E diele, 28.04.2024, 07:10 AM (GMT+1)

Shtesë » Lajme

Formula e betimit të mafiozëve dhe struktura e tyre

E diele, 20.01.2008, 10:35 PM


Nga Etleva Delia - TO
 
U djegsha si kjo figurë e shenjtë e spërkatur me gjakun tim, nëse tradhtoj betimin tim”. Kjo është fraza përmbyllëse e formulës së betimit, e gdhendur në kodin mafioz. Nuk është synim i çdokujt që të bëhet pjesë e mafies, por në “botën e nëndheshme” ka rregulla po aq të forta sa mbi dhe. Në ciklin e historisë së mafies, gazeta “Tirana Observer” boton sot formulën, me të cilën anëtarët e rinj, kryesisht të “Cosa Nostra”-s betohen për të qenë pjesë e përjetshme e saj.
Mjafton të përmendim se anëtarët e rinj duhet të jenë patjetër deri në 7 breza italianë, nuk duhet të kenë asnjë lloj lidhjeje, as farefisnore dhe as miqësore me policinë apo prokurorinë, nuk duhet të jenë homoseksualë, nuk duhet të shkojnë me gratë e të tjerëve, etj.

Rregullat

Nuk mjafton vetëm “dëshira e mirë” për t’u bërë pjesë e mafies, a më saktë e “Cosa Nostra”-s. Përveç aftësive të caktuara që duhet të ketë një person që të mund të rekrutohet nga familja, ai duhet gjithashtu të kalojë dhe një sërë provash. E fundit e këtyre provave është prova e zjarrit, e cila aplikohet gjatë betimit. Në “Cosa Nostra” aplikohet një kod i tërë nderi, i cili shërben si rregullator i organizatës. Rregullat përbërëse të kodit të nderit janë bërë të njohura ndër vite nga të penduarit e mafies. Në një sentencë të dhënë nga Tommaso Buscetta-s, një prej anëtarëve të parëve që ka thyer Omerta-n (kodi i heshtjes) ndër shumë ligjet e pashkruara që rregullojnë sjelljen mafioze është dhe detyrime për të thënë gjithnjë të vërtetën kur flitet mes “burrave të nderit”. Jeta e “Cosa Nostra”-s (fjala mafie është një term letrat që nuk përdoret nga anëtarët e kësaj organizate) është e disiplinuar nga rregulla të ashpër të pashkruar, por të paraqitura gojarisht, të cilët rregullojnë organizimin dhe funksionimin e tërë organizatash. Ligjet e pashkruara dhe kodet e “Cosa Nostra”-s janë bërë herë pas herë të ditura nga të penduarit që vijnë prej këtyre radhëve.

Riti i anëtarësimit

Një anëtar i mundshëm i “Cosa Nostra”-s, para betimit ndiqet me kujdes dhe testohet për të parë nëse është i përshtatshëm për t’u bërë pjesë e organizatës. Pasi testohet ai çohet në një vend të veçuar në prezencë të tre “burrave të nderit” të familjes, ku më i vjetri prej tyre i thotë se mafia ka për qëllim të mbrojë të dobëtit dhe të eliminojë fëlliqësitë. Shpohet gishti i dorës së kandidatit dhe gjaku hidhet në imazh të shenjtë. Më pas imazhit i vihet flaka dhe anëtari i ardhshëm i mafies duhet ta mbajë në duar falkën deri sa të fiket krejtësisht duke u betuar, ndërkohë që do t’u qëndrojë besnik parimeve të “Cosa Nostra-s” dhe duke pranuar solemnisht: “U djegsha si kjo figurë e shenjtë e spërkatur me gjakun tim, nëse tradhtoj betimin tim”. Pas betimit, dhe vetëm atëherë, “burri i nderit” prezantohet me kreun e familjes, së cilës do t’i përkasë.

Organizimi

Celula e parë është e përbërë nga “familja”, një strukturë me bazë territoriale që kontrollon një zonë të qytetit apo një qendër të tërë të banuar, nga ku merr dhe emrin. Familja është e përbërë nga “burra nderi” ose “ushtarë” të koordinuar dhe udhëhiqet nga një shef i zgjedhur i quajtur edhe “përfaqësuesi”, i cili pasohet nga një “zv/shef” dhe nga një ose më shumë “këshilltarë”. Nëse ngjarje të rastit bëjnë të pamundur zgjedhjen normale të shefit nga anëtaret e familjes, “komisioni” organizon emërimin e “anëtarëve të këshillit” që të administrojnë përkohësisht familjen deri në kohën e zgjedhjeve në normale.   Aktiviteti i familjeve koordinohet nga një organizëm kolegjial i quajtur “komisioni” ose “kupola”, ku bëjnë pjesë përfaqësuesit e tre a më shumë familjeve të afërta. Komisioni drejtohet nga njëri prej përfaqësuesve të familjeve. Komisioni ka një rreze veprimi të gjerë, si dhe ka detyrën për të siguruar respektimin e rregullave të “Cosa Nostra”-s brenda secilës familjeje, e mbi të gjitha, të zgjidhë konfliktet ndërmjet familjeve.

Formula e betimit të “Cosa Nostra”-s

Personi që kërkon të anëtarësohet mban në duar një imazh të shenjtë, e spërkat me gjakun e një prej gishtave të tij, i vendos zjarrin dhe më pas e mban në duar deri sa fiket duke përsëritur formulën e betimin.

“Betohem se do të respektoj “barrën e heshtjes”. Nuk do të zbuloj para të huajve anëtarësimin tim dhe as sekretet e “Cosa Nostra”-s. Nuk do të bëj pyetje të tepruara dhe nuk do të bëhem kurrë kurioz për asgjë. Do të mjaftohem me ato që di vetë dhe ato që më thoni ju. Do të them gjithmonë të vërtetën për të gjitha ato çështje që kanë të bëjnë me “Cosa Nostra”-n. Nuk kam dhe nuk do të kem asnjëherë lidhje me policinë. U djegsha si kjo figurë e shenjtë e spërkatur me gjakun tim, nëse tradhtoj betimin tim”.

Toto Riina, bosi i madh i “Cosa Nostra”-s

Salvatore Riina fillon të bëhet shumë i pushtetshëm pas rënies së bosit të “korleonezëve”, Luciano Lixho, i cili arrestohet në maj të vitit l974. Pushteti i Don Totos, sikundër zbulojnë disa të penduar, arrin deri në SHBA, ku në pak vite bosi korleonez ja arrin të lidhë aleanca me disa nga “familjet” më të pushtetshme të “Cosa Nostra”-s amerikane. Për pushtetin e Riinas fliste në hetimet e tij edhe prokurori Xhovani Falkone. Këtë e bën pas rikthimit nga udhëtimi i shkurtër në SHBA, ku kishte shkuar për të takuar prokurorin e New Yorkut, Rudolf Xhuliani dhe prokurorin e Manhattanit, Ricard Martin. “Por shefi i “Cosa Nostra”-s nuk ishte më Luciano Lixho, por Salvatore Riina. Është ai, që nga vendi i arratisjes, drejtonte trafikët më të mëdha të drogës në gjysmën e Botës. Dhe është gjithmonë ai prapa çdo ngjarje të përgjakshme”, kishte thënë Falkone. Hetuesit shpjegojnë shkallën e ngjitjes zyrtare të Toto Riina-s në majat e Cosa Nostras, e cila arrin kulimin në vitin l981. Është viti i fillimit të luftës së familjeve mafioze me njëra-tjetrën për pushtet.

Mënyrat e vrasjeve që kryen mafia, armët që përdorin

Kanë për detyrë të pajisen me të gjitha armët e nevojshme, të realizojnë skemat e përkryera për ekzekutime të përgjakshme, por e rëndësishme është që gjithçka të përfundojë ashtu siç e kanë llogaritur ata. Rëndësi ka që ai person që ka tentuar të shkelë në rrugën e familjeve të mëdha të “Cosa Nostra”-s t’i mbyllë sytë një herë e përgjithmonë. Organizimi është i përkryer, armët gjithashtu dhe janë të rralla rastet kur aksioni i vrasjeve nga mafiozët kanë dështuar. Betimi i tyre duhet të shkojë në vend dhe bosi i bosëve duhet të marrë pa tjetër lajmin që objektivi i vënë në shënjestër është vrarë. E në fakt kështu ndodhi fillimisht me Pio La Torre-n, i cili u ekzekutua nga dy persona me dhjetëra plumba pistolete. Edhe Xhovani Falkone i mbylli sytë përgjithmonë bashkë me gruan e tij, por me një mënyrë tjetër. Toto Riina urdhëroi vrasjen e tij, por në një mënyrë çnjerëzore. Një minë me telekomandë e shndërroi në gërmadhë vendin ku po kalonte makina e tij. E vetëm pak javë më pas u “hoq qafe” edhe kolegu e miku i tij më i ngushtë, Paolo Borselino. Toto Riina dhe Salvatore Biondina urdhëruan vrasjen e Borselinos bashkë me 5 oficerë policie.

Vrasjet brenda mafies

Prishja e aferave, konkurrenca, apo edhe dëshira për të ulur dikë e për të zënë vendin e tij, bënë që shumë bosë të mafies në vitet ’80 të “hiqnin qafe” njëri-tjetrin. Në atë kohë kishte shumë rivalitet mes tyre, kryesisht në familjen Korleone. Padyshim jo vetëm vrasjet e njerëzve të shtetit, kryesisht të drejtësisë, u cilësuan të bujshme në Amerikë. Me një bujë të jashtëzakonshme u shoqëruan edhe ekzekutimet e njerëzve të pushtetshëm, por që nuk ishin pjesë e shtetit. Ishin bosë të mafies. I tillë ishte edhe Mikele Nevarra, bosi i familjes Korleoneze apo edhe Mikele Kavataio e më vonë edhe Stefano Bontada i “Cosa Nostra”-s amerikane, të cilët u ekzekutuan nga rivalë të tyre.

Mafia italo-amerikane

“Cosa Nostra” amerikane u themelua në fillim të shekullit të kaluar dhe u pasurua në dy dekadat e para. Ajo lindi për dy arsye: Emigrimi në SHBA i një numri të madh italianësh, midis të cilëve kishte dhe nga ata që ishin marrë me krime. Por edhe për shkak se shumë mafiozë nga Sicilia për t’i shpëtuar ligjit në Itali u detyruan të shkonin në SHBA. Një rol të madh në largimin e tyre pati Mori, prefekti i Palermos, gjatë periudhës fashiste, i cili i persekutoi për një kohë të gjatë. Kjo organizatë varej në mënyrë të drejtpërdrejtë nga “Cosa Nostra” siciliane dhe janë 5 familjet në Amerikë që mbanin kontakt të ngushte me krerët në Itali, familja Bonano, Lukese, Kolombo, Xhenovese dhe Gambino.

Kodi i nderit për anëtarët e “Cosa Nostra”-s

    Celula e parë është e përbërë nga “familja”, një strukturë me bazë territoriale që kontrollon një zonë të qytetit apo një qendër të tërë të banuar, nga ku merr dhe emrin.
    Familja është e përbërë nga “burra nderi” ose “ushtarë” të koordinuar dhe udhëhiqet nga një shef i zgjedhur i quajtur edhe “përfaqësuesi”, i cili pasohet nga një “zv/shef” dhe nga një ose më shumë “këshilltarë”.
    Nëse ngjarje të rastit bëjnë të pamundur zgjedhjen normale të shefit nga anëtaret e familjes, “komisioni” organizon emërimin e “anëtarëve të këshillit” që të administrojnë përkohësisht familjen deri në kohën e zgjedhjeve në normale.  
    Aktiviteti i familjeve koordinohet nga një organizëm kolegjial i quajtur “komisioni” ose “kupola”, ku bëjnë pjesë përfaqësuesit e tre a më shumë familjeve të afërta. 
     Komisioni drejtohet nga njëri prej përfaqësuesve të familjeve. Komisioni ka një rreze veprimi të gjerë, si dhe ka detyrën për të siguruar respektimin e rregullave të Cosa Nostra-s brenda secilës familjeje, e mbi të gjitha, të zgjidhë konfliktet ndërmjet familjeve.
    Jo më pak të rëndësishme janë rregullat që disiplinojnë “rekrutimin” e “burrave të nderit” dhe çështjeve të sjelljes së tyre.
    Kërkesat për rekrutim janë: dhuntia e guximit dhe mungesa e mëshirës; një situatë familjare transparente, e mbi të gjitha mungesa e lidhjeve të çdo lloji me policinë.
    Prova e guximit nuk u kërkohet atyre personazheve që shërbejnë si përfaqësues. Sipas një shprehjeje të Salvatore Contorno-s, anëtar i penduar i Cosa Nostra-s, këtu bëjnë pjesë “fytyra e pastër” e mafies, pra profesionistët, administratorët publikë, sipërmarrësit, të cilët përgjithësisht nuk përfshihen në veprime kriminale.
    Personi që të dhënat e përdorura më lart afrohet me kujdes për t’i testuar disponueshmërinë për t’u bërë pjesë e shoqërisë. Me të marrë pëlqimin, anëtarësimi i rishtarit kryhet në një vend në natyrë. Në prezencën e të paktën tre burrave të familjes, ku do të bëjë pjesë, zhvillohet ceremonia e betimit për besnikëri ndaj Cosa Nostra-s.
    Personi në fjalë mban në duar një imazh të shenjtë, e spërkat me gjakun e një prej gishtave të tij, i vendos zjarrin dhe më pas e mban në duar deri sa fiket duke përsëritur formulën e betimin që përmbyllet me frazën: “U djegsha si kjo figurë e shenjtë nëse tradhtoj betimin tim”.
    Statusi i “burrit të nderit” me t’u përftuar përfundon vetëm në vdekje; mafiozi, cilado qofshin rrethanat e jetës së tij, a kudo të banojë, në Itali a jashtë, mbetet gjithnjë i tillë. 
    “Burri i nderit”, pasi të ketë mbaruar betimin, fillon të njohë sekretet e Cosa Nostra-s dhe të hyjë në kontakt me anëtarët e tjerë. Vetëm familja Korleone e dhe ajo e Resuttana-s nuk ua kanë bërë të ditur asnjëherë zyrtarisht emrat e anëtarëve të tyre, shefave të familjeve të tjera.
    Në çdo rast, njohja e “burrit të nderit” me faktet e Cosa Nostra-s, varet rrënjësisht nga grada që ai do të ketë në organizatë, në kuptimin që sa më lart të jetë aq më të mëdha janë mundësitë që ai të mësojë fakte dhe të hyjë në konkakt me “burra nderi” të familjeve të tjera.
    Çdo “burrë nderi” është i detyruar të respektojë “barrën e heshtjes”: nuk mund t’i zbulojë të huajve anëtarësinë e tij në mafia dhe aq më pak sekretet e Cosa Nostra-s; ky është mbase rregulli më i hekurt i Cosa Nostra-s.
    Brenda organizatës, llafet e tepërta zakonisht nuk çmohen: qarkullimi i lajmeve është i reduktuar në minimumin e domosdoshëm dhe “burri i nderit” duhet të përmbahet për të mos bërë pyetje të tepërta sepse kjo është shenjë e kuriozitetit të pavend dhe çon në lindjen e dyshimeve ndaj personit në fjalë.
    Kur burrat e nderit flasin mes tyre për çështje që kanë të bëjnë me Cosa Nostra-n kanë detyrim absolut për të thënë të vërtetën dhe kur bëhet fjalë për “burra nderi” të familjeve të ndryshme është mirë që të asistojë në bisedë një i tretë që mund të konfirmojë përmbajtjen e bisedës.
    Kush nuk thotë të vërtetën pëson sanksione të rënda që variojnë nga përjashtimi e deri në vdekjen e personit në fjalë.
    Këto koncepte janë të një rëndësie themelore për të vlerësuar deklaratat e kryera nga “burrat e nderit”, pra nga anëtarët e Cosa Nostra-s dhe për të interpretuar sjelljet dhe bisedat.

Falkone e Borselini, dy miqtë që u ekzekutuan nga mafia

Xhovani Falkone dhe Paolo Borselino ishin lindur në Sicili, aty ku integroheshin kasaphanat e luftës. Të dy jetët e tyre gërshetoheshin shpejt, si të ishin manjetike, që as tritoli i mafies nuk arriti t’i ndante dot. Padurim i tyre për t’u ndeshur me gjithçka që ishte e pa drejtë, çdo ditë sa vinte e rritej. Padurim për t’u ndeshur me gjithçka që cenohet, me këtë përbindësh që quhet “Mafie”. E ndërkohë, Xhovani, më 23 maj 1992, vdes në duart e Paolos. Pranë trupit të mikut, Paolo kishte pasur vetëm një impresion, por tepër të fortë: “Duke e mbajtur me fytyrë të kthyer ndaj meje Xhovani Falkonen, në frymëmarrjen e fundit, mendova se bëhej fjalë për një takim të mëvonshëm me të”. E në fakt kështu ndodhi. 56 ditë pas vrasjes së Falkones, ekzekutohet edhe Borselino.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora