E merkure, 04.12.2024, 09:40 PM (GMT)

Shtesë » Lajme

Dea, vajza e një Dëshmori të Atdheut

E shtune, 26.01.2008, 04:33 PM


Vogëlushja 10-vjeçare, që rritet çdo ditë me dashurinë për të atin e munguar dhe krenarinë për origjinën e saj

Sytë e mëdhenj, që duket sikur flasin, mbushin portretin e brishtë të Deas. Flokët e zinj i zgjaten supeve delikatë, teksa ka lënë pas thurjen e dikurshme të gërshetave. Tashmë preferon të rregullohet vetë, pasi ndihet "e madhe". Ajo është vetëm 10 vjeç, por siç pohon edhe nëna e saj, është rritur më shpejt se bashkëmoshatarët. Dea studion në klasën e pestë të shkollës "Avni Rustemi" në Tiranë. Është senatore e klasës dhe kjo gjë e bën të ndihet mirë, jo vetëm se është protagonistja kryesore në ngjarjet që mbushin jetën e përditshme shkollore, por edhe për shkak të një "detyrimi" shumë më të madh: Të jetë një vajzë e mençur dhe e denjë për mbiemrin që mban.

Dea Llagami është vajza e një Dëshmori të Atdheut.

Skerdilaid Llagami, babai i saj ka humbur jetën gjatë luftimeve në Maqedoni, më 1 korrik të vitit 2001, ndërsa Dea ishte vetëm katër vjeç e gjysmë. Komandant Shpendi, sikundër e thërrisnin bashkëluftëtarët e tjerë, u shpall "Dëshmor i Atdheut" me një vendim të posaçëm të Këshillit të Ministrave në vitin 2004. Jeta e tij u këput në mes nga dy plumba snajperi, ndërsa ishte në krye të njësitit luftarak. Por as plumbat dhe asgjë tjetër nuk mundën t‘i jepnin fund dashurisë së pafundme që rritet bashkë me Dean për të atin, tashmë dëshmor, që gjallon plot ngjyra dhe jetë në mendjen e saj.

Ditët kalojnë, por dhimbja mbetet. Kujtimet e hershme rifreskohen pa reshtur nga ato "pasuri" të mbetura në familje. Albume fotografish dhe një video, ku Dea e mitur lodron e lumtur në krahët e të atit. Këto janë pjesët më të bukura që 10-vjeçarja i sheh herë pas here me ëndje dhe dashuri të veçantë.

Pakkush mund ta besojë, por vajzës së mitur i kujtohet ende zëri i ngrohtë i të atit, në bisedën e fundit, që kanë pasur në telefon. Ka qenë qershori i vitit 2000, kur një emocion i fortë ka trazuar vogëlushen, që ishte vetëm tre vjeç e gjysmë. Në telefonatën që vinte nga Prizreni, ajo është përshëndetur me të atin, për herë të fundit, ndonëse shumë larg nga njëri-tjetri. Dhe asgjë nuk ka harruar.

Përjetimet e saj tashmë i hedh në letër. Vëmendjen e mësuesve e ka tërhequr një nga detyrat rutinë në klasë. "Paraqesim ndjenjat tona". Ka qenë ky ushtrimi i dorës për nxënësit e klasës së pestë të "Avni Rustemit". Por ka mjaftuar ky ngacmim që Dea të shkruante: Isha në klasë të dytë kur mësova për titullin e babait tim. Ndjeva kënaqësi dhe krenari për të. Kjo ndjenjë më bëri të ndihesha krenare për mbiemrin tim. Prandaj atë ditë e quaj si një nga ditët më të bukura të jetës sime.

Kështu po rritet Dea, pohon edhe nëna e saj, Irisi. I pëlqen të shkruajë shkurt, por aty të thotë shumë. Flet pak për ngjarjen që e trishton më tepër, por më gjatë mendon dhe kujton, duke ruajtur me fanatizëm çdo përjetim të rrëmbyer në ato pak kohë, që ka ndenjur pranë të atit. Nuk ka sesi të mos emocionohesh ndërsa sheh një fotografi, ku Dea qëndron mbi varrin e të atit. Sytë e mbyllur duket se sjellin ndërmend ledhatimet e ngrohta atërore dhe refuzojnë të shohin atë realitet, që ajo nuk do ta pranojë.

Tejet e kujdesshme, Dea nuk harron asnjë përvjetor të lindjes apo të ndarjes me të atin, madje duke marrë përsipër edhe të organizojë vetë shumë prej "punëve" që duhen kryer për këto ceremoni, që ajo i konsideron të veçanta.

Një kënaqësi e madhe për vogëlushen Dea është veçanërisht momenti kur familjarët dhe njerëz të njohur i kujtojnë ngjashmërinë e trashëguar nga i ati dhe jo vetëm në tiparet e fytyrës, por edhe në guximin dhe vendosmërinë, që shfaq herë pas here. Kurse, vullnetin dhe përkushtimin e ka fituar nga e ëma, që në çdo rast i ndodhet pranë për t‘i mbushur boshllëkun prindëror.

Jeta e Deas është e thjeshtë. Ngjan me ditët e zakonshme të shumë fëmijëve në moshën e saj. Por sërish ajo tenton ta mbushë me diçka të re, qoftë edhe duke u ngarkuar më tepër.

E ndërsa shumë nga bashkëmoshatarët e saj kohën e kalojnë duke luajtur me video game apo duke ndjekur filma në televizor, Dea ka një tjetër pasion. Dita e saj pas shkollës mbushet kryesisht nga librat. Pa harruar dy kurset e gjuhëve të huaja, atë të anglishtes dhe të frëngjishtes. E teksa mes rreshtave që lexon "ajo çlodhet dhe gjen qetësi", sikurse pohon edhe vetë, ndjenja e përkryerjes e vesh dite pas dite për ta bërë më të mirë, më të zgjuar dhe më dinjitoze. Vlera që ia njohin jo vetëm mësuesit, por edhe shokët e shoqet, me të cilët tregohet mjaft e kujdesshme dhe përpiqet që të mos i lëndojë asnjëherë.

Krenaria që ndien brenda vetes dhe që nuk mungon ta shfaqë as në sjellje, skuq lehtas faqet e brishta. Ajo prezantohet: unë jam Dea Llagami, vajza e një babai që nuk është si gjithë të tjerët. Është një Dëshmor i Atdheut.

Pak fjalë
   
Kjo është Dea

Dea Skerdilaid Llagami, lindur më 06.12.1996, në Tiranë, nxënëse në shkollën nëntëvjeçare "Avni Rustemi", në klasën e pestë A, senatore. Është një nxënëse e shkëlqyer në mësime. Prej dy vitesh mëson frëngjisht dhe anglisht. 

Dea Llagami, pavarësisht se jeta e ka ballafaquar me humbjen dhe mungesën e babait që në moshë fare të vogël, është rritur dhe edukuar me ndjenjën e dashurisë dhe respektit për të. Krenaria për origjinën e saj i lexohet në sy dhe e bën më të përgjegjshme. 
   
 Detyra
   
"Paraqesim ndjenjat tona"

Përjetimet e saj tashmë i hedh në letër. Vëmendjen e mësuesve e ka tërhequr një nga detyrat rutinë në klasë. "Paraqesim ndjenjat tona". Ka qenë ky ushtrimi i dorës për nxënësit e klasës së pestë të "Avni Rustemit". Por ka mjaftuar ky ngacmim që Dea të shkruante: Isha në klasë të dytë kur mësova për titullin e babait tim. Ndjeva kënaqësi dhe krenari për të. Kjo ndjenjë më bëri të ndihesha krenare për mbiemrin tim. Prandaj atë ditë e quaj si një nga ditët më të bukura të jetës time. 
   
Pasioni 
   
Një kënaqësi e madhe për vogëlushen D ea është veçanërisht momenti kur familjarët dhe njerëz të njohur i kujtojnë ngjashmërinë e trashëguar nga i jati dhe jo vetëm në tiparet e fytyrës, por edhe në guximin dhe vendosmërinë, që shfaq herë pas here
   
Tejet e kujdesshme Dea nuk harron asnjë përvjetor të lindjes apo të ndarjes me të atin, madje duke marrë përsipër edhe të organizojë vetë shumë prej "punëve" që duhen kryer për këto ceremoni, që ajo i konsideron të veçanta.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora