Faleminderit
Luan Çipi: Tish Daija - një kujtim i paharruar
E hene, 25.04.2011, 07:58 PM
TISH DAIJA
NJË KUJTIM I PAHARRUAR
Nga Luan Çipi
Duke shfletuar ditarin e viteve dymijë, hasa me një poezi, që më ngjalli kujtime të bukura: Një darkë e organizuar me shokët pensionistë vlonjatë, të ardhur prej vitesh në Tiranë, po që mblidhen e festojnë datëlindjet e secilit, të gëzuar e optimistë, në kujtim të përmallshëm të viteve të bukura të rinisë, të kaluara në qytetin e lindjes, në Vlorën e bukur bregdetare.
Ne, shokë të vjetër fëmijërie, në Tiranë takoheshim shpesh edhe me kompozitorin akademik Tish Daija, lindur e formuar në Shkodër, por që kaloi disa vite të paharruara rinore, si mësues muzike në qytetin e Vlorës.
Në Vlorë, i madhi Tish Daija, në moshë fare të re, 18 vjeçare, gjeti terrenin e favorshëm dhe përcolli, me pasion dhe vendosmëri, gjallërinë, shoqërinë e mirë dhe muzikalitetin tradicional shkodran:
Ishte mësues muzike dhe kërkoi e evidentoi muzikantë të talentuar në disa shkolla të qytetit;
Formoi, së parë korin e Shtëpisë së Pionierit, dhe më pas atë Shtëpisë së Kulturës ku, më së shumti, futi një repertor të zgjedhur dhe eksperimentoi me sukses krijime të tij të lehta muzikore, që më pas u zhvilluan në krijime të përsosura, deri operistike;
Krijoi orkestrën e parë të Shtëpisë së Kulturës dhe modernizoi Bandën e Qytetit;
Morri pjesë gjallërisht dhe u dallua në disa lloj sportesh, më shumë si vrapues i shpejt i 100 metërshit, po gjurmë la gjithashtu edhe si një futbollist sulmues, duke u përfshirë si ekstrem i majtë në ekipin përfaqësues të qytetit të Vlorës.
Aq popullor u bë Tish Daija në Vlorë, ky Shkodran gjithnjë i qeshur i dashur dhe shumë i talentuar, sa fitoi respektin dhe simpatinë e të gjithëve. Me punën, vullnetin dhe sjelljen e tij tepër korrekte shumë shpejt, djaloshi simpatik e i pafund në talent, dashuri e mirësi, ju imponua edhe autoriteteve lokale, të cilët të nxitur nga dashamirësit dhe tifozët e zjarrtë të gjithë qytetit, e përkrahën për ta dërguar për studime të mëtejshme universitare jashtë shtetit.
Kjo dashuri dhe shpërblim i merituar, i hershëm, krijoi respektin e përjetshëm për Vlorën dhe vlonjatët të atij, që i mbajti gjithnjë me mirnjohjen e një fisniku, në zemrën e tij të madhe.
Ai, më von u bë Nderi i Kombit, Artist i Popullit, kompozitor ndër më të dalluarit, drejtues shumë vjeçar i Ansamblit të famshëm të Këngëve dhe Valleve Popullore të Shqipërisë, Deputet i Kuvendit Popullor dhe Anëtari i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe të Kosovës.
Në Tiranë Tish Dija, deri në ditët e fundit të jetës së tij, gjithmonë shoqërohej me kënaqësi me vlonjatë dhe ne, tani pleq, që patëm fatin e mirë ta kishim dikur dikush mësues, bashkëlojtar në sport, apo koleg si mësues e muzikant, e kemi të freskët thënien e tij krenare për një Shkodran aq të mirë, që thoshte orë e pa kohë: ”Veta jam vlonjak”.
Ja edhe poezia e dhembshur, krijuar në atëçast nga unë, që u recitua në darkën e treguar më sipër dhe që më ringjalli dashurinë dhe respektin e madh për mësuesin tim të mrekullueshëm e të paharruar:
BALL PER BALL ME TISH DAJIN
Na vjen një moshë kur ngele bosh
Dhe hiqe
Në kafenetë ca shokë i thërret
Dhe me lezet zë kreun vetë.
Pa
Ç’kam qenë njëherë, ç’ke qenë një herë
Dhe kokë e hundë i mban përpjetë,
Paçka se s’bën dot më punë me vlerë.
*
Koha të vdesim? Jo, vëlla, të rrojmë!
Nisja, o Sado, gjithë të këndojmë!
Afrohu, Llambi, ti Niko, hajde,
Se zërat tanë gjëmojnë, si gajde.
-O, ç’na kënaqët, thotë Lul Golemi.
-Ul Sezo zërin! Ta ngrejë Axhemi!
Pa nisi labçe ky Irfan Bregu...
-Iso, Llazar! Larg nga shelegu!
-Jo, o Bardhyl, mbledh për maçok
Kockat qëmtoj dhe i bëj tok.
Se, mish ka boll, t’u lodhet goja.
Thonë Milto Shuka dhe Harilloja:
-Këndoni shtruar, Duro, Kudret,
Dreka, ahengu, ju pastë lezet,
Se, midis nesh, kemi për mbret
Shkodran-vlonjatin e vërtet.
Me të krenohet mbarë Shqipëria,
Për të është mbledhur tanë shoqëria
-Jeho, moj këngë! S’mbaron rakia,
“Të rrosh, sa malet, o TISH DAIJA!”
Çikago,23 Prill 2011
___________
TË FLASIM SHQIP
Luan Çipi
Sot, pesëvjeçarit, nipit Nikolas
Për t’u miqësuar, nisa që t’ i flas.
Më se i mërzitur, sa nuk po pëlcas.
Ai më largohet dhe nuk po më qas.
Gjak safi arbërori është ky filiz,
Qind për qind Shqiptar, në asht e në e mish.
Unë, në gjuhë të nënës, thërras e përsëris
Ai thotë: “pliz”, të flasim inglish”.
Mendimi vetëtimë ikën, fluturon
Shkon larg, te Arbëreshët e Italisë,
Gëzimi, shpirtit dhimbjen ja lehtëson:
Pas pesëqind vjetësh, atje flitet shqip.
Në ishujt e në Sul, te Arvanitasit e ndritur
Dhe pse shpata greke godet, fshikullon
Shqip ata belbëzojnë, duke mërmëritur
Dhe vallja e kënga, Ilirisht kumbon.
Ja, kjo ma mbajti mendjen kokës
Me shpresë e besim si drit’ e pashuar
Dhe në Amerikë, apo në fund të botës,
Shqipja ndër shqiptarët, s’ka për t’u harruar.
Çikago, 20. Prill 2011