E hene, 14.10.2024, 04:48 PM (GMT+1)

Kulturë

Shpallen pesë fituesit e parë të “Dramës shqipe”

E merkure, 12.12.2007, 08:18 PM


Duke vlerësuar krijimet e pakta të viteve të fundit, në fushën e dramaturgjisë, është parë e domosdoshme ndërhyrja institucionale për motivimin e krijuesve të dramës shqipe. Zhvillimi i një konkursi kombëtar për dramën më të mirë, jo vetëm do të motivojë, stimulojë dramaturgët shqiptarë por do t’u japë një mundësi dramave të tyre për tu ngjitur në skenë duke marrë kështu vlerësimin e drejtpërdrejtë të publikut. Në kuadër të këtij projekti i nisur para gjashtë muajve nga MTKRS dje u bë edhe prezantimi i fazës së parë i pesë fituesve të këtij edicioni. Juria e konkursit të “Dramës Shqipe”, pas një procesi shqyrtimi 6 mujor të dramave të dorëzuara pranë Ministrisë së Kulturës, vendosi që të shpallë dje pesë dramat më të mira, që mbeten për vazhdimin e garës për tre çmimet e para. Gjatë procesit të vlerësimit të dramave të shkruara janë evidentuar disa elementë të rëndësishëm si: risitë dramaturgjike, vlerat estetike që mbartin ato si dhe tematika që ato trajtojnë. Në juri ishin emra të njohur të artit si: regjisori Besnik Bisha me cilësinë e kryetarit të jurisë, aktorja Ema Andrea anëtare, Mark Marku anëtar, Parid Teferiçi anëtar si dhe Gentian Çoçoli anëtar. Nuk do të jetë vetëm drama shqipe ajo që do të shikohet si pjesë ë këtij konkursi, por edhe vetë ky projekt i nisur pas tre vitesh mungesë. Në fakt në vitin 2003 ai dështoi si projekt pasi asnjë nga veprat që fituan çmime nuk arriti që të vihet në skenën teatrore. Por, për këtë vit duket se është premtuar më shumë nga MTKRS. Të pyetur për dështimin e këtij projekti anëtarët e jurisë u përgjigjën para mediave se nuk ishin aty për politikat e MTKRS, por për të vlerësuar disa nga projektet e paraqitura, të cilat ishin pjesë e një konkursi. Në lidhje me këtë aktorja Ema Andrea u shpreh: “Ne në fakt duhet që ta zhvillojmë këtë koncept sepse zhvillimi i dramaturgjisë shkon jo gjithmonë në të njëjtin drejtim me shijet e publikut. Këto që kemi përzgjedhur ne janë me cilësi”. Por dje gjatë një debati që u zhvillua mes medias dhe anëtarëve të jurisë, kryetari i saj Besnik Bisha u përgjigj: “Unë mendoj që është një prurje pozitive në raport me paraardhësit. Ne jemi munduar që në zgjedhjet tona të klasifikojmë dhe të vlerësojmë ato drama, të cilat kanë një koherencë me dramaturgjinë bashkëkohore. Jemi munduar të zgjedhim vepra dramaturgjike, të cilat i paraprijnë shijeve të publikut dhe ai të shkojë tek këto vepra dhe vepra të shkojë tek publiku. Dramat që ne kemi përzgjedhur nuk janë vënë në skenë megjithëse ne nuk e kemi pasur si parakusht që dramat të shqyrtohen në se janë vënë më parë apo jo në skenë. Pra, këto janë propozime të autorëve dhe ne shikojmë mundësinë që këto mund të vihen në skenë ose jo. Ky është një konkurs i hapur nga MTKRS dhe i takojnë asaj politikat”. Ndërsa anëtari Mark Marku në këtë prezantim të parë të jurisë para mediave shpjegoi disa nga kriteret e këtij konkursi, i cili sipas tij ky konkurs ka si qëllim promovimin e tendencave të reja në dramaturgjinë shqipe.“ Këtu në këtë konkurs ka një kriter kohor, por nuk ka të bëjë me faktin që dramat kanë konkurruar në faza të tjera, por nuk ka të bëjë as me faktin që ato mund të jenë të vëna në skenë. Madje është një bilanc i dramës së shkruar në këto vitet fundit dhe në këtë kuptim konkursi më tepër se qëllim promovimin e veprave të reja ka si qëllim promovimin e arritjes së dramës shqipe. Në këtë kuptim ka edhe një lloj promovimi të tendencave të reja të dramës shqiptare. Drama nuk është respektore nga pikëpamja: është apo nuk është e vënë në skenë, ne përgjithësisht kemi munduar që të zgjedhim drama të pa konsumuara nga pikëpamja e jetës artistike, pra që nuk kanë bërë një jetë artistike në publik. Veprat që e kanë bërë jetën e tyre artistike në publik e kanë mbyllur ciklin e vet artistik. Ne përgjithësisht nuk i kemi vlerësuar, pasi ato janë të pozicionuara në hierarkinë e dramës shqipe. Kështu në këtë kuptim ne kemi zgjedhur ato vepra që mendojmë se akoma nuk janë konsumuar. Nuk ka pasur asnjë kriter për sasinë që kanë prezantuar autorët. Ne kemi zgjedhur se cilat janë dramat më të mira sepse ne nuk vlerësojmë sasinë”- pohoi ai. Për kryetarin e jurisë, regjisorin Besnik Bisha qëllimi ka qenë stimulimi i autorëve për të shkruar drama për t’u marrë me këtë gjini, e cila është shumë specifike. “Më vjen mirë që një autor ka rreth dy apo tre vepra, ka ardhur dhe ka konkurruar, mendoj se kjo gjë duhet që të bëhet edhe në të ardhmen. Qëllimi i këtij konkursi është për të stimuluar autorët për të shkruar dramë. Ne gjykojmë se cila nga këto drama mund të vihet në skenë. Nëse është rivënë diku dhe nuk është konsumuar siç u tha, ajo quhet e pa vënë në skenë”- pohoi Bisha. Ndërsa pyetjeve për projektin e mëparshëm, i cili nuk dha ndonjë rezultat pasi veprat që fituan në atë kohë nuk u vunë kurrë në skenë Bisha iu përgjigj: “ Unë nuk jam këtu për politikat MTKRS dhe nuk e di se si është titulluar më parë, por e vërteta është se ne kemi për bazë një material me 37 drama, të cilat nuk janë të pakta për një vend me një prodhimtari artistike sa kemi ne. Në këto 37 drama, gjithsesi unë e përmenda edhe në fillim, që ka drama me problematikë të cilat ne i kemi skualifikuar dhe kemi arritur në këtë përfundim se këto janë dramat që ne gjykojmë si të deja për të vazhduar konkurrimin për tre çmimet e para”. Para disa vitesh ky konkurs i dramës shqiptare dështoi, pasi asnjë nga projektet e vlerësuara nuk arriti që të vihej në skenën teatrore. Këtë vit është premtuar se projektet që do të jenë fituese në këtë edicion do të kenë fatin që të vihen në skenë. Por, se sa e vërtetë do të jetë kjo, na duhet që t’i shikojmë vetë këto drama në skenën teatrore. 



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora