shfrytëzonte zakonisht për të shkruar letra, për të bërë ndonjë vizitë a shëtitje. Ai mbante korrespondencë të rregullt me shumë studiues e miq austriakë, gjermanë, francezë, rumunë, italianë, etj. Nuk dij a i shkruante lertat duke përdorur letër kopiativ për të ruajtur një kopje për vete, apo jo. Mësova gjithashtu se profesori pëlqente të lexonte shpesh herë duke qëndruar në shtrat gjysëm shtrirë e duke vendosur librin në një copë kartoni, të cilën e mbante me dorën e majtë mbështetur mbi gjoks. Për të shkruar më shpesh përdorte tavolinën.

Shyhreti e qortoi veten se tani që kishin ardhur në këtë apartament larg pazarit nuk gjente kohë për të shkuar shpesh në pazar për të blerë peshk të freskët, ushqimin e nevojshëm për bashkëshortin e saj.

Të djelën e parë të dhjetorit ’69 dëgjuam leksionin e fundit. U thashë se inçizimet kishin cilësi të mirë dhe duheshin ruajtur me kujdes. Prej tyre mund të riprodhohej një material më i shkurtër, etj.

Para se të ngrihesha për të ikur, profesori tha se kishte dëgjuar që zyra e kuadrit të Universitetit po kërkonte që të më merrte mua nga Radio Tirana e pëë të më emëruar në Institutin e Historisë e të Gjuhësisë (në atë kohë Instituti varrej nga Universiteti). Pastaj më pyeti nëse kisha kërkuar unë që të transferohesha nga Radio Tirana në Institut, apo drejtoria e Institutit po më kërkonte me që kisha mbaruar fakultetin me nota të larta. I thashë se unë kisha kërkuar disa herë të vija me punë në institut, sepse kisha qejf të merresha me studimin e letërsisë e të gazetarisë së Rilindjes. Puna në radio nuk më pëlqente.

-Gëzohem, po të jetë se ke kërkuar vetë të vish aty. Nuk ka më mirë sesa ta zgjedhësh punën vetë. Kur ta zgjedhin punën të tjerët, shpesh herë bëhen gabime, tha ai dhe vijoi: Unë fëmijët e mij i nxis të mësojnë, të lexojnë dhe të luajnë me shokët, por nuk iu imponoj asnjë lloj drejtimi, atë duhet ta gjejnë vetë...

Gjatë viteteve të punës në Institut: prof. Çabeun e admironim të gjithë

Në janar të vitit 1970, u realizua transferimi im nga Radio Tirana në Institutin e Historisë e të Gjuhësisë. Në Radio punën e fillova me qejf, por shumë shpejt e ndjeva se nuk ishte e ardhmja ime në atë punë. Mezi i shtyva tre vjet e gjysëm. Natyrisht përfitimi ishte i madh, u njoha me njerëz të aftë e të talentuar, si Fuat Bozgo, Ruzhdi Pulaha, Kico Blushi, Nasi Lera, etj; mësova proçeset e inçizimit e të daktilografimit; u njoha me intelektualë të formuar jashtë shtetit që punonin si përkthyes ose spikerë, si Viktor Kraja, Abaz Xhomo, etj. Puna atje ma shkundi ngathtësinë...

Profesor Çabeu, për të më thënë mirë se erdhe në Institut, më ftoi një ditë për kafe. Shkuam bashkë tek një ëmbëltore në rrugën e Kavajës karshi (ish) kishës katolike. Eqremi mori një tas të vogël me hashure, unë një kafe, të dyja kushtonin nga 7 lekë të asaj kohe. Më sqaroi se hashurja i kujtonte fëmijërinë, familjen e Gjirokastrës. Pastaj më uroi për punën e re:

-Bëre mirë që kërkove të vish në Institut, këtu është vendi më i mirë për të vijuar formimin tënd shkencor. Ti je tani në moshën më të mirë për të mësuar gjuhë të huaja...

Unë i thashë se ndoshta do të ishte më mirë të kisha ardhur menjëherë nga bangat e shkollës, tani jam gati 26 vjeç dhe gjuhët e huaja duan moshë më të re.

-Jo, ma preu ai, ti ke ardhur në moshën më të mirë në institut. Vitet e punës në radio të bënë mirë, ke njohje më të gjerë të jetës, ke tjetër horizont. Kujtesën e ke akoma të freskët, pastaj tani je më i pjekur. Pjekuria të bën më të ndërgjegjshëm dhe ta shton vullnetin për studim.

Pas pak, si për t’u treguar i zgjuar, unë thashë se mbreti Zog duhej të kishte bërë më shumë për ekonominë, arsimin dhe shkencën.

-Mbreti Zog nuk duhet fajësuar shumë, tha profesori, në atë kohë ishte zor të bëhej më tepër. Ai u përpoq t’ia kthente fytyrën Shqipërisë nga Europa, por shqiptarët nuk ishin të gatshëm. Mbaj mend se mbreti kishte dhënë urdhër që të punësoheshin edhe vajzat e gratë. Mirëpo në tërë Tiranën mezi pranoi një grua, a vajzë e moshuar, që të punësohej tek zyra e postës. Kur u ktheva nga studimet, pashë se shumica e meshkujve kalonin nga ajo rrugë për ta parë atë femër tek dritarja e punës, ju dukej si diçka e çuditshme.

Dihet se pasanikët i kishin qypat plot me florinj, por asnjëri prej tyre nuk bëri ndonjë investim në bujqësi ose në industri. Çdo gjë do kohën e vet...

Herën tjetër e ftova unë profesorin për kafe. Gjatë atyre minutave u hap biseda për punën e tij lidhur me etimologjinë e fjalëve të shqipes. U çudita kur tha se edhe gjuhëtarë të tjerë mund të merren me studime të tilla, mjafton pasioni dhe këmbëngulja. Tha se atë e bëri etimolog më tepër se shkolla, puna e vazhdueshme e me pasion. Pastaj shtoi:

Shumë shpjegime të mia për origjinën e fjalëve mund dhe duhet të diskutohen, studimet etimologjike në fushë të shqipes duhet të pasurohen...

Në sjelljet, veprimet, bisedat e tij binte në sy karakteri burrnor. Ndryshe nga ne të tjerët, profesor Çabeu në biseda e shkrime nuk i përmendte emrat parti dhe Enver. Koha kur u shfaq edhe më dukshëm karakteri i tij i fortë burrnor ishte koha mbas vdekjes së parakohëshme të djalit të tij. Vdekje tepër tronditëse, por që ai nuk e lëshoi veten, ruajti po atë temperament, po atë dashuri për punën, po atë sjellje me njerëzit.

Mirëpo fakti që ne, ish studentët e tij ndjenim për të një admirim të hapur, nuk durohej prej drejtorisë dhe instancave partiake. Në vitin 1973-74, kur udhëheqja e partisë ndërmori luftën kundër shfaqjeve të huaja, në Institutin e Gjuhësisë dhe të Letërsisë u organizua një mbledhje, për të luftuar shfaqje të tilla. Në fakt, punonjësit e Institutit ishin njerëz të thjeshtë, pa pretendime, shikonin punën, mirëpo dhe midis tyre duheshin gjetur ndikimet e huaja, dhe komunistët sipas orientimeve, i kishin gjetur. U kritikua së pari zonjusha Beatriçe Keta për mbajtje të fundeve të shkurta deri tek gjuri. Beatriçja ishte vajzë e gjatë e pamartuar, fundet deri tek gjunjët i shkonin për bukuri. Të gjithe e pëlqenim Beçin pikërisht për ato fundet që i sajonte vetë me gusto, por ja që duhej kritikuar. Kritika vijoi jo më kundër ndonjë punonjësi, po me sulm ndaj fëmijës së vetme të profesor Çabeut. U kritikua vajza e tij, atëhere 16-17 vjeçe, se mbante minifunde.

Për herë të parë e pashë profesorin të revoltuar e nervoz. U ngrit me furi dhe tha me zë të lartë: Këto janë shpifje, ime bijë hodhi shtat shpejt këto dy vjet dhe fundet e fustanet i rijnë tek gjuri, këtë nuk e bën për ndjekje mode.

Mirëpo nja tre vjet më vonë, kur Brikena, vajza e tij, tashmë studente, shkoi në aksion ku i mblodhi gjuri ujë, në fakultet i varrën një fletë-rrufe, ku e kritikonin se mbante flokët e gjata, si ndikim i modës perëndimore...

Për të tilla sulme ndaj vajzës, fëmijës së vetme, që i bëheshin profesorit, ne na vinte turp, por nuk guxonim të flisnim. Kuptohej se të tilla sulme synonin që të na e shkulnin atë nga zemrat tona.

Për turpin e politikës së partisë, Eqrem Çabeu nuk u sulmua vetëm si person e si familje, por edhe në planin shkencor. Kështu, në fund të viteve 50-të Eqremi mbaroi transkiptimin dhe transliterimin shkencor të veprës monumentale Meshari të Don Gjon Buzukut. Kjo vepër e tij mban datë botimi vitin 1962, sepse hyri në bitim më 1962, por doli pas disa vjetësh, pikërisht kur kishte filluar lufta kundër fesë. Ajo u shtyp në Bukuresht, ku ballkanologët u shprehën me superlativa. Për t’i treguar botës së huaj se partia e vlerësonte shkencën, kësaj vepre iu dha Çmimi i Republikës i klasit të parë, por ajo nuk u nxor kurrë në shitje. Preteksti ishte se kjo vepër mund të përdorej si vepër liturgjike...

Vepra së cilës Eqrem Çabeu i kushtoi pjesën më të madhe të jetës dhe me të cilën dëshmoi aftësitë e ralla, formimin e lartë si komparativist dhe talentin e vet, është puna për shpjegimin e origjinës së fjalëve të shqipes. Mbas botimit të shumë artikujve me karakter etimologjik në revistën shkencore Studime Filologjike, ai ndërmori ripunimin, zgjerimin dhe përgatitjen për botim të veprës madhore Studime Etimologjike në Fushë të Shqipes në disa vëllime. Në vitin 1975 dorëzoi për botim dy vëllimet e para, prej të cilëve, më 1976 u botua vetëm vëllimi i dytë. Vëllimi i parë nuk u lejua të botohej me preteksin se autori përmendëte aty me respekt Faik Konicën dhe Mustafa Merlika Krujën, si eruditë shqiptarë që kishin dhënë ndihmesë në fushën e etiomologjisë së gjuhës shqipe. Ky fakt u quajt gabim ideologjik, mbivlerësim i dy figurave reaksionare, por profesori nuk pranoi t’i hiqte emrat e tyre dhe vlerësimet për ta. Kështu vëllimi i parë u pezullua dhe u botua vetëm mbas vdekjes së autorit, kur mundën t’ia redaktonin ato fjalë e shprehje. Vëllimet e tjera, ndonëse ishin pothuaj gati, u botuan pak nga pak por jo të gjitha deri më1990 e më vonë. Vëllimi i pestë nuk është botuar ende...

A ka të keqe më të madhe që mund t’i bësh një studiuesi sesa të mos ia botosh veprën shkencore, ose edhe kur ia boton të mos ia nxjerrësh në qarkullim?

Prof. Çabeun, sa qe gjallë, e respektuan dhe e gëzuan si e meritonte intelektualët dhe zyrtarët shqiptarë të Kosovës, sidomos punonjësit shkencorë të Institutit Albanologjik të Prishtinës. Shtëpia botuese Rilindja botoi një përmbledhje të veprës së tij në gjashtë vëllime, botim lluksoz, me format të madh, lidhur me kapakë të fortë ngjyrë çokollatë. Punonjësit shkencorë të Institutit Albanologjik, pedagogët e Fakultetit Filozofik dhe studentët e Kosovës me pritjet shumë të përzemërta plot respekt, që i bënin prof. Çabeut gjatë vajtjeve të tij për leksione në Prishtinë, i krjijuan atij emocione dhe gëzime të mëdha, të cilat na i tregonte me një ngazëllim të përmbajtur.

Në vitin 1975 më komunikuan qarkullimin, meqënëse kisha qenë martuar me vajzën e zv.ministrit të tregëtisë, Vasil Katit, i cili ishte arrestuar me grupin e shpallur armiq në ekonomi. Unë, si shumica e atyre që u ndodhi kjo fatkeqësi, u ndava nga bashkëshortja, por ky veprim i imi nuk i kënaqi anëtarët e partisë së Institutit. Ata vendosën të më qarkullonin. Shokët filluan të më rrinin pak ftohtë...

Një ditë, mbas punës, kur po ecja vetëm në rrugën e Kavajës drejt qendrës, m’u afrua profesor Çabeu dhe e bëmë rrugën bashkë. Zakonisht ai punonte nga ora 8:00 deri 13:00, atë ditë ndoshta kishte pasur ndonjë mbledhje që po shkonte në shtëpi me vonesë. Duke ecur e pyeta pse nuk e merrte autobuzin e Unazës për të mos u lodhur.

-Më pëlqen të eci në këmbë, e konsideroj si fiskulturë. Pastaj kam mendimin se ne që na bie rruga të kalojmë nga Qendra e Tiranës, kemi një favor, njihemi të parët me ndryshimet që mund të ndodhin në qendër. Këtë favor nuk e kanë ata që kalojnë rrugëve anësore.

Si për të më dhënë kurajë, hapi bisedën rreth qarkullimit. U çudita kur tha pa drojtje:

-Qarkullimi, për ju kuadrot e reja është i dëmshëm, sepse ju shkëput nga proçesi i kualifikimit. Qarkullimi per ju është çkualifikim.

Ndoshta këtë mendim ai e kishte thënë edhe gjetkë...

Im vëlla, kur dëgjoi prej meje mendimin e profesor Çabeut, mori kurajë dhe shkoi e u ankua tek një punonjës i Komitetit të Partisë së Tiranës, z. Bujar Kolaneci, i cili kishte punuar më parë në Kinostudio si ekonomist filmi. Ky duket se ndërhyri dhe organizata bazë e partisë së Institutit nuk nguli këmbë për të realizuar qarkullimin tim. Mbasi disa rrethe u përgjigjën se nuk kishin vende pune, qarkullimi im u la në qetësi. Pra profesori me idenë e çkualifikimit dhe Bujar Kolaneci me ndërhyrjen e tij, më shpëtuan nga qarkullimi, se kushedi si do më kishte shkuar filli.

Figura e profesor Çabeut ishte shumë autoritare. Me personalitetin e tij, pa qenë kurrë shef, pa pasur asnjë pushtet administrativ, ai ndikonte tek punonjësit më tepër se drejtori, sekretari i partisë dhe shefat e sektorëve. Mbi të gjitha ai na bënte për vete me praninë e tij, me sjelljen e kulturuar, me kulturën e profesionit. Ai rezatonte kulturë në çdo lëvizje, në çdo fjalë. Rezatimi i kësaj kulture ndjehej tek të gjithë punonjësit e Institutit, madje nuk e teproj të them se kultura e autoriteti i tij ndikonin edhe tek komunistët e sigurimsat. Nuk ishte e rastit që valët e qarkullimit në vitet 1967-68 dhe 1973-74 në Institutin tonë u kaluan më lehtë se në institutet e tjera shkencore. Sejcili prej punonjësve përpiqej të ishte sado pak më zotni, sado pak më Eqrem. Kjo përpjekje deri diku i kishte fisnikëruar ata. Në atë institut, mendoj se jo rastësisht, nuk realizohej plani i arrestimeve, asnjë punonjës i tij nuk u arrestua gjatë mëse 30 vjetëve...

Në lagjen Ali Demi, mjaft afër me pallatin ku banoja unë, ishte dhe shtëpia e poetit Lazgush Poradeci. Shkoja tek ai bashkë me Julian, gruan time poete. Një ditë Lazgushi, duke qeshur, tha:

-Unë jap karakterizime shumë të shkurtra për njerëzit. Ja dëgjoni si e karakterizoj Skënder Luarasin: Shumë patriot, shumë demokrat, shumë nevrik.

Të lumtë se e paske qëlluar, i thashë, po për profesor Eqremin a mund të japësh ndonjë karakterizim?

-Pa tjetër, tha Lazgushi dhe duke u drejtuar sikur do të recitonte deklaroi: Njeri shumë zotni, shkencëtar shumë i zoti. E duartrokitëm ne dhe vajza Maria që ndodhej aty.

Vizitat e fundit: Kujtimet për jetën e profesorit duhen shkruar

Në nëntor të vitit 1979 prof. Çabeu u sëmur rëndë. Mushkëritë i mblodhën ujë pasi gjatë qëndrimit në Vjenë, ku e dërguan të shoqëruar prej leksikologut Jani Thomai për të mbajtur leksione, ai ishte kthyer i sëmurë, mushkëritë i kishin mbledhur ujë. Apartamenti ku i kishte strehuar ambasada jonë nuk kishte ngrohje. Doktorët e përcaktuan sëmundjen kamcer në mushkëri, sëmundje që në atë kohë përparonte shumë shpejt.

U pikëlluam të gjithë kur mësuam se ai nuk e kishte të gjatë. Filluam t’i bënim vizita për t’i dhënë kurajo. Jani Thomai, Minella Totoni, Gjovalin Shkurtaj dhe unë, që jetonim bashkë në një pallat të bërë me punë vullnetare anës lumit Lana, shkuam për vizitë. Profesori rrinte i qetë, nuk ankohej, tregonte ndonjë përshtypje nga Vjena, ndonjë plan për punën e ardhëshme. Ishte periudhë dimri, ndaj ai rrinte në kuzhinën e ngrohtë. Aty na priti z-nja Shyhret sipas zakonit të saj.

Mbas disa ditësh a javësh, profesorin e dërgoi shteti në Romë, ku e operuan. Kur u kthye, shkova për vizitë sërisht, kësaj radhe me Julian. Shyhreti po lante disa tufa me spinaq, i kishte duart akull të ftohta.

-Doktorët këshilluan që Eqremi të hajë sa më shumë zarzavate, tha Shyhreti. Atij dhe neve na pëlqejnë zarzavatet, por ti Julia e di sa punë do spinaqi, dhe tregoi duart e skuqura prej ujit te ftohtë.

Kësaj radhe, profesori rrinte dhe më i qetë. Shyhreti e kishte shoqëruar në Romë dhe thoshte se mjekët italianë, me sjelljen e tyre shumë xhentile, me të folurën e qetë e me zë të ulët, me rrobat e tyre shumë të bardha, i ishin dukur si ëngjëj.

Unë dhe Julia nuk ngopeshim së pari ëngjëllin që kishim para syve tanë, këtë ëngjëll që nuk kishim për ta parë më...

Ceremonia e varrimit të tij u zhvillua me një pjesëmarrje njerëzish shumë herë më të madhe se ceremonia e varrimit të djalit të tij. Gjithçka u zhvillua si atëhere me seriozitet, askush nuk qau me zë, lotët rrëshqisnin nëpër faqe, ose gëlltiteshin me ngashërim.

Disa njerëz rrinin brenda në apartament, shumë të tjerë tek shkalla e pallatit, akoma më shumë rreth pallatit dhe të tjerë në rrugë. Kortezhi u bë shumë i gjatë, pikëllimi ishte tepër i madh. Ndjehej se Tirana dhe gjithë Shqipëria kishin humbur një personalitet shumë të madh...

Profesor Çabeu u nda nga jeta më 13 gusht 1980, në moshën 72 vjeçare, kur ishte ende shumë i gjallë e me kapacitet të plotë mendor. Ai u largua nga kjo jetë pa e humbur bukurinë fizike e shpirtërore, duke na lënë në kujtesë figurën e një njeriu madhështor dhe ndikues.

Me rastin e dyvjetorit të vdekjes, më 13 gusht 1982, në institut nuk po ndjehej se do të shkonte kush tek familja e profesor Çabeut, si një vit më parë. Atëhere vendosa të shkoja me Palok Dakën, mikun më të mirë të profesorit dhe timin. Paloka kishte punuar me profesorin që nga viti 1949, që kur ishte krijuar Instituti i Shkencave. Ai ruante shumë kujtime për të, madje dhe shumë intimitete. (Fatkeqësisht Paloka shkoi shumë shpejt nga jeta dhe nuk i la të shkruara kujtimet e jetës së vet, ku kujtimet për profesor Çabeun do të kishin zënë vend të veçantë.)

Duke shkuar në këmbë i thashë Palokës se ishte rasti që ai t’i thoshte z-njës Shyhret, se ajo dhe njerëz të tjerë të afërt, të shkruanin kujtimet për profesorin. Patëm fat se në shtëpi nuk gjetëm njerëz të tjerë përveç zonjës së shtëpisë dhe vëllait të profesorit, një burrë që i ngjante atij, por ishte më i shëndoshë dhe më i madh në moshë.

Paloka e gjeti rastin dhe tha se mbledhja e kujtimeve për jetën e profesor Çabeut është punë me vlerë dhe duhet bërë sa më parë. Z-nja Shyhret nënqeshi, dhe tha: po, po, duke na lënë të kuptonim se dhe ajo e vlerësonte këtë mendim...

Prof. Çabeu më ndihmoi edhe i vdekur.

Kur erdha në Amerikë më 1996, 52-vjeçar kisha gradën Doktor dhe titullin Profesor i Asocuar. Duke mos ditur anglishten u detyrova të punoja pjatalarës, ndihmës kuzhinier, pastrues, roje, etj. Shkova në shkollë nate dhe munda të mësoj anglisht në nivelin që mund ta flisja dhe ta shfrytëzoja këtë gjuhë. Atëhere thashë me vete: ky është ai qarkullimi që të mbeti pa bërë në rini. Tani nuk je më fillestar, ky qarkullim nuk të çkualifikon dot, prandaj fillo të merresh dhe me punë shkencore. Dhe fillova nga leximet, studimet dhe grumbullimi i matrialit për sqarimin e problemit se a kishte punuar apo jo apostulli Pal gjatë udhëtimeve të tij në trojet ilire.

Pas gati tetë vjet pune me përqendrim të lartë arrita të provoja e ta shpija përpara traditën gojore shqiptare e cila thoshte se apostulli Pal kishte punuar në territore shqiptare (atë kohë ilire). Këtë mendim e kishin provuar pak para meje dhe dy historianë, amerikani E. Jacques (1995) dhe shqiptari K. Frashëri (2001). Unë e shpura këtë rezultat dhe më tej, duke provuar se apostulli Pal jo vetëm kishte punuar, por dhe kishte shkruar dy letra në Durrës (Dyrrach) dhe një letër në Nikopoli.

Atëhere më lindi mendimi se përhapja e Krishtërimit në qytete ilire gjatë shekujve të parë të erës së re duhej të ishte shoqëruar dhe me përpunimin e terminologjisë përkatëse kishëtare. Pra duhej që të vërtetoja se disa fjalë nga kjo terminologji, gjuha shqipe (ilire) i kishte marrë drejtpërdrejt nga greqishtja e lashtë që në shekujt I-IV të e. r. dhe jo nga latinishtja në shekujt V-VI e më vonë, si kishte konkluduar shkenca gjermane e italiane. Këtë konkluzion e kishte pranuar dhe prof. Çabeu. Me një fjalë më duhej që për origjinën e disa fjalëve kishëtare të jepja një shpjegim ndryshe nga ai që kishte dhënë idhulli im. Mendo e stërmendo. Herë pas here sillja në mend fjalët e tij:

Mos e konsideroni veten tepër të rinj dhe të paformuar për të shprehur dyshime, për të hapur diskutime, kur mendoni ndryshe.

Shumë shpjegime të mia për origjinën e fjalëve mund dhe duhet të diskutohen, studimet etimologjike në fushë të shqipes duhet të pasurohen.

Shkova në Shqipëri dy herë, bleva gjashtë vëllime të fjalorit etimologjik të Çabeut dhe lexova e rilexova vëllimin e parë (hyrja teorike) mbajta shënime, lexova me kujdes shpjegimet për shumë fjalë. Lexo e vra mendjen, kujto profesorin e prapë lexo, prapë vra mendjen dhe më në fund dhashë shpjegimet e mia për disa fjalë si apostull, ungjill, ëngjell, pagëzoj, etj. Sqarova se këto fjalë terma të Krishtërimit, të cilat latinishtja i kishte marrë vetë prej greqishtes, ilirishtja (shqipja) i kishte marrë jo prej latinishtes, por drejtpërdrejt prej greqishtes. Më 2007 e botova librin tim dhe shkova në Tiranë ku organizova promovimin e tij. Aty kisha trajtuar dhe këtë problem. Mirëpo punonjësit e Institutit, pikërisht ata që merreshin me studime gjuhësore, u stepën, nguruan të jepnin gjykime për nënkapitullin ku jepja sqarimet e mia etimologjike për këto fjalë.

Dukej se ata vuanin nga mendimi se brezi ynë ishte i papërgatitur për të dhënë ndihmesë në fushën e etimologjisë. Ata e kishin kthyer Çabeun në një tabu, gjë që ai vetë nuk e kishte dashur, madje e kishte luftuar...

Me këshillat e punën e tij, profesor Çabeu më ndihmoi edhe mbas vdekjes, këtu në Amerikën e largët, duke më dhënë kurajon e nevojshme për të punuar edhe në fushën e tij...



(Vota: 13 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora