E merkure, 01.05.2024, 04:34 PM (GMT+1)

Faleminderit

Fotaq Andrea: Nderim kujtimit të Jusuf Vrionit - Me rastin e dhjetë vjetorit të vdekjes, 1 qershor 2001

E marte, 31.05.2011, 08:05 PM


NDERIM KUJTIMIT TË JUSUF VRIONIT –

Me rastin e dhjetë vjetorit të vdekjes, 1 qershor 2001

 

Nga Fotaq Andrea

 

Antologjia e ilustruar “Pena të arta franceze për shqiptarët, 1332-2007” çelet me këtë përkushtim për Jusuf Vrionin nga ana jonë :

 

“Në nderim të kujtimit të Mjeshtrit të madh të përkthimeve në frëngjisht dhe përçuesit të vlerave shqiptare nëpër botë, Jusuf Vrionit” – F. A.

 

Këtë antologji voluminoze, me 760 faqe, botuar më 2007 dhe 2009, e përfundojmë me shkrimet e mëposhtme të autorëve francezë që portretizojnë bukur figurën e Jusuf Vrionit si dhe me një shkrim nga ana jonë - Në vend të pasthënies - titulluar “Mirëdita fisniku Jusuf Vrioni”.

 

 

Eric FAYE

 

NJË DJALOSH SHTATËDHJETË E PESËVJEÇAR

 

Para se të njihja Jusuf Vrionin, kisha ndenjur a jetuar në mjaft nga vendet ku ka rrjedhur jeta e tij ; veç Romës dhe Parisit, në Durrës, Tiranë dhe në qytetin e lindjes, Berat, ku një udhërrëfyes na pat treguar vilën e fundit të vendqëndrimit të familjes së tij, transformuar në « Muze historik të Luftës nacionalçlirimtare ». Vetëm në prill 1990, kur ndodhesha në Tiranë për intervista të gjata mbi Ismail Kadarenë dhe veprën e tij, më prezantuan me përkthyesin e vet, meqë nëpërmjet atij zanati zbulova atë « djalosh shtatëdhjetë e pesë vjeçar », sikurse e përshkruaj në shtojcën e një libri për shkrimtarin shqiptar. Gjatë takimit tonë përreth një kafeje, në hotel Dajti të Tiranës, vura shumë shpejt re se isha në prani të një njeriu dhe të një fati jashtë të zakonshmes.

 

Muajt kaluan dhe të çarat e godinës staliniane na lejuan të rishiheshim.

 

Në rrjedhë të kohës, një miqësi e thellë u lidh mes nesh. Andaj, kur Jusuf Vrioni më propozoi t’i ndihja për të renditur kujtimet e tij dhe t’i hidhja në letër, nuk ngurrova më shumë nga ç’zgjati koha e së papriturës. Evropa e sotme, historia bashkëkohore, a mund të shkaktojnë ende fate të tillë aq të rrufeshëm e të habitshëm, të hovshëm, të pasur sa fati i këtij njeriu ? Fëmijëri alla Nabakov, « rini e praruar » çiftuar me studime të gjata që formuan një mendje të aftë për të ftilluar gjendje nga me të larmishmet dhe për të arsyetuar e debatuar në mjaft fusha, burg i rëndë stalinian alla Solzhenicin, më pas ajo ringjitje e ngadaltë drejt jetës në një botë që nuk e kishte zgjedhur dhe me të cilën iu desh të sajohej dita me ditë, deri në mirënjohje, nëpërmjet botës së letërsisë, por një mirënjohje tepër e vonuar për të qenë me të vërtetë e shijuar, me hidhërimin e viteve të shkuara.

 

Dhjetëra orë bashkë-bisedime të incizuara dhe disa ecejake të përbashkëta shoqëruan ngjizjen e këtyre kujtimeve të cilave Jusuf Vrioni u dha me shumë kujdes dorën e fundit.

 

Nga tërë ato çaste këmbimi, miqësie dhe mirëkuptimi të thellë, ato që më kanë prekur më shumë qenë, me ç’duket, dita kur më tregoi shtëpinë e fëmijërisë së tij, mbi ballë të detit të Korfuzit, pastaj ajo pasdite qershori kur shëtitëm në plazhin e Durrësit, përballë Adriatikut, plazh të cilin lexuesit e këtyre faqeve e njohin mirë si arenë e tërë atyre episodeve therëse të jetës së tij. Për mësimin e historisë dhe të humanizmit që përmban jeta e tij, s’më mbetet veçse të falënderoj Z. Vrioni.

 

 

Parathënie e librit

“Botë të shuara  - Kujtime të një evropiani”, nga

Jusuf Vrioni me Eric Faye, Paris, 1998.

 

 

Jacques LANG

 

Zhak Lang (1939), politikan, ish Drejtues i Teatrit Chaillot, Profesor i së drejtës ndërkombëtare në Universitetin e Nansit, më pas në Universitetin Paris X të Nanterrës,  ministër kulture për 12 vjet me radhë, këshilltar bashkiak, deputet dhe kryetar bashkie, autor i rreth njëzet veprave artistike e politike.

 

 

FLAMURTAR I FRANKOFONISË SHQIPTARE

 

Fjala e Z. Jacques Lang, ish kryetar i grupit parlamentar për marrëdhëniet me jashtë të Parlamentit francez për dhënien e dekoratës "Kalorës i Legjionit të Nderit" Z. Jusuf  VRIONI

 

Zoti Ambasador,

Mjeshtër,

I dashur Jusuf Vrioni,

 

Para gjashtë vjetësh, unë vetë nuk pata nderin t'ju dorëzoja dekoratën e "Urdhrit të Arteve dhe Letrave"; po sot jam i lumtur që po ju dorëzoj dekoratën e "Legjionit të Nderit".

 

Veç këtij rrethi të ngushtë miqsh, shqiptarë e francezë, të pranishëm këtu, mbarë protagonistët e shumtë të miqësisë franko-shqiptare gëzohen sot me mua për këtë nder që po ju bëhet tepër me vonesë. Sepse, në fakt, kush më shumë nga ju mund të mishërojë thellësinë dhe vazhdimësinë e kësaj miqësie midis dy vendeve tona?  Me jetën tuaj, me talentin tuaj dhe me shembullin tuaj, ju jeni vetë ai simbol i ndikimit francez në Shqipëri dhe i pranisë shqiptare në Francë.

1. Me jetën tuaj para së gjithash : frëngjishtja në fakt është gjuha juaj amtare dhe Franca është më shumë nga një atdhe i adoptuar. Ju e kishit në zemrën tuaj që në fëmijërinë më të hershme. Kurrë në të nuk e keni ndjerë veten të huaj gjatë kohës që jetuat dhe studiuat për më shumë se dhjetë vjet para luftës; po ashtu, edhe sot nuk jeni i huaj në të, ndërkohë që një kthesë e çuditshme e fatit ju bëri të mundur t’ia rinisni jetës suaj pariziane, pas më shumë se pesëdhjetë vjet ndërprerjeje. Ju pëlqen madje që ju vetë të tregoni se kur u larguat në atë kohë nga Parisi, ju e puthët me plotë kuptimin e fjalës kalldrëmin e kryeqytetit tonë.

Kësaj dashurie ju i qëndruat besnik në çastet më të vështira të jetës suaj dhe ajo madje u bë shkaku kryesor i 13 viteve të internimit që hoqët mbi kurriz nga viti 1947 gjer më 1960. Asgjë nuk ju bëri të hiqnit dorë prej saj: ju mbetët, përmes të gjitha sprovave flamurtari i frankofonisë shqiptare. Ne nderojmë sot këtë guxim dhe këtë besnikëri.

Megjithatë, kjo besnikëri ndaj vendit tonë, Francës, nuk u tregua në kurriz ndaj një besnikërie tjetër, po aq të fuqishme, ndaj vendit tuaj të parë, në shërbim të së cilit u rivutë përsëri që prej një viti, duke u bërë ambasadori i tij pranë UNESCO-s: Shqipërisë.

Ju vini nga një prej familjeve më të mëdha shqiptare, që nga brezi në brez, kanë ditur të përcjellin pishtarin e identitetit tuaj kombëtar, zbehur përgjatë shekujve. Babai juaj e mbarti këtë traditë dhe jua përcolli juve : ai ka bërë pjesë ndër baballarët e pavarësisë së Shqipërisë, gjatë shpalljes së saj në Vlorë më 1912, më pas ka i ka shërbyer më së miri, si Ministër i punëve të jashtme dhe si Ambasador në Paris vite të tëra ; madje ju ka paraprirë në Urdhrin e Legjionit të Nderit, në të cilin po hyni pas tij.

Rrethanat historike nuk ju kishin lejuar t’ia rinisnit kësaj tradite. Po ja që më në fund, para një viti, autoritetet e vendit tuaj kanë ditur t’ju besojnë përgjegjësi të denja për rangun dhe aftësitë tuaja : më lejoni t’ju shpreh gëzimin shumë të çiltër që ndjejmë ne të gjithë, duke ju thirrur me këtë titull që ju shkon aq shumë : Zoti Ambasador.

Studimet e shkëlqyera që ndoqët në gjimnazin Janson de Sailly, në Ecole des hautes études commerciales[i] dhe në fakultetin e drejtësisë, do t’ju kishin bërë të mundur pa kurrfarë problemi të integroheshit përfundimisht në Francë. E megjithatë, ju ikët : kundër mendimit të disa prej miqve a të afërmve tuaj, ju e dëshiruat kthimin në vendin tuaj në çastin e mjerimeve të tij, për t’i ndarë këto së bashku me të. Asnjëherë nuk u përpoqët të fshihnit origjinën tuaj. Edhe kur një gjë e tillë ju krijonte probleme, ju përsëri as që menduat ndonjëherë të frëngjishtoni përemrin tuaj.

2. Kjo jetë, e pazakontë nga çdo pikëpamje, sikundër do ta zbulojë vetë lexuesi i kujtimeve tuaja, të cilat ju më në fund pranuat të na i dhuronit nëpërmjet botuesit Lattès, sigurisht që do të ishte më se e mjaftueshme për të përligjur plotësisht titullin e “simbolit të miqësisë franko-shqiptare” që më lejoni t’jua njoh juve.

Por nuk është ky shtegtim që ju ka bërë të njohur pranë publikut : është talenti juaj që përligj sot nderin që po ju bëj në mënyrë solemne në emër të vendit tonë. Qindra mijëra lexues mund ta thonë fare mirë si dhe unë : ju jeni një mjeshtër i madh i përkthimit letrar ; ju keni ndihmuar në mënyrë të pamohueshme në dhënien e letrave të tij fisnike në këtë gjini.

Për vite të tëra, ne të gjithë që jemi këtu, tok me Alan Boskenë, që kohët e fundit na ka lënë, kemi pyetur vetveten : kush është ky gjeni që na e bën të njohur veprën e Ismail Kadaresë? Dhe më pas, diktatori, duke qenë vetë i ndjeshëm ndaj këtij talenti të pazakontë, që e përdori me bollëk për veprat e tij, ju autorizoi një ditë të dilni nga ky anonimat. Sigurisht që kish kuptuar, si dhe ne, që Shqipëria nuk mund veçse të mburrej duke pasur në gjirin e saj një nga përfaqësuesit më të shquar të kësaj gjinie letrare.

Pikërisht pra, nëpërmjet jush, ne zbuluam dhe vazhdojmë të zbulojmë veprën e një prej shkrimtarëve më të mëdhenj të shekullit tonë. Unë vetë, nuk mund të bëj një përqasje të tekstit origjinal me tekstin frëngjisht që nxirrni ju, por përkushtimi i madh profesional që bashkon dy talentet tuaja është garanci që teksti i dytë nuk mbetet pas të parit. Madje, mbi bazën e këtij versioni frëngjisht janë kryer shumica e përkthimeve në një gjuhë tjetër, shenjë kjo, nëse mund të thuhet, e besimit që ka autori te ju.

Për anekdotë, më lejoni të shtoj në kalim e sipër se talenti juaj si përkthyes nuk është matur vetëm me anë të cilësisë, por edhe me anë të sasisë : kolegët tuaj flasin ende sot, me një admirim jo të shtirë, për aftësinë tuaj të jashtëzakonshme në punë (deri në pesëdhjetë faqe në ditë! më kanë thënë).

Më në fund, lidhur me këtë, vlen të theksohet se ju keni ditur të formoni nxënësit tuaj : “les Belles étrangères” kushtuar Shqipërisë, që marrin fund nesër, kanë mundur të tregojnë se ekziston në vendin tuaj një shkollë e shquar përkthimi.

3. Në mbarim, do dëshiroja të paraqes këtu arsyen përse unë pranova, pa ngurruar, të kryesoj këtë ceremoni : përtej mbarë jetës suaj, që mbart vulën e frankofilisë dhe të talentit tuaj si përkthyes, është ajo shembullsi e qëndrimit tuaj që ne duam sot të nderojmë.

Duke pranuar të bëheni Ambasador në UNESCO, ju u kthyet në simbol të pajtimit kombëtar. Pikërisht këtë qëndrim shembullor vendi im, nëpërmjet fjalës sime, dëshiron të përshëndes sot në mënyrë solemne. Ministri ynë i punëve të jashtme është kthyer para tri ditësh nga Shqipëria, ku përcolli të njëjtin mesazh, atë të gjithë miqve të Shqipërisë : një pajtim i vërtetë kombëtar që i tejkalon antagonizmat e vjetër dhe të rinj do t’i lejojë të dalë nga mundimet që po njeh.

Ju i bëni nder vendit tuaj, Shqipërisë, duke e përfaqësuar në gjirin e instancave ndërkombëtare të UNESCO-s ; ju i bëni nder Francës që është gjithashtu vendi juaj. Të gjithë miqtë tuaj shqiptarë e francezë këtu të pranishëm ju falënderojnë për këtë së bashku me mua.

 

Dorëshkrim i datuar, e martë, 19 maj 1998,

Familja Vrioni.

 

Vincent HUGEUX

 

Kryetar i Shoqërisë së Gazetarëve, reporter në zë i revistës javore l”Express”, specialist në fushën e politikës ndërkombëtare, fitues i Çmimit “Bayeux” të korrespondentëve të luftës, autori i disa veprave.

 

 

SHQIPTARI I HIJES

 

Jusuf Vrioni, përkthyesi i njohur i Ismail Kadaresë jep kujtimet e tij

 

Më në fund, Jusuf Vrioni, penda e hijes, shkruesi tepër i përpiktë, njeriu i cili, që prej tre dhjetëvjeçarësh rikrijon në frëngjisht imagjinaren gëluese të Ismail Kadaresë, ka pranuar të bëhet përkthyes i vetvetes. Për të kaluar këtë Rubikon, u desh që dublanti modest të shihte të merrnin fund andrallat e veta. Sepse ky aristokrat i turpshëm habitet ende, në moshën 73 vjeçare, që udha e tij – ajo e trashëguesit të një familjeje fisnike shqiptare, i mbijetuar prej burgjeve të Enver Hoxhës – të mund t’i interesojë dikujt. A është një rastësi nëse Kujtimet e tij titullohen Botë të shuara[ii] ? Përshkruan në të - përsëbrendazi, vetë ai që lëvron deri në koketëri artin e shuarjes -, mbytjen e një komunizmi sa kryeneç aq edhe autist. Por që, pavarësisht nga dymbëdhjetë vjetët e internimit, nuk ka mundur të cenojë fisnikërinë e tij shijehollë.

Duhet dëgjuar ai njeri i diturisë tek përmend bashkëfajësinë kryqëzuar dikur pas lopatës e kazmës, shoqërueset e kampeve të punës së detyruar. Për aq sa silueta e brishtë dhe zëri i ngjirur dëshmojnë për egërsinë e mundimit. Ngaqë nuk pyeti për shëndetin, për të shkuarën, dhe vetveten, Jusuf Vrioni pranoi në moshë të thyer, më 1997, misionin e Ambasadorit të vendit të shqiponjave në UNESCO. E bëri këtë me merakun për të dhënë « një mësim tolerance » në një botë politike, egërsia e së cilës e vinte në pozitë të vështirë. Por duke u rilidhur në këtë mënyrë, në mbrëmjen e jetës, me një traditë të fuqishme familjare. Sepse, një nga stërgjyshërit e tij drejtoi diplomacinë e Perandorisë osmane, ndërkohë që një tjetër mori pjesë në Kongresin e Berlinit. Por edhe më shumë akoma, i ati Vrioni renditi firmën në aktin e pavarësisë të Shqipërisë, duke u bërë edhe kryetar qeverie, e më pas ministër i Punëve të jashtme, me qendër në Paris, në Shoqërinë e Kombeve.

Në liceun Janson-de-Sailly, i biri i tij kryqëzon Claude Mauriac dhe Léon Zitron. Është kohë e bekuar e pushimeve alla Bourboule apo e netëve jazzy të Sainte-Maximës. Tenis, not, sportiv i përkryer, i riu shqiptar mbledh trofetë, përfshirë edhe atë të kampionatit të Francës në hokej mbi akull… Diplomuar në HEC dhe linçensuar në drejtësi, Jusufi shkon në Zvicër ku lidhet me Coco Chanel, pastaj në Romë, trupat e së cilës pushtojnë vendin e tij. Atje, filizi jurist i ri jepet pas rinisë së praruar dhe takon veç klanit Agnelli, Magnanin, Viscontin, Malaparten apo çupën e Musolinit, gruan e kontit të kobzi Ciano. Ndërsa i vëllai dhe kunati zgjedhin pasaportë italiane, ai kthehet, më 1943 në mbretërinë e Shqiponjave, ku do të ngadhënjejnë së shpejti partizanët komunistë. Që nga ajo kohë, fati i tij përmbyset. Për më tepër që i drejton shtypit të huaj një këngë për pluralizmin nënshkruar nga « disa antifashistë të vërtetë ». Sigurisht, fantazma frankofile fut në lojë përkthyesit për Organizatën e grave të Nexhmije Hoxhës, gruaja e Enverit. Por i akuzuar për spiunazh, ai nuk u shpëton arrestimeve masive të vitit 1947. Tortura, procese, qeli, kantiere : vetëm favoret me kandar falë aftësive të tij si piktor do mund të zbusin krejt kalvarin. Liruar në dhjetor 1959, Jusuf Vrioni, dje i ndaluar pa të drejtë për traditore (tradhtar) kalon në artin e traduttore. I përvishet anonimisht veprës së Kadaresë. Dhe trashëgon që andej një detyrë të rrezikshme : të përkthejë prozën e Partisë dhe veprat e zgjedhura të Enverit të madh. Ironi e fatit, cilësia e punës së tij do t’i shpërblehet me një fletë nderi prej tiranit të Tiranës.

L’Express, 7 maj 1998.

 

 

 Marc SEMO

 

Gazetar i së përditshmes së mirënjohur ”Libération”.

 

BOTË ALLA ENVER[iii]

 

Kujtimet ubueske[iv] të përkthyesit të Kadaresë, të cilit i duhej gjithashtu, në vendin e marksizmit të kulluar e të ashpër, të bënte të tingëllonte në gjuhën e Molierit proza e patretshme e Enver Hoxhës. Jusuf Vrioni me Eric Faye, « Botë të shuara, Kujtime të një evropiani ».

 

E quan veten thjesht një « i kaluar. »[v] Që prej tri dekadash, Jusuf Vrioni transpozon në një frëngjishte me elegancë klasike botën e pasur të Ismail Kadaresë, dhe teksti i tij shërben si bazë për përkthime në gjuhë të tjera të shkrimtarit të madh shqiptar. E megjithatë, për një kohë të gjatë ky bir beu, i mbijetuar pas dymbëdhjetë vjetësh nga « gulaku » i vendit të Shqipeve, nuk qe veçse një hije prapa lapidarit « Përkthyer nga shqipja » të frontispicit të veprave të para të romancierit. Si ish i burgosur, nuk kishte të drejtë të jetonte publikisht. « Ndërsa kalimi i kufijve na ishte praktikisht i ndaluar, unë rikthehesha anonim si një hije në atë Paris që e kisha dashur aq shumë, i çuar nga rreshtat  e një shkrimtari të ri », tregon ai në “Botë të shuara”, libri i kujtimeve që aq herë ky aristokrat i turpshëm kundërshtoi t’i shkruante, me gjithë kërkesat e miqve dhe botuesve. Më në fund i hyri, i ndihur nga romancieri Eric Faye. Në Shqipëri, më shumë se gjetiu tjetër në Lindje « të gjithë apo gati të gjithë e shtrembërojnë të shkuarën », dhe Jusuf Vrioni është më se i bindur të bëjë vepër dobiprurëse, sepse « për të kthyer me të vërtetë faqen, duhet më parë ta kesh lexuar atë ». Kujtimet e tij janë, para së gjithash, rrëfimi, me një stil të pastër, që i ka hije një xhentëllmeni të tillë i një jetë jashtë të zakonshmes. Libri fillon me Parisin e rafinuar dhe kozmopolit të midis dy luftrave, ku i riu Vrioni, trashëgimtar i një familjeje fisnike shqiptare dhe bir i ambasadorit të mbretit Zog, studion në Jeanson-de Saully. Shkon më pas në Romë, mospërfillës ndaj fashizmit, ku frekuenton rininë e praruar të vendit, mes të cilëve të rinjtë e familjes Agnelli, pastaj shkon në Shqipëri pikërisht para përfundimit të luftës. Bota alla Paul Morand[vi] përmbyset në botën e Solzhenicinit. Partizanët komunistë të Enver Hoxhës, fitues të luftës çlirimtare vendosin në mënyrë të pamëshirshme ligjin e tyre, pas dy vitesh gjoja demokratike. I arrestuar dhe i akuzuar për spiunazh për shkak të së kaluarës së tij pariziane, i torturuar, Vrioni kalon nga burgjet tek kampet, duke dhënë një nga shumë të rrallat dëshmi për atë univers kamppërqendrues, vazhdimisht i ushqyer  nga spastrime të egra, të cilat, në dallim nga BRSS dhe demokracitë popullore u tejzgjatën gjer në vitet 80. Jusuf Vrioni rigjen lirinë në dhjetor 1959, pas dymbëdhjetë vjet e gjysmë kaluar në kampe, por liri nuk do të thotë gjëkafshë në një vend zhytur në dyermbyllësinë marrake, në emër të një marksizëm-leninizmi të kulluar e të ashpër.

Diktator, spitullaq i rafinuar, por shkrimtar mashtrues, Enver Hoxha godiste pa mëshirë farat e « revizionizmit », por nga ana tjetër porosiste në libraritë pariziane për konsum personal atë çka Vrioni e pranon të ishte një « letërsi e shkëlqyer ». Ish profesori i frëngjishtes nuk kish si të mos dallonte cilësinë e gjuhës së armikut të klasës, që me t’u liruar, përkthente Gjeneralin e ushtrisë së vdekur, duke i dhënë një rezonancë ndërkombëtare romanit të parë të Kadaresë. Përkthyes stakhanovist, që e tejkalonte pesë herë normën në një zyrë, Jusuf Vrioni e sheh veten, përherë e më shumë të ngarkuar për transpozimin në gjuhën e Molierit të fjalimeve robotative të shokut sekretar të përgjithshëm. Një mision tepër i ndjeshëm që shkaktoi smirë tek disa kolegë dhe jo pak djersë të ftohta. Madje desh edhe e pagoi me kokë për një presje të thjeshtë tek “Eurokomunizmi është antikomunizëm”, e domosdoshme në frëngjisht, por që nuk ekzistonte në titullin origjinal. Asnjëherë nuk e takoi drejtpërdrejt të zotin e vendit. Tridhjetë e pesë herë iu desh të rikthehej në kantier për disa rreshta të « dimrit të madh », ku Kadareja përshkruan shokun Enver në Moskë duke vendosur për shkëputjen me « revizionistët ». Sulltani i kuq smirësohej para shkrimtarit, rregullisht i denoncuar për shtrembërimet e tij ndaj realizmit socialist, por ai ishte aq i kultivuar sa t’ia njihte vlerat. Hije frankofone sa e njërit dhe e tjetrit, Vrioni e shihte kështu veten sa ngritur në kupë të qiellit për përkthimet e tij, me qëllim që të pakësonte meritat që i takonin romancierit, aq edhe në të kundërt kritikuar për « humbje kohe » që përfaqësonte një veprimtari e tillë. Por ja që ka dhe mbijetesë alla Ubu, mirëpo edhe në Shqipëri komunizmi u fshi më në fund.

Libération, 14 maj 1998.

 

 

Jean-François BOUTHORS

 

Gazetar, botues e shkrimtar, përgjegjës i shërbimit kulturor në gazetën “la Croix”, autori i një serie librash.

 

 

VËSHTRIM SHQIPTAR PËR NJË SHEKULL

TË TRAZUAR

 

Të lindësh me lugë argjendi në gojë është larg së qeni siguri ndaj përmbysjeve të fatit. Më mirë nga askush, Jusuf Vrioni, përkthyesi i Ismail Kadaresë, e di këtë, në moshë 82 vjeçare, së cilës edhe i kthehet, dhe kujtimet e tij janë një demonstrim më se i rrjedhshëm. Bir i një familjeje të madhe bejlerësh shqiptarë, ai ka njohur gjithçka nga ajo që është quajtur rini e praruar. Studime të shkëlqyera dhe jetë pa telashe në Paris – ku i ati ishte bërë ambasador pasi kishte qenë kryeministër më 1921 në qeverinë e dytë të Shqipërisë së pavarur -, ai mund edhe të pandehte se zemërgjerësi e qiellit ndaj tij ishte e pafundme.

Vetë luftën, Vrioni e përshkon pothuaj lehtë, midis Tiranës e Romës. Nuk bashkëpunon me pushtuesin italian, më pas gjerman, por qëndron i mënjanuar ndaj rezistencës, përçarë midis nacionalistësh tepër të dyzuar për të qenë të frekuentueshëm, dhe komunistëve, për të cilët ai përfaqësonte armikun e klasës. Pas mbarimit të konfliktit të dytë botëror, regjimi i Enver Hoxhës vendoset dhe pa vonesë i hyn të tatëpjetës staliniste. Viti 1947 kthehet në një ëndërr të keqe : arrestim, zhdukje, torturë, proces krejt artificial, vendim i atypëratyshëm… « Ti je Jusuf Vrioni ? Eja pas nesh. Kemi disa pyetje për të bërë. » Gruaja e re, së cilës i kishte lënë takim më 13 shtator, në sheshin qendror të Tiranës, do ta presë më kot… Tetë muaj torturë pothuaj e përditshme, më pas vite burgimi dhe punë e detyruar, të cilave shumë nga shokët e tij të përvuajtjes nuk do të mund t’i bëjnë ballë. Kur lirohet, dymbëdhjetë vjet më vonë, Vrioni i hyn përkthimit. Talenti i tij bie në sy, aq sa do t’i besojnë përkthimin në frëngjisht « të veprës së pavdekshme » të Enver Hoxhës, por duke u parë gjithnjë si murtajë. Me nismën e tij, i hyn përkthimit të « Gjeneralit të ushtrisë së vdekur » të Ismail Kadaresë. Puna e tij do të çmohet, aq sa Tirana do t’ia propozojë romanin më 1970 botuesit francez Albin Michel. Por dymbëdhjetë vjet të tëra, askush nuk do të dijë në Francë kush e ka nënshkruar përkthimin…

Njeriu i madh dhe elegant hedh vështrimin prapa, e sheh rininë e tij me një nostalgji të pashuar dhe pyet se kur bashkëpatriotët e tij do të guxojnë më në fund të shohin përballë të shkuarën e tyre.

 

La Croix, 10 korrik 1998.

 

 

José-Alain FRALON

Alain SALLES

 

Gazetarë të së përditshmes së njohur franceze “Le Monde”, autorë botimesh.

 

 

JUSUF VRIONI,

PËRKTHYESI I ISMAIL KADARESË

 

Artikull i botuar në gazetën “Le Monde” me rastin e vdekjes

së përkthyesit të mirënjohur

 

Shumë kohë, romanet e Kadaresë kanë qenë me përkthyes të panjohur. Mbërrinin në Francë me të vetmin shënim « Përkthyer nga shqipja ». Vetëm në fillim të viteve 1980, me Prillin e thyer, u nxuar në dritë identiteti i Jusuf Vrionit, i cili vdiq të premten më 1 qershor, në Paris.

Jusuf Vrioni vdiq heshturazi, nga një pushim zemre, me atë elegancë që e kthente çdo takim me atë djalosh tetëdhjetë e pesë vjeçar një festë për të gjithë miqtë e tij. Duhej ta shihje tek ecte me hapa të gjatë në rrugët e Tiranës, Romës apo Parisit, duke treguar një anekdotë për këtë apo atë shtëpi, duke u ndalur për të kundruar një vajzë të bukur apo për të shpjeguar përdorimin e saktë të një të pakryere të lidhorit ! Ai njeri - krenaria e vetme e të cilit ishte të pohonte se bënte rregullisht më pak nga katër gabime në diktimet e Bernard Pivosë -, e njihte aq mirë gjuhën tonë – po edhe italishten, greqishten, anglishten – sa mund të gaboje për kombësinë e tij të vërtetë. Edhe pse jetonte në Paris dhe kishte marrë shtetësinë franceze, ai mbetej megjithatë thellësisht shqiptar, duke përjetuar me vuajtje të gjitha plagët e vendit të tij, që asnjëherë nuk ka njohur të drejtën e butësisë të ndërgjegjeve të mira. Sipas dëshirës së tij të fundit, sot prehet në Tiranë.

Lindur më 1916 në Korfuz, në një nga familjet aristokratike të Vendit të shqiponjave, Jusuf Vrioni përjetoi një fëmijëri të praruar para se të mbërrinte në Paris me të atin, ish kryeministër, bërë ambasador. Do të qëndrojë aty gjer më 1939, duke kaluar vitet më të bukura të jetës së tij midis studimesh të shkëlqyeshme në HEC dhe praktikimit të polos, ku u bë kampion i Francës në ekipin e Racing-ut. Edhe një tjetër krenari ndër më të mëdhatë e tij.

 

Trembëdhjetë vjet burg të rëndë

 

Kur kthehet në Shqipëri pas luftës, është i pranishëm në vendosjen e diktaturës komuniste. Arrestuar më 1947 për spiunazh, do të kalojë trembëdhjetë vjet në burgjet e rënda të një prej regjimeve më të ashpra e më absurde të një bote komuniste, e pakursyer në këtë drejtim. Ai do të flasë pak për atë përvojë të hidhur, duke përmendur gjatë disa darkave veç tmerrin e atyre viteve gjithë lotë, kur nuk kalonte praktikisht as edhe një natë pa frikën se mos pushkatohej  me të zbardhur.

I liruar më 1959, ngarkohet të përkthejë në frëngjisht logomashinë[vii] e Enver Hoxhës, që mbretëron si zot absolut mbi vendin. Vrioni kish kënaqësi të fliste për telashet gjuhësore me censurues mendjengushtë që përkujdeseshin për saktësinë ideologjike të përkthimeve të tij. Anonimisht, përktheu edhe shumë autorë shqiptarë, si Ismail Kadarenë, që do të bëhet një nga figurat e letërsisë botërore. Autori i Prillit të thyer dhe i Gjeneralit të ushtrisë së vdekur e di për më tepër që për gjithçka, ai i detyrohet Jusuf Vrionit.

U largua përfundimisht nga Shqipëria gjatë trazirave të vitit 1995, duke mos duruar dot aleancën e mafiave, të ish kuadrove komunistë dhe të drejtuesve të rinj shpesh miopë në parime. I emëruar ambasador pranë UNESCO-s në Paris, ku jeton gjithashtu Kadare, ai e përvuante këtë mërgim dhe faktin që pak rëndësi u kushtohej, konkretisht në Evropë, viktimave të regjimeve komuniste. Në librin e tij të kujtimeve Botë të fshira, shkruar në bashkëpunim me Eric Faye (Botimet Jean-Claude Lattès), Jusuf Vrioni përmendte me emocion kujtimet e tij të rinisë dhe konkretisht balonat që ngrinte në ajër përgjatë plazhit të Durrësit. Ai do vazhdojë ende gjatë të na qëndrojë pezull në kujtesën tonë. Në vendin e tij : atje lart.

 

Le Monde, 5 qershor 2001.

 

 

Yves MABIN

 

Iv Mabin (1942), romancier, poet e novelist, fitues i Çmimit “Max Jacob” më 1996.

 

JUSUF FISNIKU

 

Më 5 qershor 2001, pesë ditë pas vdekjes së mjeshtrit të madh të përkthimit në gjuhën frënge Jusuf Vrionit, shkrimtari Yves Mabin, hedh me këtë rast në letër, me tone të fuqishme patetike, shkrimin e mëposhtëm për këtë "njeri të admirueshëm",

sikundër e vlerëson ai.

 

Fisnik. Jusuf Fisniku. Jo për shkak të lashtësisë së familjes tënde, sepse ti e dije që privilegjet e lindjes krijojnë më shumë detyra se të drejta. Fisnik i lindur, po, pa pikë dyshimi, por para së gjithash fisnik nga karakteri, nga mendja, nga zemra. Fisnik, sepse ti nuk ia lejoje vetes dofarë qëllimesh, dofarë mendimesh që për ty s'qenë veçse të rëndomta, dofarë qëndrimesh e veprimesh që ti i gjykoje poshtëruese. Fisnik, sepse ti dije, në çfarëdo rrethane, qoftë edhe nga më të padurueshmet, të ruaje dinjitetin tënd të natyrshëm, mendimin tënd kritik, humorin dhe ironinë tënde. Fisnik, sepse ti ke ditur të mposhtësh mjerimin kur të ka goditur, duke e përdorur atë për të kuptuar se lumturia të kish penguar për ta parë. Fisnik, sepse i lirë, i lirë për të menduar, për të ndjerë, për të gjykuar, për t'u gjykuar, për të qëndruar, për të kundërshtuar. Fisnik, sepse i aftë për të marrë seriozisht çka është me të vërtetë serioze dhe për të marrë lehtësisht atë çka është e lehtë, sepse i aftë për të marrë pjesë në dhimbjen e tjetrit dhe për të qeshur me çka është qesharake. Fisnik, sepse tepër krenar për të qenë fodull ; duke i dhënë përherë përparësi jetës përballë dëshpërimit, buzëqeshjes përballë trishtimit, sepse ti kishe tashmë një përvojë për trishtimin dhe dëshpërimin. Fisnik, sepse ti dije, mbaje ngulitur ndër mend dhe nxirrje përfundimet e duhura. Por kurrë ndaj të tjerëve, qoftë dhe fajtorë.

Jusuf Shqiptari. Ne s'kishim paraprakisht kurrfarë arsyeje për t'u takuar, për t'u njohur. Rrethanat që në një jetë shpesh janë të pafavorshme, kanë qenë të favorshme për miqësinë tonë. Me t'u njohur, shpejt u miqësuam. Dhe përgjithnjë. Miq nga ajo miqësi që të bën të merresh vesh pa qenë nevoja për të folur, për të dhënë shpjegime, për t'u përligjur. Kishim admirim për të njëjtat vlera. Jepnim parapëlqimin tonë për të njëjtat përparësi, për të njëjtat domosdoshmëri. Talleshim me të njëjtat pretendime, përmalleshim me të njëjtat ngjarje. Dinim gjithashtu të qeshnim së bashku.

Ti e doje vendin tënd. Ti shqetësoheshe për të. Ai qe përherë në zemër të zemrës tënde. Ti e doje dhe bëje gjithçka që të tjerët ta donin. Të shumtë, mjaft të shumtë janë në Francë, në Evropë ata që e njohin dhe e duan Shqipërinë përmes teje, për shkakun tënd. Ti e doje vendin tënd, gjuhën e tij, traditat e tij, kulturën e tij dhe sepse ti urreje mbylljen, izolimin, sundimin, sepse ti doje dialogun, mirëkuptimin, zbulimin, njohjen, sepse ti i jepje përparësi arsyes, mençurisë, dijes, sepse ti ishe kundër padijes, përbuzjes, arrogancës, sepse ti ishe për butësinë, ndjeshmërinë, përzemërsinë, ti e regjistroje gjuhën tënde, kulturën tënde, vendin tënd në bashkësinë e gjuhëve, kulturave, vendeve të gjithë bashkësisë njerëzore, e në mënyrë të veçantë evropiane.

Jusuf Francezi. Ti e doje Francën, kulturën e saj që e njihje në mënyrë të përkryer, gjuhën e saj, që e zotëroje në mënyrë mjeshtërisht të admirueshme, sikundër e vërtetojnë përkthimet e paarritshme që u ke bërë veprave të një prej shkrimtarëve më të mëdhenj të gjallë në botë, mikut tënd, mikut tonë Ismail Kadare. Ti e doje atë dialog të vështirë, të rreptë, të pasur midis gjuhës tënde amëtare dhe gjuhës frënge. Ti e doje kaq shumë këtë gjuhë, sa në burg, siç më ke thënë në intimitet, flisje me vete frëngjisht, që të shmangie humbjen e arsyes. Ja, ç'kompliment i bukur për një gjuhë që ishte tëndja, sepse ti ishe gjithashtu francez, siç janë francezë të gjithë ata që flasin frëngjisht dhe që e duan këtë vend, përkrahës i zellshëm i lirive dhe të drejtave njerëzore.

Jusuf Fisniku, Jusuf Shqiptari, Jusuf Francezi, kur ne shëtisnim tok në Paris për herë të parë kur ti u lejove të riktheheshe këtu pas gjithë atyre viteve ndalimi e mungese, më the se ishe im "ungj", por që edhe unë isha gjithashtu yt "ungj". Në fakt, ti ishe im vëlla. Vëlla i madh për nga mosha, urtësia, përvoja e dhimbshme, por ndonjëherë vëlla i vogël kur më kërkoje këshillim dhe kur të shihja aq të gjallë, aq të zhdërvjelltë, djalosh të përjetshëm.

Ne ishim vëllezër Jusuf, dhe vëllezërit dinë, në të gjallë, të rinjihen. Por edhe të vdekur, dinë të rigjejnë shoshoqin. Mirë u pafshim së shpejti Jusuf.

Dorëshkrim, 5 qershor 2001,

Familja Vrioni.

 

Në vend të pasthënies

 

Fotaq ANDREA

 

Me rastin e gjashtë vjetorit të shuarjes së mjeshtrit të madh të përkthimeve Jusuf Vrioni

 

MIRËDITA FISNIKU JUSUF VRIONI[viii]

 

“Bonjour Jusuf”,

 

Po të përshëndes thjesht në gjuhën e bukur frënge me formulën tonë të përditshme, tek hyje çdo mëngjes, i freskët, i gjallë, i qeshur, me frymën që të merrej paksa, në zyrën tonë të përbashkët, si kishe ngjitur me vrap të lehtë atleti katër katet e Shtëpisë Botuese ”8 Nëntori”, duke përfituar në çdo rast për një “jogging” të lehtë, siç thoshe, që ta mbante trupin në formë. Dhe mbete gjer në fund i shkathët e sportiv, gjithë energji, “djalosh tetëdhjetë e pesë vjeçar”, nëse do huazoja këtu formulën e Eric Faye kur shkroi për ty plot pasion. Sepse kishe mbi të gjitha rini e gjallëri në zemër, ishe me botë të pasur shpirtërore, sekreti dhe çelësi i artë i personalitetit tënd.

Tek hyje në zyrë, zije vendin tënd në tavolinën përkrah dritares, sistemoje gjithë dashuri, sipas alfabetit, gjashtë vëllimet e rënda të Fjalorit të Madh “Robert”, pa harruar “Suplementin”, si të ndizje e të vije kështu në punë “tornon” tënde të përditshme gjuhësore, ku vërtetoje me saktësi milimetrike tërë nuancat e fjalës. Testoje një hop në fytyrat e dy bashkëpunëtorëve të tu të zyrës humorin e tyre, dhe ia nisje pastaj gjithë lezet nga të rejat e ditës, por ama me gishtat e shkathët e të lehtë mbi tastierën e makinës së shkrimit.

Makina e shkrimit, “Triumfi” tënd, “Ngadhënjimi” tënd, që s’t’u nda një çast, si piano nën gishtat e tu virtuozë, që rrihnin me shpejtësi të mahnitshme tastierën, nga ku buronin - çurgonin, më mirë të them -, fjalë, rreshta, paragrafë, mbi njëzet e pesë faqe përkthimi në ditë, duke shpërthyer në mënyrë të mahnitshme e spektakolare krejt normat e përcaktuara burokratike, ndërkohë që vetëm norma e daktilografimit ishte njëzet e pesë faqe. Donin me mendësi meskine të “proletarizonin” punën tënde intelektuale, kaq faqe përkthim, kaq faqe redaktim, kaq e aq faqe korrektim, konfrontim, etj. kur ti, në mbarim të punës ditore, vije buzën në gaz, se të dukeshin normat qesharake, tek i tejkaloje me lehtësi shtatë-tetë herë, a më shumë.

Eh, “Jusuf fisniku”! siç të ka pagëzuar aq bukur Yves Mabin. E ç’të kujtoj më parë tek ty, e për ty! Ishe i veçantë në gjithçka, burim i vërtetë fisnikërie e erudicioni. Kurrë nuk e the një fjalë të keqe, por vetëm mjaltë nga goja, gjithë delikatesë e maturi, gjithë finesë e mençuri. E peshoje çdo fjalë, në bisedë, si në përkthim, me kandar farmacisti, në tërë kuptimet e veta, me merakun e madh se mos keqkuptoheshe, a se mos keqinterpretoheshe, sidomos nga gojë a mendje të liga partiake. Përktheje tekst të vështirë, me vështrim ngulur nga faqet shqip që mbaje në krahun e majtë, (ku nuk mungonin as fjalët “trahana”, “fasule pllaqi”, “ne, të rigonit”, e qindra të tilla) dhe mbaje njëkohësisht ndezur bisedën përherë interesante, erudite e konstruktive, shpesh me nota humori të mençur, pa qenë kurrë ironik, në kurriz të njërit a tjetrit, siç ndodhte rëndom në zyrat e tjera. Jo, humori tënd ishte nga ai lloj humori i përzgjedhur, i stilit të rafinuar perëndimor, me kombinime të çuditshme idesh e fjalësh që na bënte të shakatonim e të qeshnim me shpirt, në një mjedis tërësisht rinor e të këndshëm pune. Kishe aftësinë e njerëzve të veçantë, për të bërë, të themi, paralelisht “dy punë”, edhe të na jepje përgjigje për çdo pyetje përkthimore që të drejtonim (ne vetë sikur “përtonim” nga një çikë të hapnim një e dy fjalorët, kurse ti, kurrë nuk ia përtove në këtë drejtim), edhe të mos i shkëputje gishtat nga tastiera e makinës.

E mban mend, Profesor, kur Viktori [Kalemi], hapte herë pas here fjalorin e madh tre vëllimësh “Larousse”, dhe tek tregonte me gisht një foto në largësi, të pyeste : “Monsieur, qui est-ce?”[ix]. Ishe përherë i saktë në përgjigje, i njihje personalitetet e “Laroussit”, sikurse tërë finesat gramatikore të “Wagner-Pinchonit”. Po se mos vetëm kaq! Bibla tënde, Profesor, nuk kufizohej as tek “Roberi” i madh, as tek “Laroussi”, as tek gramatika voluminoze. Libri në përgjithësi, që s’t’u shqit kurrë nga dora, dhe radioja franceze, me emisionet interesante, si “Rdioscopie”, ishin dy burimet kryesore të tuat, profesionale e intelektuale bashkë. E në çdo rast, do shënoje anash lehtë me laps një “diezis”, do mbaje afër një fletore “gjashtëmbëdhjetëshe”, ku hidhje me shpejtësi, me shkrimin tënd të shkrifët, por të dashur e të lexueshëm për syrin e stërvitur, mori shprehjesh frazeologjike, të të gjitha “”regjistrave gjuhësore”, duke ditur se shpejt, tërë ato shprehje do riviheshin në punë gjatë përkthimeve të tua. Dhe ja pse gjuha tënde përkthimore, e paarritshme, asnjëherë nuk t’u vjetrua, por mbeti përherë e re me kalimin e viteve, e re, si vetë mosha tënde, dhe bota tënde e pasur.

E mban mend, Mjeshtër, kur na lexove një ditë, me zë të lartë poetik disa faqe nga të Marsel Prustit, i mahnitur edhe ti vetë nga bukuria dhe eleganca e të shkruarit, gjithë thellësi mendimi e përshkrimi, ku nuk të bezdiste aspak fjalia e gjatë gati treçerek faqe, që e përthithje dhe tretje në vetvete si një e tërë e qëndrueshme, dhe ku çdo fjalë, siç thoshe, ishte në vendin e vet? Për ty, bukuria, estetika dhe përsosuria ishin një e vetme, në unitet e harmoni, klasike apo moderne, e shkuar apo e tashme, bukuri gjuhe, a bukuri stine, bukuri peneli a bukuri pentagrami. Gjithçka e tillë ta mbushte shpirtin gjithë gëzim, deheshe e jepeshe krejt pas plazhit, detit, notit, tenisit, slalomit gjigand, hokejit në akull, kinemasë italo-franceze, këngëve të Tino Rossit, Maurice Chevalier, Edith Piaf, apo pas partiturave melodioze të Stephane Grappelli-së. Gjithçka të joshte, gjithçka të kënaqte syrin dhe shpirtin, qoftë edhe një lule e thjeshtë, një xhaketë elegante me dy të prera anash, një kollaro e hijshme apo një fytyrë e qeshur vajze simpatike. E shijoje të bukurën, Profesor, kudo, në gjithçka, si pasurinë më të madhe të njeriut. Sepse jeta në vetvete, siç thoje, është e bukur. Prandaj dhe nuk u epe kurrë, as në orët më të errëta të jetës tënde, viktimizuar me vite nga diktatura, vite që asnjëherë nuk doje të na i përmendje. Ishin për ty një ëndërr e keqe, një “vdekje” për së gjalli, dhe kaq. Por prapë, edhe në ato vite të zeza, gjete mënyrën për t’u marrë me të bukurën, me pikturë, krahas librit të rrallë, “të dënuar” për karton, që e shpëtoje nga thikat grirëse.

E mban mend, Jusuf, kur të urdhëruan në mënyrën më harbute partiake në ditët e para të ardhjes sonë në redaksi : “Këta djemtë e rinj, (të thanë tekstualisht) të na i përgatitësh sa më shpejt si vetja, të na i bësh përkthyes, që të zënë vendin tënd”! U stepe para një urdhri të tillë absurd e arrogant të eprorëve me fiqir të vogël, dhe një fjalë në çast nuk e the. Dhe s’kishe si ta thoshe përpara diktatit sundues pervers. Por më pas, do na hapje zemrën ne të rinjve, “blancs becs”, të parrahur ende nga jeta, por që na ndjeje paraprakisht se të mirëkuptonim : “Përkthyesi, na the i qetë, nuk është një rrobaqepës, që të tregojë thjesht “sekretin e zanatit”, se si u dashka qepur. Nuk mund t’i thuash një përkthyesi të ri : “Ja copa, ja gërshërët, ja modeli, shih këtu, dhe na bëj kostumin!” Që të bëhesh përkthyes, lypset punë, vullnet, dëshirë, talent, përvojë, dituri e kulturë. Dhe për këtë duhen vite!” Atëherë, biseda ndizej e ngrohtë, zije e na flisje për teoritë dhe shkollat e ndryshme të përkthimit, për “avantazhet” dhe “dizavantazhet” e njërës apo tjetrës,  duke qenë përherë në dijeni të të rejave të fundit të artit përkthimor. Madje zinim e “filozofonim” me humor edhe për raportin “gjeni – talent”, se kush na kishte përparësinë!

 

Eh, Profesor, puna me ty ishte një luks, një universitet i dytë për ne. Por ç’them edhe unë! Ajo ishte shumë më tepër, një përvojë e tërë jetësore, një kudhër e vërtetë, me përkujdesje “Frater-Paternellement”, siç më shkrove aq ngrohtësisht ti vetë në librin tënd të dashur që më dhurove “Mondes effacés”[x] në nëntor 1998. Dhe ja ku ikin vitet, dhe shumë nga thëniet e tua profesionale janë kthyer tashmë, në mendjen time, në aforizma të vërteta. A nuk na thoshe se

 

“Përkthyesi është arkitekt i fjalës”, se “Përkthyesi, është dhe duhet të jetë njeri i dijes”, se “Të dish të përkthesh, do të thotë të dish të transpozosh me art një akt të menduari në një akt tjetër të menduari”, se “Stili është vetë njeriu”, se “Çdo fjalë ka vendin e vet në përkthim” dhe se “Nuk ka sinonimi absolute”? Madje edhe presjes i kërkoje vendin e caktuar në frëngjishten tënde të pastër! Sa bukur e ke përshkruar në librin tënd “Botë të fshira” - libër sintezë fisnikërie dhe modestie që të ka hije, ku në çdo faqe lexuesi sheh të udhëhiqesh prej virtytit -, episodin për presjen që vure në titullin frëngjisht “L’Eurocommunisme , c’est de l’anticommunisme”[xi]. Me një urdhër mediokër nga lart, njëzet e pesë mijë kopertinat e para të librit u kaluan si pa gjë të keq në karton. Sepse kurrkush nga kasta nuk e çau kokën që ajo presje elegante dhe e nevojshme në frëngjisht ishte në vendin e vet, sikurse në titullin e famshëm të veprës së Prudhonit “La priopriété , c’est le vol[xii]. Pale më të pyeste ndokush për ato miliona të popullit mjeran që hidheshin në kosh !

Shfletoj, Mjeshtër, librin tënd, dhe në çdo faqe më del portreti yt i gjallë, herë gëzueshëm, mes miqsh të mirë që të mbushnin shtëpinë plot - por që detyroheshe edhe t’i “braktisje” për të punuar fort në kabinetin tënd të vogël të punës -, herë serioz, në radhët e gjata të natës për një kile qumësht për Alanin e vogël, herë majë biçiklete, me çantën e zezë varur nga dorezat portative në timon, tek rendje në Lidhje të shkrimtarëve apo nëpër redaksi revistash e bashkëpunëtorë. Por mbi të gjitha, portreti yt më shfaqet i mendueshëm para tryezës së punës në zyrë, rënë herë-herë në të thella. Dhe kishe me këtë rast, Profesor, një tik të veçantë, që më është ngulitur në mendje : bluarjen e mendimit, përvuajtjen e brendshme, të them, e shprehje me një gjest të caktuar, tek mundoheshe të kapje këmbëngulazi në mjekër, në krah të djathtë, një qime përherë të rruar, si të të bezdiste. Dhe veç kur arrije të shkulje diçka, me lëvizje të shpejtë të dy gishtave pincë, shkëputeshe nga përhumbja dhe vije në vete, duke iu sulur atë hop përkthimit apo tridhjetë-dyzet faqeve redaktim që të prisnin çdo ditë. Në ato çaste, edhe ne respektonim në heshtje përhumbjen tënde, duke e ditur fare mirë burimin e andrallave të tua. I përvisheshe asoherë punës në zyrë, ngaqë doje gjithnjë të “avancoje”, siç thoshe, sepse një tjetër punë në shtëpi të priste në krahun tjetër, deri në orët e vona të natës : përkthimet letrare, artistike, publicistike, albanologjike, historike etj.

Shumë episode më ngjallen, Fisnik, në kujtesë, nga më interesantet e instruktivet që lidhen me ty, por nuk më lejon vendi këtu, në një shkrim të thjeshtë përkujtimor, që t’i shpalos të gjitha. Ja, po kujtoj me këtë rast kur ti na erdhe një ditë në zyrë i frymëzuar - po, po, i frymëzuar! - dhe na lexove me zë të lartë, të qëruar, e me një dridhje të lehtë emocionante, një përshkrim të përsosur nga “Ura me tri harqe”, që sapo e kishe përfunduar së redaktuari, ku ndjenim Ujanën e zemëruar të vrullohej e të shkapërderdhej mes shkëmbishtës e shpirtrave njerëzorë. “Është “fantastik” Kadarea”, na the (në kuptimin i mrekullueshëm). Dhe ne ta pritëm : “Po edhe Ju, Monsieur, në mos jeni po aq “fantastik””! Të kërkuam të rilexonim secili më vete po atë tekst, për t’u velur edhe ne vetë në heshtje. Vumë re që ishte një përkthim me gërmë disi të ngrënë nga vjetërimi i shiritit të makinës, dhe mbi të, të merrnin sytë “les gribouillages” (shkarravinat) e tua të shumta, siç i cilësoje redaktimet njëpasnjë që i bëje “pafund” një teksti. Por më e çuditshmja aty qe se varianti i parë i përkthimit tënd ishte po aq i bukur sa dhe i dyti, gjë që nuk munguam ta vinim në dukje.

Në fakt, variantet përkthimore ishin tek ty Mjeshtër, “lumë”, redaktimi i parë do shoqërohej doemos nga i dyti, i treti, i katërti, a më tej. E në këtë rast, të qëllonte madje të na kërkoje “ndihmë” e mendim se cilin parapëlqenim si variantin më të mirë. Dhe kaq shumë redaktoje, shkruaje e gomoje - goma dhe portamina (stilolapsi) ishin dy mjetet e tua të vyera, po aq sa makina e shkrimit dhe fjalorët -, saqë miku ynë Viktor, hodhi me humor idenë e krijimit të një “procesi” të ri teknik që duhej “normuar” e quajtur “le gommage” (gomimi, fshirja me gomë), krahas proceseve të tjera dytësore të normuara si konfrontimi, korrektura letrare, korrektura teknike, daktilografimi, etj.

Pikërisht, në ato redaktime të shumta, në ato limime e lëmime të tekstit, në atë leksik e frazeologji të pasur qëndronte sekreti i talentit tënd mjeshtëror të përkthimit, për të krijuar atë arkitekturë përsosurie të fjalës dhe fjalisë nëpërmjet një sintakse të zhdërvjellët, përsosuri që ishte pasqyrë e vetë tipit tënd, stilit tënd fisnik, elegant e harmonizues, që gjithçka, në zyrë apo në kabinetin e punës, madje edhe brenda në çantë (ku asnjëherë nuk do mungonte një patkua i vërtetë marrë me dorën tënde nga asfalti!), e doje në vendin e vet, në harmoni me të tërën. Por, nga ana tjetër, tërë ato redaktime të njëpasnjëshme në përkthimet e tua plot art e merak flisnin për potencialin e fuqishëm intelektual dhe profesional tëndin, që edhe bocat e shtypshkronjës i “nxije”, duke u hapur punë e telash linotipistëve, faqosësve e makinistëve duarartë dhe shpirtgjerë, gjatë tërë atyre netëve “të bardha”, pa gjumë, shoqëruar nga kafeja e fortë e termusit që na përgatiste Agi me aq ngrohtësi.

Megjithatë, pavarësisht nga fakti që ti jepje maksimumin tënd në çdo përkthim, e vërteta e thjeshtë është se vetëm në përkthimet letrare të romaneve të Kadaresë, ti ndjeheshe plotësisht “à l’aise”, apo si në mbretërinë tënde, të themi, aty ku shkrehje tërë bateritë e talentit. Dhe domosdo. Ndryshe nga gjuha politike e publicistike, që të sikletoste e mundonte me steriotipe dhe formula të thata a të parafabrikuara, me kapërcime ideore, apo stil të ngurtë, të ngrirë a të mbufatur, gjuha dhe stili i Kadaresë të bënin me krahë, të drejtonin shtigjeve të Kafkës e të Buzzatit që ti i njihje tashmë që në rininë tënde, tek nuhasje dhe pikasje - në përshtatje me shijen tënde të hollë si Njeri i Letrave dhe i Kulturës në shkallë sipërore -, prirjen e Shkrimtarit të madh shqiptar drejt Lirisë, në kuptimin e gjerë dhe të plotë të fjalës, përtej kornizave të realizmit socialist. Mendimi i tij filozofik, fantaskja lirike, intriga dhe eleganca e të shkruarit, krejt personazhet arkitipikë që vepronin e mbijetonin në një atmosferë tërësisht homerike a makbethiane – ja çfarë të joshte e të bënte për vete te Kadarea, për t’i hyrë brumit të tij me llërë përveshur, duke i dhënë ato kryevepra të gjuhës shqipe në kryevepra të gjuhës frënge. Andaj ma ka ënda, Mjeshtër, të them, që përkthimet e tua të Universit kadarean janë dhe do mbeten përjetësisht “origjinale të origjinaleve”, dhe kurrsesi kopje apo dritë-hije të tyre. Ato janë njëlloj të barasvlefshme, sepse tingëllojnë po aq madhërishëm në frëngjisht, sa edhe në shqip.

Edhe diçka tjetër, Profesor, para se të largohemi, për t’u ritakuar, besoj, përsëri. E mban mend atë vit të Përmbysjes së madhe, kur u takuam e folëm gjatë për mashtrimin e madh të një populli të tërë për “socializmin shqiptar”? Konkludove me një fjalë të artë : “Ai regjim, më the, i qetë si gjithnjë, nuk ishte as socializëm, e as shqiptar”. Buzëqeshëm ironikisht, në mirëkuptim të plotë, dhe çdo koment i mëtejshëm na u duk i tepërt.

Në përfundim, Mjeshtër, nuk do harroj kurrë takimin tonë në Këshillin e Evropës, kur erdhe si i ftuar nga Komisioni i Venecies në fillim të majit 1998. Fole lirshëm, duke ligjëruar aq bukur në frëngjishte të kulluar, pa kurrfarë teksti të parapërgatitur, për shtetin ligjor dhe hapat e parë të demokracisë në Shqipëri. Vije nga Parisi në cilësinë e Ambasadorit shqiptar pranë UNESCO-s dhe me personalitetin tënd, dijen dhe kulturën që zotëroje, e le “gojëhapët” krejt auditorin, duke i shtuar pikë e vlera Shqipërisë, tek e mburrnin që “ka kapacitete të tilla”. Dhe më se e drejtë. Ishte një veprim i zgjuar politik emërimi tënd si Ambasador i Shqipërisë në Forumin më të lartë të dijes dhe kulturës botërore. Por ishte, po ashtu, qëndrim edhe më i zgjuar politik nga ana tënde për të dalë mbi partitë, duke pranuar t’i shërbeje deri në fund vendit, me dinjitet e devocion, në atë moshë të thyer, por me energji rinore. Ishe dhe mbete, Jusuf, hallka historike e fuqishme dhe e gjithsuksesshme e lidhjes së Shqipërisë me Francën, atdheun tënd të dashur të dytë, lidhje e hershme, përuruar që në fillimet e shtetit të ri shqiptar nga vetë Iliaz Vrioni, babai tënd i nderuar.

 

Me zemër shqiptar, me zemër francez, gjaku yt, o fisniku Jusuf Vrioni, ishte para së gjithash evropian, shpirti yt ishte para së gjithash human, botëkuptimi yt ishte mbi të gjitha liridashës, dhe përherë në pararojë të kohës.

 



[i] Shkolla e studimeve të larta tregtare.

[ii] Në dy kuptimet e fjalës shuara : të fshira (të marra fund) dhe të mjera apo fatzeza.

[iii] Titulli frëngjisht : “Le monde à l’Enver” (Botë alla Enver), lojë fjalësh bazuar edhe në shprehjen franceze “monde à l’envers” (botë përmbys).

 

[iv] Që ngjasojnë me personazhin Ubu, të Alfred Jarry, një mbret me karakter komikisht mizor e frikacak. 

 

[v] Në frëngjisht “passeur” ka kuptimin e një personi që ndihmon për të kaluar dikë në bregun tjetër, (psh. një lundërtar), si dhe kuptimin e “pasuesit” në lojën e futbollit. Por Vrioni me finesën e tij gjuhësore të frëngjishtes, ashtu si edhe vetë titullit të dykuptimtë të veprës së tij, i jep kësaj fjale edhe kuptimin “një i kaluar”, të një njeriu pra që i përket një “të kaluare” – të hidhur, “të shuar” apo fatzezë, siç e cilëson ai.

 

[vi] Shkrimtar francez, fillimisht me karrierë diplomatike,  që në prozën dhe poemat e tij jep një pasqyrë të shkëlqyer të Parisit të para luftës, një botë në fërgëllimë, pre e ideologjive të reja  dhe e një qytetërimi kozmopolit.  

[vii] Fjalë boshe, llomotitje, në një fjalim.

 

[viii] Artikull i botuar në gazetën “Ndryshe”, 5 qershor 2007.

[ix] Zotëri, kush është ky ?

[x] « Botë të shuara – Kujtime të një evropiani », shkruar nga Jusuf Vrioni me Eric Faye, JC Lattès, 1998.

 

[xi] Eurokomunizmi është antikomunizëm.

 

[xii] Prona është vjedhje.



(Vota: 9 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora