E marte, 08.10.2024, 06:41 AM (GMT+1)

Kulturë

"Meqë Kodrën nuk e duan, po e marr në Itali"

E premte, 23.11.2007, 03:28 PM


Presion ose jo, quajeni si të doni. Tashmë e ka bërë fakt të kryer. Ibrahim Kodrën do ta marr në Itali. Kështu është shprehur dje gjatë një konference për shtyp, kuratori i testamentit të piktorit të njohur, Fatos Faslliu.

ANILA MEMA

 Pas shumë përpjekjesh, tentativash, sorollatjesh, prej më se tre muajsh, nëpër dyer institucionesh, ka vendosur të mos pyes më për varrimin e Ibrahim Kodrës në Ishëm. Ka vendosur të plotësojë amanetin e tij dhe për këtë tregon se do të nisë procedurat e zhvarrimit të eshtrave të tij, për ta varrosur në Milano. "Kam bërë shumë tentativa me shumë përfaqësues të institucioneve të shtetit tim për të sensibilizuar dhe vënë në vend amanetin e një nga përfaqësuesve më të denjë të pikturës, maestro Kodrës. Tentativat e mia deri më sot, ndonëse kam përdorur rrugë indirekte dhe direkte me miq e shokë, me bashkëpunëtorët më të ngushtë, funksionarët më të lartë të shtetit shqiptar, fatkeqësisht nuk kam mundur të marr një përgjigje. Dua të theksoj se amaneti verbal i Kodrës ka qenë që të varroset në një vend të bukur, siç është Durrësi dhe Tirana. Por ligji është shkelur me katër këmbët. Unë të hënën, pasi të kthehem në Itali, do të nis procedurat me avokatin tim dhe gjithashtu Vitorio Zgarbin, mik i ngushtë i maestros dhe imi gjithashtu për zhvarrimin. Meqenëse këtu nuk e duan mjeshtrin, atëherë do ta varros në Milano", shprehet Faslliu. Sipas tij, dëshira e Kodrës ka qenë që të varroset në një vend të bukur si në Tiranë, ose në Durrës, por kurrsesi në Ishëm. Ndaj dhe për këtë çështje i është drejtuar gjatë këtyre kohëve qëndrimi në Shqipëri edhe prefekturës në Durrësit. "I jam drejtuar me një letër zyrtare prefektit Klodjan Pajuni, ku ka të gjithë elementët juridikë në këtë kërkesë, por kanë kaluar më shumë se gjashtë muaj që nuk kam marrë përgjigje nga ana e tij. Në 7 shkurt të vitit 2008 mbushen dy vjet nga vdekja e maestros, i cili po prehet në një vend ku nuk ka dëshiruar që të jetë. Ndaj dhe unë, nëse deri të hënën nuk marr ndonjë përgjigje nga drejtuesit e këtij shteti, do të kthehem në Itali dhe të nis procedurat ligjore, me të drejtat e ekzekutorit të testamentit të tij", thotë ai. Ndërkohë projektimi për varrin është bërë prej kohësh nga ana e tij. I pyetur nëse do të ketë reagime pas deklaratës së tij nga zyrtarët shqiptarë, atëherë Faslliu shton: Padyshim që do ta kthej mbrapsht këtë vendim, por gjithmonë duke plotësuar amanetin e tij, të mos prehet në Ishëm", thotë kuratori. Por si ka nisur gjithë ky problem me mjeshtrin e madh të kubizmit shqiptar, Ibrahim Kodra. "Kur Kodra u nda nga jeta, në Shqipëri pas homa-zheve të bëra në Brera të Italisë, nuk na priti askush. Madje, ardhja jonë është bërë me shpenzimet e Bexhet Pacollit, ndërsa varrimi i maestros ka qenë shtetëror. Unë nuk kam folur atëherë për të mos prishur opinionin e gjithë asaj çka ishte organizuar nga shteti për mjeshtrin. Ndaj për të mos prishur atmosferën e krijuar, homazhet dhe nderimet madhështore që ju bënë mjeshtrit, (të cilat ishin të tilla) si nga Presidenti, Kryeministri dhe zyrtarë të lartë të shtetit, nuk ngrita zërin. Por një arsye më e fortë se kjo ishte se unë nuk kisha të drejtë të flisja për aq kohë sa nuk ishte hapur testamenti i Kodrës, ku thuhej se unë isha kurator i testamentit të tij. Por ditën e varrimit i kam thënë komisionit të varrimit që dëshira e tij nuk ka qenë të varrosej në Ishëm", shprehet Faslliu. Ndërkaq po të marrësh një ditë rrugën e të shkosh pranë varrit të maestros me famë botërore, në Ishëm, në një kodër të largët, pasi kalon fshatin, pranë një depoje uji, mes tubacionesh të ndryshme, atëherë do të pyesësh pse?! A meriton Kodra një varr të tillë, dhe a meriton maestro të përflitet kaq shumë për probleme të tilla, varrim, zhvarrim... A do të vijë një ditë kur të gjithë ne, shqiptarët e këtij vendi të krenohemi dhe lartësojmë sadopak këto ikona që na nderojnë në botë (ndonëse s'jetojnë më)? Është e rëndë të mendosh se me vdekjen e tij, duket sikur një epokë zbriti në varr.

Varrimi shtetëror
Pas sfidash të ndryshme, pas vajtje-ardhjesh të ndryshme Shqipëri-Itali, Faslliu tashmë i ka marrë parasysh të gjitha. "Dua që të bëj me dije artdashësit shqiptarë dhe të sensibilizoj opinionin publik, se maestro Kodra po prehet në vend të papërshtatshëm, në një vend ku nuk ka dashur kurrë. Dhe varrimi i tij është bërë alla-shqiptarçe. Ibrahim Kodra nuk ka thënë që kur të vdes më varrosni në Ishëm, por fjalët e tij kanë qenë "kur të pushoj dua që të jem në një vend të bukur, mundësisht në Tiranë, ose në Durrës". Ai nuk e thoshte direkt, por e linte me nënkuptimin që nuk donte të varrosej në Ishëm. Dhe maestro vdekjen s'e pranonte", shton kuratori, duke shpjeguar se varrimi i maestros ka qenë shtetëror.

Testamenti
Testamenti i artistit dhe shqiptarit të madh Ibrahim Kodra, thotë me pak fjalë se "të gjithë pasurinë time materiale e shpirtërore ia le dy Fondacioneve Kulturore 'Ibrahim Kodra', njërit në Zvicër dhe tjetrit në Shqipëri. Përgjegjësi i zbatimit të këtij testamenti apo thënë ndryshe - kuratori i testamentit - do të jetë Fatos Faslliu, kryetari i shoqatës kulturore Itali-Shqipëri". Shtëpia e mjeshtrit Ibrahim Kodra është lënë në testament të kthehet në "Shtëpia Muze e Mjeshtrit Kodra". E gjithë vlera e testamentit lënë fondacioneve do të përdoret për hapjen e ekspozitave dhe përhapjen brez pas brezi të famës së Mjeshtrit Kodra. Më tej në këtë testament, Kodra thekson se, "kjo vlerë e lënë dy fondacioneve të shërbejë në mënyrë të veçantë për talentet e reja të Arbërisë në pikturë dhe në të gjitha fushat e artit.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora