E marte, 15.10.2024, 07:58 AM (GMT+1)

Kulturë

Bujar Qamili: Gjithë jetën këndova për dashurinë dhe lulet

E merkure, 05.12.2007, 10:17 PM


Intervista Bujar Qamili - Gjithë jetën këndova për dashurinë dhe lulet

Bujar Qamili: Gjithë jetën këndova për dashurinë dhe lulet

(Interviston: Mentor HOXHA)

Bujar Qamili

Këngëtari Bujar Qamili, pas një jave do të hedh në treg albumin e tij muzikor “Disa qajnë, disa gëzohen”, të përgatitur nga “Studio Record Sonic”. Në këtë album, është përmbledhur muzika e zgjedhur popullore e të gjithë trevave shqiptare, duke filluar nga Shqipëria e Mesme, Shqipëria Jugore dhe nga treva Veriore. Ai ka mbi njëzet e katër vite që nuk ështëshkëputur asnjëherë nga kënga. Ka kënduar në të gjithë rrethet e Shqipërisë dhe pothuajse në të gjitha shtetet e botës. I qeshur dhe me humor si gjithmonë, ai rrëfen jo vetëm për profesionin e tij si këngëtar, por edhe për jetën e tij private. Tregon si është njohur me bashkëshorten gjatë kohës, kur kryente shërbimin ushtarak, përse ka dalë në fotografi me të gjithë presidentët e Shqipërisë dhe përse i ka kënduar më shumë dashurisë dhe luleve.Bujar Qamili ka lindur në Shkodër, më 21 tetor 1963, është 176 cm, peshon 101 kilogramë. Pesha e tij para disa muajsh ka qenë 114 kile.

Kështu që, me humbjen e peshës, Bujari thotë se, ka filluar të shtojë edhe numrin e fansave. Çmimet e tij janë të shumta. Por, ata më kryesoret janë çmim të parë në Festivalin e Këngës Shkodrane. Çmim të dytë në “Mbrëmje të Muzikës Popullore”, çmim të tretë tek spektakli “12 në Hollivud”, çmim të parë tek “Maratona e Këngës Popullore Shqiptare”, çmim të parë tek “Festivali Mbarëkombëtar i Këngës Popullore Shqiptare” në Elbasan. Ka fituar edhe Diskun e Artë të Këngës Popullore Shqiptare. Kohët e fundit, mori çmimin e publikut nga Festivali, “Folk Univers”. Për kontributin e dhënë në muzikë, ka marrë titullin më të lartë që i jepet një këngëtari, “Këngëtar i Urdhërit, Naim Frashëri i Artë”.

Si hyri kënga tek ju?

Kënga hyri tek unë, qëkur isha fëmijë. Fillimisht kam kënduar në koncertet e fëmijëve, që organizoheshin në shkollë. Këtu lindën shkëndijat e para të talentit tim në muzikë. Më pas, u aktivizova në “Grupin e Rinisë”. Me këtë grup, ne jepnim koncerte rinore në qytetin e Shkodrës. Një ndihmë të madhe më ka dhënë edhe Shkodra, qyteti ku kam lindur. Shkodra njihet si një qytet me një traditë të shkëlqyer në muzikën popullore. Pikërisht në këtë qytet, me kulturë të madhe në të gjitha fushat, u shfaq talenti im në këngë.

Kur jeni ngjitur për herë të parë në skenë?

Për herë të parë në skenë jam ngjitur në vitin 1974.

Këngën e keni të trashëguar nga familja, apo është një pasion që ju lindi rastësisht?

Në famijen time asnjë nuk është marrë me muzikë. Madje, as gjyshi dhe as stërgjyshi im. Kënga hyri tek unë krejt rastësisht duke u bërë pjesë e pandarë e jetës sime.

Kur ishit fëmijë, a kishit idhull ndonjë këngëtar shqiptar?

Po, kam pasur. Ai është këngëtari Tonin Tërshana. Në fëmijërinë time unë vdisja për të. Ai ishte dhe mbetet këngëtari im më i preferuar.

Keni kënduar ndonjë këngë të tij?

Kam kënduar këngën, “Tunden Mimozat”. Atëherë isha 17- vjeç. E këndova këtë këngë për herë të parë në një festival muzikor, që u zhvillua në qytetin e Shkodrës.

Mos ndoshta kjo këngë të ka hapur dyert e suksesit?

Mendoj që po, pasi më pas këndova në festivalin e 19 të këngës, që organizohej nga Radio-Televizioni shqiptar. Debutimi im i parë në një festival kaq të rëndësishëm për kohën, më hapi dyert e suksesit.

Ju keni dhënë koncerte në shumë shtete të botës, ku konkretisht?

Koncertet e mia jashtë Shqipërisë kanë qenë të shumta. Pa dashur të mburrem, unë kam kënduar në Turqi, Greqi, Itali, Belgjikë, Angli, Gjermani, Francë, Austri, Danimarkë, Suedi, Nju-Jork, Njuxhersi, Çikago, Boston Florida, Australi, Melburn, Sidney.

Kur ishit në këto shtete, të ka shkuar ndonjëherë mendja për ta braktisur vendlindjen dhe për të jetuar përgjithmonë në njërin nga shtetet që përmendët?

Absolutisht jo. Unë nuk do ta braktis kurrë Shkodrën, apo Shqipërinë për asnjërin nga vendet që përmenda më sipër, ndonëse ata janë përrallorë dhe të mrekullueshëm. Për mua, Shkodra dhe publiku shkodran, janë gjërat më të çmuara që më ka dhënë perëndia, ndaj nuk do t’i braktis kurrë. Dëshira ime e madhe është të jetoj në Shqipëri, pranë vendlindjes sime.

Nga të gjithë këto vende, cili të ka lënë më tepër mbresa?

Në çdo shtet të botës ku kam kënduar jam ndjerë shumë i emocionuar. Kjo ka ndodhur për arsye se, emigrantët dhe bashkatdhetarët tanë që jetojnë atje, na kanë pritur dhe na kanë dhënë duartrokitje të mëdha. Në secilin koncert që kemi dhënë në këto vende, kemi marrë emocione shumë të mëdha, pasi sa më larg Shqipërisë, aq më i madh dhe përvëlues bëhet malli për vendlindjen dhe të afërmit e tu.

Aktualisht muzika popullore po këndohet nga shumë njerëz. Madje shumica e këngëtarëve të rinj që po këndojnë këtë gjini të muzikës, po mundohen të fusin edhe shumë muzikë të huaj, duke ia hequr pastërtinë dhe vlerat muzikës së mirëfilltë popullore?

Kjo bëhet ngaqë edhe muzika si çdo gjë tjetër në Shqipëri ka filluar të kthehet në biznes. Unë nuk kam ndërmend të përmend emra, sepse nuk më takon mua merrem me këtë punë, por mendoj se këto gjëra nuk të bëjnë kurrë këngëtar të adhuruar nga publiku. Të mos harrojmë atë që është më kryesorja. Populli shqiptar e njeh shumë mirë muzikën e bukur të vet. Ai di shumë mirë t’i respektojë këngëtarët që dinë ta këndojnë muzikën popullore shqiptare, ashtu siç është edhe vetë kënga e bukur.

Çfarë u rekomandon këngëtarëve të rinj, që po merren me muzikë popullore?

Për mua do të ishte më mirë që këngëtarët e rinj, sidomos këngëtarët që dalin për herë të pare, të merreshin më mirë me këngën popullore shqiptare, sidomos në momentet e para të fillimeve të tyre. Duke bërë këtë, ata do të kenë një përkrahje më të madhe nga publiku. Kjo do të shërbejë edhe si shtytja e parë drejt këngës popullore. Këto i kemi diskutuar edhe në bisedat televizive që kemi pasur. Megjithatë, unë tani po ju drejtohem si shoku i tyre. Ata duhet të largohen sa më shumë nga këngët që kanë turqizma dhe greqizma brenda. Për të qenë të suksesshëm, ne duhet të mësojmë nga këngëtarët tanë të mrekullueshëm që kanë kënduar aq bukur muzikën tonë popullore. Këtu mund të përmend, Nahile Hoxhën, Ibrahim Tukiçin, Big Ndojën, Shyqyri Alushin dhe shumë të tjerë. Ne kemi mësuar dhe kemi marrë bazën prej tyre. Në lidhje me këngën popullore shkodrane, si e konsideron ecurinë e saj në këto vitet e fundit? Kënga popullore shkodrane ka mbetur në vend. Akoma po këndohen ato këngë që janë kënduar para shumë e shumë viteve, të cilat janë kënduar vetëm me një dajre dhe me një violinë. Akoma ato këngë po këndohen nëpër dasma, nëpër skenat më të mëdha të Evropës, apo në skenat shqiptare. Madje, po këndohen edhe në Akademinë e Arteve. Nuk ka më në Shkodër një kompozitor shkodran, që të bëjë një këngë të bukur shkodrane, që të jetojë sa më gjatë. Në shumë e shumë festivale, që janë bërë në qytetin e Shkodrës, prej 15 vitesh e këtej, vetëm një këngë i ka rezistuar kohës. Kjo është kënga “Ky marak”, e bërë nga Pjetër Gaci, ndërsa këngët e tjera janë shumë të dobëta.

Keni shumë vite që bashkëpunoni me këngëtaren tjetër të muzikës popullore Artiola Toska, si ka ecur ky bashkëpunim?

Ka ecur shumë mirë. Artiolën nuk do ta ndërroja me asnjë këngëtare tjetër. Ne kemi vite që këndojmë së bashku dhe do të këndojmë po së bashku sa të kemi jetën. Po ta them me sinqeritet, që kur unë bëhem bashkë me të, nuk ka as zot me na nda. Jemi dy shokë dhe kolegë të mirë. Ajo është mikja ime më e mirë. Unë isha i ftuar në kasetën e saj, por edhe ajo është e ftuar në kasetën time. Kemi një potpuri këngësh popullore. Artiolës i uroj ta vazhdojë këngën popullore të Shqipërisë së Mesme, si pasuese e denjë e, Hafsa Zyberit dhe Merita Halilit.

Gjatë koncerteve tuaja kanë marrë pjesë shumë personalitete të politikës shqiptare?

Kanë marrë. Madje unë ruaj në shtëpi shumë fotografi, ku kam dalë pothuajse me të gjithë presidentët e Shqipërisë. Njerëzit duhet të dinë diçka, që artistët këndojnë për të kënaqur njerëzit, si dhe për të kënaqur të gjithë ata politikanë të çdo lloj partie qofshin. Ne nuk bëjmë politikë me këngën.

Ndonjëri prej presidentëve të kanë ftuar të këndosh në ndonjë gëzim familjar të tij?

Po më kanë ftuar.

Kur jeni martuar?

Jam martuar para 24-vjetësh.

Si u njohe me gruan që aktualisht keni në krahë të djathtë?

Na lidhën vitet e ushtrisë. Unë atëherë isha duke kryer shërbimin e detyruar ushtarak.

Sa fëmijë ju kanë lindur nga kjo martesë?

Nga kjo martesë më kanë lindur dy djem.

Të dy fëmijët e tu merren me muzikë?

I vogli qëndron në shtëpi me ne. Ai nuk na ndahet kudo që shkojmë. Ndërsa i madhi, sapo ka mbaruar Akademinë e Arteve të Bukura në Tiranë, në degën kitarë. Ai është kitarist dhe solist shumë i mirë.

Në repertorin tuaj artistik janë shumë këngë, të cilat publiku shqiptar tashmë i ka mësuar përmendësh, madje edhe i këndon po për ju, cilat janë këngët më të dashura?

Unë kam shumë këngë, të cilat i dua shumë dhe nuk mund t’i veçoj. Megjithatë më përzemër kam potpuritë shkodrane, si dhe disa këngë që i përkasin Kosovës dhe Shqipërisë së Mesme.

Në momentet që po flasim, Bujar Qamili ka në sirtarin e tij të punës ndonjë projekt artistik që mendon ta konkretizojë së shpejti?

Po. Brenda muajit gusht, kam ndërmend të nxjerr albumin tim të ri.

Si titullohet ky album?

“Njëri qan, tjetri gëzohet”.

Përse e keni titulluar me këtë emër?

Sepse flet për një ngjarje të dhimbshme në lidhje me dashurinë. Një djalë njihet me një vajzë, kalojnë shumë kohë bashkë, në fund ndahen. Ajo martohet me një tjetër. Ky i mërzitur u thotë tupanave, “ndaloni tupana, ju mos bini, dhimbjen në zemër ju ma dini, ajo sonte po martohet njani qan tjetri gëzohet”.

Cila është tematika e këngëve të këtij albumi?

Albumi ka një tematikë të larmishme, ka një ritëm interesant, ka potpuri shkodrane, potpuri të Shqipërisë së mesme dhe potpuri kosovare. Domethënë të gjitha trevat shqiptare përfshihen në albumin tim. Janë bërë orkestracione interesante nga Luan Degistani, Roland Driguli, Fabian Asllani, Edmond Rrapi dhe Edi Balili.

Kujt i këndoni më shumë në albumin tuaj, dashurisë apo patriotizmit ?

Unë gjatë gjithë jetës sime, nuk u kam kënduar kurrë gjërave të tjera, përveçse dashurisë dhe luleve. Kështu që edhe kësaj radhe nuk do t’i ndahem as dashurisë dhe as luleve. Brenda teksteve të mia ka shumë këngë interesante, ndër to mund të veçoj këngën, “Njohja e një djali me një vajzë në dasëm”, “Kur një djalë i bën peshqesh të dashurës së tij një unazë dhe një gjerdan” etj.

Tekstin e këngës kush ua ka shkruar?

Në përgjithësi të gjitha tekstet e mia i ka bërë Jorgo Papingji.

Ju keni kënduar të gjithë këngët popullore të trevave të Shqipërisë, keni hasur vështirësi në interpretimin e këtyre këngëve?

Jo, nuk kam hasur asnjë vështirësi, pasi perëndia më ka dhënë një zë, që t’u përshtatem të gjitha trevave. Madje, me disa këngë të Shqipërisë së Mesme, unë kam dalë mjaft bukur. Siç ka qenë përshembull kënga “Sa e ëmbël dashnia”, Sevda, Sevda”, S’paske pasur një çikë mëshirë”, e shumë e shumë këngë të tjera, ose këngët e jugut,” “Do të marr çiften do të dal për gjah”, “Fustanin që ta solla mbrëmë”, etj. Edhe kësaj radhe në albumin tim kam shumë këngë nga treva e Elbasanit, ku bie në sy kënga shumë e njohur e “Dallëndyshes”, kompozuar nga kompozitori i njohur elbasanas, Mustafa Budini.

Do të ketë brenda albumit ndonjë aktor humori?

Jo. Është vetëm me këngë popullore shkodrane, të Shqipërisë së Mesme dhe me këngë kosovare.

Mund të evidentoni disa nga momentet më të trishtuara dhe më të bukura të jetës suaj?

Mendoj që çdo njeri ka momente të trishtuara dhe të gëzuara në jetën e tij. Unë them që, është më mirë që njeriu të mos i rikujtojë momentet e këqija të jetës së tij. Përsa u përket gëzimeve të mia, unë kam pasur shumë në jetë. Ndaj nuk di kë të veçoj më parë tani.

Ka pasur ndonjë moment që ju keni harruar tekstin e këngës?

Edhe ka pasur, por e kam kaluar pa krijuar asnjë problem.

Të kanë përgojuar ndonjëherë kolegët e tu?

Deri në këto momente unë nuk kam dëgjuar të jem përgojuar nga kolegët. Të gjithë kolegët e mi, qofshin këngëtare femra, qofshin këngëtarë meshkuj, gjithmonë më kanë respektuar. Por edhe unë kam treguar gjithmonë respekt ndaj tyre.

Duke qenë se, jeta juaj si gjithë jeta e artistëve të mëdhenj ka kaluar përmes femrave të bukura, bashkëshortja juaj të ka shprehur ndonjëherë xhelozi për këtë?

Asnjëherë. Përkundrazi, ajo e ka marrë gjithçka me të qeshur, pasi e ka ditur gjithmonë se çfarë burri ka.

Domethënë, ajo jo vetëm që nuk të ka penguar, por të ka hekurosur dhe rrobat për të dalë sa më i bukur para femrave?

Patjetër. Po të fillojmë të numërojmë tani sa kostume dhe këmisha më ka hekurosur ajo për 24 vjet, kushedi sa do të bëhen.

A keni pasur ndonjëherë probleme me zërin?

Asnjëherë nuk kam pasur probleme me zërin. Zoti ma ka ruajtur. Ashtu siç ma ka dhënë të mirë, edhe unë jam munduar ta vë në shërbim të popullit tim.

Çfarë mund të shtosh diçka tjetër?

Desha të uroj studion e producionit muzikor “Super Sonic”. Është një studio që ka përgatitur albumet e këngëtarëve më në zë, si të Ardit Gjebresë, Merita Halilit, Artiola Toskës dhe shumë këngëtarëve të tjerë, që nuk po më kujtohen momentalisht. Është një studio muzikore, që po na bën të matemi mirë kur ta nxjerrim kasetën, ndaj unë falenderoj shumë producentin, Riza Cerova.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora