E merkure, 09.10.2024, 07:43 AM (GMT+1)

Kulturë

Regjisori i rrëmben zemrën Vesa Lumës

E diele, 16.12.2007, 05:23 PM


Vesa Luma
E ëmbël, lozonjare dhe mjaft e talentuar këngëtarja dhe gazetarja kosovare Vesa Luma shprehet se ndihet mirë që ndodhet në këtë prag fundviti në Shqipëri ku si shprehet vetë ajo në vendin që e zbuloi talentin e saj. Ditët e ftohta të këtij dimri, që sapo ka nisur e kanë gjetur mes shumë impenjimesh këngëtaren nga Prishtina, Vesa Luma. Sapo ka përfunduar vidioklipin e këngës “Ex relax”, me të cilin do të lançojë albumin e saj të ri. Këtë herë në këtë këngë ajo nuk do të jetë vetëm, por me Genc Prelvukaj, liderin e grupit tashmë të njohur edhe në Shqipëri, “Etno Engjujt”.Por, ardhja e saj në Shqipëri në këto ditë të ftohta lidhet edhe me një tjetër ngjarje, që sipas saj është shumë e rëndësishme, pjesëmarrja në Festivalin e 46 të Këngës në Radiotelevizionin Publik Shqiptar. Ndërsa një vit më parë ajo u shfaq në skenën e Pallatit të Kongreseve në Tiranë, si prezantuese në krah të Adi Krastës, së bashku me aktoren Ermela Teli, këtë herë ajo do të vijë të konkurrojë me një këngë, e cila e ngjit atë në skenën e Festivalit denjësisht dhe pse jo edhe për të pretenduar për ndonjë çmim. Gjatë ditëve të qëndrimit të saj në Tiranë ajo dha një intervistë për gazetën “Sot”, ku përveçse aktivitetit të saj të përditshëm ajo na rrëfeu edhe disa të fshehta të jetës së saj.

-Keni pak ditë që keni ardhur në Tiranë, por dimë që ju së shpejti do të nxirrni   në treg albumin tuaj  më të fundit. Si titullohet, çfarë këngësh përmban dhe cilët janë bashkëpunëtorët tuaj për realizimin e albumit?

Unë aktualisht në Kosovë punoj në Radio Televizionin e Kosovës (RTK) dhe jam gazetare përpunuese, pra jo e terrenit. Por, ajo që për mua është më e rëndësishme dhe po e them për herë të parë këtu në Shqipëri është se sapo kam përfunduar albumin tim më të fundit, im cili titullohet “Të kam dashur shumë”. Ky album përmban 10 këngë dhe kam bashkëpunuar me emrat më të talentuar  të muzikës shqiptare si :Flori Mumajesi, Florent Boshjaku si dhe me shumë kompozitorë të tjerë po aq të njohur në muzikën shqiptare. Tekstet e këngëve janë shumë të arrira, por njëkohësisht janë dy tekste këngësh që janë të bëra nga unë.

- Cilat janë rrymat muzikore që përfshihen në albumin tuaj më të fundit?

Në albumin tim përfshihen rryma nga më të ndryshmet. Aty nuk është e thënë që ta gjejë veten vetëm një njeri, por shumë të njerëz. Në këtë album ka këngë me muzikë pop, R&B, balada, një këngë të përzier me muzikë rrok si dhe shumë të tjera.

-Sa kohë keni punuar për albumin, i cili do të lançohet së shpejti në treg?

Unë kam punuar shumë për këtë album, i cili në pjesën më të madhe të tij do të ketë këngë të reja. Nuk kam mujtur me gjetë momentin e përshtatshëm me e publikuar sepse ka qenë shumë e vështirë duke marrë parasysh piraterinë, tregun si dhe shumë gjëra të tjera që po ndodhin tani në Kosovë dhe në Shqipëri. Por, gjithsesi më vjen mirë që kam punuar kaq gjatë dhe me shije dhe nuk kam lënë që të më ikë asnjë detaj i albumit.

-Juve do të ngjiteni ( mbrëmë) në skenën e Festivalit të 46 të Këngës por kësaj radhe jo si një prezantuese por si një konkurrente. Si ndihet Vesa në këtë konkurrim kur vetëm një vit më parë provoi një tjetër performacë atë të prezantimit?

Jam shumë e lumtur që jam pjesëmarrëse si konkurrente në këtë festival. Vërtetë vjet isha prezantuese dhe për mua ishte një eksperiencë e bukur, por edhe si konkurrente ndihem shumë mirë. Kënga që unë prezantoj në festival, është si ajo këngë me atë performacë që është mësuar publiku me mua në skenë. Ajo titullohet “Një natë për mua” dhe është një këngë ritmike, është një këngë, e cila i afrohet shumë këngëve të tjera dhe jam e sigurt që do të pëlqehet nga publiku. Është një kompozim nga Florent Boshjaku dhe me tekst të bërë nga Memli Krasniqi dhe unë. Tjetër gjë, kënga ime ka një performancë interesante duke filluar që në veshje, e cila do të jetë elegante me ngjyrë blu. Kjo është pjesëmarrja ime e tretë ku pjesëmarrja ime e parë ka qenë me këngën “Flakaresha” në vitin 2004 dhe sivjet jam konkurrente në festival ku shpresoj që do të fitojë një këngë që ja vlen me të vërtetë ta fitoj vendin e parë. Konkurrimi live për mua është diçka e mirë dhe mendoj se kjo është edhe më e veçanta e këtij festivali.

-Jeni shprehur se Shqipëria ju zbuloi si këngëtare, por si ndiheni që jeni pjesë e kësaj skene, e cila ju zbuloi për të ecur drejt rrugës artistike?

Publiku shqiptar është shumë i mrekullueshëm. Shqipëria më ka zbuluar dhe është shumë interesante sepse kur vij në aeroport më thonë, ‘Ç’ka don ti tek shtetasit e huaj, eja tek  pasaportat shqiptare’. Por,unë i them që jam nga Kosova dhe çuditen. Pra, ka shumë njerëz, që mbase nuk e dinë që jam nga Kosova, që për mua do të thotë që unë jam e pranishme në Shqipëri. Gjithmonë sa herë kam ardhur jam munduar që të paraqitem sa më denjësisht dhe publikun shqiptar e adhuroj.

-Folëm deri tani për krijimtarinë tuaj artistike, por si e kalon Vesa Luma kohën e lirë duke pasur parasysh që jeni akoma në shkollë, punoni gazetare si dhe nuk i ndaheni asnjë moment këngës?
 
Për fat të keq unë nuk kam shumë kohë të lirë, pasi kam edhe 3 provime për të dhënë për të mbaruar Fakultetin e Gazetarisë. Jam shumë e zënë, por atë kohë të lirë që unë kam mundohem që ta shfrytëzoj duke ndenjur me familjen time si dhe duke kaluar disa momente edhe me të afërmit e mi. Kur kam kohë të lirë mbase edhe ndonjë kafe me shoqërinë.

-Familja juaj është ajo që ju mbështet në gjithë aktivitetin tuaj, por a ka pasur raste kur ju kanë kundërshtar në lidhje me ndonjë projekt tuajin?

Për sa i përket familjes sime ajo është shumë e veçantë për mua. Unë jetoj me nënën dhe dy motrat. Njëra është më e madhe se unë dhe quhet Mjellma, e cila kujdeset shumë për mua. Po mos kishte qenë ajo unë nuk di si do t’ia kish dalë. Kur harroj ndonjë gjë apo CD, ajo ma kujton gjithmonë. Ajo që është më e rëndësishmja është se familja ime më mbështete shumë për gjithçka, por më mbështet shumë edhe moralisht.

-Artistët nuk tregojnë shumë për jetën private, por a është e dashuruar Vesa Luma?

(Qesh). Nuk është se dua që të kem ndonjë sekret, por nuk më pëlqen të flas shumë për këtë. Por, po ju them se jam e dashuruar, kam rreth 1 vit e gjysmë që e njoh. Ai në profesion është regjisor. Më parë ka punuar në televizion ndërsa tani punon vetë privatisht. Nuk mund të them se kam në plan gjëra të tjera pasi është akoma shumë shpejt dhe jeta të ofron shumë të papritura. Përpara se të flas për projekte konkrete dua që të jem e sigurt. Por, deri tani për mua gjithçka është në rregull.

-Pas përfundimit të festivalit, cilat janë disa nga projektet tuaja në vazhdim të aktivitetit artistik?

Vitin e kaluar unë kam qenë gjatë gjithë kësaj periudhe në Shqipëri, pasi kam pasur shumë koncerte për rreth dy muaj. Gati çdo natë kam pasur koncerte ia kam kaluar mirë dhe besoj se edhe vitin e ardhshëm, pse jo do të jem përsëri në Shqipëri.

-Jemi në prag festash, por a ka menduar Vesa se ku do t’i kalojë festat?

Për pushimet akoma nuk kam menduar, mendoj se është akoma shpejt. Them se do të jem edhe në ndonjë koncert, por gjithsesi besoj se do t’i kaloj shumë mirë.

-Keni gjithmonë një performancë të re në skenë. Por, sa kohë i kushton Vesa Luma lookut të saj?

Nuk është se i kushtoj shumë kohë aq sa ta teproj. Por, unë kam dëshirë që të jem gjithmonë në formë dhe të kem një paraqitje sa më të mirë në skenë. Për këtë mundohen që të zgjedh gjithmonë veshje, që i përshtaten sa më shumë shijeve të mia. Por, të gjitha këto unë i ndërthur edhe me spektaklin ku do të prezantohem dhe kjo është shumë e rëndësishme për mua.

-Shumë emra të njohur të skenës dhe ekranit mbajnë dietë për të qenë sa më në formë. Ju e aplikoni diçka të tillë?

Jo, unë nuk mbaj dietë, por kam një organizëm shumë interesant. Unë për një javë mund të shëndoshem dhe të shtoj disa kile, por për një javë mund të bie përsëri nga pesha. Megjithatë unë nuk kam probleme me linjat, ndonëse organizmi im ka këtë lloj natyre.

-Në një darkë me miqtë, cila do të ishte pjata juaj e preferuar?

Në një darkë mua do të më pëlqente që të haja një pjatë me makarona, që më pëlqejnë shumë gjithashtu më shijojnë shumë edhe peshqit, madje më pëlqen shumë që t’i shijoj me verë të kuqe ose të bardhë. Kjo do të ishte darka ime e preferuar dhe mbase do të kisha ndenjur duke ngrënë gjatë gjithë jetës time peshq, pasi më pëlqejnë shumë.

-Dhe në fund të kësaj interviste, cilat janë planet tuaja për vitin 2008?

Kuptohet që së shpejti unë do të lançoj albumin tim. Pas kësaj vijnë provimet si dhe diplomimi. Por, këtu do të përfshihen edhe pjesëmarrja në disa koncerte.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora