E diele, 28.04.2024, 09:09 AM (GMT+1)

Faleminderit

Fritz Radovani: Të baftë shpirti dritë, o Prof. Arshi Pipa..!

E premte, 03.06.2011, 08:04 PM


TË  BAFTË  SHPIRTI  DRITË,  O  PROF. ARSHI  PIPA..!

 

Nga Fritz RADOVANI

 

Fiset e familjet e nderueme Shqiptare as komunizmi nuk ka mujtë me i shue dhe me i shfarosë, edhe pse ka përdorë të gjitha metodat terrosite me i zhdukë...

Plot 65 vjet ma parë, në Shkoder, ato ditë shkurti të vitit 1946 kur po zhvillohej gjyqi i Organizatës së Parë Antikomuniste, “Bashkimi Shqiptar”, në kinema “Rozafat”, një avokat i Nderuem dhe i njohun, Dr. Av. Muzafer Pipa, bir i një familjes së ardhun nga Libohova, mbronte një Klerik Katolik Shqiptar, At Gjon Shllakun. Ato ditë, nësa Ky po dilte nga kafja “Bar Impero” me një shok të vetin, një kafe e vogël mu në qender të qytetit, ndeshet ballë për ballë me prokurorin e atij gjyqi, kriminelin Aranit Çela, që kush e di sa herë ishte zanë ngusht nga avokati i nderuem gjatë gjyqit. Araniti nuk e permbajti veten dhe i tha: “Hëëë...Muzafer Pipa, e kemi ruajtur një gjysëm leku edhe për ty..!” Këte thanje unë e kam marrë vesh nga Prof. Gaspër Ugashi, i cili asht ndodhë rasësisht tue kalue mbas shpinës së Aranitit, kur po hynte në kafe... Ashtu ndodhi! Nuk shkoi gjatë dhe me atë gjyq edhe avokat Muzafer Pipa mbylli karrieren e vet, tue mbetë “legjendë” e Burrnisë dhe e një Trimi të pashoqe në kujtesën e Popullit të Shkodrës. E arrestuen dhe gjatë hatuesisë...mbeti në tortura! Flitej se, tue dashtë me ikë, asht vra nga rojet e sigurimit të shtetit, një prrallë që e tregonte zagari i degës Elez Mesi. Ishte ky zagar me emnin Elez, që e kishte dërgue kasapi Zoi Themeli në tregun fshatar me ble një pulë...së cilës i kishte pre kokën dhe kishin hapë rreth hetuesisë gjakun e saj për me “besue” njerzit, që me të vërtetë, kur Muzaferi tentoi “me ikë”, ishte vra! Në vitin 1998 doli e vërteta e asaj gënjeshtre që kishte vazhdue sa e sa vite në Shkodër... “Kur Zoi Themeli bashkë me Vaskë Kolecin po e torturonin Muzaferin, i cili nuk pranonte me akuzue shokët e vet avokat Paulin Palin dhe Prof. Kolë Prelen, i lidhun për karrigë, tue dashtë me e djegë me një hekur të skuqun, me të cilin donin me i shpue muskujt e krahut dhe me e kalue hekurin mbas shpine për me shpue krahun tjeter, hekuri i skuqun ka takue për kolonen vertebrale dhe në çast i ka marrë jetën të shkretit Muzafer, torturë që tue e lexue edhe tmerrohesh, jo ma me e mendue tue ia ba një njeriut tand krejt pafaj! Këte e ka tregue krimineli Vaskë Koleci kur shpjegon se si torturonin të dy bashkë me terroristin Zoji Themeli njerëzit e pafajshëm në hetuesinë e Shkodrës në 1946, tek shtëpia e Çiurçisë.

Atëherë kur Prof. Gaspër Ugashi më shpjegonte se kush ishin vllaznit Pipa, kujtoj edhe fjalët e Tij për vllajn tjeter të Av. Muzaferit, Profesorin e Nderuem Arshi Pipa...

Asnjëherë nuk më shkonte mendja se koha do të sillte çudinë ma të madhe, ate që as nuk mund ta parashikonin asnjë nga ata që “lexojnë yjet”. Në vitin 1992 Prof. Pipa do të fliste në Auditorin “At Pjetër Mëshkalla” të Universitetit të Shkodrës... Ishte Ai Burrë që i shpëtoi për mbrekulli “hekurit të skuqun” të Enver Hoxhës dhe tashti, trimnisht, pa Ju tutë syni, erdh dhe i hoq maskën komunistëve, socialistëve, demagogëve, spijunëve, pseudodemokratëve, servilëve, hipokritëve, rrenacakëve, intrigantëve dhe të gjithë atyne që, “me flaktarin e demokracisë” në dorë, filluen vllavrasjen me “gjakmarrjen”, dhe po ata që vodhën e rjepen Popullin Shqiptar për 46 vjet komunizëm, filluen me predikue për ate “demokraci Përendimore”, që për ma shumë se një gjysë shekulli kanë vra e zhdukë ma shumë se askush në Europë, mbi 45.000 Shqiptarë..në burgje e kampe shfarosje...anë e kand Shqipnisë Martire.

Besoj Ju kujtohet fjala e Prof. Arshi Pipës në Muzeun Popullor të Shkodrës...Ju, “ignorantëve profesorë dr.” të universiteteve! Besoj Ju kujtohet fjala e Tij në Teatrin “Migjeni” dhe zani i Burrit të Libohovës, kur tha: “Duhet me çdo kusht çdo Shqiptar të angazhohet me punue për Demokraci, mbasi Ate e ban vetem Rinija Shqiptare e formueme në Përendim me të Persekutuemit Politik dhe jo kuadrot apo anëtarët e PPSh me spijunët e flliqun, që deri dje i kanë sherbye E. Hoxhës e R. Alisë...

Kujtoj ato ditë një artikull të Prof. Arshiut me titull: “Xhonturqit e Shqipërisë së re”, botue në gazeten lokale të Durrësit. Ishte një shpjegim i saktë i asaj që po ngjante në Shqipninë e re. Ishte një program i asaj që edhe duhet të ngjante për me vendosë tek na sistemin e ri demokratik. Ishte një artikull filozofik, që shpjegonte ngjashmëninë e atyne dy periudhave historike, që kishin ngja mbrenda një shekulli edhe në Shqipni, dhe prap Shqiptarët po imitonin vetveten, ashtu si në fillimin e atij shekulli mizor që po kalonte...

Në pragun e Shekullit të Ri, të Shek. XXI, Shqiptarët “rikthehen” në fillimin e Shek. XX, tue kërkue me ruejtë me të gjitha mënyrat në Shtetin e Ri Shqiptar të porsalindun mbeturinat e një “shteti” rrenues me të gjitha tiparet e mbrapambetjes shekullore...

Ashtu si çifligarët e vjeter me mentalitet anadollak nuk lejonin ecjen e Shqipnisë përpara, vetem me ruejtë “tokat e tyne djerr” dhe kullat e rrethueme me gropa “qypash” me flori, tue u ngopë çdo ditë vetëm me “bukë e djathë e hirrë”, ashtu sot çifligarët e rij, kërkojnë me çdo kusht me sigurue të paprekun “mbrapambetjen shekullore”, tue premtue e në fakt, qellimi asht një dhe vetem një... mbasi ajo rrugë demagogjike i siguron pasuni përrallore të “fitueme” me gjakun e djersën e Popullit Shqiptar, të rezervueme për 60 vjet ndër bankat Përendimore, sigurisht, të gjithë enveristëve dhe pasuesëve të rij të pangopun e poaq vrasës, që me çdo kusht kërkojnë shumfishimin e atyne kapitaleve!

Një mik i sinqertë i Popullit Shqiptar në Suedi, z. Ullmar Qvik, shkruen: “...Dihet se Shqipëria për fat të keq për 45 vite vuante nga kanceri i pashëruar në trup. Enver Hoxha, ideologjia e tij, partia e tij, ishte kanceri i popullit shqiptar, dhe dihet edhe se sëmundja mund të shërohet, po, ka gjithmonë rrezik për ripërsëritje. Vaksimimi është i nevojshëm, vaksina e demokracisë duhet të depërtojë në të gjitha gjymtyrët e trupit.

Mjekët janë të shumë, por pak janë ata që janë të aftë.

Pacienti është njeri i mrekullueshëm. Fakti se ai ende është i gjallë , pas kancerit të rëndë, është mrekulli. Dhe për këtë njeri ndiej dhëmbshuri, dashuri, simpati pa kufi! Kur shqiptari dhe shqiptarja janë në gjendje të zhvillojnë vetitë e tyre të vërteta, janë të aftë për çdo gjë të mirë. U uroj shqiptarëve mbarim të suksesshëm të ditës së votimit!

Jam i sigurtë se ky rezultat i fitores së pritun të socilistëve dhe ishkomunistëve të veshun me kostume moderne “allafranga me tanuz” përputhet edhe me qellimet e “Konferencës Islamike”, anëtare e së cilës sot asht Shqipnia ... me propozim të anadollakut R.Alia, i cili vazhdon me drejtue neokomunistët “socialistë demokratë” simbas parimeve të librit “Shenime për Lindjen e Mesme” të tradhëtarit Enver Hoxha, mësuesit të vet!..

Ja pra, mbas 20 vjetësh, profecia e Prof. A. Pipës: “Xhonturqit e Shqipnisë së Re”.

...Dritë të baftë Shpirti o i pavdekshmi Prof. Arshi Pipa!

 

Melbourne, Qershor 2011.



(Vota: 10 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora