E enjte, 10.10.2024, 04:03 PM (GMT+1)

Kulturë

Memli Krasniqi, Nga Ritmi i Rrugës, në krah të djathtë të Hashim Thaçit

E shtune, 01.12.2007, 04:18 PM


Shkruan : Kristi Pinderi

Memli Krasniqi
E mbani mend djalin rebel të grupit nga Kosova “Ritmi i Rrugës”? Memlin, këngëtarin e ketij grupi, djaloshin e veshur me veshje sportive të gjera, të ngjashme me veshjet e çdo këngëtari të muzikës Rap në botë? Me siguri e mbani mend, por pak gjasa ka që ta keni parë protagonistin kryesor të këtij grupi të suskesshëm edhe në Shqipëri, brenda një kostumi firmato, e me një kollaro, duke folur për politikën e duke planifikuar një karrierë pranë majave më të larta të politikës së re të Kosovës.
Memli Krasniqi mund të konsiderohet sot si një prej njerzve më të afërt të Hashim Thaçit. Ai do të jetë një prej anëtarëve më të rinj në moshë të Kuvendit të Kosovës dhe pret që shumë shpejt të angazhohet me punë edhe pranë ekzekutivit të ri të dalë nga zgjedhjet e fundit në Kosovë. Ka një rrjedhë logjike angazhimi në politikë i këtij djaloshi që ka bërë shumë fansa në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni e gjetkë, e që së fundi ka marrë edhe votat e qytetarëve të Kosovës. “Hyrja ime në politikë nuk ka qenë krejt e papritur”, thotë ai në këtë intervistë ekskluzive për MAPO.
I lindur në Prishtinë në vitin 1980 ai ka përfunduar studimet për Shkenca Politike dhe Administratë Publike në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Prishtinës, ndërsa ka mbaruar magjistraturën në Marrëdhënie Ndërkombëtare në Shkollën Londineze për Ekonomi dhe Shkenca Politike të Universitetit të Londrës (LSE). Ka marrë mjaftueshëm njohuri edhe në fushën e komunikimit, pasi në vitet 1999 - 2000 ka punuar si gazetar/korrespodent nga Kosova për agjencinë amerikane të lajmeve Associated Press, ndërsa në vitin 2002 ka qenë Drejtor për Marrëdhënie Publike në Qendrën e Telemjekësisë së Kosovës. Ishte viti 2004 kur ai është kyçur aktivisht në Partinë Demokratike të Kosovës (PDK), fillimisht duke drejtuar Qendrën për Studime Politike (QSP), që ka funksionuar në kuadër të kabinetit të Kryetarit të partisë, z.Hashim Thaçi. Që nga krijimi i Kabinetit për Qeverisje të Mirë të PDK-së, Memli është udhëheqës i Departamentit për Rini. Po ashtu, bën pjesë në bordin e drejtorëve të Institutit Kosovar për Demokraci, që është krijuar si pasardhës i QSP-së. Në tetor të vitit 2006 është zgjedhur Kryetar i Rinisë Demokratike të Kosovës - subjektit rinor të PDK-së që përfaqëson të gjithë anëtarët e saj ndërmjet moshave 16 - 30 vjeç. Nga ky pozicion, Memli është edhe anëtar i Kryesisë së PDK-së.
Eshtë marrë për shumë vite edhe me muzikë dhe ka punuar në shumë projekte të kësaj fushe, kryesisht si tekst-shkrues për këngëtarë dhe grupe të njohura të muzikës moderne shqiptare dhe në veçanti si këngëtar i grupit “Ritmi i Rrugës”. “Unë dhe gjenerata ime jemi rritur në një Kosovë të okupuar, ku politika ka qenë pjesë e pandashmë e jetës sonë të përditshme, ndërsa si faktor shtesë në rastin tim ka qenë edhe babai im, i cili ka qenë aktiv në skenën politikë të Kosovës që nga fundi i viteve ’80", shpjegon ai.
Jeton në Prishtinë me të fejuarën e tij, ka shumë pak kohë të lirë, por gjen momente për të lexuar libra nga fusha e marrëdhënieve ndërkombëtare dhe aktualitetit politik, ndërkohë që dëgjon muzikë Soul dhe RnB. Surpriza tjetër: Ritmi i Rrugës vazhdon ende, madje shumë shpejt ata do të nxjerrin albumin e katërt…

Si u gjendët papritur pranë politikës?

Memli Krasniqi: Në fakt, hyrja ime në politikë nuk ka qenë krejt e papritur. Gjatë gjithë karrierës sime muzikore, unë e kam konsideruar muzikën time si politikë timen dhe konkretisht muzikën Rap, të cilën e kam pëlqyer fillimisht dhe e kam përdorur si një medium të shprehjes së ideve, mesazheve dhe bindjeve të mia. Shumica e këngëve të “Ritmit të Rrugës” flasin për problemet dhe preokupimet sociale, ekonomike dhe politike të kohës kur janë krijuar. Pastaj, unë dhe gjenerata ime jemi rritur në një Kosovë të okupuar, ku politika ka qenë pjesë e pandashmë e jetës sonë të përditshme, ndërsa si faktor shtesë në rastin tim ka qenë edhe babai im, i cili ka qenë aktiv në skenën politikë të Kosovës që nga fundi i viteve ’80. Të gjitha këto më kanë drejtuar kah politika dhe kështu më ka lindur edhe interesimi që të studioj shkencat politike. Kyqja ime në Partinë Demokratike të Kosovës më 2004, ka qenë në një mënyrë një rrugëtim i imi i natyrshëm në këtë fushë.

Tre albume muzikore me “Ritmin e Rrugës” dhe disa vjet të mira studime… E vërtetë?

Memli Krasniqi: Po, kam studiuar për Shkenca Politike në Universitetin e Prishtinës dhe më pas kam magjistruar në Marrëdhënie Ndërkombëtare në LSE - Shkollën Londineze për Ekonomi dhe Shkenca Politike të Universitetit të Londrës. Profesionalisht me muzikë jam marrë që nga viti 1995 dhe me “Ritmin e Rrugës” kam publikuar tre albume: “Bota është e Jona” (2000), “Obsesion” (2002) dhe “Përjetësisht” (2004).

Çdo të thotë për Memli Krasniqin, me shumë fansa si pjestar i Ritmit të Rrugës, të mendojë tashmë për politikë e të punojë pranë politikës në Kosovë?

Memli Krasniqi: Për mua marrja me politikë është një përgjegjësi serioze, veçanërisht në këtë moment historik për Kosovën. Kam bërë një përvojë të konsiderueshme për këto vite dhe ndjehem mjaft komod.

Çdo të thotë kjo? Që e keni braktisur tashmë muzikën?

Memli Krasniqi: Është pyetje që më është bërë shpesh këto dy vitet e fundit, meqë i kam munguar skenës muzikore, por fakti që tashmë prioritet për mua është anagzhimi im politik nuk do të thotë që e kam braktisur muzikën. Në fakt, planifikojmë që vitin e ardhshëm të nxjerrim një album të ri, të cilin e kemi vonuar mjaft për shkak të angazhimeve të mija dhe të Arbërit.

Çfarë mban mend nga Ritmi i Rrugës? Çfarë të mungon nga ajo kohë?

Memli Krasniqi: Ritmi i Rrugës është ende dhe edhe pse s’është më ndër prioritetet tona kryesore, përfaqëson një pjesë të patjetërsueshme të identitetit tim, me të cilën krenohem shumë. Kam kaluar shumë vite të bukura duke shëtitur anë e kënd Kosovës, Shqipërisë, Maqedonisë e në Europë duke kënduar këngët tona bashkë me fansat tonë të shumtë. Kemi qenë më të rinj dhe gjërat i kemi parë pak më ndryshe. Kemi punuar shumë, por megjithatë kam qenë me më pak strese atëherë.

Cila do të jetë e ardhmja jote pas zgjedhjeve të fundit?

Memli Krasniqi: Angazhimi im kryesor ka qenë në drejtim të fitores së PDK-së në zgjedhjet e fundit dhe tani kur Kryeministër i Kosovës do të jetë kryetari i PDK-së, z. Hashim Thaçi, me të cilin kam punuar gjatë viteve të fundit, unë do të kontribuoj aty ku të më kërkohet. Do jem anëtar i Kuvendit të Kosovës dhe po ashtu pjesë e ekzekutivit.

Mund të na zbuloni disa detaje të tjera nga jeta personale, familja, shoqëria, dashuria…?
 
Memli Krasniqi: Jetoj në Prishtinë me të fejuarën time, kam shumë miq të afërt me të cilët shoqërohem prej shumë vitesh. Kam shumë pak kohë të lirë, por gjej momente për të lexuar libra nga fusha e marrëdhënieve ndërkombëtare dhe aktualitetit politik, si dhe kryesisht dëgjoj muzikë Soul dhe RnB.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora