| E shtune, 01.12.2007, 04:18 PM |
Shkruan : Kristi Pinderi
![]() |
Memli Krasniqi |
Si u gjendët papritur pranë politikës?
Memli Krasniqi: Në fakt, hyrja ime në politikë nuk ka qenë krejt e papritur. Gjatë gjithë karrierës sime muzikore, unë e kam konsideruar muzikën time si politikë timen dhe konkretisht muzikën Rap, të cilën e kam pëlqyer fillimisht dhe e kam përdorur si një medium të shprehjes së ideve, mesazheve dhe bindjeve të mia. Shumica e këngëve të “Ritmit të Rrugës” flasin për problemet dhe preokupimet sociale, ekonomike dhe politike të kohës kur janë krijuar. Pastaj, unë dhe gjenerata ime jemi rritur në një Kosovë të okupuar, ku politika ka qenë pjesë e pandashmë e jetës sonë të përditshme, ndërsa si faktor shtesë në rastin tim ka qenë edhe babai im, i cili ka qenë aktiv në skenën politikë të Kosovës që nga fundi i viteve ’80. Të gjitha këto më kanë drejtuar kah politika dhe kështu më ka lindur edhe interesimi që të studioj shkencat politike. Kyqja ime në Partinë Demokratike të Kosovës më 2004, ka qenë në një mënyrë një rrugëtim i imi i natyrshëm në këtë fushë.
Tre albume muzikore me “Ritmin e Rrugës” dhe disa vjet të mira studime… E vërtetë?
Memli Krasniqi: Po, kam studiuar për Shkenca Politike në Universitetin e Prishtinës dhe më pas kam magjistruar në Marrëdhënie Ndërkombëtare në LSE - Shkollën Londineze për Ekonomi dhe Shkenca Politike të Universitetit të Londrës. Profesionalisht me muzikë jam marrë që nga viti 1995 dhe me “Ritmin e Rrugës” kam publikuar tre albume: “Bota është e Jona” (2000), “Obsesion” (2002) dhe “Përjetësisht” (2004).
Çdo të thotë për Memli Krasniqin, me shumë fansa si pjestar i Ritmit të Rrugës, të mendojë tashmë për politikë e të punojë pranë politikës në Kosovë?
Memli Krasniqi: Për mua marrja me politikë është një përgjegjësi serioze, veçanërisht në këtë moment historik për Kosovën. Kam bërë një përvojë të konsiderueshme për këto vite dhe ndjehem mjaft komod.
Çdo të thotë kjo? Që e keni braktisur tashmë muzikën?
Memli Krasniqi: Është pyetje që më është bërë shpesh këto dy vitet e fundit, meqë i kam munguar skenës muzikore, por fakti që tashmë prioritet për mua është anagzhimi im politik nuk do të thotë që e kam braktisur muzikën. Në fakt, planifikojmë që vitin e ardhshëm të nxjerrim një album të ri, të cilin e kemi vonuar mjaft për shkak të angazhimeve të mija dhe të Arbërit.
Çfarë mban mend nga Ritmi i Rrugës? Çfarë të mungon nga ajo kohë?
Memli Krasniqi: Ritmi i Rrugës është ende dhe edhe pse s’është më ndër prioritetet tona kryesore, përfaqëson një pjesë të patjetërsueshme të identitetit tim, me të cilën krenohem shumë. Kam kaluar shumë vite të bukura duke shëtitur anë e kënd Kosovës, Shqipërisë, Maqedonisë e në Europë duke kënduar këngët tona bashkë me fansat tonë të shumtë. Kemi qenë më të rinj dhe gjërat i kemi parë pak më ndryshe. Kemi punuar shumë, por megjithatë kam qenë me më pak strese atëherë.
Cila do të jetë e ardhmja jote pas zgjedhjeve të fundit?
Memli Krasniqi: Angazhimi im kryesor ka qenë në drejtim të fitores së PDK-së në zgjedhjet e fundit dhe tani kur Kryeministër i Kosovës do të jetë kryetari i PDK-së, z. Hashim Thaçi, me të cilin kam punuar gjatë viteve të fundit, unë do të kontribuoj aty ku të më kërkohet. Do jem anëtar i Kuvendit të Kosovës dhe po ashtu pjesë e ekzekutivit.
Mund të na zbuloni disa detaje të tjera nga jeta personale, familja, shoqëria, dashuria…?
Memli Krasniqi: Jetoj në Prishtinë me të fejuarën time, kam shumë miq të afërt me të cilët shoqërohem prej shumë vitesh. Kam shumë pak kohë të lirë, por gjej momente për të lexuar libra nga fusha e marrëdhënieve ndërkombëtare dhe aktualitetit politik, si dhe kryesisht dëgjoj muzikë Soul dhe RnB.