E merkure, 04.12.2024, 11:02 PM (GMT)

Shtesë » Lajme

Të bëhesh e virgjër me 10 mijë lekë

E premte, 01.02.2008, 05:56 PM


Nga Esmeralda Keta - Gazeta Shqiptare

Të mos jesh e virgjër, të të mungojë himeni (cipa e virgjërisë), mund t’i kushtojë edhe të ardhmen një vajze. Kështu ndodhte rëndom në vendin tonë, jo vetëm dikur, kur pas natës së parë të martesës, çifti ishte i detyruar të tregonte çarçafët, por paradoksalisht ndodh edhe sot. Edhe sot, kur të gjithë ulërasim kush e kush më shumë sesa jemi emancipuar, sa kemi ecur përpara, ka çifte të reja që e bazojnë jetëgjatësinë e së ardhmes së tyre pikërisht në faktin je apo nuk je e virgjër. Por, rroftë mjekësia moderne! Shkenca ka ecur përpara. Pikërisht për të rregulluar këtë problem, ekziston e ashtuquajtura “kirurgjia gjinekologjike”, ku me një fije per i, himeni mund të qepet dhe upsss.... je sërish e virgjër. Dhe ky është një treg që ka një klientelë jo fort të vogël. Ka plot vajza që u drejtohen klinikave private për të bërë një qepje, sepse princat e tyre të kaltër ua ka vënë si kusht kryesor. Në shumicën e rasteve ky princ, për të cilin më shumë rëndësi ka një copë himeni se sa njeriu me të cilën po martohet, është emigrant, njeri që ka shëtitur botën dhe ka parë shumë. Por ama, vajzën me të cilën do të martohet e do të paprekur, ashtu siç e ka bërë nëna.

Fenomeni
 
Dikur, të abortoje një fëmijë ishte gati e pamundur. Por kishte gjithmonë një zgjidhje, megjithëse në shumë raste mund të rezultonte edhe fatale. Për të shpëtuar nga turpi që i kishte zënë, njerëzit kishin shpikur plakat, të cilat nuk kishin asnjë lidhje me profesionin e mjekut, por vetëm një guxim prej të çmenduri. Dhe çuditërisht ne kemi më shumë frikë nga turpi, nga ajo se çfarë do të thonë të tjerët për ne, se sa nga vdekja. Pikërisht për këtë arsye, ata u drejtoheshin plakave, të cilat me mjete krejt primitive, kryesisht shtiza, e bënin sallatë barkun e një gruaje dhe fëmija i padëshiruar nuk ekzistonte më. Shpeshherë nuk ia dilte të rezistonte as gruaja, por kjo pak rëndësi kishte. Sot aborti nuk është më kaq i dhimbshëm. Ka me qindra klinika apo spitale shtetërore, ku mund të heqësh pa shumë dhimbje fizike një shtatzëni të paplanifikuar. Tashmë ka më shumë liri seksuale, ka më shumë partnerë në jetën e një femre. Por ka dalë në dritë një tjetër fenomen. Vajzat duan të jenë sërish të virgjëra. Në fakt nuk është se këtë e bëjnë me dëshirën e vet, por ua kërkojnë personat me të cilët kanë vendosur të kalojnë jetën. Dhe në këtë situatë, ata pranojnë më mirë që të gjejnë një zgjidhje tek mjekësia, sesa t’i rrëfejnë të vërtetën partnerit të tyre. Shkaqet janë nga më të ndryshmet. Por arsyeja kryesore lidhet me faktin se këto çifte krijohen me shkesi, ku sebep për parjen e të dy palëve është bërë një i afërt, i cili ka hyrë garant për ndershmërinë e vajzës, pa pyetur më parë vajzën nëse ka pasur apo jo një lidhje dashurie, pasi për një pjesë të madhe të shqiptarëve marrëdhëniet paramartesore janë tabu. E gjendur në këtë situatë, ku vajza nuk ka guximin dhe të zhgënjejë njerëzit e fisit, pranon në heshtje. Në shumë raste, nata e parë e martesës kthehet në një dramë, pasi të nesërmen në mëngjes burri i ri, i mashtruar kërkon të kthejë në shtëpinë e saj vajzën, pasi nuk e ka gjetur të virgjër. Në raste të tjera, kur vajza është më finoke dhe i pëlqen djali, vendos të realizojë ëndrrën e saj. Shtiret si e virgjër dhe ndërkohë thur planin. Gjithçka është e planifikuar mirë. Vetëm pak ditë përpara martesës, vajza shkon tek një profesioniste, e cila i rindërton cipën e himenit, e qep dhe nusja është ashtu siç e donte dhëndri. Në shumë raste, këto çifte kanë një “Happy End” dhe të dy bashkëshortët jetojnë të lumtur e të gëzuar... Fatkeqësisht ndodh edhe kështu. Çifte të reja, që në vend të së vërtetës, preferojnë ta nisin jetën me një gënjeshtër të madhe.

“Emigrantët i duan gratë e virgjëra”

Më e njohura për këto punë është Sabireja, e cila e ka shtëpinë afër Pazarit të Ri. Ka një shtëpi tipike tiranase, njëkatëshe me mur rrethues, jo shumë afër rrugës kryesore. Pikërisht siç duhet të jetë një shtëpi, ku njeriu futet të bëjë diçka fshehurazi, pa rënë në sy të njerëzve. Ajo ka punuar më herët mamie, ka pritur ardhjen në jetë të qindra fëmijëve, por tashmë ka dalë në pension që prej disa vjetësh. Duket se e ka të vështirë të ndahet nga profesioni i saj dhe ka gjetur një mënyrë për të qenë sa më shumë e lidhur. Tashmë nuk pret më ardhjen në jetë të vogëlushëve, por kujdeset që të ndërtojë një tjetër ëndërr të vajzave: martesën. "Më vjen keq për vajzat, - tregon Sabireja. - Pasi shumica e tyre nuk e bëjnë me dëshirë, por duan të martohen (qesh) dhe ka nga ata djem që nuk i marrin po nuk qenë të virgjëra. Më vjen keq që djemtë e shikojnë një copë himeni si garanci për jetën". Sabireja tregon edhe se si realizohen këto meremetime, sa zgjatin dhe cilët janë rreziqet dhe cila kategori vajzash i drejtohen kryesisht asaj për të bërë një gjë të tillë.

Si realizohet

Sabireja thotë se gjithçka varet nga forma e organit gjenital të femrës dhe cipa e himenit. Ajo tregon gjithashtu se e gjithë kjo është një punë e pastër mjekësore dhe nëse personi që e merr përsipër nuk e njeh mjekësinë mirë, atëherë mund të rrezikojë edhe jetën e pacientes, pasi mund të ketë komplikacione. "Organi gjenital ka forma të ndryshme dhe në varësi të formës, varen edhe lehtësitë apo vështirësitë që krijohen për një gjë të tillë, - tregon Sabireja. - Ka të tilla që janë në formë trëndafili, në formë karafili, por ka edhe të tjerë që nuk kanë fare cipë. Pikërisht në këtë raste ndërhyrja është më e vështirë dhe bëhet me anestezi lokale pasi qepen muret e organit gjenital", - tregon Sabireja. Sipas saj, kryesisht këto ndërhyrje janë fare të thjeshta dhe kanë një çmim shumë të lirë, pasi zgjasin vetëm pak minuta. "Për ato më të lehta që zhvillohen edhe në kushte shtëpiake marrin një shumë tepër simbolike, 1 mijë lekë të reja, ndërsa ato më të vështirat që bëhen me anestezi lokale janë më të shtrenjta dhe shkojnë deri në 10 mijë lekë të reja". Sipas Sabiresë, që është një personazh mjaft i njohur në kryeqytet, thotë se çdo gjë ka marifetin e saj. Shtizat që dikur përdoreshin për abortet, janë zëvendësuar nga gjilpërat që rindërtojnë himenin. "Qepja bëhet me anë të gjilpërave, që gjithashtu kanë forma të ndryshme, - shpjegon Sabireja. - Më të përdorurat janë gjilpërat me hark, ose ato në formë gjysmë hëne, në të cilat futet një fije peri dhe qepet cipa e mbetur". Por e gjitha kjo ka një kohëzgjatje të caktuar dhe nëse e kalon këtë afat, rrezikon që sakrifica për t'u dukur e virgjër të të shkojë dëm. "Që nga dita kur bëhet qepja mund të zgjasë maksimumi deri në 7 ditë. Nëse brenda këtij afati, vajza nuk kryen marrëdhënie seksuale, nuk mbetet asnjë shenjë nga "virgjëria e shtirur", pasi fillojnë e bien penjtë", - shpjegon më tej Sabireja. Ekspertja që i bën vajzat të duken të virgjëra, thotë se në shumicën e rasteve mashtrimi ecën dhe meshkujt e kanë të pamundur ta dallojnë që nuk kanë të bëjnë me një virgjëri të vërtetë, por vetëm me një të sajuar. "Sigurisht që ka edhe nga ata djem që kanë dyshime për këtë gjë. Ka vetëm një mënyrë për ta provuar. Djali duhet të fusë gishtin në organin gjenital të vajzës dhe të prekë penjtë, të cilët nuk kanë rënë ende", - tregon ajo, ndërsa shton se në shumë raste, një qepje e tillë mund të bëhet edhe sipër tavolinës.

Pretendentët

Sipas Sabiresë, e cila pohon se nuk është e vetmja në kryeqytet që merret me një zanat të tillë, në të gjitha rastet vajzat që i vijnë për t'u qepur janë nga fshati. "Në asnjë rast nuk më ka qëlluar që të vijë një vajzë nga qyteti që ta kërkojë një gjë të tillë, megjithëse unë bëj deri në 10 raste të tilla në një muaj", - shpjegon ajo, e cila shton se e gjithë kjo lidhet edhe me mentalitetin e familjeve dhe të opinionit që i rrethon. Ndërsa shpjegon se në shumicën e rasteve, djemtë që kërkojnë që vajza me të cilën do martohen, janë emigrantë. "Është për të ardhur keq, - tregon më tej ajo, - pasi djemtë që e kërkojnë një gjë të tillë, janë djem që kanë jetuar për një kohë të gjatë në emigracion, kryesisht në Angli dhe Itali. Kthehen në Shqipëri pas 10 vjetësh dhe vendosin të martohen, por e kanë si kusht që vajza të jetë e virgjër dhe kryesisht këto punë bëhen me mblesëri", - shpjegon më tej ajo.

Fenomeni tregon se jemi ende në tranzicion

Për psikologet dhe aktivistet e të drejtave të grave, kjo dukuri nuk tregon gjë tjetër veçse atë prapambetjen sociale të shoqërisë shqiptare dhe nevojën emergjente për edukim. Sevim Arbana, kreytarja e shoqatës "Në dobi të gruas" thotë se ky është një problem tejet banal dhe këto vajza kanë nevojë të edukohen, ndërsa psikologia Nora Malaj shprehet se këto sinjale tregojnë se jemi ende një shoqëri në tranzicion, ku mbizotëron modeli i vjetër familjar mbi bazë të të cilët nderi i familjes ishte i lidhur direkt me virgjërinë e vajzave. Sipas saj, ky është një fenomen i lidhur jo vetëm me këto vajza, por me të gjithë shoqërinë.

Sevim Arbana

Ajo pranon se e ka dëgjuar edhe herë të tjera këtë gjë, por nuk ka dashur ta marrë si të mirëqenë. Arsyeja? "Më duket një problem tejet banal, - deklaron ajo. - Dhe që nuk tregon asgjë tjetër, përveçse një atavizëm të shoqërisë sonë". Sipas saj edhe në vendet e botës së tretë, ku ekzistojnë disa mënyra për zhvirgjërimin e vajzave, virgjëria nuk është e lidhur me moralin që përcjellin ata, por është një akt krejtësisht personal. Dhe aq më pak duhet të jetë kaq e rëndësishme apo të kushtëzojë një martesë në një vend si i yni, kaq pranë Evropës. "Nëse një gjë e tillë ndodh me të vërtetë në vendin tonë, atëherë ky nuk është më problem vetëm i këtyre vajzave, por edhe i shkollave, i familjes dhe i gjithë shoqërisë", - ka shpjeguar Arbana. Sipas saj vajzat që bëjnë një zgjidhje të tillë, kanë probleme të mëdha sociale, janë të paintegruara dhe që nuk kanë zgjidhje tjetër. Përballë këtij rrethi vicioz ku ata ndodhen preferojnë të bëjnë një zgjidhje të tillë patriarkale. "Unë personalisht mendoj se janë dy kategori fermarsh që mund ta bëjnë një gjë të tillë. Ose janë femra që nuk kanë asnjë mundësi zgjedhjeje në jetë ose janë prostituta që duan t'ia nisin nga e para". Gjithashtu Arbana pohon se ka dëgjuar të flitet për këtë dukuri rreth 10 vjet më parë, pasi në disa fshtra të Kosovës ishte kthyer në fenomen.

Nora Malaj

Pothuajse në të njëjtën linjë qëndron edhe psikologia Nora Malaj. Por ajo e shikon këtë dukuri të lidhur edhe me aspektin social. Sipas saj kjo nuk tregon gjë tjetër veçse jemi ende një shoqëri në trancizion dhe e paformuar. "Unë do të doja ta shikoja këtë dukuri në raport me aspektin social. Dhe nëse e shikojmë nga kjo pikë, ky fenomen na tregon fare qartë se shoqëria jonë është ende në periudhën tranzitore, - shprehet psikologia Malaj. - Që do të thotë se në vendin tonë ende mbizotëron ai modeli i vjetër familjar, ku në bazë të virgjërisë së vajzave vlerësohej i gjithë nderi i familjes. Dhe duket se kemi akoma shumë për të bërë që ta kalojmë këtë prag, por njëkohësisht shoqëria ka ecur shumë përpara". Sipas saj pikërisht kjo kontraditë që po përjeton aktualisht shoqëria shqiptare, i çon vajzat drejt një zgjidhjeje të tillë. "Vajzat shqiptare ndodhen midis dy situatave. Situata e parë është se ata kanë arritur orën biologjike dhe janë të gatshme të riprodhojnë, që do të thotë të kenë edhe një partner, ndërsa situata e dytë është ajo e moralit që duhet ta ruajnë. Dhe duhet të jemi të ndërgjegjshëm se shoqëria shqiptare është një shoqëri me nota të forta maskilizmi, të cilët duan që vajza me të cilën do martohen të jetë e virgjër, por ndërkohë vetë nuk e respektojnë këtë rregull. Pikërisht për këtë arsye, vajzat janë të detyruara të gjejnë një mekanizëm të shëmtuar, për të fshehur jetën e tyre seksuale dhe paraqitur si shenjtore. Kjo përbën edhe thelbin e gënjeshtrës, që këta çifte zgjedhin për të ndërtuar të ardhmen". Por me të drejtë psikologia Malaj vë në dyshim ecurinë e këtyre marrëdhënieve. Ajo thotë se është gati e pamundur që të ecë n jë lidhje që ngrihet mbi gënjeshtër. "Po si mund të funksionojë një lidhje, kur partneri nuk e vlerëson partnerin tjetër për atë që është?, - thotë Malaj. - Kjo tregon fare qartë se në shoqërinë shqiptare femra shikohet ende si një objekt". Ajo shprehet se kësaj situate i shkon fare mirë për shtat një subjekt nga Bibla. "Më vjen ndërmend ajo skena kur burrat filluan ta gjuajnë me gurë Magdalenën sepse kishte tradhëtuar dhe atëherë Jesusi u tha: Le t'i gjuajë ai që nuk ka mëkatuar asnjëherë në jetën e tij. dhe të gjiothë hodhën gurët në tokë sepse kuptuan se të gjithë ishin mëkatarë. Vajzat shqiptare ndodhen në situatën e Magdalenës në këtë rast", - shpjegon Malaj, e cila shton se të gjithë kanë nevojë për një emnacipim më të madh për ët sheshuar këto fenomene sociale që kanë edhe një kosto shumë të lartë.



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora