E marte, 11.08.2020, 08:13 PM (GMT+1)

Kulturë » Kinema

Daniel Craig: James Bond më ndryshoi jetën

E diele, 16.12.2007, 06:36 PM


Daniel Craig rrëfen për Bondin, muskujt, famën dhe si arriti që në moshën 39-vjeçare të ketë një sukses të tillë ndërkombëtar

Craig e mban fare mirë mend momentin kur jeta e tij ndryshoi. Ndodhej në një hotel zviceran, ku producentja e të famshmit 007, Barbara Broccoli, i dha përmes telefonit lajmin e madh. Për të ai ishte pikërisht njeriu i duhur, që do të mishëronte spiunin e famshëm britanik në versionin post-modern. Filmi i radhës do të quhej "Casino Ruajal" dhe këtë herë ai e ndiente se fati i kishte trokitur në derë. "Ishte diçka sureale, kujton vetë Craig, krejt e paimagjinueshme, që u shoqërua edhe nga suksesi i jashtëzakonshëm i filmit dhe personazhit, pavarësisht mosbesimit të shumëkujt në fillimet e zgjedhjes sime". Këtë e mbështesin edhe shifrat, pasi Bondi i fundit arriti që të fuste në xhepat e producentes 600 milionë dollarë më shumë se çdo Bond tjetër më parë. Mbi të gjitha, triumfi i vërtetë i takonte vetë Craig, që kaloi një provë shumë të vështirë interpretimi dhe besimi njëherazi. Ai nuk do t‘i harrojë kurrë gjithë thashethemet që pasuan shpalljen e tij si Bondi i ardhshëm. Një pjesë e madhe e gazetave e shihnin si një kandidat aspak interesant dhe të dështuar, ndërkohë që pas shfaqjes së parë shtypi u shndërrua në aleatin e tij më të mirë. "Po, po kur doli se publiku më kishte vlerësuar dhe pëlqyer, më besoni, nuk kishte njeri në botë më të lumtur se unë. Por nuk i shava kurrë ata që më kishin kundërshtuar kandidaturën në fillim".
Suksesi i Bondit i ka hapur në dy kanate dyert e ofertave për të. Ato mbërrijnë nga më të paimagjinueshmet, duke e kthyer Danielin në njërin prej aktorëve më të preferuar të Hollivudit. Nga Bond ai ka "fluturuar" në një tjetër film që sapo ka dalë në sallat amerikane e që duket se do të ketë edhe ai një sukses të jashtëzakonshëm. Filmi quhet "Busulla e artë" dhe është pjesa e parë e trilogjisë së Filip Pulmanit, "Materialet e errëta". "Busulla e artë" pritet që të tejkalojë Bondin si për nga paratë, ashtu edhe për nga suksesi. Në rast se filmi do të rezultojë një ndërmarrje e suksesshme, atëherë do të xhirohen edhe dy seritë e tjera, për ta bërë trilogjinë e plotë dhe Craig do ta gjejë sërish veten në një ndërmarrje të suksesshme kinematografike. "E di, e di që jam me fat! Kush do ta kishte marrë me mend këtë situatë vite më parë? Është e pabesueshme për mua"! Duket vërtet e pabesueshme po të kujtosh reagimin e zgjedhjes së tij si Bondi i ardhshëm në vitin 2005. Reagimi i disave ishte aq i ashpër, saqë si kurrë më parë u ngrit një shoqatë e posaçme njerëzish që ishin kundra kandidaturës së Craig, të cilët gjatë gjithë kohës ndërmorën një fushatë të ashpër në shtyp kundër aktorit, që pohon se ajo ka qenë një ndër momentet më të vështira të jetës së tij, jo vetëm profesionalisht. "M‘u desh që gjatë xhirimeve të punoja dhe përpiqesha shumë herë më tepër nga sa e kisha imagjinuar. Para së gjithash, me lojën time duhet të mbyllja gojët e liga njëherë e përgjithmonë, e më pas duhet t‘i krijoja vetes mundësinë që të hyja në listën e aktorëve të preferuar të Hollivudit, që janë njëherazi edhe më të paguarit". Pas provës së parë të suksesshme, Daniel po përgatitet për Bondin 22, edhe pse ende nuk është zyrtarizuar subjekti, apo edhe emri. Kur i përmend njërën prej skenave mitike të Bondit të shkuar, atë të daljes nga deti, ku shfaq një trup të mrekullueshëm, Craig buzëqesh e madje skuqet paksa. "Po, po, është një nga skenat që më bën të qesh. Më duket vetja si një nga ata djemtë e kalendarëve dhe të mendosh që për ta realizuar na u deshën disa dubla, sepse fillimisht nuk i dukesha regjisorit aq seksi sa duhej të isha në të vërtetë". Trupi është një nga pikat e forta të Craig, por ajo lloj gjendjeje ka dashur punë që të arrihej. "Jam stërvitur për javë të tëra, deri sa erdha në pikën që më keni parë në film. Ishte një stërvitje që më kushtoi dhe në përfundim të filmit vendosa që të qëndroja tre muaj pa stërvitje dhe t‘i jepesha pijes. Kur iu riktheva palestrës, ishte e vështirë, sepse m‘u desh ta ribëja gjithë punën nga e para. Në stërvitjen e parë jam marrë shumë me ngritje peshash, ndërsa tani para Bondit tjetër do të merrem më shumë me boks dhe vrap. Për rolin e 007 duhet të jem fizikisht i fuqishëm dhe kjo ka koston e vet. Gjatë filmit jam lënduar jo pak fizikisht në disa skena të vështira. Edhe në filmin e ardhshëm do të jem i njëjti Bond fizikisht". Pas "Casino Royal", Craig ka bërë edhe filma të tjerë dhe mbi të gjitha është përpjekur që të akomodohet me jetën e tij të re. Nuk do ta harrojë kurrë turneun reklamues që bëri për Bondin në mbarë botën para se të dilte në kinema. Ishte një mrekulli e vërtetë, pasi së bashku me të dashurën, e cila është producente, bëri një xhiro fantastike në hotelet e vendet më interesante të botës. "E dashura ime është pjesa tjetër e fatit që kam. Nuk do t‘ia kisha dalë dot pa të. Ajo më jep sensin e perspektivës, e megjithatë është një marrëdhënie e çuditshme, sepse asnjëherë nuk na qëllon të jemi për një kohë të gjatë në të njëjtin vend. Jemi gjithmonë në lëvizje dhe asnjëherë nuk kemi kohën e mjaftueshme për t‘u ngopur me njëri-tjetrin. Craig ka qenë shkurtimisht i martuar, kur ka qenë 20 vjeç, me aktoren Fiona Loudon, me të cilën ka edhe një vajzë adoleshente. Për sa i përket jetës personale, ai ndihet mirë me të dashurën aktuale, me të cilën është takuar në vitin 2005, në filmin "Xhaketa". Ajo ishte producentja e filmit. "Duket e bukur, por jeta e aktorit është një luftë e vërtetë, një luftë të cilën unë e kam shumë të vështirë ta bëj i vetëm, pa pasur në krah një njeri të dashur. Po të jesh vetëm është e trishtueshme, e mërzitshme dhe aspak produktive. Unë nuk para i besoj vetes për shumë zgjedhje, ndaj më duhet dikush që të vendosem në një balancë, më duhet dikush me të cilin të ndaj momentet e mia më brilante dhe ato të ankthit". Craig ka hyrë tani në atë lloj bote, që ndërsa para teje shumë dyer të hapen, të tjera të mbyllen nga pas. Me pak fjalë, ndërsa për punë është një moment i shkëlqyer e plot fitime të mira, ti je i famshëm në atë masë,sa të mos e gëzosh më jetën në mënyrë private, pa u bërë pre e fotografëve apo gazetave. Sapo vë këmbën jashtë, ndjen fleshin e aparateve fotografike rreth teje. Craig ankohet shumë për humbjen e privatësisë, por tanimë është shumë vonë, i duhet që për sa kohë do të mishërojë Bondin, të durojë të gjitha pasojat, të mira e të këqija. Craig, 39 vjeç, ka lindur në Liverpul dhe është arsimuar për dramaturgji dhe muzikë në Londër. Karrierën e nisi me pjesëmarrjen në disa filma serialë, të cilët i hapën rrugën e së ardhmes. Më pas ka punuar me regjisorë të famshëm si Spilberg për filmin "Munich", Sam Mendez për "Road to Perdition", apo Roger Miller. Ai vetë nuk para ka preferencë për rolet. Përgjithësisht i pëlqejnë edhe ata të vështirët, por që nuk të japin shumë famë. Edhe ata më të lehtët, që të pompojnë me një sukses të menjëhershëm. Për sa i përket Bondit të ardhshëm, ai do të drejtohet nga regjisori Mark Foster, me një skenar të Paul Haggis, autorit të "One million dollar baby". Ndërsa për të dy këta autorë është prova e parë, Craig është plot besim e siguri për rolin e ardhshëm. Tani rruga përpara tij është e shtruar dhe e hapur.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora