E premte, 26.04.2024, 07:06 PM (GMT+1)

Shtesë » Lajme

Çmimi i bukës në Tiranë, 120 lekë

E shtune, 02.02.2008, 12:53 PM


Pas kryeqytetit, prodhuesit paralajmërojnë rritje edhe në rrethet e tjera: Shkak është çmimi i ri i miellit, vajit dhe energjisë

Çmimi i një buke të plotë nuk do të jetë 100, por 120 lekë të reja. Bëhet fjalë për çmimin e një buke, e cila peshon 850 gramë. Deri tani, një bukë me një masë të tillë ka kushtuar 80 lekë.

Megjithëse radha e qytetarëve që blejnë bukën me listë nuk është pakësuar, asortimenti bazë i tryezave tona do të jetë i të së njëjtës masë, por do të kushtojë më shtrenjtë. Dje, në një pjesë të furrave buka është shitur me 100 lekë të reja. Shumica e furrave kanë mbajtur çmimin 80 lekë, por pronarët e furrave sqarojnë se bukët që shiten me këtë çmim nuk janë të plota. Ato janë më pak se 850 gramë. Shoqata e Prodhuesve të Bukës ende nuk ka marrë një vendim zyrtar për të rritur çmimin nga 80 në 100 lekë të reja. Por, situata në të cilën ndodhen prodhuesit dhe tregtarët e miellit, vajit apo produkteve të tjera me të cilat bëhet buka, ka kushtëzuar rëndimin e xhepave të qytetarëve të varfër shqiptarë.

I pyetur nga gazeta "Shqip" për këtë rritje dhe manovrat që po përdorin pronarët e furrave të bukës, kreu i Shoqatës së Prodhuesve të Bukës sqaroi se: "Situata në të cilën ndodhen sot prodhuesit e bukës çon domosdoshmërisht drejt rritjes së çmimit. Çmimet e mallrave me të cilat bëhet buka janë rritur, ndërsa presim rritje të tjera. Rritja e produkteve çon në prognozën e rritjes së çmimit të bukës", sqaroi Gëzim Peshkëpia, kreu i Shoqatës së Prodhuesve të Bukës.

Rritja e çmimeve

Çmimi i blerjes së miellit me shumicë nga 60 ka shkuar në 61 lekë të reja. Sipas prodhuesve, pritet të ketë edhe një rritje tjetër, duke e çuar këtë çmim edhe në 63 lekë. Në tregjet ndërkombëtare ka pasur rritje të çmimit të grurit, e cila ka sjellë zinxhir edhe rritjen e miellit. "Është lajmëruar një tjetër rritje e energjisë elektrike. E para kësaj rritje jemi ndeshur me ngritjen e çmimit të vajit. Nga 100 lekë, vaji në këtë periudhë është blerë me 220 lekë. kjo ka krijuar një situatë të papërballueshme për prodhuesit e bukës", sqaron Peshkëpia. Sipas tij, në një gjendje të tillë, zgjedhja individuale që kanë gjetur prodhuesit ka qenë rritja e çmimit të bukës me 100 lekë.

Rritja e papërballueshme e çmimeve të asortimenteve me të cilat bëhet buka ka sjellë edhe çmime më të larta, të cilat janë zbatuar që nga nisja e muajit të ri, datës 1 shkurt.

Kjo ka bërë që të gjenden gjithfarëlloj mënyrash për t‘u shitur bukën qytetarëve. Prodhuesit thonë se në këto kushte edhe shteti e ka të pamundur të ndërhyjë, pasi shteti nuk mund të blejë dot grurë. Atë e blejnë tregtarët. E megjithatë, nëse shteti do të gjente mënyra për të ndihmuar edhe tregtarët, edhe qytetin mund të zbatonte politika të tilla që të lehtësonte taksat doganore të produkteve me të cilat bëhet buka, mielli, gruri e në këtë mënyrë të ndikojë në uljen e kostos.

Kosto

Produkte si gruri apo mielli Shqipëria i importon nga Kazakistani, Rusia, Ukraina. Ndërsa duke nisur nga muaji shkurt mendohet që këto produkte t‘i marri nga Argjentina, Brazili e Kanadaja. Edhe pse rruga nga vijnë produktet për bukën e shqiptarëve është e gjatë, konsumatori ndodhet përpara vështirësive, pasi buka është produkti i pazëvendësueshëm për familjet tona. Si për të gjetur ndonjë zgjidhje alternative apo për të zyrtarizuar vendimet individuale të prodhuesve, në datë 11, Shoqata e Prodhuesve të Bukës do të mbledhë Këshillin Kombëtar për bisedime. "Jemi në dijeni se një pjesë e konsumatorëve shqiptarë blejnë bukë me lista, por, nga ana tjetër, edhe prodhuesit ndodhen para rritjes së vajit, miellit, energjisë elektrike, gazit, naftës. Paralelisht me të gjitha këto rritet edhe kostoja e prodhimit".

Zgjidhjet e furrave që nuk rrisin çmimin

Çmimi 80 lekë, sasia më pak se 850 gramë

Edhe ato furra që nuk e kanë rritur dje çmimin e bukës, e kanë pasur një hile. Një pjesë e tyre kanë shitur bukë 80 lekë, por sasia e produktit ka qenë më pak se 850 gramë. "Këto janë zgjidhje alternative, por çmimi i rritur nuk do të thotë më shumë sasi. Një bukë 850 gramë do të kushtojë 120-125 lekë", tha Peshkëpia.

Dje ka qenë dita e parë e rritjes së bukës nga 80 në 100 lekë. Perspektiva e furrave që nuk e kanë shitur bukën me këtë çmim është e njëjta, rritja e çmimit. Nëse ato nuk do ta bëjnë këtë do të shkojnë drejt falimentimit. Një familje shqiptare, që konsumon çdo ditë 1-2 bukë, tashmë duhet të shpenzojë 200 lekë të reja në ditë vetëm për të blerë këtë produkt. Kosto për të gjithë muajin kap shifrën e 6 mijë lekëve të reja.

Rritja e bukës, reagon LSI-ja

Shqiptarët po varfërohen nga paaftësia e qeverisë

Rritja e çmimit të bukës tregon edhe njëherë paaftësinë e qeverisë për të mbrojtur shtetasit e saj. Rritja e çmimit të bukës po rëndon edhe më tej xhepat e qytetarëve shqiptarë. Ky ka qenë reagimi zyrtar i Lëvizjes Socialiste për Integrim, pas rritjes së çmimit të bukës nga furrat e para. "Kjo masë bëhet akoma më e mprehtë po të marrim parasysh dhe rritjen e çmimit të energjisë elektrike, karburanteve dhe gazit. Lëvizja Socialiste për Integrim denoncon dështimin total të politikës së shërbimeve dhe shërbesave të kësaj qeverie", deklaroi dje nënkryetarja e LSI-së, Filloreta Kodra. Sipas saj, premtimeve të qeverisë tashmë nuk u ka mbetur asnjë grimë serioziteti, për më tepër kjo qeveri tashmë po hedh mbi qytetarët shqiptarë koston e paaftësisë dhe papërgjegjshmërisë së saj. LSI-ja shpreh shqetësimin e saj të thellë për rritjen e paprecedentë të çmimit të bukës, që rëndon xhepat e qytetarëve të varfër shqiptarë. Kjo masë bëhet akoma më e mprehtë po të marrim parasysh dhe rritjen e çmimit të energjisë elektrike, karburanteve dhe gazit.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora