E shtune, 27.04.2024, 09:11 PM (GMT+1)

Shtesë » Lajme

Vrasjet më të bujshme të realizuara nga mafia

E shtune, 19.01.2008, 10:46 PM


Kushdo që u mundua dhe tentoi të hidhte pak dritë, apo të kryqëzonte “Cosa Nostra”-n pati një fund tragjik. Mafia organizoi vrasjet më të bujshme kundër atyre që tentuan të “fusin hundët” në punët e bosëve të mëdhenj. Por jo vetëm për ata. Madje ekzekutimet më të mëdha fillojnë me vetë bosët e “Cosa Nostra”-s, si Mikele Nevarra apo Mikele Kavataio. Më pas vrasje të bujshme u cilësuan ekzekutimi i Xhovani Falkone-s, Paolo Borselino-s, Roko Kiniçi-t, Pio la Torre-s, Salvo Lima-s, Karlo Alberto Dala Kieza-s, Gaetano Kosta-s, Xhuzepe Montanaa-s, etj.
 Dikush apo shumëkush, nuk dëshironte që dy prokurorët, Falkone dhe Borselino të ecnin më tej në punën e tyre, sepse ata kishin filluar të ecnin në “tokë të ndaluar”, sepse kishin filluar të preknin interesa deri atëherë të paprekshme, sepse shikonin se ata nuk ndiheshin vetëm. Më parë “rrëzohet” Falkone, më 23 maj 1992, dhe pas tij, në kuadrin e 56 ditëve, më 19 korrik 1992, do të vinte radha e Paolo Borselinos dhe rojeve të eskortës, Agostino Catalano, Valter Kosima, Vincendo Li Muli, Emanuela Loi dhe Klaudio Traina. Për ekzekutimet e tyre u akuzuan Toto Riina dhe Salvatore Biondino. Ndërsa personi që ka shtypur telekomandën për vrasjen e Falkones është Xhovani Bruska, i cili është arrestuar dhe është kthyer në bashkëpunëtor të drejtësisë.

Vrasjet brenda mafias

Prishja e aferave, konkurrenca, apo edhe dëshira për të ulur dikë e për të zënë vendin e tij, bënë që shumë bosë të mafies në vitet ’80 të “hiqnin qafe” njëri-tjetrin. Në atë kohë kishte shumë rivalitet mes tyre, kryesisht në familjen Korleone. Padyshim jo vetëm vrasjet e njerëzve të shtetit, kryesisht të drejtësisë, u cilësuan të bujshme në Amerikë. Me një bujë të jashtëzakonshme u shoqëruan edhe ekzekutimet e njerëzve të pushtetshëm, por që nuk ishin pjesë e shtetit. Ishin bosë të mafies. I tillë ishte edhe Mikele Nevarra, bosi i familjes Korleoneze apo edhe Mikele Kavataio e më vonë edhe Stefano Bontada i “Cosa Nostra”-s amerikane, të cilët u ekzekutuan nga rivalë të tyre.

Arrestimet

Edhe pse janë arrestuar dhjetëra anëtarë të mafias si në Itali ashtu edhe në SHBA, edhe pse shumë prej tyre janë kthyer në të penduar të drejtësisë dhe kanë treguar gjithçka, kanë nxjerrë emra, fakte, kanë dhënë dëshmi mjaft të çmuara për drejtësinë, përsëri duket se kësaj organizate të frikshme nuk i vjen asnjëherë fundi. Shefat historikë të “Cosa Nostra”-s siciliane kanë qenë Vito Kashio Ferro, Kaloxhero Vicini, Mikele Navarra, Luciano Lixhio, Mikele Greko, Gaetano Badalamenti, Stefano Bontade, Salvatore Riina, Bendeto Santapaola, Bernardo Provenzano, por edhe shumë të tjerë, që janë arrestuar apo ekzekutuar. Vrasjet mes anëtarëve të mafias kanë qenë në rastet më të shumta mes “Cosa Nostra”-s italiane dhe asaj amerikane, apo siç quhej ndryshe, “Triumvirat”. Kjo organizatë u krijua në vitet ’70 dhe ’80 nga Badalamenti Gaetano, së bashku me Stefano Bontadën dhe Mikele Grekon kishin krijuar të ashtuquajturën “Triumvirat” të “Cosa Nostra”-s.

EMANUELE BAZILE
Emanuele Bazile ishte karabinieri më i respektuar dhe më i zoti i Monrealit, i cili u vra nga anëtarët e “Cosa Nostra”-s, teska ishte duke u kthyer nga një festë për në shtëpi, së bashku me gruan Silvanën dhe vajzën dyvjeçare, Barbaran. Bazile kishte zbuluar prova dhe dëshmi të forta për rrjetin dhe aktivitetin e “Cosa Nostra”-s dhe nëse mafia nuk do ia kishte prerë në mes këtë nismë karabinierit 31-vjeçar, ai premtonte arrestime mjaft të bujshme të bosëve të mëdhenj të mafias. E në fakt nuk ishte e thënë që ai t’i shkonte deri në fund kësaj pune. Pasi u ekzekutua në sy të familjes së tij, më 4 maj të vitit 1980. Pas vdekjes ai është respektuar me Medaljen e Artë nga qeveria italiane, për kontributin e dhënë në luftën kundër krimit.

GAETANO KOSTA
Prokurori i Famshëm i Palermos në vitet ’80-të, Gaetano Kosta, ekzekutohet vetëm disa ditë para se të kryheshin disa arrestime mjaft të rëndësishme të bosëve të “Cosa Nostra”-s, për të cilët ai kishte siguruar provat e nevojshme dhe kishte prerë fletë-arrestet. Ai vritet mëngjesin e 6 gushtit të vitit 1980, vetëm disa hapa larg shtëpisë së tij, i qëlluar katër herë nga pistoletat e dy “killer”-ve. Ekzekutimi i tij u argumentua me faktin se sapo kishte lëshuar një urdhër arresti për bosin e madh të “Cosa Nostra”-s, Rosario Spatola. Madje për këtë veprim i kishin dalë kundër edhe kolegët e tij, të cilët kishin refuzuar që ta firmosnin. Ai u shpall fajtor nga mafia vetëm sepse kishte respektuar ligjin dhe kishte tentuar të kryqëzonte bosët e saj.

PIO LA TORRE
Pio la Torre ishte një polic i thjeshtë sicilian që kërkonte të luftonte mafian me çdo kusht. Ai ka lindur në provincën e Palermos më 24 dhjetor të vitit 1927. Pasi mbaron studimet kthehet në Sicili dhe kërkon të drejtojë një betejë të madhe që, sipas tij, ishte ajo e luftës kundër mafies. Për La Torren mafia përbënte një rrezik të madh jo vetëm për Italinë, por për të gjithë Mesdheun. Por ai filloi të gërmonte shumë, aq sa bosëve të “Cosa Nostra”-s nuk u pëlqeu dhe kërkuan ta hiqnin qafe. Kështu mëngjesin e 30 prillit të vitit 1982, teksa La Torre së bashku me një kolegun e tij po ndiqnin një makinë të dyshimtë, afër makinës së tyre afrohen dy motorë dhe i qëllojnë për vdekje.

KARLO ALBERTO DE LA KIEZA
Vrasja e gjeneralit të policisë italiane, Karlo Alberto Dela Kieza, u cilësua si ekzekutimi më i bujshëm i mafias në atë kohë. Dela Kieza, i lindur më 27 shtator të vitit 1920, në Saluzo, ishte një nga gjeneralët më të njohur dhe më të respektuar të Italisë. Madje ai ishte cilësuar si gjenerali perfekt. E nëse nga populli i thjeshtë dhe pushtetarët e ndershëm italianë ai shihej me sy të mirë, jo të njëjtat përshtypje linte për mafian. De la Kieza kishte nisur të zbulonte një sistem ryshfeti që për shume vite kishte mbajtur të shtrënguar ekuilibrat ndërmjet politikanëve të korruptuar, afaristëve dhe majës së “Cosa Nostra”-s. Kjo bëri që ai të ekzekutohej në një atentat mafioz më 3 shtator të vitit 1982.

ROKO KINIÇI
Roko Kiniçi ishte shefi i Paolo Borselinës, kur në vitin 1975 ai emërohet hetues në Prokurorinë e Palermos. Bërthama antimafie e Prokurorisë së Palermos në atë kohë përbëhej nga katër prokurorë, Borselino, Falkone dhe Barrile, të cilët punonin përkrah njëri-tjetrit, duke dhënë në punë gjithçka, profesionalizmin e tyre, nën drejtimin mjeshtëror dhe kurajoz të shefit të hetuesisë, Roko Kiniçi. Nga puna e katërshes së fortë, mafia filloi të ndjente goditjet, dhe në këtë formë filloi të lëvizte. Do të kërkonte të rrëzonte me dhunë protagonistët që kërkonin të zbulonin rrjetin e “Cosa Nostra”-s. Kështu më 4 gusht të vitit 1983 do të vritej shefi i hetuesisë, Roko Kiniçi, së bashku me rojet, me një autobombë.

XHUZEPE MONTANA
Komisari Xhuzepe Montana ishte dirigjenti i skuadrës speciale antimafia të Palermos. Ai ishte cilësuar si një investigator i vendosur i kriminalitetit të mafias. Bashkë me mikun e tij, Antonio Kasara, ai kishte drejtuar disa operacione të suksesshme, të cilët kishin vënë në pranga dhjetëra bosë të mafias. Madje komisari Bepe Montana, siç njihej ai, kishte arrestuar dy mafiozë mjaft të rëndësishëm. Katër ditë pasi kishte kryer arrestimet e rëndësishme, teksa Bepe Montana ndodhej në plazh me shoqërinë dhe të fejuarën, më 28 korrik të vitit 1985 ai vritet në një atentat mafioz. Dy persona, të cilësuar si “killer” të mafias, pasi e kanë qëlluar për vdekje janë larguar nga vendi i ngjarjes.

SALVO LIMA
Salvo Lima, i lindur më 23 janar të vitit 1928 në Palermo, ishte një politikan sicilian, i cili u ekzekutua nga mafia. I ati i tij ishte një mafioz, por ky nuk arriti të ndiqte plotësisht rrugën e tij. Kjo gjë nuk i pëlqeu as mafias, por edhe prokuroria s’e kishte me sy të mirë, pasi Lima ishte i përfshirë në një organizatë të tillë, ndoshta edhe pa dëshirë, por thjeshtë si trashëgimtar. Ai nuk arriti të plotësonte dot marrëveshjen që kishte nënshkruar me mafian për të zgjidhur disa çështje gjyqësore në dëm të tyre, dhe sipas organit të akuzës, kjo ishte arsyeja që mafia e ekzekutoi atë më 12 mars të vitit 1992 në Palermo.

XHOVANI FALKONE
Falkone ka lindur në 18 maj 1939 në Palermo, ishte një gjykatës italian, i cili u specializua për ndjekjen e krimeve të “Cosa Nostr”-s. Ka qenë i njohur për gjyqet e tij,  ku nga 474 mafiozë, 360 janë dënuar për krime të rënda dhe 119 janë dënuar në mungesë. Sekretet e mafies, Falkone i mori nga Tomaso Busketa, mafioz sicilian. Falkone u vra së bashku me gruan e tij dhe tre policë më 23 maj 1992. Makina në të cilën ata udhëtonin shpërtheu nga një bombë që ishte vendosur në segmentin e rrugës në të cilën ata po udhëtonin. Vrasja ishte organizuar nga Salvatore Riina, si një hakmarrje ndaj Falkones në dënimet që ai kishte dhënë në gjyqin e madh të varjeve.

PAOLO BORSELINO
Miku i ngushtë i Falkones, Paolo Borselino, i cili përfundoi edhe magjistraturën në të njëjtën kohë me të dhe kishin vendosur që bashkë të luftonin mafian, vendos që të vazhdojë punën e lënë në mes të Falkones pas vrasjes së tij. Borselino filloi të shkelte në atë që quhej “tokë e ndaluar” e familjeve mafioze, kryesisht të “Cosa Nostra”-s dhe bosëve të mëdhenj nuk u erdhi aspak mirë që ai po i “fuste hundët” kaq shumë. Kështu në kuadrin e 56 ditëve nga vrasja e Falkones, më 19 korrik 1992, do të vinte radha e Paolo Borselinos dhe rojeve të eskortës, Agostino Catalano, Valter Kosima, Vincendo Li Muli, Emanuela Loi dhe Klaudio Traina. Për ekzekutimet e tyre u akuzuan Toto Riina dhe Salvatore Biondino.

MIKELE NEVARRA
Padyshim jo vetëm vrasjet e njerëzve të shtetit, kryesisht të drejtësisë u cilësuan të bujshme në Amerikë. Me një bujë të jashtëzakonshme u shoqëruan edhe ekzekutimet e njerëzve të pushtetshëm, por që nuk ishin pjesë e shtetit. Ishin bosë të mafies. I tillë ishte edhe Mikele Nevarra, bosi i familjes Korleoneze. Nevarra quhej ndryshe “Babai jonë”, por në fakt diku u prishën pazaret, u prekën interesat dhe ai u ekzekutua më 2 gusht të vitit 1958, atëherë kur mafia ishte në lulëzimin e saj. Për vrasjen e tij u akuzua Luçiano Lexhio, i cili kërkonte që të merrte ai drejtimin e familjes së madhe Korleone.

MIKELE KAVATAIO
Mikele Kavataio, i ashtuquajturi “Kobra”, ka lindur në Palermo në vitin 1928. Ai konsiderohej si krimineli më i madh italian i asaj kohe, bosi mafioz që drejtonte Akuasantan në Palermo. Protagonisti i luftës së parë të mafies në Itali, ekzekutohet nga rivalët e tij më 10 dhjetor të vitit 1969, kur ishte 41 vjeç. Vrasja e tij u shoqërua me një bujë të jashtëzakonshme për vetë faktin se ai shihej si njeriu më i rëndësishëm dhe më i pushtetshëm i mafies. Sipas hetimeve që u kryen pas vrasjes së tij, rezultoi se ishte Toto Riina ai që kishte organizuar gjithçka, duke dashur të jetë vetë njeriu më i fuqishëm i asaj periudhe. 

ÇEZARE TERRANOVA
Një nga njerëzit më të rëndësishëm të drejtësisë së asaj kohe në Itali ishte edhe Çezare Terranova, i cili u përpoq të hidhte pak dritë mbi “Cosa Nostra”-n. Në fakt kjo ishte detyra e tij, por që i solli edhe fundin e një karriere të shkëlqyer. Mafia mëngjesin e 25 shtatorit të vitit 1979, organizoi ndaj tij në Palermo atentatin e përgjakshëm, ku mbeti i vrarë Terranova dhe bashkë me të edhe karabinieri Lenin Mancuso. Terranova nuk mbahet mend vetëm si një nga njerëzit më të rëndësishëm të drejtësisë, por edhe si deputet dhe si anëtar i Komisionit Parlamentar të Antimafias. Puna e tij u lidh shumë me çështjen e zbulimit të rrjetit të madh të mafies, por gjithçka iu pre në mes.

BORIS XHULIANO
Në vitet ’80—të Boris Xhuliano u cilësua si investigatori më i suksesshëm i policisë dhe skuadrës së Palermos. Ai përdori metodat më speciale të hetimit për të zbuluar lidhjet që kishin politikanët në fund “70-të më mafien dhe në fakt deri diku ia arriti qëllimit. Kjo u cilësua si një sukses i Xhulianos për vetë faktin se proceset gjyqësore deri në ato vite të gjitha kishin dështuar për mungesë provash. E në të vërtetë Xhuliano këtë kërkonte, që të gjente provat e nevojshme që implikonin zyrtarët me mafien e “Cosa Nostra”-s. Por puna e tij u pre në mes, pasi kishte shkelur në rrugën e gabuar. Mafia organizon një atentat ndaj tij, më 21 korrik të vitit 1979 në Palermo, ku ai mbetet i vdekur.

STEFANO BONTADE
Bondate është cilësuar si një ndër shefat e “Cosa Nostra”-s së Amerikës. Stefano Bondate ka qenë anëtar i “Triumviratit” të “Cosa Nostra”-s në vitet ’70-të-’80-të. Nga shumë të penduar dhe bashkëpunëtorë të drejtësisë, ai është konsideruar si ndjekës i vijës së mafies klasike, larg drogës dhe vrasjeve. Ai është njohur si kundërshtar i korleonezëve dhe i Toto Riinës. Prishje aferash mes grupeve rivale dhe bosëve amerikanë e italianë të mafies, konkretisht të “Cosa Nostra”-s, sollën edhe konfliktet dhe rivalitetin me bosët e mëdhenj. Me urdhër të Riinës ai ekzekutohet më 23 prill të vitit 1981, kur ishte në moshën 42 vjeçare, në Palermo.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora