Faleminderit
Ramiz Gjini: Janko Ll. Pali (1897-1994)
E marte, 26.04.2011, 07:59 PM
JANKO LL. PALI 1897-1994
Janko Pali, ka qenë i tillë, sepse duhet ta ketë ndjerë, që rrënjët e fisit të tij, kanë qenë prej soj, të ngulura thellë në një memorje kolektive, e cila është trashëguar nga brezi në brez.
Nga Ramiz Gjini
Natyra i jep deri diku çdo qënie shëmbellesën e saj. Edhe njeriu si krijesë, i merr vetëvetiu jo pak shembellësën natyrës. Ndaj dhe jeta në malësitë e thella, i ka berë njerëzit të fortë si shkembinjtë, kreshnikë në pamje, bujarë e mikpritës, të gatshëm të ndajnë me ty gjithshka që ata kanë.
Bregu i detit, ndryshe nga malësitë e thella, është përplasur gjithmonë me qytetërime të ndryshme dhe banorët, nëpër shekuj, kanë ditur të zgjedhin gjithçka u është dukur më e mirë, më e volitshme. Por, kur zoti të ka dashur shumë dhe t’i ka dhënë të dyja, edhe malin edhe detin… Ky është padyshim një privilegj i madh.
Kishte vite që dëgjoja e lexoja për euroditin, etnografin, historianin, pëkthyesin dhe mesuesin e palodhur Janko Pali, ndaj dhe më ishte zgjuar një kureshtje, si të thuash, kryengritëse, jo vetëm për të mësuar më tepër mbi këtë figurë të madhe poliedrike, por më ishte ndezur keq dëshira për të njohur edhe vendin ku ky personalitet kishte le, ishte rritur dhe kishte kaluar një jetë të tërë me punë të palodhur si mësues, përkthyes e hulumtues, etnograf... mbi prejardhjen dhe lëvizjet e fiseve te Bregut të detit.
Në verën e vitit 2010, m’u dha mundësia të pushoja dy javë në Qeparo, i mirëpritur nga miku im, shkrimtari dhe poeti Petraq Pali, djali i Janko Palit, i cili, bashku me Kristinën, të shoqen e tij fisnike, na hapën bujarisht jo vetem derën e shtëpise, por edhe zemrën e tyre të madhe me përkujdesjet e jashtëzakonshme.
Kur e pashë për herë të parë fshatin e vjetër, Qeparo, është pak të them, që pamja e tij më befasoi. Atherë, jam menduar gjatë dhe pastaj i kam thënë vetes, që mësuesi i populli Janko Pali, gjithë vepra e tij e madhe, nuk mund të kuptohen tërësisht pa njohur vendin ku ka lindur dhe është rritur kjo figurë.
Sepse krenaria jonë, krenaria e gjithësecilit, duhet të burojnë jo vetëm nga atributet që ka njeriu si njeri, por edhe nga vendi nga i cili ai vjen.
Janko Pali, ka qenë i tillë, sepse duhet ta ketë ndjerë, që rrënjët e fisit të tij, kanë qenë prej soj, të ngulura thellë në një memorje kolektive, e cila është trashëguar nga brezi në brez.
Sepse Qeparoi i lashtë, në pamje të parë, ku bjeshkën dhe detin i ndajnë vetëm pak minuta ecje në këmbë, duket si një vendbanim perëndish dhe jo njerëzish.
Vendosja e fshatit mbi një rrafshnaltë që mbaron si një grusht prej shkëmbi mbi humnerë, më dha të kuptoja, që banori i parë, ai që hodhi aty të parat themele të një shtëpie të thjeshtë, apo qoftë edhe të një stani të vogël, ka qenë një gjeni, një strateg ushtarak i mbrojtjes nga rreziku.
Ta studiosh terrenin gjithandej, në asnjë pozicion tjetër, nuk mund ta gjesh një pikë kaq strategjike, nga ku, mu si një shqiponjë, mund ta kontrollosh vendin në të katër anët.
Tashmë, pothuaj i braktisur nga njerëzit, tashmë, që nuk e ka atë gjallërinë e dikurshme, Qeparoi i vjetër duket si i mveshur me një tis hyjnor, me një frymë shënjtërimi, jo vetëm për paraqitjen artitekturale të ndërtesave të bëra me gurë të gdhendur, të rrugicave të shtruara me kalldrëm, që shtrihen dhe takohen pastaj të gjitha në një pikë, por sepse prej aty, njeriu ndjehet jo vetem zot i tokës, por edhe zot i qiellit.
Mësuesi i popullit, Janko Pali, punoi një jetë për të ndriçuar me dritën e mendjes së tij, brezat njërin pas tjetrit, që t’u ngjallte e të përcillte tek të tjerët ato imazhe reale krenarie shqiptare, atë konstrukt shpirtëror, që dallgët e kohës kanë lënë, si të gdhendura në shkëmb mbi ato vise perëndie (Sic i ka përkufizuar me të drejtë i biri, Petraqi).
Dhe ia doli me sukses, ndaj, jo vetëm Qeparoi, por gjithë Bregu i Detit, gjithë shqiptarët, do ta kujtojnë prore Janko Palin me nderim e respekt.